Berisha: Në vitin 2013 ne e lamë Shqipërinë me shpresë, por tani vendi po braktiset masivisht!  Do vendosim minimumin jetik 200 euro, dhe do indeksojmë pensionet rregullisht çdo vit! Lista e rimbursimit të barnave do jetë si në Itali

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME BANORË TË NJËSISË 5

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar ditën e sotme kandidatët e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në njësinë 5 në Tiranë. Gjatë fjalës së mbajtur para mbështetësve të shumtë që ishin mbledhur në takim, Berisha u shpreh se, në 2013 qeverisja e PD e la vendin me shpresë, por tani po braktiset.

 ‘Në vitin 2013, Shqipëria nuk ishte parajsë dhe nuk ishte një vend i mëkëmbur plotësisht, por ishte vend me shpresë dhe numri i shqiptarëve po rritej nga viti në vit. Shqipëria nuk ishte një vend i mëkëmbur të themi, por ama Shqipëria doli nga honet e historisë në raport me varfërinë. Kishte ardhur në shekuj si grupi i vendeve më të varfra të planetit dhe arriti në vitin 2008 të dalë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Dhe arritëm të kemi rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon. Kjo ishe krenari kombëtare sepse nuk kishte pse të ishim ne njerëzit më të keqpaguar, kur në një kohë ne në këtë tokë, në këtë vend kemi pasuritë më të mëdha, më ta paçmuara se çdo vend tjetër’, theksoi kreu i PD-së.

Gjatë fjalës në prezantimin e kandidatëve të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore në njësinë nr. 5 në Tiranë, kryedemokrati Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Belinda Ballukut. Sipas tij, ‘ajo që është bërë famoze për ndryshimin e emrit nga Belinda nga Lubi, ajo e kishte detyrë shtetërore që në ministrinë e saj ishte një njësi e mbikëqyrjes së punimeve të djegësit, e përbërë nga 3 veta, e cila kishte detyrë çdo muaj të bënte raport për ecurinë e punimeve. Ajo e dinte se aty nuk po hidhej një tullë. Ajo nuk bënte qoftë dhe një raport të vetëm, sepse e dinte se ato para po i vidhte Edi Rama, dhe kryesisht Edi Rama’, theksoi Berisha.

Lideri i demokratëve, Sali Berisha gjatë takimit në njësinë nr. 5 në Tiranë, ka akuzuar Edi Ramën se, goditi biznesmenin italian Francesko Beketi, sepse ky i fundit nuk pranoi që të bëhej skllav. ‘Ai ishte e kundërta e Bolinos. Se nuk pranonte të bëhej skllav i Edi Ramës. Ky e merr dhe e përzë si gangster atë. A u kujtohen ju sharjet, bënte të fortin ky, se në Shqipëri jam unë këtu. E përzuri. Çfarë ndodhi me atë përzënie bashkë me Erion Veliajn, 110 milionë euro paguani ju qytetarët e Tiranës për Beketin. Po avioni i tij, 21 milionë euro. 21 milionë euro udhëtime, në një kohë kur tani më ther në zemër kur shoh fshatarë me parmendë’, tha kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryedemokrati Sali Berisha hodhi akuza të forta ndaj Ogerta Manastirliut e cila është e para e listës së Edi Ramës në Tiranë. ‘Shihni kush e drejton Tiranën. E drejton një person që 100 herë nuk mund t’i gjesh emër tjetër përveç Korba e Korrupsionit. Pse e them këtë? Sepse ministre shëndetësie, ajo vodhi dhe shpërdoroi me klanin e saj dhe Edi Ramën, qindra milionë euro të përcaktuara për të blerë maska, për të blerë respiratorë, për të blerë ilaçe. Dhe në vend të tyre, bashkë me Edi Ramën, shndërroi Tiranën në një megaspital. Vendosi praktikën e shtrimit në spitale më të kufizuar në Europë dhe në botë’, nënvizoi kreu i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij.

Gjatë prezantimit të programit ‘Shqipëria Madhështore’, në njësinë nr. 5 në Tiranë, kreu i PD-së, Sali Berisha ka shpallur edhe njëherë projektin e tij të Paketës së Dhembshurisë dhe për indeksimin e përvitshëm të pensioneve, të cilët do të njohin një rritje prej 20%. ‘Çdo rrogëulët, çdo pensionist, çdo njeri në ndihmë ekonomike apo i papunë që merr më pak se 200 euro, do ketë kartën e konsumatorit. Do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë, pa TVSH. E kishim me shëndetësinë. Ne do i japim një përgjigje shumë të fortë kësaj gjendje katastrofike. Ne do garantojmë çdo qytetar shqiptar, së pari asnjë ilaç që nuk tregohet në dy vende të BE, nuk do futet në Shqipëri. Vilma Nushi dhe Tom Doshi do dyllosen. Së dyti, lista e ilaçeve, që shteti social italian u rimburson qytetarëve të vet, do jetë lista e ilaçeve që shteti shqiptar do u rimbursojë qytetarëve të saj’, deklaroi kryedemokrati, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur para qytetarëve dhe simpatizantëve të njësisë nr. 5 në Tiranë, ka dhënë lajmin se, një gjykatës i ka kthyer SPAK dosjen për hetimin e sarajeve të Edi Ramës në Surrel. ‘Një gjykatës, besnik i ligjit, as emrin nuk ia di, i ktheu sot Skapit të partisë, hetimin për sarajet e Surrelit. Një moment, zonja Kalaja dhe PD e çoi sepse aty është një gropë e zezë korrupsioni. E çoi në Skap, por skapistët mjeranë, e transferuan në prokurorinë e Tiranës. Prokuroria e Tiranës të hetonte kryeministrin, që me ligj dhe Kushtetutë është vetëm Skapi. Nuk  mundet prokuroria e Tiranës të hetojë kryeministrin imunitar. Por Skapi përsëri refuzoi dhe në fund doli një gjykatës, besnik i ligjit dhe urdhëroi Skapin që të hetojë çështjen’, deklaroi lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës, të pranishëm në këtë sallë, përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, ndaj demokrateve dhe demokratëve, qytetareve dhe qytetarëve të Tiranës për këtë përkushtim të jashtëzakonshëm që dëshmoni në këto momente historike për fatet e Shqipërisë, për fatet e kombit, për ekzistencën e këtij kombi si komb me të ardhme.

Mbarë kombi shqiptar i ka sytë tek ju, i ka sytë tek Tirana, e cila është zemra dhe truri i kombit.

Në këtë kuadër, kurrë ndoshta një mision kaq të rëndësishëm nuk ka pasur secili prej nesh.

Unë kam sot shumë nder dhe kënaqësi të paraqes sot para jush tre përfaqësues të shkëlqyer, dinjitozë. Dy zonja të nderuar dhe një zotëri.

Zonjën Erisa Bajaziti, e rritur jashtë Shqipërie, e shkolluar dhe e mirëvendosur në botë akademike të vendit ku jeton, por thirrjes së vendit të vet, thirrjes së kombit të vet, iu përgjigj, la çdo gjë dhe erdhi me vullnetin më të mirë për t’u përfaqësuar ju në parlamentin shqiptar.

Zonjën Ilda Zhulali, një nga vajzat, nënat, motrat, bashkëshortet shqiptare që u shkollua jashtë, por zgjodhi që të gjithë energjinë, të gjithë projektin e saj, t’ia kushtojë Shqipërisë, të kthehet dhe të ndërtojë këtu jetën, të ndërtojë ëndrrën e vet dhe të luftojë për realizimin e saj. Ilda Zhulali është zëri juaj kudo.

Akil Krajën, një përfaqësues dinjitoz i brezit të tij, i cili pas shkollimesh në shkollat më të mira, ofertash nga më të shumtat, zgjodhi Shqipërinë, zgjodhi PD-në.

Të tre ketë, duhet të themi të vërtetën, që momentet më të para të agresionit ndaj PD-së, qëndruan të vendosur, qëndruan në këmbë në një betejë që tashmë i bën nder çdo shqiptari, çdo demokrati.

I dashur Belind, udhëheqësi politik i Tiranës, i dashur kryetar i degës, duhet t’u shpreh nderimin më të madh, vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen për udhëheqjen që ju po i bëni kësaj fushate elektorale në Tiranë si udhëheqës politikë dhe keni arritur me vendosmërinë tuaj të krijoni një dallim të madh midis kësaj fushate, fushate shprese, fushate besimi, fushate që ecën drejt fitores, krahasuar me fushatën tjetër, të cilit ia thanë sheshin edhe socialistët, nuk i dolën.

Të dashur miq, PD vjen në këtë fushatë, vjen në këtë betejë realisht e provuar më e fuqishme se kurrë në ekzistencën e saj.

Asaj iu imponuan në mënyrën më të padrejtë, më absurde nga ata të cilët janë armiq të egër të vlerave, nga ata të cilët janë armiqtë më të egër tanët, të qenies tonë, të qenies së kombit tonë, të dinjitetit tonë.

Ata që kanë frymëzim ekstremizmi të majtë, ata që për karrigen dhe pushtetin e tyre janë gati të bëjnë gjithçka, të mbulojnë Shqipërinë me drogë, helme dhe çdo gjë.

Ata të cilët, për karrigen e tyre, burgosin opozitën, përpiqen të shkallmojnë pluralizmin.

Ata të cilët  zhdukin në mënyrën më të paimagjinueshme në afera korruptive qindra milionë euro taksa tuajat.

Ata të cilët nuk ngurrojnë të shumëzojnë me zero 760 mijë shqiptarë, t’i dënojnë me varfëri të skajshme, vetëm e vetëm se duan të vjedhin në mënyrën më të papërmbajtur.

Këta armiq, në 12 vitet e pushtetit, Edi Rama largoi të rinj shqiptarë dhe qytetarë shqiptarë, nga viti 2014 deri në vitin 2023, sa asnjë pushtim që nga pushtimi otoman gjer sot, sa asnjë sëmundje, sa asnjë fatkeqësi. 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit. Mbi 600 mijë të rinj.

Miq, e rrokullisi kombin ky. Ramë sot në treguesit demografikë të vitit 1960. A mund të imagjinoni ju? Humbëm materien kombëtare të krijuar në 85 vite.

Asnjë komb nuk ka pësuar në asnjë luftë, civile, botërore apo rajonale, atë që pësuam ne nga ky regjim.

Në vitin 2013, Shqipëria nuk ishte parajsë dhe nuk ishte një vend i mëkëmbur plotësisht, por ishte vend me shpresë dhe numri i shqiptarëve po rritej nga viti në vit.

Shqipëria nuk ishte një vend i mëkëmbur të themi, por ama Shqipëria doli nga honet e historisë në raport me varfërinë. Kishte ardhur në shekuj si grupi i vendeve më të varfra të planetit dhe arriti në vitin 2008 të dalë në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Dhe arritëm të kemi rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon.

Kjo ishe krenari kombëtare sepse nuk kishte pse të ishim ne njerëzit më të keqpaguar, kur në një kohë ne në këtë tokë, në këtë vend kemi pasuritë më të mëdha, më ta paçmuara se çdo vend tjetër.

Pra, një mekanizëm u vendos në këtë vend. U vendos një mekanizëm që bënte të mundur rritjen e përvitshme të rrogave dhe pensioneve. Bënte të mundur ndarjen nga ajo trashëgimi e rëndë e prapambetjes me rrugë që vinin nga mesjeta shumë prej tyre. U ndryshua infrastruktura.

Turizmi që flasim sot, nga 300 mijë që ishin në vitin 2004, arritën në 4.7 milionë në vitin 2013.

Pra, e lamë pushtetin në një Shqipëri, në një Shqipëri të cilës shqiptarët e besonin, në një Shqipëri në të cilën u kthyen 180 mijë shqiptarë në dy vitet e fundit.

Çfarë ndodhi miqtë e mi? Pse shqiptarët zgjodhën të braktisin këtë vend të bekuar?

E para, ata u përjashtuan nga paratë që krijonin me taksat dhe tatimet.

Paratë që ky dyfishoi taksat, dyfishoi tatimet, në vend që t’ua kthente dyfish ju, me rroga, me pensione, jo, i ngriu rrogat dhe pensionet, por jo rrogat e larta. Rrogat e larta i rriti në mënyrë të pamëshirë.

Kudo në botën e qytetëruar ka një raport midis rrogës më të lartë që është rroga e presidentit zakonisht me rrogat e ulëta. Ky raport me rrogën e mesme shkon 4-5 herë. Në Shqipërinë e Edi Ramës ky raport u bë 10-12 herë.

Çfarë ndodhi? Qytetarët në sytë e qeveritarëve nisën të zvogëlohen, të duken gjithnjë si qenië të parëndësishme, kurse vetë të grumbullohen rreth njëri-tjetrit. Të pasurohen, të grabisin dhe plaçkisin pasuritë tuaja dhe për fëmijët tuaj të mos mjaftojë sofra dhe të detyrohen nënat dhe baballarët të thonë fëmijëve: nisuni rrugëve të botës, paç fatin tënd.

Çfarë ndodhi? Në këtë mënyrë shqiptarët u larguan kurse këta çdo muaj, çdo vit e më shumë duke vjedhur paratë tuaja, paratë që nuk ua kthenin juve dhe i merrnin nga ju me taksa.

Nuk gjen një vend ku kryeqyteti të prokurojë djegësin për mbetjet, të disbursohen nga buxheti i shtetit 130 milionë euro dhe të mos ekzistojë një tullë aty.

Miq, ua them këtu, kjo është kauzë, ky është shkak për çdo përmbytje.

Nuk ka më të pafytyrë, nuk ka më amoralë, nuk ka tejkalon çdo lloj imagjinate që ju të paguani ndërtimin e djegësit 130 milionë dhe pas 5 vitesh të mos ketë një tullë aty.

Dhe njeriu që ju e përcollët aty ku e ka vendin, Erion Veliajn, të mos guxojnë ta thërrasin njëherë të vetme pikërisht për 130 milionë të zhdukura.

Po a e dini sa janë 130 milionë? Janë 812 mijë pensione. Dhe nuk e thirrën njëherë.

Dhe ajo që është bërë famoze për ndryshimin e emrit nga Belinda nga Lubi, ajo e kishte detyrë shtetërore që në ministrinë e saj ishte një njësi e mbikëqyrjes së punimeve të djegësit, e përbërë nga 3 veta, e cila kishte detyrë çdo muaj të bënte raport për ecurinë e punimeve.

Ajo e dinte se aty nuk po hidhej një tullë.

Ajo nuk bënte qoftë dhe një raport të vetëm, sepse e dinte se ato para po i vidhte Edi Rama, dhe kryesisht Edi Rama.

E kemi akuzuar Erion Veliajn dhe u them unë ju me bindjen absolute se ai është bashkëhajdut kryesor në atë vepër, por kurrë kryesor nuk mund të ishte. Sepse në qoftë se kryeministri do ishte dorëjashtë, ose jepte dorëheqjen, ose atë e çonte vetëm për atë vepër atje ku e meritonte dhe jo të mos guxojnë ta thërrasin për këtë.

Pra, ky është njëri aspekt.

Këta vodhën shqiptarët dhe ky korrupsion pakësoi kafshatën.

Ky korrupsion varfëroi sofrën.

Ky korrupsion shkatërroi vendet e punës.

Ky korrupsion u tha shqiptarëve nuk keni vend në Shqipëri.

Po Beketi u kujtohet ju? Beketi një investitor që ndërtoi përveç të tjerash edhe një televizion. Ai televizion nuk ishte as televizion kombëtar. Ai ishte një televizion që prodhonte disa emisione, kritikonte qeverinë, kritikonte opozitën, sepse ishte një italian që donte të tregonte se po bën një media të pavarur.

Nuk ishte Bolino ai.

Jo mor jo, ai ishte e kundërta e Bolinos. Se nuk pranonte të bëhej skllav i Edi Ramës.

Ky e merr dhe e përzë si gangster atë.

A u kujtohen ju sharjet, bënte të fortin ky, se në Shqipëri jam unë këtu.

E përzuri. Çfarë ndodhi me atë përzënie bashkë me Erion Veliajn, 110 milionë euro paguani ju qytetarët e Tiranës për Beketin.

Po avioni i tij, 21 milionë euro. 21 milionë euro udhëtime, në një kohë kur tani më ther në zemër kur shoh fshatarë me parmendë.

Por të duken njerëzit të vegjël, të parëndësishëm, atëherë i lejon vetes ti të hapësh shishen 33 mijë euro. Unë u them ju, as kam lexuar, as kam parë në asnjë pritje, askund,të hapësh shishe të tilla siç hap ky në Këshillin e Kryeministrave.

Ta supozojmë se nuk e ka blerë. Nuk pranohet kurrë një dhuratë e tillë.

Ikin të rinjtë, Shqipëria rrudhet. Blen Kopshtin e Edenit sepse ky shkarravitës duhet të çlodhë sytë ky me Kopshtin e Edenit. 5 milionë euro. Kush është ai që blen kopsht në zyrat e shtetit një gjë të tillë? Kurrë, asnjë njeri.

Miq, këta janë armiq të egër të qenies shqiptare.

Ne kemi pasur të kemi diktatorin më të egër të Europës të pas Luftës së Dytë Botërore. Por të themi të vërtetën, ja ku ka një shtëpi 3-4 katëshe. Nuk e regjistroi në emrin e tij, jo. Nderoi një vilë me oborr nja 2 mijë metër, kurse paraardhësi i tij ndërton saraje me gjatësi themelesh 57 metra, me kopsht park 5800 metra kur kishte deklaruar në zyrën e deklarimit të pasurive 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Kaq ishin kur ai na u bë me saraje, me kopsht, me të gjitha dhe njëherë e shoqja thotë e bëri me ‘Kurbanin’, njëherë thotë i mora në emigracion. Ua vodhi shqiptarëve.

Pra, këta janë armiq, armiq të egër tanë.

Ajo që Donald Trump u tha amerikanëve, u kërkoj çdo shqiptari ta mendojë, ai u tha amerikanëve se më i rrezikshëm se Kina, se Rusia, shtete që kanë 8-9 mijë bomba nukleare, është armiku ynë i brendshëm.

Po cili pushtim e zbrazi Shqipërinë sa ky pushtim?

A e dini ju që ne kaluam 5 shekuj pushtim osman por erdhëm një nga tre kombet më të mëdha në rajon?

Kjo është e vërteta. Unë nuk dua të lavdëroj kurrë pushtimet, por këtë që na bëri ky këtë 10-vjeçar nuk na e ka bërë kurrë asnjë pushtim në histori.

Dhe të mos i themi këtij armik? Ky është armiku më i keq që kemi pasur.

Tani, është i vetëm ai? Jo, nuk është i vetëm. Merrni pak, shihni ekipin e tij. Urdhëroni, ja ku e keni ekipin. Shiheni pak, ja ku e keni.

Shihni këta njerëz, këtë ekip. Shihni kush e drejton Tiranën.

E drejton një person që 100 herë nuk mund t’i gjesh emër tjetër përveç Korba e Korrupsionit.

Pse e them këtë? Sepse ministre shëndetësie, ajo vodhi dhe shpërdoroi me klanin e saj dhe Edi Ramën, qindra milionë euro të përcaktuara për të blerë maska, për të blerë respiratorë, për të blerë ilaçe.

Dhe në vend të tyre, bashkë me Edi Ramën, shndërroi Tiranën në një megaspital. Vendosi praktikën e shtrimit në spitale më të kufizuar në Europë dhe në botë.

Kosova me një popullatë 40 përqind më të vogël se ne, kishite 1200 shtretër, Shqipëria 500 realë dhe 700 me gënjeshtra.

Pse vdiqën 20 mijë shqiptarë nga Covid-i? Ajo qe sëmundje e rëndë, por ata vdiqën se nuk u mjekuan. Dhe nuk është se nuk pati praktika. Vendi me vdekshmërinë më të ulët në botë, bëri shtrimet më të mëdha në botë. Japonia bëri shtrimet më të mëdha se SHBA, Franca, Gjermania dhe pati vdekshmërinë më të ulët.

Kurse këta talleshin, këta fshihnin vdekjen. E paimagjinueshme, ajo dilte dhe ua pjesëtonte shqiptarëve me tre numrin e të vdekurve.

Ajo tani drejton Tiranën. Po ku mund ta krahasosh?

A nuk është dallimi si nata me ditën midis saj, Erisa Bajazitit, Ilda Zhulalit dhe Akil Krajës?

Nuk janë këta, këta janë të padenjë.

Po çfarë meritash ka Pëllumbesha Spirogjoka?

Çfarë meritash ka ajo përveçse i thotë Edi Ramës, Skënderbeu?

Urdhëroni, vjen me gjërat më të thjeshta në detyrë, bëhet 5-milionëshe dhe bëjnë garë me njëra-tjetrën për alta modën.

Kam shëtitur jo pak dhe nuk kam parë kurrë ministra luksi si në Shqipëri.

E ka lënë Ronald Regan, kur i thotë Nensit që, ajo kishte perla artificiale që kushtonin 10 dollarë. Mirë, se kaq i mbajnë qytetarët tanë tani,edhe ne do bëjmë si ata.

Pra, nuk do ndalem më shumë tek këta njerëz, por këta janë armiq të qenies tonë, jo vetëm të demokratëve.

Ndaj nesh janë sjellë si armiq, por ata janë armiq edhe të socialistëve të ndershëm, të qytetarëve të ndershëm.

Unë kam dalë, kam shëtitur në treg, kam takuar njerëz të të gjitha bindjeve, por të gjithë ata ishin qenie jashtëzakonisht të dhimbshme. Nuk shesim gjë, më thoshin. Tjetri më tha, unë jam më i riu këtu, nuk ka të ri. Tjetri më tha, xhiro që bëjmë ditën e festës, vetëm ajo i afrohet xhiros që bënim para ardhjes së tyre në pushtet.

Pra është krijuar një situatë që pret zgjidhje nga ne.

Dhe u them ju se ne kemi absolutisht programin më të mirë që kemi pasur ndonjëherënë historinë tonë.

Nga do e nisim? Ku e bazojmë ne këtë program? Ne e bazojmë në radhë të parë në detyrimin madhor moral që t’ua kthejmë paratë e taksave ju që paguani taksat.

Kjo do të thotë që buxheti i shtetit, i tëri është produkt i taksave të qytetarëve, do ndajë një pjesë thelbësore për qytetarët, për rroga dhe pensione. Po, shumë e thjeshtë.

U garantoj se në traktatet e pashpirtësisë, do përcillet në të gjitha kohërat deklarata e Edi Ramës kur i mburrur se kam përpara një buxhet 8 miliardë, më të madhin që ka pasur Shqipëria, po për 760 mijë pensionistë do japë 16 milionë euro.

Nuk mund të ketë pashpirtësia, shpërfillja, por edhe poshtërimi një dëshmi më të shëmtuar se kjo.

Dhe se në qoftë se veprojmë ndryshe, biem në humnerë. Nuk dua të prish gjuhën time me të, se ai meriton çdo cilësor në këtë rast, një njeri me aftësi mizerabël, një njeri që shkruante në dorë si nxënës kopjac ato që do lexonte…

Por të thuash një gjë të tillë, do të thotë që ti nuk ke asnjë nocion as për buxhetin, as për taksat, as për njeriun, as për dinjitetin njerëzor.

Si qenka kjo që biem në humnerë në qoftë se 760 mijë qytetarë i lëmë të flasin me vete, i lëmë pa ilaçe, i lëmë të numërojnë kafshatën.

Dhe ka nxjerrë zëdhënësat e tij, në Shqipëri nuk vdes kush për bukë. 1 mijë herë turp për ju që thoni një fjalë të tillë.

Pse, për këtë qenka problemi? Se meqenëse nuk vdiska njeri për bukë, duhet t’i vjedhim në palcë shqiptarët.

Këta janë armiq, nuk janë njerëz.

Po pse pensionisti malazez që merrte 138 mijë lekë në vitin 2013, merr sot 450 mijë lekë? Çfarë i ndodhi Malit të Zi, asgjë, ai që ishte, është.

Por kryeministri i Malit të Zi, si çdo kryeministër tjetër, për buxhetin çdo vit thotë së pari këto do ua kthej qytetarëve.

Kjo është politika e përzënies së shqiptarëve nga Shqipëria.

A e dini ju se në ç’gjendje të tmerrshme është shëndetësia sot?

Para dy ditësh, instituti i statistikave të Shqipërisë, instituti zyrtari që mashtron në shumicën e statistikave, deklaronte se shpenzimet e qytetarëve shqiptarë për shëndetin e tyre arrijnë në 820 milionë euro.

A e kuptoni ju? Dhe se më keq akoma, ishte mbi 20 përqind që nuk bënin dot këto shpenzime, që rrinin në kthetrat e sëmundjes.

A e dini ju që sot 10 ditët e fundit të muajit, për shkak të koncesionit Rama-Beqja dhe kësaj Korbës së Covid-it, 10 ditët e fundit në spitale nuk bëhen më analiza. Nuk ka ndodhur kurrë kjo.

Pra, çfarë janë këta? Ndaj dhe nuk ndalem më shumë në këto akte të tyre, por zotohem para shqiptarëve se paratë do ua kthejmë atyre dhe mbi bazën e këtij parimi çdo shqiptar do marrë 200 euro si minimum jetik.

Minimumi jetik është detyrim moral dhe ligjor dhe kjo shumë do indeksohet çdo vit, kjo shumë do përmirësohet çdo vit.

Në këtë mënyrë ne bëhemi një shoqëri më e drejtë, një shoqëri e cila nuk ka më njerëz në varfëri të skajshme.

Jo vetëm kaq, rroga të ulëta nën 500 euro nuk do ketë. Ne jemi parti konservatore, ne jemi parti e iniciativës së lirë, por dhembshuria njerëzore është morali ynë. Ndaj asnjë sipërmarrës nuk do mund të paguajë punonjësin nën 500 euro.

Absolutisht asnjë ndërmarrje nuk do falimentojë nga kjo sepse ne do bëjmë ulje drastike të taksave.

Çdo rrogëulët, çdo pensionist, çdo njeri në ndihmë ekonomike apo i papunë që merr më pak se 200 euro, do ketë kartën e konsumatorit. Do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë, pa TVSH.

E kishim me shëndetësinë. Ne do i japim një përgjigje shumë të fortë kësaj gjendje katastrofike.

Ne do garantojmë çdo qytetar shqiptar, së pari asnjë ilaç që nuk tregohet në dy vende të BE, nuk do futet në Shqipëri. Vilma Nushi dhe Tom Doshi do dyllosen.

Së dyti, lista e ilaçeve, që shteti social italian u rimburson qytetarëve të vet, do jetë lista e ilaçeve që shteti shqiptar do u rimbursojë qytetarëve të saj. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Nuk mund të ndodhë që t’i lësh njerëzit në kthetrat e vdekjes nga mungesa e ilaçeve dhe jo nga sëmundja.

Shqipëria mund ta bëjë këtë plotësisht dhe kur ta bëjë këtë do ndjehemi shumë më mirë, shumë më me shpresë dhe shumë më të motivuar.

Rrogat mesatare shkojnë në 1200 euro.

Rrogat e mësuesve në 1500 euro.

I bëj thirrje administratës, siç bojkotoi hapjen e fushatës së padrinos, të zbatojë ligjin sepse për ne, punonjësit që zbatojnë ligjin janë pasuri kombëtare.

E kam një informacion me interes për ju që sapo e mora. Një gjykatës, besnik i ligjit, as emrin nuk ia di, i ktheu sot Skapit të partisë, hetimin për sarajet e Surrelit.

Një moment, zonja Kalaja dhe PD e çoi sepse aty është një gropë e zezë korrupsioni. E çoi në Skap, por skapistët mjeranë, e transferuan në prokurorinë e Tiranës.

Prokuroria e Tiranës të hetonte kryeministrin, që me ligj dhe Kushtetutë është vetëm Skapi. Nuk mundet prokuroria e Tiranës të hetojë kryeministrin imunitar.

Por Skapi përsëri refuzoi dhe në fund doli një gjykatës, besnik i ligjit dhe urdhëroi Skapin që të hetojë çështjen.

Njerëz si këta, shërbëtorë të ligjit, janë shërbëtorë dinjitozë të vendit të tyre.

Ndaj dhe ne do bëjmë një administratë, që të zbatojë ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin.

Me bindjen më të madhe se kështu janë shërbëtorë të vërtetë të qytetarëve shqiptarë.

Miqtë e mi, paketa e dhembshurisë është detyrim madhor moral dhe ligjor, por Made in Albania është shtyllë kryesore e programit tonë.

Ne do bëjmë gjithçka që ju, që biznesmenët shqiptarë, që qytetarët shqiptarë, me iniciativën e tyre të lirë, të njohin vetëm suksesin.

Bizneset e vogla, tavani për taksat do kalojë nga 140 mijë në 180 mijë.

Bizneset e vogla i garantoj se energjinë do e kenë 6 lekë nga 18 sot.

Se sipërfaqen publike do e kenë 120 lekë nga 1500 që e kanë sot.

Ne jemi parti e taksave të ulëta, ne do zbresim në 10 përqind tatim fitimin. Do zbresim në 15 përqind TVSH-në.

Do nxisim prodhimin në çdo skaj të vendit.

Shqipëria do pastrohet, zero tolerancë ndaj krimit.

Këtu nga kjo sallë i garantoj organizatat kriminale se duart tuaja të zeza mbi votat e shqiptarëve do priten me gërshërët e ligjit.

Se do shpalleni organizata terroriste, ashtu siç jeni dhe e meritoni. Qytetarët do e fitojnë betejën, kurse ju do keni vrimën e miut bashkë me Edi Ramën.

Ndaj dhe ne, këtë fushatë ta shndërrojmë në fushatën e misionit të madh, e dialogut tonë me çdo qytetar.

Ta shndërrojmë fushatën e bindjeve, e guximit, e shpresës për të shpëtuar Shqipërinë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale