Berisha: Nëse do kishte qeveri të përgjegjshme Delvina dhe zona të tjera sot do ishin shpallur zona të fatkeqësisë natyrore. Kamionët e ushtrisë nuk përdoren për evakuime, por për të rrëmbyer kompjuterat e gazetarëve

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në konferencën e sotme për media, vuri theksin në situatën alarmante të zjarreve që kanë përfshirë të gjithë vendin, duke i cilësuar ato si një emergjencë kombëtare. Ai denoncoi qeverinë për menaxhimin e dobët të situatës dhe për mosveprimin e autoriteteve, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për përdorimin e forcave të sigurisë dhe mjeteve të ushtrisë për qëllime të tjera, përveç evakuimit të qytetarëve dhe mbrojtjes nga zjarret. Sipas Berishës, në vend që të përballen me katastrofën, autoritetet kanë shpërfillur qytetarët duke përdorur resurset për interesa të tjera, ndërsa paralajmëron për rrezikun që Shqipëria të mbetet pa mbrojtje për pasojat e këtyre zjarreve.

Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha, thekson se veprimet e fundit të policisë, të udhëhequra nga Ardi Veliu ndaj News24, janë një vazhdimësi e një akti kriminal të urdhëruar drejtpërdrejt nga Kryeministri Edi Rama. Ai akuzon Ramën se ka përdorur organet e rendit për të plaçkitur kompjuterët dhe laptopët e gazetarëve, ku ndodhen dosje të kriminelëve të lartë të qeverisë, si Olsi Rama, Taulant Balla dhe Lubi Balluku. Sipas kryedemokratit, ky është një akt i shëmtuar dhe antikushtetues, një shkelje flagrante e ligjit, që ka për qëllim mbrojtjen e krimeve të mëdha të lidhura me këtë qeveri. Në fjalën e mbajtur për gazetarët, ai shprehu falënderime dhe solidaritet për zjarrfikësit dhe qytetarët që janë përballur me zjarret, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër këtyre katastrofave.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi situatën e rëndë të zjarreve që ka përfshirë Shqipërinë, duke e quajtur përgjegjës kryesor për këtë katastrofë natyrore Kryeministrin Edi Rama dhe vjedhjet e tij. Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se qeveria aktuale është një “narkoqeveri”, duke e akuzuar se nuk ka treguar asnjë preokupim për situatën emergjente të zjarreve që janë përhapur në të gjithë vendin. Sipas Berishës, edhe në rastet e zjarrvënies pa qëllim, ka përgjegjësi të gjithsecilit për të parandaluar këtë katastrofë, ndërkohë që ai kërkoi dënimin më të madh për ata që luajnë me zjarrin.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve, u shpreh se po të kishte një qeveri të vërtetë në Shqipëri, Delvina dhe shumë zona të tjera të prekura nga flakët, do të kishin shpallur statusin e fatkeqësisë natyrore. Ai e akuzoi qeverinë e Edi Ramës për menaxhim të dobët të burimeve dhe për shpërdorim të fondeve në projekte të panevojshme, duke theksuar se paratë që janë harxhuar për “çartere” dhe satelitë mund të ishin përdorur për blerjen e mjeteve zjarrfikëse, të cilat do të kishin shpëtuar jetët dhe pasuritë e shqiptarëve. Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se me këtë qeveri, Shqipëria ka humbur mundësinë për të reaguar në mënyrë efikase ndaj katastrofave natyrore dhe ka shpërdoruar mundësinë për të ndihmuar edhe vendet e tjera të prekura nga zjarret, si Greqia dhe Italia.

FJALE E PLOTE:

Ditët e fundit kanë qenë kritike për mijëra e mijëra banorë në të katër anët e vendit që panë tmerre nga flakët dhe zjarret e papërmbajtura, në të cilat u dogjën mijëra hektarë pyje, kullota, dru frutorë. Me dhjetëra shtëpi, gjë e gjallë.

Humbën jetën njerëz, u plagosën, u dogjën me djegie të shkallëve të ndryshme, një seri qytetarësh.

Shqipëria në memorie nuk ka patur, nuk ka qenë ndonjëherë në flakë si dy ditët e fundit. Por kjo gjendje emergjence kombëtare i gjen qytetarët shqiptarë nga jugu në veri, pothuajse tërësisht të braktisur nga narkoshteti.

Delvina është e rrethuar nga flakët, fshatrat e Fushë Arrezit gjithashtu.

Gramsh, vazhdon shkatërrimi, djegia e gjësë së gjallë.

Në dhjetëra zona është një situatë tërësisht jashtë kontrollit.

Nëqoftëse ka një situatë që quhet emergjencë kombëtare, për çdo shqiptar përveç se narkoqeveritarët, kjo është një emergjencë kombëtare.

Në vend të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, këshilli vazhdon ahengjet nëpër festa të bashkive lokale.

Forcat e armatosura dhe qindra policë përdoren për të pushtuar televizionin News24, për të rrëmbyer.

Kamionët e tyre përdoren jo për të evakuuar gjënë e gjallë, njerëzit nga zonat e zjarrit, por për të plaçkitur dhe grabitur kompjuterat, laptopët, tavolinat e punës, mjetet e punës së gazetarëve, nga njerëz që nuk kanë ligj e as moral.

Prapa këtij krimi të shëmtuar qëndron Edi Rama.

Prapa kësaj situate dramatike qëndron Edi Rama. Po. Po.

Rikujtoj shqiptarëve se 21 milionë euro shpenzime udhëtimesh me çarter në dispozicion. Vetëm këto po marrim.

Se 7 mln euro për ‘Giro d’Italia’ dhënë një kompanie private për të mashtruar shqiptarët për zgjedhje.

Se 50 mln euro të vjedhura së bashku me Lubi Ballukun në tunelin e Llogarasë, të evidentuar qartësisht, do të kishte Shqipëria sot ‘CanadAir-in’ e vet, do të kishte Shqipëria sot qindra zjarrfikëse.

Po disponohen vetëm mjetet e blera 15-20 vitet më parë, edhe ato të përgjysmuara se edhe helikopterët janë zhdukur.

Kurse urdhëri i zbatuar nga një kriminel i damkosur siç është Ardi Veliu, urdhëri i Edi Ramës i zbatuar nga një kriminel i damkosur siç është Ardi Veliu, për të plaçkitur dhe rrëmbyer kompjuterat dhe laptopët e gazetarëve ku janë dosjet e Edi Ramës, dosjet kriminale të Edi Ramës.

Janë dosjet kriminale të Olsi Ramës.

Janë dosjet kriminale të Lubi Ballukut, të Taulant Ballës dhe qeveritarëve të tjerë. Është një akt i shëmtuar antikushtetues.

Është një akt direkt i drejtuar nga Edi Rama, është një përsëritje e aktit të Altin Troplinit ndaj gazetarit të njohur Elton Qyno, që si bandit i rrëmbeu kompjuterin dhe telefonin dhe e mori peng, duke shkelur çdo normë.

Pra unë mora vetëm këto elementë të ndërlidhur, por natyrisht sot Shqipëria kurrë nuk do të ishte në mëshirën e flakëve nëqoftëse narkoqeveria nuk do të ishte një plaçkitëse e madhe e shqiptarëve.

Unë jam këtu për të falënderuar dhe shpreh solidaritetin tim më të madh, para të gjithë atyre shqiptarëve zjarrfikës, apo në funksione të tjera dhe qytetarë, që u përballën me flakë dhe zjarret në kushtet më të vështira.

Falënderoj gjithashtu misionet e ardhura nga BE-ja dhe vendet partnere të cilat po luftojnë zjarrin krah për krah me banorët në zonat e vendit.

Anisa Kadesha, RTSH: A është ende në kohë qeveria për shpalljen e emergjencës kombëtare për situatën e zjarreve dhe pse është hezituar për marrjen e këtij vendimi, sipas jush.

Sali Berisha: Qeveria është narkoqeveri. Këshilli i Sigurisë Kombëtare është narko, nuk ka preokupim qeveria për këto që ndodhi.

Edi Rama kalon nga kërcënim në një tjetër dhe unë absolutisht dënoj me forcën më të madhe, si një kriminel të shëmtuar atë që vë me qëllim zjarrin.

Por edhe zjarrvënia pa qëllim, kërkon që çdo qytetar, në çdo akt dhe në çdo hap të ketë parasysh që të mos krijojë, sepse është një natyrë e ndezur.

Kështu që në këtë kontekst, mbaj si përgjegjës kryesor të kësaj katastrofe, Edi Ramën, vjedhjet e tij.

Natyrisht temperaturat e larta janë terreni i kësaj që po ndodh dhe shpirti kriminal i individëve të caktuar që luajnë me zjarrin është ai që inicion, ndez zjarrin dhe ata meritojnë dënimin më të madh.

Marsi Korreshi, SYRI TV: A do ti drejtoheni me kërkesën për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore nga kjo konferencë, si lideri i opozitës, zoti Berisha?

Sali Berisha: Po të kishte qeveri të vërtetë nuk mund të diskutohet që Delvina dhe zona të tjera sot, do ishin shpallur zona të fatkeqësisë natyrore.

Por kur nuk ka qeveri dhe ka narkoqeveri, ndonjë ndryshim të madh kjo nuk bën.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Një koment lidhur me reagimin e Edi Ramës për situatën e zjarreve. Rama shkruan në Twitter, për debatet lidhur me avionët zjarrfikës, se pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës dhe me pak fjalë, Rama ka thënë se edhe shtet të tjera, Italia, Greqia, apo Spanja që kanë avionë zjarrfikës kanë zjarre dhe nuk është ky problemi pse ka zjarre në vend. Si e komentoni deklaratën e tij.

Sali Berisha: Edhe njëherë. Me 21 mln euro çarter, avion në dispozicion të shpenzuar personalisht nga Edi Rama.

Me 10 milionë satelitët.

Me 7 milionë ‘Giro d’Italia’.

Me 50 mln më tepër se kostoja në tunelin e Llogarasë, Shqipëria do të kishte dy ‘Canada Air’, do kishte të paktën edhe 150-200 zjarrfikëse më shumë.

Përsa i përket sipërfaqeve të Greqisë dhe Italisë, duhet të jesh i metë, duhet të kesh të meta mendore që të bësh krahasimin e një vendi me 28 mijë kilometra katror me vende që janë me 90 njëri, e sa është tjetri, Gadishulli Apenin, mijëra kilometra i gjatë.

Nuk ka asnjë justifikim. Do të mbrohet me shpenzimet e tij të tmerrshme abuzive.

Nëse nuk do të përdorte 21 mln euro për çarter, nëqoftëse nuk do të përdoreshin 7 mln euro për ‘Giro d’Italia’ për të mashtruar shqiptarët për vota, 10 mln euro për satelitët, se na duhen për zjarret. Nëse nuk do të paguheshin 50 mln euro më shumë për tunelin e Llogarasë dhe po shkon në 70 mln ç’është e vërteta, po shkon në 70 mln tani, natyrisht Shqipëria jo veç që do i shtuante vetë zjarret, por do ndihmonte dhe Greqinë, që na ka ndihmuar dhe i falënderoj.

Do ndihmonte Italinë, e cila na ka ndihmuar dhe e falënderoj, për shuarjen e zjarreve.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale