Berisha: Nga 7 miliardë euro taksa tuajat, vetëm 38 milionë euro janë lënë për pensionet. Rama ka shpenzuar 56 miliardë euro në 10 vite. Nëse nuk do ishin zhdukur, Shqipëria do ishte 3 herë më mirë

FJALA E KRYETARIT TE PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, deklaroi se buxheti i shtetit po shkon për investime korruptive të qeverisë Rama. Berisha tha, se sikur një e shtata e shpenzimeve të buxhetit të shkonin për qytetarët, rrogat dhe pensionet rriteshin me 50 %.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, tha gjatë fjalës së mbajtur në ditën e 80 të tubimit qytetar se nga 7 miliardë euro taksa të qytetarëve, vetëm 38 milionë euro janë lënë për pensionet. Berisha tha se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në një vit shpërdorohen pothuajse një e shtata apo 930 milionë euro.

Kryedemokrati ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se në 10 vite të qeverisjes së tij, ka shpenzuar 56 miliardë euro. Berisha, tha se do të bëhet një audit i plotë se ku shkuan në 10 vite 56 miliardë euro. Berisha tha se pas këtij auditi Edi Rama do bjerë në atë gropë të zezë.

Në fjalën e tij në tubimin qytetar në rrugën e Shpresës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi edhe dy drejtorët e rëndësishëm njëri prej të cilëve u arrestua, Evis Berberi dhe tjetri në hetim, Ceno Klosi.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, në fjalën e mbajtur në ditën e 80 të tubimit qytetar që zhvillohet në atë që njihet tashmë si rruga e “Shpresës” tha se për qytetarët mungon drejtësia, dhe ky është një motiv shumë i madh për mosbindje civile.

FJALA E PLOTE:

Misionare dhe misionarë, qendrestare dhe qëndrestarë të të vërtetës, dinjitetit dhe shpresës.

Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ju, për qëndresën tuaj.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve, të cilët nga platforma e parlamentit të lirisë përhapin dritë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë.

Të dashur miq, sot parlamenti trajtoi ndër të tjera një seri problemesh.

Por përsëri, narko-qeveria injoron në mënyrën më totale qytetarin dhe qytetarët.

Miqtë e mi, buxheti i këtij viti parashikon rreth 7 miliardë euro shpenzime.

Në qoftë se bën një analizë, në këto 7 miliardë euro, qytetari, pensionisti, i sëmuri, studenti, nxënësi, rrogëtari janë më të përçmuarit.

Në emergjencën që jeton Shqipëria, në tiraninë e varfërisë që bëhet çdo muaj dhe vit më e rëndë, akti i parë, që duhej të vendosej, duhej të ishte të paktën një e shtata e kësaj shume t’u kushtohej pensionistëve, rrogëtarëve, fëmijëve, qytetarëve.

Në qoftë se një të shtatën e kësaj shume, në këto kushte, do vendosnin t’ia kushtonim qytetarëve, brenda një muaji të gjitha rrogat dhe pensionet në Shqipëri do rriteshin me 50 përqind.

Pra, në qoftë se edhe në vitin e ardhshëm, duke vendosur investimin tek qytetari të parin, do t’i rrisnim, do të përkushtonim një të shtatën e shpenzimeve, pensionistëve, rrogëtarëve, rrogat dhe pensionet do rriteshin 100 përqind krahasuar me këtë vit.

Për ata, të cilët me skepticizëm dëgjojnë për rritjen e rrogave, u them se absolutisht mundësitë më reale, por nuk ka shpirt, nuk ka zemër që t’ju ndjejë problemet që përballen sot qytetarët.

Miqtë e mi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në një vit shpërdorohen pothuajse një e shtata apo 930 milionë euro.

Pra, vetëm shpërdorimin në qoftë se do luftonin, ne rrisnim me 50 përqind rrogat dhe pensionet vitin e parë, po kaq vitin e dytë, dyfishoheshin dhe vazhdonte rritja drejt objektivit, drejt dyfishimit tjetër dhe shqiptarët do ndjenin se janë duke u begatuar, se po shkëputen me shpejtësi nga varfëria dhe se vendi i tyre po i begaton ata.

Po çfarë ndodh me këtë buxhet të dashur miq?

Dy janë tiparet më kryesore, por edhe më të zeza të tij.

Nga 7 miliardë euro taksa tuajat, vetëm 38 milionë euro janë lënë për pensionet.

Pra, 680 mijë pensionistë nuk kanë rritje më shumë se 2 përqind, në një kohë kur inflacioni është 3 pikë sa përqind.

Pra, ata do marrin këtë vit 1 përqind më pak se vitin e kaluar. Dhe në total pensioni i tyre është 30-40 përqind më i ulët se sa ç’ishte 6 vite më parë.

A ecet në këtë mënyrë?

Ky është një përçmim i turpshëm.

Ky është buxheti i pashpirtësisë.

Sa janë fondet për të përndjekurit politikë? 250 përqind më pak se sa ç’ishin në vitin 2013.

Me këto ritme, me këto 10 milionë euro, as për gjysmë shekulli nuk marrin dëmshpërblimin e tyre.

Po pronarët?

Miqtë e mi!

Në vitin 2013 ne lamë 76 mijë hektarë tokë për të kompensuar pronarët.

Të gjitha këto miqtë e mi, pronarët duhet ta dinë se qeveria e PD jo vetëm ktheu me kthim dhe kompensim 2 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë, troje, tokë bujqësore, kullota, pronarëve legjitimë, por ajo la rezervë për të shlyer në mënyrë përfundimtare çdo metër tokë të zënë, pronarëve legjitimë.

Ku shkuan këto? Edi Rama ua dha investitorëve strategjikë.

Ua dha të gjitha trafikantëve të drogës, vrasësve, ministrave, zyrtarëve të tij të lartë.

Dhe tani tallet me një shumë qesharake për kompensimin e pronarëve.

Të dashur miq!

Në 10 vite, qeveria, organizatë kriminale e Edi Ramës, ka shpenzuar rreth 56 miliardë euro, borxhe, të ardhura dhe të tjera.

Imagjinoni ju 56 miliardë euro, në qoftë se nuk do ishin zhdukur si në vrimat e zeza të galaksive, Shqipëria sot do ishte të paktën 3 herë më mirë.

Rrogat do ishin minimumi tre herë më të larta.

Të ardhurat për frymë do ishin tre herë më të larta.

Shqipëria, shqiptarët jo që do ishin të fundit në rroga e pensione, përkundrazi do ishin të parët në distancë në rajonin tonë për rrogat dhe pensionet.

Po ku shkuan këto? Çfarë ndodhi me këto 56 miliardë euro miqtë e mi?

Arsimi, rënie në pikiatë. 2.3 buxheti nga 5 që ishte premtuar.

Cilësia e arsimit, rënien më të madhe në botë.

Shëndetësia, rënie masive.

Rrogat, më të ulëtat në rajon.

Miqtë e mi, është jetike që të krijojmë sa më parë qeverinë teknike.

Një nga aktet më të para do jetë kontraktimi i një prej firmave më të mëdha në botë për të gjetur dhe nxjerrë gropën e madhe, të cilën Edi Rama me hajnat e tij kanë bërë në Shqipëri.

Për të gjetur dhe nxjerrë ku shkuan 56 miliardë euro, me të cilat Shqipëria do ishte 3 herë më lart, me rroga 3 herë më të mëdha, me shërbime disa herë më të mira.

Dhe shqiptarët nuk do ishin duke ikur, por duke u kthyer në vendet e tyre për të ndërtuar ëndrrën e bukur shqiptare.

Përsëri vjedhja vazhdon e tmerrshme.

Ky është buxheti i vjedhjes më të madhe.

Qindra milionë euro shkojnë prapë për ndërmarrjet e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, inceneratorin, sterilizimet, checkupin dhe PPP-të e tjera me radhë.

Edi Rama u tha shqiptarëve para dy viteve, kur vendosi të grabiste, të plaçkiste 1.4 milionë metër truall publik në Portin e Durrësit, u tha shqiptarëve: çfarë keni ju, nuk paguani një qindarkë.

Por tani që do paguajnë 400 milionë euro dorë e parë në portin në Porto Romano, duke pasur portin e tyre mijëravjeçar.

Dhe dora tjetër 500-600 milionë euro.

Dhe të gjitha këto pse? Sepse Edi Rama duhet të bëhet Al-Alabar, duhet të bëhet supermiliarder me sojin e tij.

Kjo është e tmerrshme miqtë e tij, nuk ka një hajdutëri të tillë në Europë dhe botë.

Nuk ka sundues që i ka grabitur vendit portin kryesor. Nuk mund të gjendet. Këtë ka bërë Edi Rama.

Të gjitha zërat janë parashikuar vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Sot po mendoja, gazsjellësi Trans Adriatik, 876 kilometra i gjatë. 4 miliardë euro investime. U ndërtua për 4 vite.

Po Unaza e Tiranës me 17 kilometra që vazhdon prej 15 vitesh sepse Edi Rama do të vjedhë në çdo lot, në çdo segment, 30-40 përqind e më shumë.

Ndaj dhe një audit i plotë se ku shkuan në 10 vite 56 miliardë euro.

Ku shkuan këto para? Do bëhet dhe Edi Rama do bjerë në atë gropë të zezë me të gjithë hajdutët e tij.

Të dashur miq.

Të gjitha këto ndodhin sepse ai ka përqendruar në duart e tij të gjitha pushtetet.

Sepse me Skapin e tij ai godet vetëm ata që do.

Arreston liderin e Partisë Demokratike.

Krijon goditje mburojë për ministrat e tij.

Kurse ministrat dhe ai, që kanë firmosur në çdo vjedhje, bëjnë moral, betohen për drejtësi dhe pavarësinë e saj.

Kjo drejtësi, e shndërruar në parzmore të krimit monstruoz qeveritar, është drejtësia më kriminale që nga ditët më të zeza të diktaturës gjer më sot.

Është drejtësia me regji të Edi Ramës.

Keni dëgjuar ju për një hajdut, Ceno Klosin? Ka një javë që mbushen mediat me emrin e tij.

Me Evis Berberin.

Çfarë janë këta? Këta janë vetëm hajdutë-kurbanë të ministrave superhajdutë, të Edi Ramës, Belindës, Erion Veliajt, Taulant Ballës dhe me shokë.

Nuk ka drejtësi në këtë vend.

Miqtë e mi, dy ditë më parë, sekseri që vrau duke goditur me grusht në qafë ndërtuesin në Vlorë.

Sekseri i mamasë gjykatëse apo prokurorë, sa u dënua thoni ju?

U dënua gjithsej tre vjet për një jetë që mori në publik.

Sepse sekseri edhe kishte marrë përsipër fëlliqësinë, edhe nuk e kishte kryer dhe i kërkonte shpërblimin ndërtuesit.

A ka drejtësi për qytetarët sot?

Çfarë drejtësie është kjo?

Kjo është drejtësia më e kalbur që ka ekzistuar.

Nuk ka drejtësi këtu dhe ky është një motiv këtu.

Kur nuk ka drejtësi, është një motiv shumë herë më i madh për mosbindje civile.

Për qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Ndaj dhe miqtë e mi, paralajmëroj Edi Ramën se ky është buxheti i fundit që do mund të vjedhësh shqiptarët.

Se po vjen dita në të cilën do japësh llogari për çdo qindarkë që u ke vjedhur shqiptarëve.

Turpi i historisë do të jetë me ty. Ti me Dumanët e tu do të marrësh ndëshkimin që meriton.

Edhe njëherë përshëndetje të përzemërta.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale