Berisha: Nesër çdo burrë, çdo grua, çdo nënë, çdo baba i këtij vendi del në shesh për vete, fëmijët e tij. Të dalim në shesh për t’i thënë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare se ky vend nuk është koloni, por vend i pavarur dhe sovran

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, u ka bërë thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që të dalin në shesh dhe të marrin fatet e tyre në duar. Berisha ka theksuar se nesër është dita në të cilën qytetarët e këtij vendi do të ngrihen me forcën e bashkimit të tyre dhe do të çelin dyert e përmbysjes të këtij regjimi armiqësor.

Kryedemokrati Sali Berisha është ndalur te protesta e nesërme e opozitës para Kryeministrisë në orën 20:00. ‘Nesër çdo burrë, çdo grua, çdo nënë, çdo baba i këtij vendi del në shesh për vete, fëmijët e tij. Del për të firmosur ndryshimin’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve u ka bërë thirrje çdo punonjëse dhe punonjës të ndershëm të këtij vendi, që konstaton se si zyrat e shtetit janë shndërruar në zyrat e hajnisë të pamëshirë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Kryedemokrati Berisha ka ftuar në protestën e nesërme para Kryeministrisë të gjitha forcat politike opozitare. ‘Ftoj të gjitha forcat politike opozitare nesër në shesh, në qoftë se jeni për zgjedhje të lira! Të bashkohemi në diversitet’, theksoi Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin nesër masivisht në shesh për t’i dhënë një mesazh të fortë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare. ‘Të dalim në shesh për t’i thënë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare se ky vend nuk është koloni, por vend i pavarur dhe sovran’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të tij te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Me qëndresën tuaj, me fjalët e oratorëve nga kjo platformë, ju jeni shndërruar në një frymëzim të pashuar për mbarë shqiptarët.

Ju përcillni në të katër anët e vendit shpresë, besim, guxim dhe qëndresë për një Shqipëri siç e meritojnë shqiptarët.

Nesër është dita e vërtetë e shqiptarëve.

Është dita në të cilën qytetarët e këtij vendi do të ngrihen me forcën e bashkimit të tyre dhe do të çelin dyert e përmbysjes të këtij regjimi armiqësor.

Regjimi pushtues të brendshëm.

Regjimi që po zbraz Shqipërinë sa asnjë luftë, sa asnjë fatkeqësi natyrore, sa asnjë epidemi dhe asnjë pushtim në të gjitha kohërat.

Ndaj dhe unë sot thirrjen time do ta nis duke iu drejtuar çdo të reje dhe të riu shqiptar, nesër Shqipëria iu thërret në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Nesër, Shqipëria ju pret në rrugët dhe sheshet e Tiranës si shpëtimtarë.

Nesër, ju vajzat dhe djemtë e këtij vendi, duhet t’i përgjigjeni thirrjes së saj.

Mos harroni se Shqipëria iu fton ju në një nga momentet më kritike të ekzistencës së saj.

Ju fton ju në një moment kur pas një dekade sundimi të Edi Ramës, ajo ka ardhur buzë greminës.

Ajo numëron tashmë çdo vit më shumë të vdekur se të lindur.

E merrni pra me mend se sa të çmuar jeni ju për vendin dhe kombin tuaj.

Prandaj dhe nesër, në ditën e besës së madhe të shqiptarëve për të shpëtuar Shqipërinë.

Thirrja ime e veçantë shkon për gjimnazistët, merrni përsipër misionin tuaj, mblidhuni nga të katër anët e Shqipërisë nesër në rrugët dhe sheshet e Tiranës, sepse ndaj jush ky regjim armiqësor, dëmtoi fuqinë tuaj mendore.

Me korrupsionin e tij në shkolla ju katandisi ju në honet e padijes.

Ju zbriti ju në nivelet më të ulëta botërore të mendimit kreativ, sepse arsimin e udhëhoqën ministret e pashpirt, që me paratë e arsimit ndërtonin vila. Hajdutë të shpërfytyruar, militantë fanatikë.

Gjimnaziste dhe gjimnazistë, nesër është dita juaj e ndëshkimit tuaj të këtij regjimi armiqësor ndaj jush dhe mbarë shqiptarëve.

Në emër tuaj, unë i bëj thirrje çdo prindi, nëne, babai në këtë vend, nesër të dalin në shesh për kauzën e drejtë të tij.

Të dalë në shesh si ndëshkim ndaj regjimit që ka katandisur ju, prindërit shqiptarë, që 18 përqind të rasteve të mos ushqeni dot fëmijët tuaj.

Që detyron fëmijët tuaj të marrin rrugët e dheut se nuk u ofron asnjë mundësi, asnjë alternativë dinjitoze për jetën e tyre.

Nesër pra, çdo burrë, çdo grua, çdo nënë, çdo baba i këtij vendi del në shesh për vete, fëmijët e tij.

Por del në shesh dhe për të gjithë ata që sakrifikuan, që ranë, që punuan me nder për këtë vend, i cili po zbrazet çdo ditë.

Ftoj nesër çdo pensionist shqiptar që në dhjetë vitet e qeverisjes së Edi Ramës, vuajti për kafshatën e gojës. Vuajti për ilaçet. Vuajti në mënyrën më të pamerituar sepse blen ushqimin me atë pension më shtrenjtë se në vendet më të pasura të Europës.

Kurse pensioni i tyre krahasuar me rritjen e çmimeve është qartësisht më i ulët se në vitin 2013.

Ndaj dhe burra dhe gra të moshuar, nesër sipas mundësive tuaja, të gjithë në shesh për të treguar përçmimin ndaj këtij regjimi.

Vendosmërinë për të firmosur ndryshimin.

Nesër ftoj në shesh çdo punonjëse dhe punonjës të ndershëm të këtij vendi, që konstaton se si zyrat e shtetit janë shndërruar në zyrat e hajnisë të pamëshirë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Që konstaton se shteti i drogës dhe i krimit është antishteti i vërtetë.

Të bashkohen me ne në respekt të qytetarëve dhe vetes së tyre.

I garantoj se administrata do ketë respektin e merituar.

I garantoj se pensionistët do të kenë dyfishim të pensioneve dhe se do marrë fund keqtrajtimi dhe përçmimi i tyre me rrogat qesharake.

Garantoj mësues dhe nxënës se arsimi, shkollimi, cilësia do të jetë përparësia e të gjitha përparësive tona.

Ftoj çdo mësuese dhe mësues të bashkohet me ne në këtë betejë për shpëtimin e arsimit, për shpëtimin e Shqipërisë.

Ftoj mjekët, infermierët, të bashkohen me ne kundër këtij regjimi që me vjedhjet, plaçkitjet që u bën fondeve të ilaçeve, fondeve të sterilizimit, fondeve të mjekimit, kryen krime monstruoze kundër njerëzimit.

Dhe pastaj gjen dhe shpall mjekë dhe infermierë, kriminelë për krime kundër njerëzimit.

Bashkohuni me ne të ndryshojmë shëndetësinë tonë, t’i rikthejmë asaj dinjitetin, humanizmin, cilësinë që meritojnë shqiptarët.

Miqtë e mi, ftoj çdo biznesmen dhe biznesmene nesër të dalë me guxim në shesh sepse ne me ndryshimin që sjellim, duam t’i kthejmë biznesit konkurrencën e lirë.

Duam t’i kthejmë biznesit dinjitetin.

Duam t’i përgjysmojmë atij barrën fiskale.

Ndaj dhe mbyllni qepenat, derdhuni në shesh me qytetarët.

Thirrja ime është për çdo fermer shqiptar, bashkohuni nesër në sheshet dhe rrugët e Tiranës me ne, sepse nuk keni pasur kurrë pas hiperkolektivizimit, armik më të egër të qenies suaj, të suksesit tuaj, të fermave tuaja se regjimi i Edi Ramës.

Ju jeni dëshmitarë se si Ballkani i Hapur po rrënon çdo ditë prodhimet tuaja.

Se si korrupsioni i qeveritarëve, i pushtetarëve lokalë po falimenton çdo ditë fermat tuaja.

Se si po vjedh subvencionet tuaja.

Bashkohuni me ne në ditën e betimit të madh, në ditën e besës së madhe për shqiptarët, të ngrihemi si viganë për të ecur drejt zgjedhjeve të lira, drejt fitores së opozitës.

Thirrja ime sonte është për çdo polic të ndershëm, për çdo ushtarak të ndershëm dhe patriot, për të gjithë ata që janë jashtë detyre nesër, të bashkohen me ne në shesh se vendi i tyre, siguria e këtij vendi nga mafia më e rrezikshme në Europë është më e kërcënuar se kurrë.

Ndaj dhe me guxim, me vendosmëri, bashkohuni me qytetarët në betimin e tyre të madh për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Thirrja ime sonte është për çdo qytetar dhe qytetare që beson se pa drejtësi nuk ka liri dhe që beson se drejtësia e re e Edi Ramës është mungesa e drejtësisë për shqiptarët, është drejtësia politike e narkoshtetit.

Por pa drejtësi, të ardhme nuk ka.

Pa drejtësi, ka vetëgjyqësi.

Pa drejtësi, ka kaos, krim.

Ndaj dhe të gjithë ata që besojnë tek ligji dhe drejtësia, nesër në shesh për të thënë fjalën e tyre.

Thirrja ime shkon për çdo intelektual dhe intelektuale, ngrihuni në lartësinë e misionit tuaj.

Dhe një gjë kurrë mos harroni, se konformizmi është sëmundja më poshtëruese, më denigruese, më depersonalizuese e një intelektuali.

Inteligjenca shqiptare e provoi 46 vite me radhë në diktaturën komuniste.

Ajo më shumë se kushdo tjetër, duhet të thotë kurrë më, o sot o kurrë.

Ndaj dhe nesër, të gjithë në shesh.

Thirrja ime është për të gjithë profesionistët e lirë, nesër në shesh.

Ju e patë se si armiku juaj desh t’u përzinte ju nga Shqipëria.

T’u falimentonte duke shkelmuar mbi kontributet, mbi shërbimet, mbi mundin, djersën tuaj.

Dilni nesër në shesh t’i dëshmojmë botës se ne jemi shumica e Shqipërisë.

Se ne do ecim të sigurt drejt fitores.

Por nesër nuk është një betejë për Sali Berishën.

Nuk është një betejë për PD-në.

Nesër është betejë dhe betim për Shqipërinë, të cilës i kanë rrëmbyer zemrën e lirisë, votën e lirë.

Ndaj demokrate dhe demokratë, opozitare dhe opozitarë, shqiptare dhe shqiptarë, të gjithë në shesh nesër për të firmosur betimin se votën e lirë kurrë nuk do e falim më.

Për të firmosur betimin se me armikun e votës së lirë, Edi Ramën, nuk ka dhe nuk mund të ketë zgjedhje të lira.

Për të firmosur betimin se jemi të gatshëm për çdo sakrificë, për t’u rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ndaj dhe me këtë rast, unë ftoj të gjitha forcat politike opozitare, forcat politike tradicionale, forcat e reja politike, nesër në shesh, në qoftë se jeni për zgjedhje të lira.

Në qoftë se nuk besoni në mashtrimet e Edi Ramës për zgjedhjet.

Të bashkohemi në diversitet, e doni apo nuk e doni Sali Berishën, pak rëndësi ka, rëndësi ka të doni votën e lirë, lirinë e shqiptarëve.

Të dashur qytetare dhe qytetare, patriote dhe patriotë shqiptarë, u ftoj të gjithëve nesër në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Në protestë dhe mosbindje civile ndaj një armiku të egër, të pashpirt të këtij kombi, që largoi në 8 vite rreth 40 përqind të shqiptarëve nga Shqipëria.

Ndaj një armiku që në 10 vite, i futi dhjetëra thika pas shpine Kosovës.

Ndaj një armiku, për të cilin Shqipëria është për plaçkë tregu, për shkak të pushtetit të tij.

Demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë, qytetare e qytetarë, nesër çdo shqiptar del në shesh për dinjitetin e tij kombëtar.

Për dinjitetin e tij njerëzor.

Të gjithë ata që besojnë se Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë dhe jo vegël të qeverisë.

Për të gjithë ata që besojnë se shqiptarët duhet të zgjedhin vetë deputetët, kryetarët e tyre të partive, duhet të jenë në shesh për t’i thënë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare se ky vend nuk është koloni, por është vend i pavarur dhe sovran.

Se mafia nuk do të mposhtë kurrë shqiptarët.

U bëj thirrje të gjithë socialistëve të zhgënjyer, shqiptarë dhe të paparti, të bashkohemi nesër në diversitet, siç u bashkuam ne demokratët për vlerat e lirisë.

Për interesin kombëtar.

Për shpëtimin e Shqipërisë.

O sot o kurrë.

Nesër në shesh të gjithë!

Nesër është ditë e nxehtë, por mbi vapën, mbi klimën, mbi çdo gjë do të ngadhënjejë guximi, forca, bashkimi i qytetarëve shqiptarë si kurrë më parë në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale