FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar, është shprehur se sot Edi Rama, kryehajduti i kombit i të gjitha kohërave, zgjodhi me një cinizëm ekstrem tu flasë shqiptarëve përsëri për labaroskopinë e tij, duke harruar se ka lënë pa ilaçe mijëra shqiptarë, pasi ka vjedhur bashkë me ministrat dhe drejtuesit e QSUT-së, paratë.
Gjatë fjalës e tij përpara protestuesve, kryedemokrati Sali Berisha, është shprehur se negociatat janë hapur dhe se çdo shqiptar duhet ta dijë, që këto negociata janë hapur tërësisht për shkaqe gjeostrategjike.
Berisha theksoi se Partia Demokratike si lokomotivë e proceseve integruese, si një parti që mbështet dhe konsideron integrimin e shqiptarëve në BE si të ardhmen më të mirë të tyre, deklaron para shqiptarëve dhe botës se përveç kriterit gjeostrategjik, narkoregjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin në BE.
Kreu i PD, Sali Berisha në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se drejtimi i Shqipërisë me Edi Ramën, është drejtimi drejt shfrytëzimit kolonjal nga një pushtim i mbarë shqiptarëve. Ai theksoi se drejtimi i Shqipërisë me Edi Ramën, është drejtimi drejt një vendi pa drejtësi, me vetëgjyqësi, drejt një vendi ku qytetarët presin 15 vite për një vendim gjyqësor, ku prokurorë dhe gjykatës special janë në garë të rrjepin sa më shumë qytetarët.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, deklaroi se se me Edi Ramën nuk ka kurrë integrim të Shqipërisë. Berisha ka theksuar se na përket ne të marrim fatin në duart tona, na përket ne me mosbindje civile të krijojmë qeveri teknike, ta kthejmë Shqipërinë në drejtimin e duhur.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më miqësore, mirënjohjen time më të pakufishme për ju, qëndrestare e qëndrestarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Për oratoret e oratorët e kësaj platforme të fjalës së lirë, që përcjellin të vërtetat në të katër anët e vendit.
Një përshëndetje të veçantë për deputetin Ervin Salianji, i burgosur politik në burgjet e narkodiktatorit Edi Rama.
Përshëndetje të gjithë demokratëve që për qëndresën e tyre, përballen me persekutimin dhe ndjekjen policore të narkoregjimit.
Miqtë e mi!
Sot kryehajduti i kombit i të gjitha kohërave, zgjodhi me një cinizëm ekstrem tu flasë shqiptarëve përsëri për labaroskopinë e tij. Të flasë sikur të ishte nën efektin e drogave, jashtë çdo realiteti.
Tani do ti shtrojmë disa pyetje.
Ti që rrah gjoksin në kujdesin shëndetësor që u tregua ndaj teje, ke ndjenja njerëzore ti. A ekziston njerëzia, humanizmi si vlera morale, në të cilat shpirti yt është si një trung i thatë, i zhveshur totalisht prej tyre.
A tu kujtuan ty tek notoje në një det kujdesi, ilaçesh dhe mjekimesh ku nuk të mungonte asgjë, të sëmurët që u shkurtoje jetën sepse me ministrat, nënpunësit e tu, u vidhje ilaçet. U vidhje paratë e ilaçeve, ilaçeve për të përballuar jo herniet e tua, por sëmundjet më të rënda që kapin njeriun.
Po ç’gojë ke ti të flasësh për kujdes shëndetësor, në një kohë që le të sëmurët në mëshirën dhe kthetrat e sëmundjeve, sepse me ministrat dhe drejtorët u vidhni ilaçet, u vidhi vitet e jetës, u shkatërroni shëndetin, kryeni krime kundër njerëzimit.
Për të bërë të besueshëm narrativën e tij, ai lidhi ndërhyrjen e tij mjekësore, me firmosjen, me hapjen e negociatave që janë hapur para katër vitesh.
Edi Rama, negociatat u hapën katër vite më parë dhe u rihapën këtë javë pas 11 viteve mashtrime, mashtrime, dhe vetëm mashtrime.
Negociatat janë hapur dhe çdo shqiptar duhet ta dijë, se janë hapur tërësisht për shkaqe gjeostrategjike.
Partia Demokratike si lokomotivë e proceseve integruese, si një parti që mbështet dhe konsideron integrimin e shqiptarëve në BE si të ardhmen më të mirë të tyre, deklaron para shqiptarëve dhe botës se përveç kriterit gjeostrategjik, narkoregjimi i Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter tjetër për integrimin në BE.
Narkoregjimi i Edi Ramës, si asnjë vend tjetër i Europës, ngjashëm me Tunizinë e Sajedit, Venezuelën e Maduros, është vendi i arrestimeve, burgosjeve, atentateve, sulmeve fizike, marrjes së mandateve në rrugë antikushtetuese të lidërve, parlamentarëve, qeveritarëve vendor, eksponentëve të opozitës.
Edi Rama, ti je turpi, je turpi i Europës, je turpi i vendeve të lira të botës. Je turpi i botës, bashkë me Maduron, bashkë me Llukashenkon.
Dhe u garantoj se shpejt banesa turpit të historisë të pret, atje ku kanë përfunduar të gjithë narkosit, diktatorët si puna jote.
U mburre sot në atë monologun që bën, se Shqipëria e viteve ’30, qytetarë dhe qytetare një gjë u garantoj, se me Edi Ramën, drejtimi i Shqipërisë është drejt krimit, drejt drogës, drejt varfërisë, drejt zbrazjes së Shqipërisë.
Me Edi Ramën, drejtimi i Shqipërisë është drejtimi i shndërrimit të fondeve publike, pasurive publike të Shqipërisë, në parajsë për Edi Ramën, në parajsë për organizatat e tij kriminale në qeveri, në Skrap, Parlament.
Në parajsë për trafikantët e drogës, bosët e mafias shqiptare.
Drejtimi i Shqipërisë me Edi Ramën, është drejtimi drejt shfrytëzimit kolonjal nga një pushtim i mbarë shqiptarëve.
Drejtimi i Shqipërisë me Edi Ramën, është drejtimi drejt një vendi pa drejtësi, me vetëgjyqësi, drejt një vendi ku qytetarët presin 15 vite për një vendim gjyqësor, ku prokurorë dhe gjykatës special janë në garë të rrjepin sa më shumë qytetarët.
Se si e si, të marrin peng politikanët.
Se si e si ti lëpihen më shumë narkodiktatorit Edi Rama.
Qytetarë dhe qytetare, të dashur miq!
Drejtimi i Shqipërisë me Edi Ramën, është drejtimi më antikombëtar që ka njohur ndonjëherë historia.
Drejtimi i thikave të tmerrshme pas shpine, Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Drejtimi i vendosjes së sanksioneve më të para ndaj Kosovës, nga një horr në krye të Tiranës.
Drejtimi më i keq i përçarjes, shkelmimit të tolerancës fetare dhe bashkëveprimit ndërfetar.
Drejtimi i sulmit të egër, ndaj shumicës myslimane shqiptare.
Drejtimi i shkelmimit të trashëgimnisë tonë të shkëlqyer, laike, i krijimit të shtetit Islamik bektashi, për të krijuar lavatriçen më gjigante të larjes së parave dhe qarkullimit të banditëve me pasaporta diplomatike.
Drejtimi i përpjekjeve demonjake për të copëtuar komunitetin mysliman shqiptar, që ka një trashëgimni të shkëlqyer, fetare dhe atdhetare dhe që kërkon ta shkelmojë ky antishqiptar. Që në aktet e tij tejkalon çdo antishqiptar tjetër në historinë tonë.
Qytetare dhe qytetarë, drejtimi i Edi Ramës është drejtim drejt varfërimit vit pas viti.
Prej 20 vitesh për herë të parë shqiptarët shpallen botërisht, 46 për qind prej tyre të varfër.
Sot dhe unë përgëzoj Dorian Telitin, që ngriti përsëri çështjen e pensionistëve.
Loja me pensionistët shqiptarë, është lojë makbethiane, loja e një njeriu të pashpirt, të pazemër, që pret mezi ti përcjellë nga kjo botë me varfëri dhe mjerim, ata që kanë shkrirë jetën e tyre për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Që u premton, që i mashtron se do të rris aq e kaq dhe në fund u hedhe thërrime sikur të mos ishin qenie njerëzore.
U hedh 700 lek, në një kohë kur kryeministri tjetër shqiptar, në anën tjetër të kufirit në respekt, dhembshuri dhe mirënjohje u shton me një firmë, 100 mln euro në fondin e pensioneve.
U shton me një firmë, 20 për qind të gjitha pensionet e Kosovës.
Pensionistë dhe pensioniste, më thoni pak, cili është në drejtimin e duhur. Ai që vë dorën në zemër dhe vendos që me këto nëna dhe baballarë, gjyshër dhe gjyshe, të ndajë një pjesë të të ardhurave të kombit, apo ky tjetri, ky zuzar, ky i pangopur që vjedh e vjedh ditë e natë, dhe kërkon ti mashtrojë me mashtrime, me 400-700 lek, 700 mijë burra dhe gra që numërojnë kafshatat në shtëpitë e tyre.
Pra drejtimi i tij është drejtimi drejt zbrazjes së Shqipërisë, drejt varfërisë, drejt sundimit të krimit, sundimit të drogës, drejt dhunës dhe terrorit, drejt grabitjes së votës.
Me Edi Ramën nuk ka kurrë integrim.
Vendimi i Luksemburgut kishte lidhje fund e krye me gjeostrategjinë. Asnjë lidhje tjetër nuk ka.
Na përket ne të marrim fatin në duart tona, na përket ne me mosbindje civile të krijojmë qeveri teknike, ta kthejmë Shqipërinë në drejtimin e duhur.
Të ndryshojmë drejtimin e Shqipërisë.
Të ecim krenar drejt zgjedhjeve të lira.
Të ecim krenar drejt ndryshimit të pushtetit.
Të ecim krenar drejt shndërrimit të pasurive dhe fondeve publike, në mirëqenie rroga, pensione e pasuri për shqiptarët.
Të ecim krenar me shndërrimin e turizmit në një mirësi të madhe për qytetarët shqiptarë.
Të ecim krenar me luftën pa mëshirë kundër dhimbjeve të kafshatës, vendosjen e minimumit jetik 200 euro, të të gjitha pensioneve mbi 200 euro, të rrogës minimale 500 euro.
Të heqjes së TVSH-së për ushqimet.
Të dyfishimit të rrogave dhe pensioneve dhe të dalim në krye të vendeve të rajonit, për rrogat, pensionet, begatinë e qytetarëve shqiptarë.
T’i rikthejmë Shqipërisë drejtësinë.
T’i rikthejmë në Shqipëri ligjin, kushtetutën, parlamentin, institucionet.
T’u japim përgjigjen e merituar narkozyrtarëve, narkogjykatësve, narkoministrave, narkoprokurroëve.
Ne jemi më të fortë, qindra herë më të fortë.
Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë.
Fitore, fitore, fitore!