Berisha: Nesër do të ngremë shtyllat e turpit dhe do të shkruajmë me gërma të zeza emrat e atyre që tradhtojnë zgjedhësit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar ashpër në Kuvend ndaj deputetëve që po mbështesin Reformën Territoriale kundër interesave të komuniteteve që përfaqësojnë.

Berisha u bëri thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit, Pukës dhe bashkive të tjera që të mos i nënshtrohen presioneve dhe pazareve politike, por të mbrojnë interesat e zgjedhësve.

Ai denoncoi gjithashtu dhunën ndaj kryetarit të Bashkisë Memaliaj, duke e cilësuar si hakmarrje politike ndaj një bashkie që ka refuzuar Edi Ramën.

Në vijim, Berisha paralajmëroi masa ndaj deputetëve që votojnë reformën, duke deklaruar se do të ngrihen “shtyllat e turpit”, ku do të vendosen emrat e atyre që ai i cilësoi si “tradhtarë të zgjedhësve”.

Berisha u ndal edhe te zonat e Manzës, Sukthit, Rrushbullit dhe Ishmit, duke deklaruar se ato përfaqësojnë rreth 105 mijë banorë dhe se, sipas tij, po u mohohet e drejta e vetëqeverisjes për arsye elektorale.

“Nesër, po të dalim në pushtet, do të ngremë shtyllat e turpit për ju”, deklaroi Berisha, duke iu drejtuar deputetëve që mbështesin reformën.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetare!

Ndërkohë që zhvillohet ky debat, njeriu me 5 mbiemra këtu në parlament, që ka porosi të vrasjeve, që është i implikuar me tre kartele droge, bën presion mbi deputetët dhe bën pazare për t’i detyruar që të votojnë.

U bëj thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit dhe të Pukës, përfaqësuesve të zonave të tjera të zgjedhin dinjitetin, karakterin, nderin dhe përfaqësimin e qytetarëve, pa u dorëzuar para Edi Ramës dhe pazareve të tyre të pista.

Dënoj me forcën më të madhe dhunën, terrorin nga narkopolicia e Skënder Ballukut dhe Edi Ramës ndaj kryetarit të Bashkisë të Memaliajt.

Hakmarrje primitive ndaj tij për faktin se qytetarët e Memaliajt refuzuan Edi Ramën. I propozoj Bashkisë Divjakë, Bashkisë së Durrësit, i propozoj të gjitha bashkive, të ngrenë që nesër shtyllat e turpit për të shkruar me gërma të zeza emrat e këtyre tradhtarëve të zgjedhësve të tyre që dalin këtu dhe na thonë se Divjaka aty do mbetet, se Klosi nuk lëviz.

Çfarë jeni këtu mor ju, çfarë jeni ju?

A keni ju, a keni turp nga vetja juaj që flisni në këtë mënyrë?

Si mund të zbrisni në zero?

Hë, edhe ky i Kodrës së Kuajve, erdhi këtu.
Atëherë shkoje atje ti. Shkoje ti, do ta them unë ty. Po po, deputeti i Kodrës së Kuajve.

Dëgjoni këtu!

Manza, Sukthi, Rrushbualli, Ishmi, janë 105 mijë banorë. Janë 105 mijë banorë dhe u mohojnë vetëqeverisjen në mënyrën më kriminale vetëm për qëllime elektorale.

Pra, absolutisht nesër po të dalim në pushtet do ngremë shtyllat e turpit për ju.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale