KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar anëtarët, mbështetësit e PD-së dhe qytetarët nga e gjithë Shqipëria që t’i bashkohen protestës kombëtare të së shtunës, në orën 12:00, në mbështetje të revoltës studentore. Në konferencën e sotme për mediat, ai e cilësoi protestën e studentëve si një lëvizje kundër korrupsionit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, duke deklaruar se PD do të jetë në krah të tyre.
‘Studentët në revoltën e tyre kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një, por disa herë. Me trimërinë e tyre, vajzat dhe djemtë e gjimnazeve dhe të universiteteve kanë fituar një simpati botërore’, u shpreh Berisha. Ai bëri thirrje që në protestë të marrin pjesë edhe gjimnazistët dhe familjet e tyre, duke theksuar se tubimi synon t’i japë qeverisë një mesazh të qartë për mbështetjen e shoqërisë ndaj studentëve. ‘Studentët kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë dhe mburojën e plotë të shoqërisë shqiptare. Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër’, deklaroi kreu i PD-së.
Gjatë konferencës, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha sulmoi edhe paketën e re fiskale të qeverisë Rama, të cilën e cilësoi si ‘paketën e mjerimit të qytetarëve’ dhe ‘paketën e shpopullimit të vendit’. Sipas tij, ndryshimet fiskale parashikojnë një rritje të barrës tatimore me rreth 200 milionë euro dhe do të godasin bizneset e vogla, profesionet e lira dhe klasën e mesme. Ai kundërshtoi rritjen e TVSH-së së përgjithshme në 21 për qind, uljen e pragut të TVSH-së për bizneset dhe ndryshimet në taksimin e karburanteve, duke paralajmëruar rritje çmimesh dhe falimentim të bizneseve.
‘Paketa do të shkatërrojë qindra mijëra biznese, do të largojë nga Shqipëria me dyfishimin e dividendit’, tha Berisha, i cili akuzoi gjithashtu qeverinë se favorizon oligarkët dhe nuk konsultohet me grupet e interesit.
I pyetur nga gazetarët për përjashtimin e tij dhe të 5 deputetëve të tjerë të PD-së nga punimet e Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se vendimi lidhet me ‘frikën dhe tmerrin nga opozita’. Ndërsa për zgjedhjet vendore, lideri i demokratëve Sali Berisha tha se PD nuk do t’i bojkotojë ato, por do të shfrytëzojë çdo mundësi brenda sistemit politik për të luftuar atë që e cilësoi si të keqen që ka mbërthyer vendin.

FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, nesër në ora 12:00, PD fton të gjithë anëtarët, anëtaret, mbështetësit e saj nga mbarë vendi në protestë kombëtare të fuqishme në mbështetje të revoltës studentore.
Studentët në revoltën e tyre shumëditore kanë dëshmuar guximin e paparë ndonjëherë të qytetarëve në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Studentët në revoltën e tyre kanë gjunjëzuar narkoshtetin jo një po disa herë.
Me trimërinë e tyre, vajzat dhe djemtë e gjimnazeve dhe të universiteteve kanë fituar një simpati botërore.
Studentët kanë bërë krenarë sot me trimërinë, guximin e tyre çdo shqiptar.
Protesta të shumta ka kudo, por mediat ndërkombëtare më të mëdha, rrjetet më të fuqishme sociale, janë të mbushura me skenat e heroizmit studentor dhe barbarisë qeveritare në rrugët e Tiranës.
Ata kanë lartësuar emrin dhe dinjitetin e shqiptarëve.
Edi Rama u përpoq t’i përlyejë njëlloj siç bëri me Flamingot në sallën e OKB, në sallën më prestigjioze, ku me paturpësinë më të madhe e shpalli protestën e tyre si protestë antisemite vetëm e vetëm që të mund t’i jepte ngjyra me të cilat ajo nuk mund të kishte asnjë mbështetje.
Edvin Kristaq Xhelati, i kthyer në genet e etërve të tij, tregoi fytyrën e vërtetë në këtë protestë duke urdhëruar mercenarë të paguar, vrasës me pagesë të qëllojnë me armë absolutisht në zona të ndaluar me ligj shqiptar dhe ndërkombëtar.
Urdhëroi barbarët të shkelmojnë trupat gjysëm me ndjenja dhe gjysëm pa ndjenja të protestuesve të rënë nga goditjet e tyre t’u thyejnë kockat.
I përplasi ata në salla të mëdha torture.
Askush në Evropë dhe në botë nuk i besoi akuzat e tij për ANTIFA.
Jo!
Lëvizje studentore kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së zgjedhjeve, kundër mbrojtjes së korrupsionit të Lubi Ballukut dhe vetes së tij.
Pra, protesta, sakrificat e atyre qindra e qindra studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që u përballën dhëmb për dhëmb me falangat e krimit të qeverisë, ishte mesazhi më i shkëlqyer, ishte zëri më i fuqishëm i një populli, i një shoqërie që lëngon në diktaturën e egër, në narkodikaturën e egër të drogës, krimit dhe korrupsionit të shqiptarëve.
Ndaj dhe ftoj edhe njëherë çdo qytetar dhe qytetare, me të gjithë fëmijët e tyre të rritur, gjimnazistë, adoleshentë në klasa të nënta, të teta, të gjithë në shesh nesër, t’u shprehim mbështetjen tonë të plotë, t’u shprehim mirënjohjen tonë të thellë, t’u shprehim dashurinë tonë, respektin tonë studentëve për revoltën e tyre.
Dhe t’i japim një mesazh qeverisë se studentët kanë dhe do kenë mbështetjen e plotë dhe mburojën e plotë të shoqërisë shqiptare.
Nesër është një ditë prove në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar, e çdo banori të këtij vendi.
Studentët në revoltën e tyre kërkojnë që të mbeten fëmijë të këtij vendi.
Kërkojnë që ëndrrën e tyre më të bukur rinore ta ndërtojnë në Shqipëri dhe për Shqipërinë, për veten dhe familjet e tyre.
Të gjithë me studentët, të gjithë në Tiranë, kjo duhet të jetë motoja jonë nesër.
Por unë jam sot këtu për të denoncuar edhe njëherë paketën fiskale të re si paketën e mjerimit të qytetarëve.
Si paketën e mbështetjen së oligarkëve dhe miliarderëve.
Edi Rama, thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 milionë euro.
Me të cilën godet në mënyrë të egër bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme me një rol përcaktues në shërbimet ndaj qytetarëve, familjet e varfra.
Të ndalemi pak, në paketën e tij famëzezë ai rrit TVSH-në e përgjithshme, siç tha vetë, me 21 përqind duke shkaktuar kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve.
Duke goditur kështu aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve shqiptare.
Me paketën e tij, ai njoftoi se do të ulë TVSH-në për 50 e sa mallra të cilat përbëjnë mallrat bazë.
Në pamje të parë kjo duket se bëhet për të ulur çmimet. Zero efekt. Hipokrizi totale.
Pse hipokrizi totale?
Sepse në të njëjtën kohë të gjitha dyqaneve ku blihen këto mallra u ul pragun e TVSH dhe i fut në TVSH.
Pra, dyqanet në tërësi, 90-95 përqind e tyre janë biznese me xhiro nën 10 milionë. Tani e ul nën 5 milionë.
Këto pikërisht, dyqanet që shesin mallrat, të cilat blihen dhe hiqet TVSH, tani këto futen në TVSH.
Këto kanë dy rrugë, falimentimin ose rritjen e çmimeve.
Tallet në mënyrë cinike me taksën e naftën.
Nafta, qytetarëve që nuk kanë vetura, u ndikon tek bileta e autobusëve. Kurse qytetari që përdor veturën çdo ditë dhe janë tani qindra mijëra qytetarë, ky thotë se do ua heq tek litri i naftës dhe do ua marr tek makina.
Po, ka vende që kanë këtë sistem, por nuk kanë kurrë këtë taksë qarkullimi që ka Shqipëria.
E kanë çerekun e saj dhe e marrin tek makina.
Kurse ky do marrë taksën më të lartë. Do marrë tek makina 1.1 euro për çdo litër naftë.
Në një akt absolut të papërgjegjshëm ky rrit në 21 përqind taksën e profesioneve të lira.
Çfarë do të ndodhë tani me këtë paketë?
Kjo paketë djallëzore do detyrojë të falimentojnë qindra mijëra biznese të vogla, të cilat mbajnë së paku një familje, dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut.
Do të falimentojë në tërësi profesionet e lira dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut.
Pra, është një paketë e shpopullimit.
Por të marrim një aspekt tjetër. Ulja e TVSH në 6 përqind, do japë kjo ulje çmimesh?
Jo, aspak. Nuk e lejon informaliteti.
Nuk e lejon ulja e pragut nga 100 në 50.
Por ka një gjë tjetër të tmerrshme në Shqipëri: çmimet i rrit droga.
Si? Shumë thjeshtë. Guvernatori i Bankës pret tonelata lekë dhe i nxjerr në treg për të blerë narkoeurot.
Çfarë është inflacioni? Nga sa përcaktohet? Raporti i parasë në qarkullim me prodhimin.
Ky është inflacioni.
Po si është prodhimi në Shqipëri?
Prodhimi në Shqipëri është në rënie brutale.
Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë nxjerr me thasë tonelata lekë në treg për të blerë narkoeurot.
Paraja në qarkullim muajin që kaloi ishte 17 përqind më e lartë se një vit më parë.
Çfarë do të thotë kjo?
Dëgjojeni pak se çfarë tha, ka familje që e vuajnë inflacionin. Çka do të thotë se ai inflacion që japin, nuk është kurrë real.
Por edhe ai që japin nuk është rezultat, ka për rezultante të sigurt drogën. Hedhjen e lekëve për të blerë paratë dhe jo prodhimin.
Prodhimi në Shqipëri bie çdo vit.
Rritja ekonomike nuk është rritja e prodhimit. Rritja ekonomike në Shqipëri përcaktohet nga taksa që vilen dhe merren nga administrata e stërfryrë, nga taksa që merren nga qytetarët, dhe nga ndërtimi.
Nuk ka investime. Investimet e huaja janë në ditën më të keqe. Të gjitha ato që quhen investime janë blerje të kateve të kullave të drogës dhe ndërtimeve të drogës.
Pra, paketa do të shkatërrojë qindra mijëra biznese, do të largojë nga Shqipëria me dyfishimin e dividendit, ishte 8 e bëri 15, dhe e bëri pa asnjë konsultim.
Unë jam këtu për të garantuar shqiptarët se Partia Demokratike, në votëbesimin e tyre, në qeverisjen e saj, nuk do të ketë kurrë taksë mbi 12.5%.
Në Republikën e Shqipërisë nuk do të ekzistojë asnjë taksë mbi 12.5%.
Më ulët po, por taksat më të larta, TVSH, taksa e punës për punëdhënësin, për punëmarrësin e të tjerë, do të jenë 12.5%.
Jo më shumë se 12.5%.
Kurse për shportën do të kompensohet 100% TVSH-ja e çdo malli të saj.
Do t’i disbursohet në llogaritë bankare të çdo qytetari ose do gjendet mënyra tjetër se si t’i dorëzohen atij.
Ne nuk do të ndërhyjmë në konkurrencën, por ne do të kompensojmë qytetarët për të gjitha, ndonëse jemi shprehur se TVSH-ja për ushqimet nuk do jetë kurrë kjo që është, por pavarësisht nga ajo, do të ketë rimbursim të plotë të TVSH-së për një sasi mallrash të përdorimit të përgjithshëm për qytetarët shqiptarë.
Për të gjithë të tjerët, nuk mund të ketë taksë mbi 12.5% në territorin e Shqipërisë.
Ndaj dhe ftoj bizneset të reagojnë.
I ka trajtuar si një sulltan mesjetar në mënyrë të pabesë, të papërgjegjshme. Është koha t’i japim përgjigje dhe bizneset kanë shumë në dorë.
Duhet të kalojnë në një rezistencë, në reagime, nuk mund të sillet kështu një qeveri.
Vetëm një qeveri organizatë kriminale i lejon vetes masa të tilla.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, sot Sekretariati i Etikës me kërkesë të Partisë Socialiste ka vendosur t’ju përjashtojë ju nga punimet e Kuvendit me 10 ditë dhe me 60 ditë 5 deputetë të tjerë të Partisë Demokratike. Keni një koment për këtë vendimmarrje? Faleminderit.
Sali Berisha: Frika dhe tmerri nga opozita dhe Sali Berisha i shtyn ata të marrin vendimet më të verbra.
Por në mënyrë absolute, ne do të jemi interpretë të palëkundur të interesave të qytetarëve shqiptarë kudo që jemi.
Asgjë s’mund të na largojë ne nga ky zotim, ky mision që kemi.
Olta Blaceri, VIZION+: Zoti Berisha, Presidenti i Republikës ka nisur sot procedurën për dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore. Presidenti Begaj ka nisur sot konsultimet me partitë politike për datën e zgjedhjeve lokale. A do të marrë pjesë Partia Demokratike në zgjedhjet lokale?
Sali Berisha: Partia Demokratike nuk bojkoton zgjedhje. Partia Demokratike ka deklaruar dhe deklaron se Shqipëria është një diktaturë autoritare, se Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm dhe se në Shqipëri nuk ka zgjedhje, por farsë zgjedhore, farsë zgjedhore.
Duke deklaruar të gjitha këto, Partia Demokratike është e vendosur të shfrytëzojë çdo mundësi, çdo potencial brenda këtij sistemi diktatorial, për të luftuar të keqen e madhe që ka mbërthyer shqiptarët.
Olta Blaceri, Vizion+: Zoti Berisha, ju folët për buxhetin dhe paketën fiskale. A do të kthehen deputetët e Partisë Demokratike në komisione për të diskutuar për këto projektligje apo ju do të mbani të njëjtin qëndrim në mbështetje të protestës së studentëve?
Sali Berisha: Ne do të diskutojmë gjithçka me qëndrimet që do mbajmë, nuk janë të përcaktuara.
Por ne përparësi absolute kemi mbështetjen dhe mbrojtjen e protestës studentore, revoltës studentore. Është revoltë.


