DEKLARATË PËR MEDIAT E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË SELI
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ditën e sotme nga selia blu, ka denoncuar se në këto zgjedhje është rikthyer loja me listat e votimit. Gjatë deklaratës për mediat nga seli blu, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se është një gënjeshtër e rëndë, manipulimi se qytetarët nuk dolën te votojnë.
Sipas kryetarit të PD-së, Sali Berisha 180 mijë qytetarë nuk janë lejuar që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, pasi u përjashtuan nga Rama dhe ministri i tij.
‘Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjithë pasojat dhe shëmtinë e tij, loja me listat e votimit. Përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit, nëpërmjet listave të votimit.
PD e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral të Edi Ramës dhe ministrit të familjes së tij Çuçi, të gjithë ndryshuan qendrat e votimit me dokumente zyrtare të 1.3 milionë zgjedhësve’, tha Berisha.
FJALA E PLOTË
Farsa elektorale maj 2023 dallon nga të gjitha farsat e zhvilluara nga Edi Rama, si në proporcione ashtu dhe në cilësi. Thashë dallon në proporcione, sepse blerja e votës nuk u shfaq për herë të parë, në farsën e vitit 2023. Jo, ajo është denoncuar nga shqiptarët, mediat shqiptare e ndërkombëtare, komisionet e vëzhgimit edhe në raste të tjera.
Por në këtë faresh, si kurrë më parë, ndërhyrja ishte e atyre përmasave të tmerrshme saqë rrëzoi euron, monedhën më të fuqishme të Europës, në nivele që ajo nuk i kishte përjetuar më parë.
Ky ishte një tipar i industrisë shtetërore mafioze të blerjes së votës.
Farsa elektorale e majit 2023, gërshetoi në mënyrën më të shëmtuar dy stile të farsave elektorale. Stilin e narkoshtetit dhe mafies së tij, me stilin Putin, i cili parakupton përdorimin e të gjitha mjeteve të tjera të shtetit, për kontrollin e votës së lirë të qytetarëve dhe ndryshimin e rezultateve.
Në dallim nga zgjedhjet e mëparshme, në këto zgjedhje u rikthye me të gjithë pasojat dhe shëmtinë e tij, loja me listat e votimit. Përjashtimi i zgjedhësve nga qendrat e votimit, nëpërmjet listave të votimit.
PD e denoncoi publikisht aktin kriminal elektoral të Edi Ramës dhe ministrit të familjes së tij Çuçi, të gjithë ndryshuan qendrat e votimit me dokumente zyrtare të 1.3 milionë zgjedhësve.
PD e denoncoi këtë akt si një përpjekje brutale për t’u mohuar të drejtën e votës sipas bindjeve politike qytetarëve shqiptarë.
Dita e votimit ishte ditë e përjashtimit të më së paku mbi 200 mijë zgjedhësve shqiptarë. Emrat e tyre në listat për të votuar, ishin transferuar në qytete të tjera, në zona të tjera. Pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me çdo ligj të vendit.
Vetë KQZ pohon se për këtë shkak nuk votuan ditën e votimit 180 mijë shqiptarë, të zgjedhur me garanci të plota në bazën e kriterit të bindjeve politike.
Mediat, të cilat për fatkeqësinë e tyre, bëjnë do të thosha një zhurmë shumë të dëmshme për shoqërinë, të cilat përpiqen të sfumojnë dhe zhurmojnë megakrimin elektoral të përmasave të papara kurrë ndonjëherë, të farsës elektorale të vitit 2023, në mënyrë shumë superficiale interpretojnë se pjesëmarrja më e ulët se në vitin 2021, vjen për shkakun se opozita nuk pati alternativë.
Nuk ka gënjeshtër më të rëndë se kjo.
Opozita dhe të gjitha kronikat e medieve gjatë fushatës faktojnë se opozita ishte alternativë dhe kishte alternativë për çdo bashki të Shqipërisë sa asnjëherë tjetër.
Kandidatët e opozitë, të armatosur me alternativën e tyre, kërkuan kudo ballafaqim me kandidatët e narkoshtetit, por që nuk dolën kurrë.
Në majin e vitit 2023 e 1 milionë e 313 mijë zgjedhës. Në vitin 2021 votuan 1 milionë e 570 mijë zgjedhës. Pra në vitin 2023 votuan më pak së në vitin 2021, 265 mijë zgjedhës. Prej tyre, mbi 200 mijë prej tyre iu hoq për arsye politike e drejta e zgjedhjes.
Këto akte në të cilat do të ndalemi edhe në daljet e tjera para jush, janë tipike për zgjedhje të tipit Putin. T’u heqësh qytetarëve të drejtën për të votuar, vetëm se ata kanë bindje të ndryshme politike dhe ti i ke nxjerrë ato me dokumente që shteti i mban me mirëbesim, përbën një akt kriminal armiqësor ndaj këtyre qytetarëve, ndaj opozitës dhe ndaj lirisë së vendit.
Partia Demokratike, siç theksova më parë, e zotuar të mbrojë votën e qytetarëve, e konstatoi dhe e denoncoi dhe e dërgoi te SKAP-i i partisë. SKAP-i i partisë vetëkuptohet, që e përcolli siç mori urdhër, por ditën e votimit nuk votuan për shkak të listave, 180 mijë qytetarë shqiptarë.
Pra, siç e shihni, këto zgjedhje janë zgjedhje në të cilat u ndërmor çdo lloj mase, nga kërcënimi me revole në ballë, që i kemi dhe i kemi paraqitur, te përjashtimi si në diktatura, te heqja e të drejtës së votës nëpërmjet listës, nga Edi Rama dhe regjimi i tij.
Faleminderit!
Pyetje: Rezultate në këto zgjedhje treguan, të paktën për këshillin bashkiak, treguan se përçarja në PD ka ndikuar shumë në zgjedhje. Një ditë më parë Enkelejd Alibeaj u dorëhoq nga kryetar i komanduar. Sot Jorida Tabaku dha një lloj drite jeshile, me grupin tuaj në PD. A keni nisur ju negociata dhe nëse jo, a do të negocioni me grupin tjetër të PD, për bashkimin e kësaj force opozitare.
Sali Berisha: Qëndrimi dhe deklarata ime dhe e partisë është kjo: Dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha i cili mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama, 220 mijë euro.
Partia Demokratike është e hapur për të gjithë të tjerët për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Ky është qëndrimi ynë. Por dy persona, pengje të Edi Ramës, u përdorën në mënyrën më të pamëshirë nga ai për të goditur opozitën shqiptare. Përsa i përket atij rezultati, unë ju bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. Partisë Demokratike i’u mohua logoja, PD-së i’u mohua kryetari i koalicionit. E di si e bëri Edi Rama? Kur ringu ishte përgatitur për ndeshjen, me mekanizma alla-Putin, shpalli veten fitimtar duke mos lejuar kundërshtarin të futet në ring. Por ajo nuk është fitore? Ajo është tmerr-fitore! Sepse pasojat sigurisht që ishin për Partinë Demokratike, por më të rënda qenë për atë. Se ai parashikoi jo vetëm që ajo të ishte një ‘kolpo di gracia’, ti jepje një goditje asgjësuese, përfundimtare. Por në fakt u përball me të kundërtën.
Me të gjithë aktet e tij kriminale, 510 mijë shqiptarë u ngritën mbi të gjitha. Nja 200 mijë të tjerë u përjashtuan nga listat, u ngritën dhe i thanë se opozita shqiptare është e pamposhtur.
Unë jam këtu për të thënë se këto zgjedhje janë një farsë elektorale e paprecedent. Nesër dhe në vazhdim do të ju njoh me të gjitha problemet e mëdha, deri tani folëm për stilin mafioz, sot për stilin Putin, gërshetimin e dy stileve.
Unë kam besim të plotë se shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar. Ne jemi zotuar se do mbrojmë votën. Është gjë e paimagjinueshme kjo që bëjnë mediat, të cilat përpiqen të bindin shqiptarët se nuk është përgjegjës hajduti, por viktima. Ky është një akt amoraliteti. Por ne qëndrojmë, ja ku jemi përditë në mbrojte të votës, në zbërthim të të gjitha aspekteve kriminale të farsës elektorale të 14 majit.
Pyetje: Ju thatë se përveç Bashë dhe Alibeajt, me të cilët nuk do të negocioni, në një farë forme i përjashtuat nga PD. A do të mblidhni grupet drejtuese për të përjashtuar Bashën dhe Alibeaj nga PD, apo do ti përjashtoni të dy me vendim tuajin.
Sali Berisha: Ata janë vetëlarguar nga PD, me aktet që kanë kryer. Ata të dy, në të gjitha statutet e botës, janë larguar vetë nga partia.