Berisha në Vlorë: Sheshin e Flamurit do e kthejmë në identitet. Jam zotuar para Ismail Qemalit se Edi Ramën do e largoj nga Shqipëria, do e çoj në Beograd

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIM PËRMBYLLËS TË FUSHATËS NË VLORË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi ditën e sotme takimin përmbyllës elektoral me qytetarët e Vlorës, ku u prit me entuziazëm dhe pjesëmarrje të gjerë nga qytetarët. Berisha theksoi se data 11 maj përfaqëson një moment historik për Shqipërinë, ku qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin ‘anën e drejtë të historisë’ dhe të kthejnë vendin drejt vlerave të lirisë, dinjitetit dhe mirëqenies.

Gjatë fjalës së tij, Berisha denoncoi thellimin e varfërisë dhe mjerimit të pensionistëve shqiptarë, duke përmendur se 760 mijë burra e gra jetojnë sot në kushte të vështira ekonomike, ndërkohë që qeveritarët pasurohen në kurriz të tyre.

Berisha bëri thirrje qytetarëve të votojnë PD për një qeveri që i rikthen dinjitetin qytetarit dhe garantoi se pasuritë dhe fondet e shtetit do t’u kthehen atyre që u takojnë me të drejtë qytetarëve të ndershëm të Shqipërisë.

Në takimin përmbyllës të fushatës në Vlorë, lideri i demokratëve Sali Berisha  në fjalën e tij tha se, ‘Vlonjatët do qëndrojnë në anën e duhur të historisë me 11 Maj’. ‘Në Vlorë atë natë ka pasur mbi 1 milion shqiptar, të ardhur jo vetëm nga Kosova dhe Maqedonia, por nga e gjithë bota. Ata vërshuan në Sheshin e Flamurit, sheshin simbol të kombit. Dhe doli ky, përdori pushtetin për të shpërfytyruar sheshin. Kthehet Sheshi në identitet, nuk ka asnjë diskutim, por turpi mbulon ata që shkelmojnë traditën tonë. Po Sheshi ishte një trashëgimi e mrekullueshme’, theksoi Berisha.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin përmbyllës në Vlorës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, theksoi nevojën për të shfrytëzuar potencialet e jashtëzakonshme turistike dhe historike të Vlorës, duke denoncuar abuzimet dhe mashtrimet e qeverisë aktuale.

Berisha e akuzoi Edi Ramën për degradim dhe përhapjen e gënjeshtrave, duke nënvizuar se pas gjithë premtimeve për investime, Vlora vazhdon të mbetet e pa zhvilluar dhe me probleme të shumta, si ujësjellësat dhe infrastruktura. Berisha iu drejtua qytetarëve të Vlorës dhe shqiptarëve duke i ftuar ata të qëndrojnë në anën e lirisë dhe të votës së lirë. Ai theksoi se 11 maji do të shënojë një ndarje të rëndësishme midis historisë së lirisë dhe dhunimit të saj, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështesin opozitën për të ndryshuar fatin e vendit. Ai mbylli fjalën me thirrjen për fitore, duke besuar në ndryshimin që mund të sjellë opozita për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetareve dhe qytetarëve të Vlorës që përcillni sot me këtë mesazh, me këtë miting, mesazhin e fitores në të katër anët e Shqipërisë.

Mirënjohje të pakufishme ndaj jush!

Dhe një përshëndetje për qytetarët e qarkut të Vlorës kudo që janë sonte, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme.

I dashur zoti Bujar Leskaj, udhëheqës politik i PD dhe ASHM për qarkun e Vlorës.

I dashuri zoti Hysni Sharra, kryetar i PD për Vlorën.

Të dashur kandidate dhe kandidatë, përfaqësues të qytetarëve të qarkut të Vlorës, burra dhe gra të shkëlqyer, të mrekullueshëm, dinjitozë, krenari për Vlorën, për PD-në dhe për Shqipërinë.

Të dashur miq, unë vij sonte tek ju për të sjellë gjithashtu mesazhin e fitores nga mbarë Shqipëria.

E një fitoreje, e cila nuk është dhe nuk do jetë fitore e një parti, as edhe e një koalicioni, por do jetë fitore e çdo qytetari të ndershëm të këtij vendi, që kërkon të jetojë me nder dhe dinjitet në Vlorë dhe Shqipëri.

Që kërkon që fëmijët e tij të ndërtojnë ëndrrën më të bukur të jetës në Vlorë dhe në Shqipëri.

Miqtë e mi, 11 Maji si rrallë ndonjëherë në histori, është një ditë që ndan historinë. Është një orë, është një ditë historike për çdo qytetar të këtij vendi.

Me 11 Maj ne zgjedhim midis krahut të drejtë të historisë, anës së drejtë të historisë apo humnerës, apo boshatisjes masive të këtij vendi.

Ne zgjedhim anën e drejtë të historisë dhe besimin absolut se Vlora dhe vlonjatet, me mençurinë e tyre epike, me 11 Maj votojnë anën e drejtë të historisë kombëtare, të historisë së tyre.

Të zgjedhësh anën e drejtë të historisë do të thotë para së gjithash të zgjedhësh dinjitetin tënd si njeri.

Të zgjedhësh lirinë dhe vlerat e saj.

Por miq, ne jemi një komb me një përvojë të gjatë. Ne e kemi provuar se varfëria është tirani.

Se varfëria nëpërkëmb dhe shkelmon dinjitetin.

Dhe çfarë ndodh sot? Sot ne kemi 760 mijë burra dhe gra, njerëz që kanë ndërtuar Vlorën dhe Shqipërinë, dhe që shumica dërrmuese e tyre numërojnë kafshatën. Nuk blejnë dot ilaçet. Nuk ulen dot në një kafene, por gjejnë stolat e ftohtë për të takuar një mik ose një shok.

Sepse jo se Vlora nuk është e pasur, Vlora është shumë e pasur.

Jo sepse Shqipëria nuk është e pasur, Shqipëria është shumë e pas.

Por sepse me paratë e pensioneve të tyre, një grusht qeveritarësh ndërtuan parajsën e tyre. I vodhën ato.

Miq, po vija këtu në Vlorë dhe rikujtova, rruga Levan-Vlorë është rruga më e gjerë në territorin e Shqipërisë, është 35 metra e gjerë.

Kjo rrugë ishte planifikuar të ndërtohej, është 24.5 kilometra, do ndërtohej me 42 milionë euro. Kaq ishte firmosur kontrata. Por meqenëse ishin zonat e habitatit, na dolën shumë punë me shoqatat, të cilat i përgëzoj dhe bashkë me Komisionin Europian u detyruam të ndryshojmë projekt dhe natyrisht koha u zgjat dhe kostoja u rrit.

Po sa u rrit? U rrit nga 1.7 në 2.4 milionë euro. Rruga më e gjerë e Shqipërisë u ndërtua në vitin 2012 me 2.4 milionë euro.

Rruga e Arbrit, e gjerë 10 apo 11 metra është ndërtuar me 11 milionë euro kilometri.

Unaza e Madhe, më e ngushtë se rruga e Vlorës, kushtoi 17 milionë euro kilometri.

Pse u ndala unë në këto hesape? Vetëm për t’u treguar pensionistëve se si u vodhën pensionet e tyre nga këta të pangopur, nga këta të pashpirt, që kur erdhi puna në janar solli buxhetin 8 miliardë dhe kapardisej se ishte buxheti më i madh në histori.

Ne i thamë të votojmë pensionin minimal 200 euro. Jo, tha, kjo na çon në humnerë.

Në çfarë humnere na çon kjo t’u japim atyre burrave dhe grave minimumin e atyre që u takon, të cilët trajtohen në mënyrën më çnjerëzore.

Pra, të votosh anën e drejtë të historisë do të thotë të votosh dinjitetin tënd në radhë të parë.

Dhe unë garantoj shqiptarët se pasuritë e tyre, se fondet e tyre do u kthehen para së gjithash atyre dhe vetëm atyre.

Vlora dhe vlonjatët në kohërat më të vështira kanë qëndruar në anën e drejtë të historisë.

Kam bindje absolute se me 11 Maj do jenë në krye të anës së drejtë të historisë.

Burrat dhe gratë që duan lirinë nuk mund të pranojnë burgosjen politike.

Nuk mund të pranojnë farsën elektorale.

Nuk mund të pranojnë dhunimin e të drejtave të qytetarëve.

Vlora dhe vlonjatët më 11 Maj do qëndrojnë në anën e drejtë të historisë.

I thërret historia sepse me 11 Maj ndahen me regjimin që boshatisi më shumë se kushdo tjetër Shqipërinë.

Miq, çfarë kombi jemi ne sot?

Sot pasi humbëm 600 e ca mijë të rinj në dherat e tjera në vendet e tjera, OKB na shpall si kombin me lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të emigracionit.

Kjo është sirenë, kjo është klithmë në shpirtin e çdo shqiptari.

Kjo është rruga e zhdukjes së kombit.

Ndaj dhe 11 Maji ndan sepse rinisim bashkë përpjekjen e madhe për të rikthyer kombin në rininë e tij.

Një komb që nuk është në rininë e tij, nuk ka të ardhme.

Shqiptarët janë të pavdekshëm, kanë dhe do kenë të ardhmen e tyre.

Po miq, ka ardhur koha t’i dalim zot.

11 Maji është ora e daljes zot të Shqipërisë dhe kombit.

Është ora të ndahemi nga një e keqe, e cila po shfaros shqiptarët.

Miqtë e mi, të votosh anën e drejtë të historisë do të thotë të nderosh dhe të votosh traditën tënde më të mirë.

Po ka traditë më të madhe për ne se familja shqiptare?

Ajo është mrekullia që kemi. Nëna jonë është madhështia jonë.

Kjo familje iu nënshtrua një agresioni ndoshta më të egër që ka njohur ndonjëherë.

Me qindra mijëra familje u detyruan t’u sugjerojnë fëmijëve të tyre emigrimin se nuk kishin ushqim.

Në shkolla filloi numërimi Prindi 1 dhe Prindi 2 sipas modelit post-marksist të monstrës Xhorxh Soros.

Përfaqësuesi i tyre kalon nga një takim në tjetër, në takime veçmas me gratë, duke u thënë se burrat i keni çyrykë. Duke fyer nënat, motrat.

Duke u përpjekur të nxis përçarje, përçmime brenda familjes dhe vlerave të saj.

Po dhe këtu në Vlorë, çfarë bëri? Po a kishte Vlora gjë më të bukur, më tradicionale për çdo shqiptar se Sheshin e Flamurit?

E mori, e tjetërsoi.

Nuk e harroj kurrë 100-vjetorin këtu.

Në Vlorë atë natë ka pasur mbi 1 milion shqiptar, të ardhur jo vetëm nga Kosova dhe Maqedonia, por nga e gjithë bota.

Ata vërshuan në Sheshin e Flamurit, sheshin simbol të kombit.

Dhe doli ky, përdori pushtetin për të shpërfytyruar sheshin.

Kthehet Sheshi në identitet, nuk ka asnjë diskutim, por turpi mbulon ata që shkelmojnë traditën tonë.

Po Sheshi ishte një trashëgimi e mrekullueshme.

Pra, të qëndrosh në anën e drejtë të historisë do të thotë që Vlora të shfrytëzojë potencialet e saj të jashtëzakonshme turistike.

Po, Vlora ka potenciale të jashtëzakonshme historike.

Më thoni pak, 12 vite ujërat e zeza nga Semani gjer te Kepi i Stillës, të gjitha derdhen në det.

Të gjitha derdhen në ujëra dhe nuk ka një plazh me flamur blu evropian ai që flet për Europën.

Çfarë bën? Vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh.

Po e përsëris edhe para jush, degradimi ekstrem i njeriut është kur beson gënjeshtrën e tij.

Dhe ky njeri ka degraduar në shkallë ekstreme dhe beson gënjeshtrën e tij dhe mendon se mund të mashtrojë vlonjatët dhe shqiptarët.

Erdhi këtu dhe tha se kemi investuar 1 miliardë e 230 milionë euro.

I paturp! E di ç’do të thotë 1 miliardë e 200 milionë euro.

Atëherë na del se pllakat e bulevardit, të cilin ua them se ishte më i mirë projekti i Kristo Themelkos se sa projekti i tij, se ai projekt nuk e përmbyste Vlorën, kurse ky në çdo shi përmbys Vlorën.

Pra, e kuptoni ju, u thotë vlonjateve se unë kam investuar në Vlorë 1 miliardë e 230 milionë euro.

Pastaj përralla me mbret.

230 milionë ujësjellësa në fshat. Ujësjellësi i Trevëllezërve nuk punon. Vlora është pa ujë. Orikumi, e ndërtuam ne, përsëri ka probleme.

Ky mendon se do mund të ngopë vlonjatët me mashtrime.

Miq, të qëndrosh në anën e historisë do të thotë të qëndrosh në anën e botës së lirë, të vendeve të lira.

Po çfarë thonë vendet e lira për Edi Ramën?

Edi Rama është në rreth të kuq.

Ai që u përpoq të zhdukë opozitën, ai që u përpoq në shpirtin e Spiro Kolekës dhe Enver Hoxhës për një Shqipëri pa opozitë, ai sot është në rreth të kuq dhe është i pashpresë.

Ai që besoi se izoloi opozitën, ai sot është më i damkosur se çdo drejtues tjetër pas Lukashenkos në Europë.

Në 5 muaj, 4 rezoluta ndërkombëtare si për asnjë vend tjetër e shpallin Edi Ramën armik të votës së lirë.

E shpallin Edi Ramën narkodiktator.

E shpallin Shqipërinë, narkoshtet.

E shpallin drejtësinë e Edi Ramës, të kapur nga politika.

Shpallin zgjedhjet në Shqipëri, farsë elektorale.

Vlonjate dhe vlonjatë, 11 Maji ndan historinë, historinë e lirisë me historinë e dhunimit të lirisë.

Historinë e votës së lirë me historinë e votës së dhunuar.

Ora e historisë u fton ju të qëndroni.

Edi Rama të ardhme nuk ka.

Tani do u rrëfej një gjë.

Jam këtu në këtë shesh, kur erdha në Vlorë, që nisa lëvizjen, unë para Ismail Qemalit kam bërë një betim.

Jam betuar para tij se këtë tradhtar do e largoj nga Shqipëria.

Do e çoj në Beograd.

Do e bëj këtë për Ismail Qemalin.

Do e bëj këtë për cdo shqiptar.

Do e bëj këtë për Vlorën.

Do e bëj këtë për Shqipërinë.

Edi Rama, je në rreth të kuq.

Fundi të pret.

Edi Rama, nuk mund të luash ti me fatin e Shqipërisë.

Nuk luan dot ti me lirinë e shqiptarëve, me dinjitetin e tyre, me të ardhmen e tyre.

Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale