Berisha në Strasburg: Shqipëria përballë një kërcënimi ekzistencial, nevojitet një qëndrim ndërkombëtar ndaj narkoshtetit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në punimet e Këshillit të Evropës, u ndal te roli i diasporës shqiptare, emigracioni dhe pasojat që largimi masiv i qytetarëve po sjell për Shqipërinë. Berisha e vlerësoi kontributin historik të diasporës shqiptare, duke theksuar se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbijetesën, liritë dhe zhvillimin kulturor të vendit. Por, duke iu referuar situatës aktuale, kreu i PD-së tha se emigracioni po shoqërohet edhe me pasoja negative.

Berisha solli në vëmendje edhe shifrat e emigracionit shqiptar drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Sipas tij, duke iu referuar të dhënave të Eurostat-it, “nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së”. Gjatë fjalës së tij në Strasburg, Berisha e lidhi largimin e qytetarëve me situatën politike dhe kriminalitetin në Shqipëri. Ai e cilësoi vendin si “narkoshtet” dhe ngriti akuza për aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në trafikun e drogës në Evropë.

Sipas Berishës, situata kërkon një reagim ndërkombëtar, ndërsa bëri thirrje për një qëndrim më të fortë ndaj Shqipërisë. “Është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin”, deklaroi Berisha në përfundim të fjalës së tij. Fjala e Berishës u mbajt në kuadër të diskutimeve mbi rolin e diasporave dhe migrantëve në zhvillimin e kohezionit social dhe angazhimit demokratik.

FJALA E PLOTË:


Asnjë komb nuk mund dhe nuk duhet të jetë më krenar për diasporën e tij sesa kombi shqiptar. Diasporës i detyrohemi pothuajse mbijetesën tonë, liritë tona, si dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në kulturën tonë.

Por sot, për fat të keq, më duhet t’ju paraqes një tablo të tmerrshme, një efekt shkatërrues të emigracionit në vendin tim.

Justin Gest, në një studim të kryer në 149 vende, ka arritur në përfundimin se emigracioni mund të shkaktojë një “zbrazje demokratike” dhe të ketë pasoja shumë të rënda.

Në Shqipëri, kjo e ka vendosur kombin përballë një kërcënimi real ekzistencial. Aktualisht, në hapësirën e Bashkimit Evropian, sipas Eurostat-it, nga çdo 1 mijë shqiptarë, 466 jetojnë në vendet e BE-së. Imagjinoni se në çfarë gjendjeje ndodhemi.

Kjo është tërësisht pasojë e narkoshtetit shqiptar, i cili është narkoshteti i vetëm në botë, por fatkeqësisht ende i panjohur dhe i pavlerësuar si i tillë nga Evropa.

Shqipëria është eksportuesja e parë e kanabisit, ndërsa kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit më të mëdhenj të kokainës në Evropë.

Për ta përmbyllur, është jetike një qëndrim ndërkombëtar ndaj këtij narkoshteti, për të shpëtuar kombin.

Faleminderit shumë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale