Berisha: Nëse demokratët nuk do të merrnin kthesën, PD do të ishte një fasadë opozitë, vendimet për të cilën merreshin nga Balla e Brava në kuzhinën e Desadës

EKSTRAKT:

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, kundër vendimit politik të SPAK mbi liderin e opozitës është shprehur se çdo demokrat, qytetar, duhet ta ketë të qartë se në rast se sot heziton dhe nuk ngrihet kundër regjimit monist të Edi Ramës, nesër mund të jetë vonë, nesër ai pavarësisht nga qëndrimi i tij, nga vota e tij, por me indiferencën, heshtjen, ka firmosur mandatin e tij që qëndron mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e votës.

Gjatë fjalës së mbajtur, kryedemokrati Sali Berisha ka bërë të ditur se dy vjet më parë në mënyrë që Edi Rama të vendoste paqen e përhershme në sundimin e tij, në mënyrë që Edi Rama të qeveriste i qetë me Lulin e tij, Sali Berishën e shpallën non grata për korrupsion, e shpallën non grata për minimin e demokracisë.

Sipas kryetarit të PD-së, nëse demokratët nuk do të merrnin kthesën, PD do të ishte një fasadë opozitë, vendimet për të cilën merreshin nga Balla e Brava në kuzhinën e Desadës.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetare dhe qytetarë, demokrate dhe demokratë, të pranishëm sonte në këtë protestë, përshëndetjet më të zjarrta, mirënjohjen më të pakufishme.

Ju misionarët e kthesës së madhe, vendimtare për fatin e demokracisë, lirisë, dinjitetit dhe të ardhmes tonë, por dhe vetë ekzistencës së kombit shqiptar.

Ju, burrat, gratë, djemtë e vajzat e kthesës, jeni frymëzimi, shpresa e pashuar e mbarë shqiptarëve.

Çdo demokrat, qytetar, duhet ta ketë të qartë se në rast se sot heziton dhe nuk ngrihet kundër regjimit monist të Edi Ramës, nesër mund të jetë vonë, nesër ai pavarësisht nga qëndrimi i tij, nga vota e tij, por me indiferencën, heshtjen, ka firmosur mandatin e tij që qëndron mbi krimin, drogën dhe vjedhjen e votës.

Ndaj dhe protesta juaj, kthesa juaj në agun që ndahet terri nga drita, shpresa nga dëshpërimi, e shkuara diktatoriale nga e ardhmja, jeni pararendës të një Shqipërie tjetër, të rivendosjes së pluralizmit, votës së lirë, besimit tek Shqipëria.

Demokrate e demokratë!

Historia juaj është historia e betejave për idealet më fisnike, të larta.

Historia juaj është historia e ndryshimit të vazhdueshëm për të ndryshuar Shqipëri.

Historia juaj është historia e njerëzve, e burrave dhe grave të kthesave epokale, të kthesave që ndan dritën nga terri, diktaturën nga demokracia, gënjeshtrën nga e vërteta.

Të tillë jeni ju, të tillë janë demokratët.

Të dashur miq!

Dy vjet më parë në mënyrë që Edi Rama të vendoste paqen e përhershme në sundimin e tij, në mënyrë që Edi Rama të qeveriste i qetë me Lulin e tij, Sali Berishën e shpallën non grata për korrupsion, e shpallën non grata për minimin e demokracisë.

Unë e di se, sa e vështirë ishte për ju kthesa, por ju njerëz të ndershëm, idealistë, ju njerëz të të vërtetës, nuk mund të pranonit kurrë të besoni gënjeshtrën për të vërtetë.

Nuk mund të pranonit kurrë shantazhin e padrejtë.

Nuk mund të pranonit kurrë që Sali Berisha, njeriu që kishte luftuar më shumë se kushdo tjetër në jetën e tij, korrupsionin në këtë vend, të shpallej 8 vite pas largimit nga pushtetit, si i rrezikshëm për korrupsionin e tij.

Që Liri Berisha e cila kishte 14 vite që punonte vullnetarisht pa asnjë shpërblim, çdo ditë e çdo natë me fëmijë autikë.

Nuk mund ta pranonit ju kurrë një akuzë të tillë, të pavërtetë e cila kishte vetëm një synim, të çelikoste pushtetin e Edi Ramës.

Por s’mund të pranonit ju kurrë një vendim i cili bazohej fund e krye në korrupsionin transnacional Rama-Soros-McGonigal, i cili kishte për qëllim vetëm një, të forconte pushtetin e Edi Ramës.

Pavarësisht se i vriste Shqipërisë shpresën.

Pavarësisht se e shndërronte Shqipërinë në një vend pa opozitë, vështirësitë tuaja individuale, familjare, sociale për të zgjedhur ishin të jashtëzakonshëm.

Demokratet e demokratët ishin njerëzit e vërtetë dhe zgjodhën të vërtetën.

Zgjodhën opozitarizmin sovran.

U akuzuat se ishit antiamerikan.

U akuzuat se ishit antiperëndimore.

Po a mund të pranonit ju se Sali Berisha kishte minuar demokracinë në një kohë që në 6 vite qeverisja e PD-së kishte firmosur marrëveshjen e stabilizim asocimit.

Kishte liberalizuar vizat.

Kishte marrë rekomandimin për vend kandidat nga Komisioni Europian.

Anëtarësoi vendin plotësisht në NATO.

Të gjitha këto pa përjashtim ishin rezultat i konsolidimit të standardeve demokratike në Shqipërisë.

I luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

I luftës së suksesshme ndaj korrupsionit.

A mund të pranonit ju se Sali Berisha kishte minuar demokracinë në një kohë ju, vetëm 5 muaj para largimit tim nga pushtetit dëgjuat me veshët tuaj se si, sekretarja Hillary Clinton i tha shqiptarëve dhe botës; cilido që dëshiron të shikojë demokracinë në veprim të vijë në Shqipëri.

Jo e jo, ju u ngritët, morët kthesën shpëtimtare për PD-në, për opozitën shqiptare, për pluralizmin.

Ju lutem!

Imagjinoni për një moment në rast se ju, 44 mijë demokrate e demokratë që morët pjesë në referendumet e partisë, nuk do të kishit marrë kthesën, ku do të ishim ne sot.

Ku do të ishte PD?

Do të ishte një fasadë opozitë, vendimet për të cilën merreshin nga Balla e Brava në kuzhinën e Desadës, në takime të fshehta.

Por jo, dallimi mes jush dhe të tjerëve është i madh. Ju jeni njerëz të idealeve, të parimeve, të dinjitetit, ju nuk mund të shisnit për asgjë të vërtetën. Ju donit shumë Amerikën, Europën, por doni më shumë Shqipërinë, doni më shumë të vërtetën.

Ndaj dhe morët kthesën, kthesën shpëtimtare.

Miqtë e mi!

Ecëm në një rrugë të vështirë. U përballëm me presion ç’njerëzore, kërcënime të jashtëzakonshme.

Por me besimin tek e vërteta, kapërcyem çdo vështirësi.

Narkopropaganda u vërsul mbi ju me të gjitha epitetet.

Mendoni pak për një moment; ata që ju quanin ju antiamerikan, që quanin Berishën antiamerikan sepse në Shqipëri kishte sjellë Xhorxh Bushin dhe jo McGonigalin.

Mendoni pak sot miqtë e mi, kur Edi Rama ka korruptuar me dokumente zyrtare të drejtësisë Amerikane, kryezbuluesin e SHBA, njeriun që kishte detyrë dhe mision mbrojtjen e vendit të tij të madh nga spiunët dhe korrupsioni, e korrupton dhe e angazhon në luftë kundër opozitës.

Ai po dënohet atje, Edi Rama ka aktpadinë.

Çfarë thonë këta proamerikanë, narkomanë. Çfarë thonë  sot këto media dhe gazetarë, këta banalistë.

A ekziston për ta skandali McGonigal, a është një akt armiqësor ndaj kombit të madh Amerikan, korruptimi i kryezbuluesit të tyre me pagesë.

Ky pseudoamerikanizmi i tyre.

Amerikanizmi ynë bazohet në vlera dhe vetëm vlera.

Miqtë e mi!

Presionet mbi ju ishin të jashtëzakonshme.

U kërcënuat, ju hoqën vizat, u pushuat nga puna, u persekutuat, por nuk u mposhtët. Njerëzit e kthesës vazhduan rrugën në këmbë të vendosur.

Erdhën zgjedhjet e majit.

Më të pabarabartat në histori, më të pandershmet, më të inkriminuarat.

Ne mes alternativës ti bënim dhuratë bojkotin Edi Ramës dhe të merrnim pjesë në ato kushte, ne zgjodhëm të dytën.

Armikut dhurata nuk i bëhen, atij i jepen goditje dhe vetëm goditje.

Pa logo, pa emër, përballë makinerisë më të egër të krimit, parasë, vjedhjes, përsëri 600 mijë shqiptarë votuan opozitën.

Miqtë e mi!

Duhet të jem i sinqertë me ju dhe do t’u rrëfej një sekret timin.

Në dhjetor të vitit 2021, kur miratuam statutin, Sali Berisha propozoi një nen, kryetari i partisë largohet përfundimisht kur humbet zgjedhjet e përgjithshme.

Ju lutem më ndiqni pak. Në dorën time dhe plotësisht e justifikuar ishte të shkruaja largohet kur humbet zgjedhjet e ndershme.

Por jo. A e dija unë se nuk do kishte zgjedhje të ndershme? E dija, siç e di se sonte është natë.

Por pse atëherë unë propozova dhe vendosa këtë nen? Me një qëllim të vetëm, se me Edi Ramën duhej të matemi dhëmb për dhëmb. Ta largonim dhe të bënim zgjedhje të lira.

Të largonim armikun e votës së lirë. Të largonim armikun e votës së lirë ose të nënshtroheshim dhe të poshtëroheshim në diktaturën e tij.

Çdo pjesëmarrje në zgjedhje si zakonisht do ishte firmë në mandatin e tij të grabitur. Çdo bojkot i zgjedhjeve do ishte tradhti ndaj aspiratave demokratike të shqiptarëve.

Për ne kishte vetëm një rrugë, betejë pa kthim për votën e lirë.

Miqtë e mi, ndaj unë ju thashë në fillim, ju jeni njerëzit e kthesave të mëdha.

Ju jeni këtu në këtë betejë. Por unë këtu ftoj çdo demokrate dhe çdo demokrat, i cili ndoshta ndodhet i dyzuar, ndoshta heziton, t’i shtrojë vetes këto pyetje: A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën, që ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë? A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën që ka listat dhe përjashton qindra e mijëra demokratë nga listat e votimit?

A mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën, që shpërndau nga 50 mijë lekë për 680 mijë pensionistë dhe zgjedhjet e ardhshme mund të shpërndajë 150 mijë lekë?

A mund të ketë zgjedhje të lira me një njeri që thotë se Kodi Zgjedhor është një kinezëri?

A mund të ketë zgjedhje të lira me një njeri që ka krijuar sistemin e patronazhistëve dhe aktivistëve, policinë politike elektorale, që terrorizon qytetarët?

A mund të ketë zgjedhje të lira në një kohë kur bandat, vrasësit serialë, narkotrafikantët lirohen nga burgjet për të terrorizuar qytetarët?

A mund të ketë zgjedhje të lira me industrinë gjigante të blerjes së votës?

Ndaj dhe secili demokrat dhe demokrate, që ka një investim të mrekullueshëm, ka një investim që bën krenar atë dhe brezat që vijnë, pasi t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve, të vendosë për kthesën, të vendosë për betejën, të vendosë për të ardhmen, të zgjojë luanin, të përballemi, të përballemi, të përballemi!

Janë shumë prej jush në këtë rrugë, që e kanë të freskët në mendje kur ne i binim bulevardit se na kishin rrëmbyer votën, na kishin rrëmbyer vullnetin, me këngët e rilindësve tanë: Ja vdekje, ja liri.

Ai që të prek votën, të ka prekur lirinë, të ka shkelmuar dinjitetin, të ka shkelmuar idealet, të ka shkelmuar të ardhmen, ai është armiku më i egër i yti. Ai meriton çdo ndëshkim.

Ndaj dhe thirrja ime, demokrate dhe demokratë, krenarë të merrni kthesën!

Kthesa juaj është fati i Shqipërisë, është fati i demokracisë shqiptare, është fitorja e Shqipërisë, është fitorja jonë, fitorja e demokracisë.

Miqtë e mi, nuk merrja kurrë përsipër të drejtoja ju, të mashtroja ju, të drejtoja ju si parti profesioniste opozitare, jo mo jo, ju jeni partia që keni përmbysur epoka, keni ndërtuar Shqipërinë. Ju meritoni pushtetin, ju meritoni të ardhmen, ju meritoni qeverinë!

Ata që duan PD-në në pushtet, të marrin kthesën, të dalin në fushë-betejë!

E pafalshme për ne, në qoftë se Edi Ramën vjen nesër skuadra e FBI dhe e paketon. Çfarë jemi ne pastaj?

Edi Rama kreu akte korruptive armiqësore ndaj partnerit kryesor. U përket shqiptarëve dhe para së gjithash shqiptarëve, t’i japin ndëshkimin që meriton.

Mos kujtoni se ai ka mbështetje, të parët që ia mbathin janë ministrat e tij, të parët që e braktisin janë deputetët e tij.

Atë e mbron vetëm një njeri, e mbron kreu i organizatës kriminale Skapi i partisë.

Po, po, sepse ai është autori i krimeve të shumëfishta me dosjet 339, 184, Edi Rama dëshmon se drejton shtetin e mafies kundër vullnetit tuaj, se me mafien rrëmben votën dhe ju kontrollon ju.

Por atë e mbron avokati i tij, Altin Dumani, që betohet se është i pavarur, paçka se xhep e kokë është i varur nga Edi Rama.

Çfarë mund të kërkojë një institucion akuze sesa dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë të SHBA, që dëshmojnë se ka korruptuar njeriun kryesor të kundërzbulimit të këtij vendi, se i ka dërguar me Agron Nezën 220 mijë dollarë ryshfet, porosi për luftë kundër opozitës.

Çfarë kërkon një institucion akuze më shumë sesa provën e Ministrisë së drejtësisë së SHBA, që dëshmon se McGonigal në mënyrë korruptive ka ndërhyrë për heqje licence nafte dhe e kanë hequr për t’ia dhënë Damianit dhe Agron Nezës.

Atëherë do presim ne ta ndëshkojë Dumani? Ai nuk e ndëshkon dot kurrë. E dini ju apo jo? Ai nuk po merr dot serverat që ia kërkon FBI për t’i shqyrtuar. Por FBI i ka të gjithë të dhënat, sa për dijeni, por nuk e lejon Agaçi me ato rojet e veta aty.

Ndaj dhe të shpallim largimin e tij të menjëhershëm, arrestimin e tij si objektiv madhor të lëvizjes sonë.

Në këmbë demokratë, në kthesë demokratë, në betejë pa kthim demokratë.

Rrofshi ju, rroftë PD, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale