Berisha nga Berati: Tani duhet të bëjmë hapin tjetër më të madh drejt fitores, të bashkohemi me qytetarët e mbarë Shqipërisë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN E BERATIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Sali Berisha ka zhvilluar  një takim me demokratët e Beratit, në kuadër të fushatës elektorale në 11 maj. Duke bërë një rezyme të zhvillimeve politike përgjatë 3 dekadave të fundit, Berisha theksoi se ‘PD ia doli të jetë surpriza e vërtetë e revolucioneve demokratike të viteve ’90’.

Gjatë fjalës së mbajtur në takim, lideri i opozitës, Sali Berisha foli edhe për bashkimin e demokratëve pas zhvillimeve brenda PD gjatë 3 viteve të fundit, si dhe sulmin e gjithënanshëm të Edi Ramës për ta lënë vendin pa opozitë. ‘Tipari më kardinal i demokratëve është toleranca! U përpoqën të na bëjnë copë e çikë, sot jemi më të bashkuar se kurrë’, u shpreh Berisha gjatë takimit me qytetarët beratas.

Prej takimit me demokratët e Beratit, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me PD për të rrëzuar narko-diktaturën e Edi Ramës. ‘Tani duhet të bëjmë hapin tjetër më të madh drejt fitores, të bashkohemi me qytetarët e mbarë Shqipërisë’, theksoi kreu i PD-së.

Duke bërë një analizë të keqqeverisjes 12-vjeçare të Edi Ramës si kryeministër, lideri i demokratëve theksoi se sot ekziston fronti më i gjerë i pakënaqësisë ndaj qeverisë që nga viti 1991: Sot ekziston fronti më i gjerë i pakënaqësisë ndaj qeverisë që nga viti 1991. Ne duhet ta bashkojmë këtë front.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal edhe te vota e diasporës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke i bërë thirrje demokratëve që të shumëfishojnë votat për PD-në. ‘Secili prej jush mund të shumëfishojë votën e tij me vëllezërit dhe motrat tona në emigracion! Le t’i ndihmojmë të regjistrohen’, nënvizoi kryedemokrati Sali Berisha në fund të fjalës së tij me demokratët në Berat.

FJALA E PLOTE:

Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë të Beratit, një përshëndetje të përzemërt, mirënjohje të pakufishme dhe përulje me nderimin më të madh para të gjithë atyre qytetarëve, banorëve të këtij rrethi që me guxim, me vizion, themeluan 32 vite më parë, në kushtet e një diktature të egër, partinë e parë opozitare, PD-në si parti të vlerave më të larta të njeriut, të dinjitetit, të lirisë, të familjes, të atdhedashurisë, të interesit kombëtar.

Themelimi i PD në Shqipëri, e cila asokohe ishte Koreja e Veriut e Evropës, u prit si një surprizë, si një habi e madhe në mbarë Evropën dhe më gjerë.

Rikujtoj këtu pranverën e vitit 1991, kur përfaqësuesi juaj, do merrja pjesë në samitin e partive të qendrës së djathtë të Evropës, që në atë kohë quhej Bashkimi Demokratik Evropian.

Në atë samit, prania e Sali Berishës u quajt simbol i asaj që ka arritur Evropa.

Po çfarë ishte Sali Berisha? Ishte njëri prej jush, 3 muaj në Evropë. Po përsëri Sali Berisha u përfaqësonte ju, gratë dhe burrat guximtarë, atë të cilën të tjerët nuk e prisnin, bënë të pamundurën, përmbysën diktaturën hoxhiste, diktaturën më staliniste të Europës, në një kohë kur në të katër anët besohej se Shqipëria do mbetej Kuba e Adriatikut.

Pra, realisht PD ia doli të jetë surpriza e vërtetë e revolucioneve demokratike të viteve ’90.

Në të gjithë udhëtimin e saj, kjo parti pa diskutim me gjithë gabimet e saj, Shqipërinë hiperkolektiviste, e shndërroi në Shqipërinë e iniciativës së qytetarëve.

E shndërroi në vendin e shpresës.

E shndërroi në vendin, i cili nga honet e varfërisë që gjendej edhe muajt e parë të vitit 1992, me të ardhurat për frymë vendi i tretë më i fundit në botë, ia doli ta rendisë në vitin 2008 në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.

Ia doli që ekonomia shqiptare t’i rezistojë edhe krizës evropiane.

Ia doli që sektori privat të jetë udhëheqës dhe dominues në ekonominë e këtij vendi.

Ia doli të hapë Shqipërinë, ta anëtarësojë në Këshill të Evropës, të hapë negociatat me BE, ta anëtarësojë në NATO.

Pra, në këtë kontekst, po ta përmbledhim me një fjalë, PD u faktua para shqiptarëve një lokomotivë e vërtetë e zhvillimit të vendit dhe integrimit të tij euroatlantik.

Përvjetorët nuk janë vetëm momente të rreshtimit të meritave apo edhe të dobësive, por janë momente të një reflektimi të thellë, sidomos sot pas 34 vitesh, çdo njëri prej nesh duhet të shtrojë një pyetje: cili ishte tipari, virtyti më jetik, më vendimtar i ne demokratëve?

Unë ua them ju.

Tipari më kardinal i burrave dhe grave fisnikë, djemve dhe vajzave që themeluan PD, ishte para së gjithash toleranca.

Atyre që kanë përjetuar vitet ’90 në këtë qytet dhe jo vetëm, u kujtohet kur të tjerët rrëmbenin armët kundër nesh, në një kohë që ne, jo vetëm që nuk rrëmbenim armët, përkundrazi bënin gjithçka me tolerancën tonë t’i tërhiqnim ata, të bashkoheshin me ne.

Dhe këtu pas 32 vitesh, u them unë ju që merita juaj më e madhe historike pas themelimit të forcës politike opozitare ishte shmangia me tolerancë të një konflikti civil, për të cilin forcat fanatike, veçanërisht pas rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, ishin të gatshme ta ndiznin në shumë qarqe të vendit.

Demokratët u linçuan, por edhe u ekzekutuan në mes të rrugës.

Demokratët, siç ndodhi në Borsh, u tërhoqën me kamionë zvarrë, por ne mbetëm parti e tolerancës dhe ne nuk pranuam që të ndjekim lojën tjetër, në interesin më të mirë të Shqipërisë, shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre.

Pse e evokova unë këtë tipar?

Se ky tipar është ADN-ja jonë.

Mos harroni, po të kthehemi në vitin 1991, as unë, as ju nuk njihnim universin e proceseve të demokracisë që prisnin për t’u ndërtuar nga ne.

Jo, ishim rritur në diktaturë dhe njohuritë tona për sistemin socialist ishin të pafundme, por njohuritë tona për sistemin tjetër ishin rudimentare.

Por ne u treguam realistë, ne mësuam, ne ndoqëm me përkushtim të madh vlerat tona që besojmë, idealet tona dhe u bashkuam.

U bashkuam në vitin 1992 më 22 mars në bashkimin më të madh që kanë njohur shqiptarët në historinë e tyre.

Dhe ai bashkim, ajo energji u shndërrua në forcën jetësore të zhvillimit të Shqipërisë.

Pas 34 vitesh, kohërat janë krejt të tjera.

Por prapë më ju do flas haptas. Këto 3 vite ishin vitet e provës më të madhe që ne kemi kaluar në tërë ekzistencën tonë.

Dhe u them unë ju, e provës më të madhe që një forcë politike ka kaluar pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Këto 3 vite ne duhej të vendosnim, të faktonim se ishim të zot për t’u përballur me diktaturën e dytë apo nuk e përmbushim dot këtë mision.

U bë gjithçka që ne të asgjësoheshim.

Një qeveri mafioze, e lidhur si mishi me kockën me mafien dhe krimin, u vërsul me të gjitha mjetet kundër nesh.

Mafia ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Xhorxh Soros, bëri gjithçka që padrinos shqiptar t’i jepte të gjitha pushtet, përfshi edhe opozitën.

Kthehemi pak tre vite më parë, opozitë e përçarë, opozitë e agresuar.

Të shumtit mendonin se opozita në Shqipëri mori fund.

Në analizën tonë realiste, nuk mund t’i injoronim ne këto.

Sigurisht edhe unë dhe ju, i kemi shtruar vetes pyetjen a jemi në gjendje të përmbushim misionin tonë apo nuk e përmbushim dot?

A jemi në gjendje ne që përmbysëm diktaturën e parë, të përmbysim diktaturën e dytë?

Ua them unë, më e rrezikshme se e para.

Por, çfarë ndodhi?

Ja ku jemi.

U përpoqën të na bëjnë copë e çikë, sot jemi më të bashkuar se kurrë.

U përpoqën të na gjunjëzojnë me të gjitha mënyrat, sot jemi më në këmbë se kurrë.

Na morën flamurin, na morën logon, na hoqën emrin nga listat e votimit, vetëm e vetëm që të mos ishim.

Por ja ku jemi sot.

Arrestuan, terror, dhunë, por ne ja ku jemi sot.

Çfarë dëshmojnë këto? Dëshmojnë se ju, gra dhe burra fisnikë, jeni njerëzit e pamundurës.

Këtë u faktuam ne shqiptarëve dhe botës.

Askujt nuk i shkonte ndërmend se ne mund t’i qëndronim regjimit mafioz të Edi Ramës dhe të gjitha mjeteve të tij.

Por ja ku është, e kemi lemeritur dhe është më i lemeritur se kurrë nga ne.

Askujt nuk i shkonte ndërmend se do mund t’ia dilnim me një kryemafioz të planetit si Xhorxh Sorosi.

Por ne qëndruam sado fuqi që kishte ai, ne nuk u lëkundëm se mbrojtëm ato gjëra që ne besojmë.

Ne besojmë tek familja, interesi kombëtar, dinjiteti njerëzor dhe nuk u dorëzuam.

Ai mori mallkimin me 5 nëntor në SHBA, ndëshkimin më të rëndë.

Ne jemi në këmbë sot si parti që bëjmë të pamundurat, të mundura dhe kjo do të thotë ne jemi në këmbë si parti që përmbysim diktaturën aktuale në Shqipëri.

Rikthehemi pak, kush jemi ne?

Ne jemi njerëz të tolerancës. Ne jemi parti e tolerancës.

Kur unë, në një rast, jashtë imagjinatës sime, nisa Foltoren, shkruajta aty mbrapa për një PD më të hapur, më të fortë, më të bashkuar. Ajo ngjiste surreale se partia po përçahej dhe ajo ishte një fakt. Por unë i kisha absolutisht qëllime shumë të sinqerta.

Dhe kësaj iu përgjigjët në mënyrë të shkëlqyer dhe sot jemi të bashkuar.

Dhe sot jemi të bashkuar dhe dolëm me moton: të bashkohemi në diversitet.

Edhe njëherë kthehemi, ADN-ja jonë është toleranca. Njeriu tolerant e pranon diversitetin, njeriun intolerant nuk e pranon diversitetin.

Po të kthehemi në histori, ne përmbysëm shtatoren e satanit, fanatikët rrëmbyen armët kundër nesh.

Çfarë dua të them me këtë?

Tani jemi në startin e fuqishëm drejt fitores. Dhe unë u them ju se ky është për ne që luftuam diktaturën staliniste, ky është shansi më i madh i jetës sonë.

Të çlirojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë që po e shkatërron, po e zbraz në mënyrën më të pamëshirë këtë vend.

Por kjo kërkon jo vetëm bashkimin e të gjitha kontribeteve tona në PD nga ’90 gjer sot, e domosdoshme, politika nuk është kurrë arti i inateve personale, i hidhërimeve, jo, i qëllimeve të përbashkëta, i idealeve të përbashkëta, i vlerave të përbashkëta.

Ndaj dhe këtu nga ky qytet i bekuar, ftoj çdo demokrat të Beratit dhe mbarë Shqipërisë, të bashkohemi, të lëmë mënjanë çdo lloj hatërmbetje, të kthehemi në genin tonë, në genin e tolerancës. Jemi demokratë, na bashkojnë vlerat, nuk jemi inatçorë, nuk na udhëheqin inatet.

Sepse duhet të bëjmë këtë që të bëjmë hapin tjetër më të madh drejt fitores.

Dhe hapi tjetër më i madh është të bashkohemi me qytetarët e Beratit dhe mbarë Shqipërisë.

Të krijojmë frontin e gjerë.

Shqipëria e sotme, krahasuar me vitin 1991, është vite drite larg, por e vërteta është, për fatkeqësinë tonë, ka edhe disa ngjashmëri të pamohueshme.

Në vitin 1991, një pension ose një rrogë, e cila asokohe me paratë e zhvlerësuara ishte gjithsej 5 deri në 8 dollarë, unë si president merrja 16 dollarë në muaj.

Por çmimet ishin të atilla sa blije diçka, blije ndoshta edhe më pak se sa blen një pensionist sot me 160 euro pension.

Pra, e ka një ngjashmëri këtu.

Kjo qeverisje në 12 vite, hapi një gropë të madhe, një gropë të tmerrshme varfërie, nga e cila shqiptarët, ikën, ikën, ikën, e zbrazën vendin e tyre.

Ishte historike arritja kur ne dolëm në krye të vendeve të rajonit, përfshirë Rumaninë dhe Bullgarinë për rroga dhe pensione, për herë të parë ndoshta në shekuj.

Çfarë ndodhi këto 12 vite?

Të tjerët na kanë tejkaluar ne 4 herë. Pensionisti i Malit të Zi merr një pension 450 euro. Rumuni merr sot rreth 750-800 euro rrogë.

Pra, ky, po ta përfytyrojmë në një mënyrë, ky lëshoi shqiptarët në një gropë varfërie në mënyrën më të pashpirt.

Merrni këtë vit, 8.2 miliardë euro buxheti, taksa tuaja e tëra. Nga 8.2 miliardë euro, u lihen atyre që numërojnë kafshatat, që janë pensionistët, gjithsej 16 milionë euro.

Fermerëve që japin 20 përqind të prodhimit të brendshëm të vendit, u lihen gjithsej 44 milionë euro, nga të cilat gjysma i merren nga aparati shtetëror.

Përjashtohen arsimi, në rënie kastastrofale, shkollimi i fëmijëve tanë. Ju e dini që ta mbash arsimin mirë është një përpjekje jetike për kombin dhe ne arritëm, jo në pozicionin që donim, por arritëm ngjitje vertikale në testin e PISA-s. Çfarë ndodhi me këta? Sapo u plotësua 8-vjeçari i tyre në pushtet, Shqipëria regjistroi rënien më të madhe në botë në cilësinë e arsimit, 69 pikë. Kjo është e vërteta.

Çfarë ndodh me spitalet? Dje unë kisha në zyrë një gazetar, që i jam shumë mirënjohës për punën e jashtëzakonshme. Unë jam mjek, e kam dashur dhe e dua me pasion të jashtëzakonshëm profesionin, por disa zhvillime në profesionin tim sot janë tmerruese, janë të paimagjinueshme. Kur sheh ti që nëna, motra, vajza, me sëmundje të rënda, nuk u funksionojnë për tre vite me radhë aparaturat e mjekimit të sëmundjeve të rënda. Dhe i lënë t’i marrin sëmundjet. Nga ana tjetër, vetë vendos kullën e fildishtë tek zyra e vet 5 milionë euro dhe del i përshëndet shqiptarët nga vazoja e blerë 5 milionë duke ushqyer peshqit.

Ilaçet për të sëmurët me sëmundjet më të rënda, mungojnë.

Dje bisedova, ai ka bërë studime të hollësishme. Nuk ishte vetëm aty ajo situatë, është në disa shërbime një situatë e tillë sepse kanë nxitur vjedhjen dhe korrupsionin në çdo qelizë të këtij shteti.

Kjo është e vërteta.

Pra, fitoren e keni në duart tuaja, është në duart tona.

Por kjo kërkon si ligj të parë takime intensive me çdo qytetar të Beratit dhe çdo qytetar shqiptar.

Në fakt, sot ekziston një front, më i gjëri që ka ekzistuar nga viti 1991 i pakënaqësisë ndaj qeverisë.

Na përket ne që këtë front ta bashkojmë dhe të shënojmë në datën 11 maj, fitoren më të thellë që kemi shënuar ndonjëherë.

Na përket ne, të takohemi me çdo burrë, grua, të ri, të re, pensionist, pensioniste dhe t’i themi se tre muajt e parë në pushtet, së pari ne do vendosim minimumin jetik.

Kjo do të thotë që të gjithë ata, të cilët në Shqipëri marrin nën 200 euro pension, gjysmëpension ose nuk kanë pension fare, ose ndihmë ekonomike, në krye të tremujorit do marrin 200 euro pa përjashtim.

Ne do përmbysim shpërndarjen e pashpirt të të ardhurave në këtë vend. Do u japim përparësi absolute qytetarëve.

Kjo do të thotë se çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë minimale, çdo njeri i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike do ketë kartën e konsumatorit, me të cilën do marrin TVSH-në e të gjitha produkteve bazë që blejnë në dyqan.

Sa është kjo? Tre pensione. Kjo është tre pensione. Pra, një pensionist që merr 200 euro do marrë edhe tre pensione të tjera me rikthimin e ushqimeve. Po, është e domosdoshme kjo.

Tjetër, energjinë elektrike. Çfarë bëri zotëria? Ky del aty me mendjen e Lubisë dhe u thotë shqiptarëve se hera e parë në histori që ulet çmimi i energjisë.

Çmimi i energjisë në vitin 2013 ka qenë 77 lekë për 300 kilovatët e parë. Dhe nga kjo përfitonin 78 përqind e familjeve shqiptare.

Çmimi i energjisë, të dashur biznesmenë, ka qenë 60 lekë për kilovat.

Çfarë bëri ky? Fashon e parë e rriti në 95 lekë, tjetrën e çoi në 118 lekë. Dhe e bëri për një vit vetëm. Për një vit, nga llogaritë del se ai u ka falur qytetarëve gjithsej 30 milionë euro. Po për 10 vite që u mori shqiptarëve çmim shtesë rreth 580 milionë euro?

Pra, ky bamirës që del e flet dhe nuk di ç’flet se mendon se shqiptarët hanë bar, ky u thotë, po u jap 30 milionë, pa u mora 600 milionë.

Jo, kjo nuk do ndodhë. Ne do proporcionojmë çmimin e energjisë me pensionet dhe rroga. Do përfitojnë rrogat e mesme dhe poshtë, asnjë rrogë e lartë nuk do përfitojë. Pse? Nuk kemi armiqësi ne me rrogat e larta. Po këta çfarë bënë? Këta i rritën rrogat njëlloj si rrogat në diktaturat staliniste. Presidenti i Edi Ramës dhe Edi Rama kanë rroga 10 herë më të mëdha se rroga mesatare.

Pra, këta nuk është se nuk rritën rrogat, por këta rritën rrogat e larta dhe nuk çanë kokën për rrogat e ulëta.

Pra, ulemi me secilin beratas, pavarësisht se a ka votuar apo jo për ne, por u garantojmë je se shumicën e atyre që do takoni, me këtë paketë do t’i ktheni, do t’i bëni bashkëautorë të fitores së ardhshme.

Le t’i bien kryq e tërthor viteve të qeverisjes së PD, kurrë nuk do gjeni një premtim të bërë për rroga dhe pensione të pambajtur nga qeveria e PD.

Dhe u garantoj se këto që kemi shpallur janë me një rezervë sepse ne do i tejkalojmë dhe vrapi ynë ndalet vetëm kur të dalim në krye për rrogat dhe pensionet ndër vendet e rajonit.

E fundit, fitorja prapë është në duart tuaja.

Është në duart tuaja sepse kësaj here secili nga ju, secili nga ne, e ka të mundshme pothuaj ta trefishojë, ta dyfishojë, ta katërfishojë votën e tij me vëllezërit dhe motrat tona në emigracion.

Asgjë nuk është më bindëse se letrat tuaja, se telefonatat tuaja ndaj tyre, se ftesat tuaja që ata të kontribuojnë së bashku me ju, të bashkoheni me ne në shpëtimin e Shqipërisë nga ky regjim, i cili thotë e ngjitëm Shqipërinë, por përgjysmoi popullatën më keq se në çdo pushtim që ka njohur Shqipëria.

Fitorja është e tëra në duart tuaja.

Iu ftoj që aq sa vlerësoni votën tuaj, aq sa vlerësoni votën e fqinjit, mikut që njihni, po kaq të vlerësoni votën e qytetarit që është në emigracion.

Një rast i rrallë për ne që të shkojmë në zgjedhje secili me 3 vota, 4 vota nga vëllezërit dhe motrat tona në emigracion.

Ndaj të fillojmë që nesër me telefonata, me letra, me çdo gjë, t’i ndihmojmë të regjistrohen, t’i ftojmë të regjistrohen, të ecim së bashku në fitoren më të thellë.

Parti e të pamundurave, parti e fitores.

Rrofshi ju, rroftë Berati, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale