KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë të sotme për mediat, pas kthimit nga Strasburgu, ku mori pjesë si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e përshkroi disa-ditor në ‘tempullin e demokracisë evropiane’, si një aktivitet intensiv denoncues, të mbështetur në fakte dhe dokumente mbi situatat dramatike në narko-shtetin e Shqipërisë.
‘Ditët e qëndrimit në Strasburg u përdorën për dënimin me forcën më të madhe, për paraqitjen e fakteve, dokumenteve mbi situatën dramatike në narko-shtetin e Shqipërisë. Diktaturën autoritare në Shqipëri’, u shpreh kreu i PD-së Sali Berisha, duke e vënë menjëherë nënë akuzë kryeministrin Edi Rama.
Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, në grupin parlamentar të Partisë Popullore Europiane dhe në seancat plenare të Asamblesë Parlamentare, opozita shqiptare ka paraqitur fakte për rrezikun nga qeverisja e Edi Ramës, jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për vetë Europën. ‘Paraqitëm rrezikun e madh që organizata kriminale qeveri shqiptare, e kryesuar nga Edi Rama, paraqet jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë Europën’, u shpreh Berisha, duke e akuzuar drejtpërdrejt Ramën si padrino i karteleve më të fuqishme të drogës që veprojnë në kontinent.
Në vijim të fjalës së tij, lideri i PD-së Sali Berisha lëshoi një sërë akuzash ndaj Edi Ramës lidhur me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi grupe kriminale shqiptare zënë ‘vendin e parë në eksportin e marijuanës drejt Europës’, dhe janë aktorë kryesorë në tregun e kokainës dhe heroinës, si dhe përdorin portet shqiptare si ‘porte të lira’ për trafikun nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian. Në këtë kontekst, Berisha theksoi se Rama i ka shpërblyer politikisht kartelet pas zgjedhjeve, me qindra e qindra leje, hotele, resorte turistike dhe kulla korrupsioni e droge, të dhëna pas zgjedhjeve të 11 majit.
Kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh gjatë konferencës, se e kishte falënderuar publikisht Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, për anulimin unanim të të gjitha takimeve dhe aktiviteteve protokollare pas fjalimit të Ramës në Asamble. ‘I falënderova për anulimin e drekës zyrtare. Këto akte janë një mbështetje e vërtetë për qytetarët shqiptarë’, deklaroi ai, duke i interpretuar këto veprime si një sinjal politik dhe moral në mbështetje të opozitës dhe të protestave qytetare në Shqipëri.
Gjatë konferencës, lideri i demokratëve Sali Berisha ngriti shqetësime serioze mbi çështjen e AKSHI-t, duke e lidhur atë me sigurinë e të dhënave dhe interesat strategjike të NATO-s. ‘Kërcënimi që përbën Edi Rama për vendet e Europës, duke bërë të mundur eksportimin e të dhënave të internetit nga Shqipëria në duart e bandave, karteleve të drogës dhe armiqve të NATO-s, ishte tronditës’, tha Berisha duke e cilësuar këtë si një nga pikat më alarmante të diskutimeve në Strasburg.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e vendosi theksin te protesta si mjet politik, duke deklaruar se ‘shpresa e vetme është opozita dhe ajo nuk do zhgënjejë’, ndërsa i bëri thirrje opozitarëve që ta vazhdojnë betejën ‘deri në fitore’.
‘Pritej nga miqtë tanë protesta e dytë, po me aq insistim sa ç’pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë. Dhe unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin e Edi Ramës, aktin puçist, me të cilin ai bllokoi, me të cilin ai për të mbrojtur veten e tij, bllokoi parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes. Qytetarët do flasin shumë shpejt dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim. Opozita është në këmbë, është e vendosur të përballet dhëmb për dhëmb me këtë regjim të turpshëm’, u shpreh gjatë konferencës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
U ktheva mbrëmë pas një qëndrimi si anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe një aktiviteti intensiv në tempullin e demokracisë evropiane.
Ditët e qëndrimit në Strasburg u përdorën për dënimin me forcën më të madhe, për paraqitjen e fakteve, dokumenteve mbi situatën dramatike në narko-shtetin e Shqipërisë.
Diktaturën autoritare në Shqipëri!
Në grupin parlamentar të Partisë Popullore, në seancat plenare të Asamblesë Parlamentare, siç mund t’i keni ndjekur, paraqitëm rrezikun e madh që organizata kriminale qeveri shqiptare, e kryesuar nga Edi Rama paraqet jo vetëm për shqiptarët, por paraqet për mbarë Europën.
Ne, informuam dhe paralajmëruam të pranishmit se Edi Rama përbën një rrezik madhor për vendet e tyre pasi ai është padrino sot i karteleve më të fuqishme të drogës në Europës, të cilat eksportojnë drejt Europës, zënë vendin e parë në eksportin drejt Europës të marijuanës, janë aksionerët më kryesorë në tregun e kokainës dhe heroinës.
Janë transportuesit më kryesorë të drogës nga Amerika Latine në portet e kontinentit evropian dhe kanë për porte të lira të gjitha portet e Shqipërisë.
Informuam për qindra e qindra leje, hotele, resorte turistike, kulla korrupsioni dhe droga të dhëna pas zgjedhjeve të 11 majit nga Edi Rama si shpërblim për pjesëmarrjen e gjerë të tyre në zgjedhje.
Publikisht falënderova Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për qëndrimin e saj të prerë ndaj Ramaduros, të cilin ai e ka fshehur.
Por unë falënderova të gjitha grupet parlamentare të Asamblesë, lidershipin e saj, të cilat në unanimitet i anuluan atij të gjithë takim pas fjalimit me stil Gedafi, që mbajti në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
I falënderova për anulimin e drekës zyrtare që është në traditën e atij institucioni që shtron për kryetarët e shteteve apo të qeverive që flasin në atë sallë.
I sigurova se këto akte janë një mbështetje e vërtetë për qytetarët shqiptarë.
Janë edhe një apel i rëndësishëm për ta.
Gjatë qëndrimit në sallën e parlamentit u denoncua Rama si autor kryesor i aferës Balluku dhe AKSHI-t.
Kërcënimi që përbën Edi Rama për vendet e Europës, duke bërë të mundur koordinatorit të tij të eksportojë të gjithë të dhnëat e internetit nga Shqipëria në duart e bandave, karteleve të drogës dhe armiqve të NATO-s.
Tronditëse ishin këto lajme, tronditëse.
Mund t’u them se tre ditë në sallat e tempullit të demokracisë, fantazma e kreut të organizatës kriminale, Edi Rama, ishte më e përçmuara.
Shqipëria e Edi Ramës renditet aty si një nga diktaturat autoritare, por e vetmja diktaturë autoritare që bazohet në drogë.
Natyrisht krahas mbledhjeve, në grup, krahas fjalimeve, ndërhyrjeve, diskutimeve, ne patëm dhe takime të rëndësishme me drejtues të komisioneve, me personalitete drejtues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Takime në të cilat ne gjetëm mirëkuptim të plotë.
Jehona e protestës ishte e fuqishme.
Pritej nga miqtë tanë protesta e dytë, po me aq insistim sa ç’pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë.
Dhe unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin e Edi Ramës, aktin puçist, me të cilin ai bllokoi, me të cilin ai për të mbrojtur veten e tij, bllokoi parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes.
Qytetarët do flasin shumë shpejt dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim.
Opozita është në këmbë, është e vendosur të përballet dhëmb për dhëmb me këtë regjim të turpshëm.
Me këtë regjim kriminal.
Me këtë regjim kleptokratik.
Me këtë narko-regjim.
Ndaj dhe ftoj opozitën dhe opozitarët ta vazhdojmë këtë betejë gjer në fitoren tonë.
Shpresa e vetme është opozita dhe ajo nuk do zhgënjejë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Osman Stafa, News24: Në datën 22 janar është mbledhur Gjykata Kushtetuese për të shqyrtuar padinë që ka bërë Edi Rama në lidhje me kundërshtimin që i ka bërë vendimit të SPAK për të pezulluar Belinda Ballukun. Vendim i cili nuk është marrë as në datën 27 janar, kur Kushtetuesja do të nxirrte vendimin. Në 28 janar do të mblidhej Këshilli i Mandateve, por nuk u mblodh. Çfarë është duke ndodhur me çështjen Balluku.
Sali Berisha: Tani do ta ndaj në dy aspekte. Çfarë tregon ky proces. Tregon tërheqjen zvarrë, se si Edi Rama tërheq zvarrë dhe poshtëron Gjykatën Kushtetuese. Kjo është dëshmia e parë e kësaj që po ndodh.
Ajo mori përsipër një çështje, të cilën absolutisht nuk mund ta shqyrtonte pa kaluar në Apel dhe Gjykatën e Lartë. Dhe ajo po me urdhër të Edi Ramës, ka caktuar deri më tani 3 data dhe nuk e shqyrton dot, sepse Edi Rama e tërheq zvarrë për turpin e saj.
Edi Rama edhe njëherë, po të përdorja ca terma të lashtë, do të ishte i gatshëm ti shkrinte dhe plumb në vesh Lubi Ballukut, dhe ta hiqte qafe, po të mos ishte se dosja e saj në çdo 3 rreshta, 2 janë për Ramën. Këtu e ka hallin Rama dhe e kanë kuptuar të gjithë qytetarët, se ky i kujton qytetarët se janë njerëz që nuk marrin vesh.
E kanë kuptuar që të gjithë që ata kanë hallin e vet, hallin e madh. Prandaj dhe qytetarët e patë se ç’ishte 24 Janari. Nuk dilte kush sa për Lubinë as te dera e shtëpisë, por e dinë që është Edi Rama kryesori në dosje dhe po bllokon drejtësinë.
Kështu që protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme, shpresa e vetme që shqiptarët ti japin narkodiktatorit atë që i dhanë dikur diktaturës së parë, apo atë që i dha Bangladeshi, autokrates, atë që i dha Nepali autokratit, ti japin Edi Ramës shqiptarët dhe sa më parë.
Ajo është një sfidë, poshtërim që u bën shqiptarëve. Që unë ju vjedh, do të ju vjedh, që për mua ska drejtësi, që Gjykatën Kushtetuese e marr si leckë zvarrë, e zvarris, dhe bën ato që i them. Që këtu ligjin e bëj unë dhe ligji e kushtetuta janë letër e vdekur.
Prandaj dhe do flasin qytetarët. Është koha e qytetarëve tani, nuk ka asnjë surprize. Ju them unë ju, nuk heq imunitetin e saj, sepse ajo ia ka bërë të qartë.
E merrnit si shaka kur unë thosha që ajo ka genin terrorist. Ka pasur gjyshin vrasës serial, po. Nuk shkon ajo kurban për Edi Ramën, mos kujto ti. Ajo e ka kryer krimin, por e ka kryer për Edi Ramën. Ajo është dorasi, por porositësi është Edi Rama. Kemi të bëjmë me një moment që vetëm populli mund ta zgjidhë dhe do ta zgjidhë populli, do ta populli.
Do të provojë Edi Rama guximin e qytetarëve. Do të provojë Edi Rama se si guxon tu thotë qytetarëve që ju kam vjedhur dhe do tu vjedh.
Nuk kanë dëgjuar qytetarët që Geron Meçe ka denoncuar Linda Ramën. Nuk ka ngel njeri që nuk e dinë ne. Se na merrej gjysma më e mirë e tij, na merrej me tendera. Ndërhynte për kunatin, për veten e vet se paratë i ndanin bashkë me të. Dhe janë qindra milionë euro.
Të gjitha këto do ti mbyllë në këtë mënyrë. Jo. Qytetarët nuk pranojnë ti mbylli dhe do flasin me të, e do vazhdojnë.
Nuk ka patur asnjë situatë të tillë, kurrë në Shqipëri. Ai duhet të japë dorëheqjen, të largohet menjëherë nga qeveria. Të japë dorëheqjen dhe të krijojë qeveri teknike për të bërë zgjedhje dhe të mos bllokohet drejtësia.
Osman Stafa, News24: Zoti Berisha, pyetja e dytë. Pra ju deklaroni se jemi përballë faktit që Edi Rama nuk e lëshon dot Belinda Ballukun dhe se Gjykata Kushtetuese nuk merr dot vendim se është nën kontrollin e Edi Ramës. Deri kur do shkojë reagimi i opozitës dhe a nuk është pak në kundërshtim jeta parlamentare sepse ju keni deklaruar se nuk do ketë jetë parlamentare deri në dorëzimin e zonjës Ballukut tek drejtësia, ndërkohë në seancën e fundit që erdhi pas protestës së fundit që u zhvillua, ishte krejt normale çdo gjë?
Sali Berisha: Nuk ka asnjë lloj lidhje parlamenti. PD është e tëra në protestë tani. Është në protestë dhe do jetë protesta dhe mbi të gjitha protesta qytetare ajo që do i japë zgjidhje kësaj situate kastastrofale që ekziston në Shqipëri.
Kjo është përgjigjja ime.
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, me zvarritjen e procesit në Gjykatë Kushtetuese të çështjes Balluku, a po shkon mazhoranca drejt djegies së afatit kohor 3-mujor që i duhet parlamentit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut?*
Sali Berisha: Anisa, ky është një variant, por u siguroj se në asnjë variant, Edi Rama nuk pranon t’i heqë imunitetin Lubi Ballukut sepse e di që në tre rreshta, dy janë për Ramën në atë dosje.
E di se në 6500 mesazhe të paktën 4 mijë janë të Ramës në dosje.
I di Rama këto.
I di, ndaj dhe është një mundësi ajo. Po edhe sikur të mos ishte, ai nuk heq imunitetin. Atë mund ta largojë si zëvendëskryeministre dhe rri një prestanome në vend të saj aty.
Edhe njëherë, mos harroni mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe kryesisë, që e detyroi Ramën t’i mbledhë në selinë e PS.
Ajo, e tërbuar, kërcënoi secilin prej tyre si Taon, edhe Spiropalin, Spirogjokën, etj, etj me radhë.
Po, sepse i ka të regjistruara të gjitha ajo me atë Oltion Bistrin, që ish-xhelati i Sigurimit të Shtetit dhe Irena Gjoka ia kthyen pasuritë e krimit.
I ka të gjithë në xhep ajo dhe ata ulnin kokën aty si turpe, dhe Rama që u thoshte e kanë me mua, nuk e ka gjë Belinda.
Tani e ka fjalën populli dhe vetëm populli.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Përveç protestave që paralajmëruat, në rast se Gjykata Kushtuese do të vendosë pro qeverisë, dmth do të rrëzojë pezullimin e gjykatës. A ka PD një plan për të ju drejtuar Komisionit të Venecias në lidhje me këtë çështje për interpretim, duke qenë se do të ketë një precedent që do të përdoret më pas edhe për vetë kryeministrin.
Sali Berisha: Jo, PD nuk legjitimohet ti drejtohet Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias u përgjigjet qeverive, jo partive politike.
Kështu që vetëm shqiptarët e kanë fjalën, qytetarët. Tani është radha e tyre, fjala e tyre. Unë ju siguroj që termometri i zemërimit po shkon në nivelet më të larta tek qytetarët, se ky i konsideron si qenie inferiore. Dhe beson se i gënjen dhe i mashtron sipas qejfit. Por e kanë kuptuar jashtëzakonisht mirë dhe ata nuk e kanë tek Lubia. Jo e dinë që është Rama.
E dinë se AKSHI është Rama dhe e shoqja me Armand Frangun. E dinë që pengjet janë marrë për qindra milionët e tyre.
I dinë këto dhe qytetarët tani janë plotësisht të informuar.
Uraganin e patë vetë si ishte. Tre herë më i madh ishte zemërimi. Imagjinoni ju se po shkohet drejt triumfit të ligjit dhe kushtetutës.
Mariglen Kume: Zoti Berisha, më datën 25 deri me datë 27 janar, kryeministri Edi Rama pati një vizitë zyrtare në Izrael. Kjo vizitë vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e 11 majit pati si premtim kryesor mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin në BE, ndërkohë që BE kohët e fundit ka qenë kritike disi për shkak të konfliktit në Izrael? Keni një koment për këtë çështje? Dhe gjatë vizitës tuaj që patët ditët e fundit, a është komentuar prej partnerëve ndërkombëtare kjo çështje? A u është ngritur si shqetësim nga ndërkombëtarët çështja e dosjes së AKSHI-t
Sali Berisha: Çështja e dosjes së AKSHI-t? Pa diskutim që unë e paraqita atë.
Unë, ndërkombëtarëve, u përpoqa t’u paraqes dimensionin më me interes për ata, dhe dimensioni më me interes për ata ishte kërcënimi që Edi Rama me AKSHI-n dhe kartelet e drogës përbën për ta.
Sigurisht që informova se gjithçka tek AKSHI është familja Rama, Linda, Armandi dhe vetë Edi, dhe këtë e informova, por i informova për rrezikun real që paraqet Shqipëria e Edi Ramës për ta me eksportin e të dhënave më sekrete, përfshirë të dhënat e NATO-s në organizatat kriminale dhe në armiqtë e NATO-s.
Patjetër, nuk kishte si të mos informoja, qëllim kryesor.
Dhe jo vetëm në grup, por edhe në sallë plenare, në të dyja, se ka përgjegjësi.
Së dyti, tani do të them unë kaq, kudo që shkel këmba e atij, dhe kudo që të shkojë, ai shkon si armik i egër i kombit shqiptar.
Edi Rama, në çdo vend që shkon, kudo që ndodhet, në Tiranë, në Surrel, jashtë vendit dhe brenda vendit, ai tani është një armik i egër i kombit shqiptar.
Ky është përcaktimi im.
I qartë besoj? I qartë.
Në çështjet e tjera, nuk mund të them, se kjo është konsiderata e PD për Edi Ramën.


