Berisha: Në SHBA nuk po i ndahen Ramës çdo ditë, dhe ne këtu nuk i ndahemi derisa ta largojmë. Të mërkurën në orën 11 qytetarët e Tiranës mblidhen te parlamenti!

FJALA E KREUT TË PD-SË, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME LIDHJEN DEMOKRATIKE TË GRUAS 

Shpreh mirënjohjen, falënderimin tim për ju, për të gjitha anëtarët e Lidhjes Demokratike të Gruas, që keni dhënë dhe jepni në përpjekjet e kësaj partie, për rivendosjen e pluralizmit politik. Kontributin që keni dhënë në të gjitha periudhat e vështira dhe të suksesit të saj.

Tani ne vijmë në një fazë të një rëndësie jetike për demokracinë dhe për vendin. 

Për një seri shkaqesh, PD-ja prej 10 vitesh është në opozitë. Por ky dhjetëvjeçar solli një fatkeqësi të madhe kombëtare. Se një parti në opozitë mund të rrijë edhe 10-12 vite. Ndodh në vendet demokratike ku qeveritë perfomojnë. Por kjo qeveri pas 10 vitesh ja doli të vendosë monizmin në Shqipëri, ja doli që kryeministri i vendit të vendosë nën kontroll të gjitha pushtete. Ja doli të shndërrojë drejtësinë në një degë të ekzekutivit dhe për fatin më të keq të vendosë kontroll dhe mbi opozitën.

Në këto përpjekje, duhet ti themi gjërat haptas, ai nuk qe i vetëm. Në këto përpjekje për fatin më të keq, ai pati mbështetje të fuqishme të personave shumë të fuqishëm me të cilët projektoi shkatërrimin e opozitës. 

Për fat të keq, këta persona kësaj here ishin nga partneri ynë kryesor, vendi që frymëzon më shumë se çdo tjetër për pluralitet, kontroll pushtetesh, liri dhe të drejta qytetarësh, vendi që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve. Edi Rama ka shfrytëzuar korrupsionin, metoda të tjera në mënyrë që të luftojë në kundërshtim me çdo parim, çdo vlerë opozitën shqiptare.

Ju bëni një bilanc sot. Ka qëndruar në pushtet si një pushtues, si një njeri që urren këta njerëz. Statistika e këtyre tre ditëve të fundit, tregon se nga Shqipëria nga viti 2014 e deri në fund të vitit 2022 për në hapësirën e BE-së janë larguar 935 mijë shqiptarë, pothuajse 1 milionë. Nuk përfshihen ata që janë larguar për në SHBA, Kanada, Norvegji, Zvicër, Angli e vende të tjera. 

Nuk ka komb tjetër më shpesëvrarë se kombi ynë. Asnjë luftë, lokale, rajonale apo botërore nuk ka arritur të pakësojë me të paktën 33% një komb, asnjë luftë. Maksimumi kanë humbur polakët në luftën e Dytë Botërore, 20% të popullatës gjatë viteve të luftës. Edi Rama ka arritur ta çojë Shqipërinë para alternativës, të jetë apo të mos jetë. 

Çdo ditë e tij në pushtet është ndëshkim për çdo shqiptar, çdo ditë. Një person i përmbajtur në vjedhje, në kulmin e damkosjes së tij në gjithë botën, firmoste marrëveshjen për grabitjen e pasurisë publike numër një të shqiptarëve që është Porti i Durrësit, me offshoret e tij, që është vetë me suitën e tij. Në kulmin e varfërisë vjedh e shpërdoron sipas KLSH-së në 9 muaj, 122 miliardë lekë. Me këto para 2/3 e tyre, rrogat e shqiptarëve çdo vit mund të dyfishohen, pensionet e shqiptarëve mund të dyfishohen.

Kurse ato përfundojnë në tubat e ajrimit, kontot orffshore të Edi Ramës. Imagjinoni ju kur një punonjëse, shefe kabineti gjendet me 700 mijë euro, sa kanë ministrat. Ku i kanë fshehur, ku i kanë çuar, sa ka Edi Rama, sa ka Olsi Rama, ortaku i të gjitha aferave të mëdha, përfshi vjedhjen me Amant Josifin të 2.2 miliardë eurove të qytetarëve evropianë me call centerat. 

Sado të flasësh për të, nuk mund ta përshkruash. Koha është të veprojmë, koha është ta largojmë një minutë e më parë nga pushteti. 

Superskandali me McGonigal, çdo ditë është kryetemë në mediat e SHBA. Edhe sot CNN e kishte kryetemë. Ky superskandal së pari është një akt i mirëfilltë armiqësor ndaj SHBA që kurrë një shqiptar nuk mund ta ndërmarrë. Ata janë përgjegjësi numër 1 për lirinë e botës, për sigurinë e NATO-s, ata kanë aleanca të tjera përveç NATO-s në Paqësor e tjerë me radhë dhe ky njeri sikur të ishte Llukashenko, u korrupton njërin nga njerëzit më kryesorë të kundërzbulimit dhe pse e korrupton, për të luftuar opozitën në vendin e tij. 

Imagjinoni ju se çfarë përfaqëson ky për ne. Ky përfaqëson një turp të tmerrshëm kombëtar. Përfytyroni për një moment samitin e NATO-s. Si mund të shkojë ky përfaqësues i yni në atë samit, çdo shqiptari i mbetet turpi nëse kjo ndodh. Çdo kryeministër në çdo vend të botës, po ti kishte shpërthyer një skandal i tillë, duhej të kishte dhënë dorëheqjen. 

Ky nuk jep dorëheqjen, por ne duhet ta largojmë atë me çdo kusht. Ky ka mendësinë më të ligë të paraardhësve të tij. Ky tregon se ndaj kundërshtarit është i aftë të ndërmarrë çdo gjë. Por jo vetëm ndaj kundërshtarit. Ky do një Shqipëri pa opozitë. Por një Shqipëri pa opozitë është një gjëmë kombëtare për shqiptarët dhe Shqipërinë.  

Alisonit i detyrohemi të gjithë. Jo rastësisht ajo dha një intervistë në një televizion shqiptar, sepse kishte ndjerë, perceptuar se afera shqiptare ishte nga aferat më të shpifura. Një kryeministër që blen, paguan, kundërzbuluesin e FBI-së si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare. Nuk është vetëm ky, ta keni të qartë. McGonigal të tjerë ka në mënyrë absolute. Por ajo çka mbetet është një përpjekje më absurde për të shkatërruar opozitën në një vend. Dhe këtë e bëri Edi Rama. 

Bleu deklarata, bleu njerëz, diplomatë, parlamentarë, zyrtarë, mbështetje, bleu çdo gjë. Dhe nëqoftëse ktheheni për një moment dhe rikujtoni deklaratat e bëra, deklaratat kritike ndaj tij janë ekzotike. Të tjerat janë sikur Shqipëria po ecën si shtet ligjor, po zhvillohet, jo si gjenerator kryesor i krimit, korrupsionit dhe refugjatëve, tmerr. Por të gjitha këto duhet ti arkivojmë në të shkuarën. Të gjitha këto na thërrasin ne për revolucion. 

Na thërrasin ne për një revolucion i cili nuk duhet të njohë asgjë tjetër përveç fitores. Edi Rama nuk ikën, ne nuk i ndahemi deri sa ta largojmë, në SHBA nuk po i ndahen. Çdo ditë mediat e mëdha amerikane merren me të. Ky është këtu dhe ne çdo ditë do të merremi me të gjer në largimin e tij. Çdo ditë duhet të punojmë kundër tij. Çdo ditë duhet të përpunojmë skenarekundër tij dhe regjimit të tij, duhet të bëjmë gjithçka për fitoren e kandidatëve tanë për zgjedhjet e 14 majit. 

Ky ka zgjedhur si suicid përjashtimin e PD-së nga procesi zgjedhor. Forcë në botë që na përjashton ne nga zgjedhjet nuk ka, se ne jemi në të drejtën e idealeve tona, të ligjeve tona, të kushtetutës tonë. E garantoj se do të marrë atë që meriton në këtë përpjekje antidemokratike. 

Dhe një gjë duhet ta kemi parasysh. Ai është i aftë të ndërmarrë çdo veprim. Ne jemi të aftë ti japim çdo përgjigje. Edi Rama nuk mund të qëndrojë më në pushtet. Nuk mundet të shpërbëhet ky komb në këtë mënyrë para syve tanë. Ne duhet ti dalim zot me çdo kusht, me çdo çmim. Një vend i cili ka realisht pasuri përrallore braktiset në këtë mënyrë nga njerëzit e vet, si një vend i mallkuar në një kohë kur është vend i bekuar. 

Të gjitha këto janë vepra të tij. Ka për mision shkatërrimin e kombit shqiptar. 

A është ky apo jo, i lidhur me Putin apo Vuçiçin, me firmë ato nuk ka rëndësi. Por shikoni çfarë bën ky. Bëhet avokati më i neveritshëm, më i shpifur i sanksioneve ndaj Putin, i sanksioneve, i respektimit të tyre nga Vuçiç. A mund të imagjinojë kush që kryeministri i një kombi që ka pësuar më shumë se çdo komb tjetër nga rusët dhe serbët bën avokatinë e tyre, në një kohë kur Europa po i ndëshkon për shkak të agresioni në Ukrainë. 

Dhe Serbia mbetet prapavijë e Rusisë, nuk respekton sanksione dhe ky del, ky antishqiptar del dhe e mbron dhe ju thotë e keni gabim. Jep mend pse i kërkoni sanksionet. Në çdo aspekt po ta marrësh, ky përbën një turp kombëtar, përbën një ndëshkim dhe ne duhet ti japim vendin që i takon sa më parë. 

Ne do ta thërrasin më parlament. Nuk ka asnjë çështje tjetër parlamenti përveç tradhëtisë së tij. Të vijë të ju thotë mashtrues ordinerë. Të vijë të thotë me ç’moral çoi dokumentet nëpërmjet rrugëve private për të goditur PD. E kishte shumë të thjeshtë. Sigurisht nëse një kryeministër i përgjegjshëm po mësoi, se ka ndodhur një vepër kriminale, ai ka prokurorinë, i kërkon prokurorisë, prokuroria ministrisë së Drejtësisë dhe ministria, SHBA-së dhe ata janë krejt të hapur. Kjo është rruga ligjore, kushtetuese, e ligjit ndërkombëtar. Por jo të privatizosh kreun e kundërzbulimit të FBI-së për qëllime private, për qëllime të tua. 

Dhe pastaj cili ishte efekti, prisni, shumë thjeshtë; marrja peng e Lulzim Bashës. Akuza në prokurori për larje parash, ky nuk tregonte burimin. I ke para të pista, fol nga i more. Shpëtimi i tij, duke mos e çuar dosjen në Gjykatën e Lartë dhe futja e tij në sqetull. Operacioni Rama-McGonigal u realizua plotësisht. Nuk shkoi dosja për para ruse, shkoi për para të pista dhe Basha u fut në sqetull, u mor peng. 

E dëgjoni të flasë një fjalë ai tani, këtu është ai. Nuk flet dot një fjalë se është prap i zhytur, se ajo marrëveshje është bërë në kurrizin tuaj, në kurrizin e demokratëve dhe prandaj nuk thotë një fjalë. Operacioni vazhdon. 

Aty ku e panë nuk mund të pranohej, se unë ua kisha bërë të qartë, se koalicion me Edi Ramën nuk mund të bënte PD, se pastaj do të shkelte mbi veten e vet. Gonigalë të tjerë, McGonigalë të tjerë, me radhë e me radhë. Qëllimi, Shqipëria pa opozitë.

Asnjë komb në Europë nuk ka vuajtur më shumë se ne për mungesën e opozitën. Ndaj dhe i parë në çdo aspekt, pas Enver Hoxhës ky mbetet në historinë kombëtare, armiku më i egër i shqiptarëve. 

Ky sillet ndaj qytetarëve si një pushtues i vërtetë. Ky jeton në një mënyrë jashtë çdo standardi. Enver Hoxha atë shtëpi që është aty e ndërtoi qeveria legalisht, haptas dhe dihej që është shtëpia e Enver Hoxhës. Nuk ka shqiptar që nuk e di nga erdhi një qindarkë e sarajeve të Surrelit. Ajo shtëpia aty, ka pasur një oborr të themi, 2 mijë metra. 5 mijë metra e ka oborrin Edi Rama në Surrel, parkun 5 mijë metra. 

300 milionë paguan rrogat e pilotëve dhe personelit të ‘Ismailit’, të avionit. 22 milionë janë shpenzimet e udhëtimit. Dhe nuk lejon kontrollin. Për çfarë është opozita. Po opozita në një vend demokratik, mision kryesor ka kontrollin e qeverisë. Ky nuk lejon komisionin në shkelje të kushtetutës. Ne pra, në çdo aspekt përballja me të është misioni më kryesor. 

Përballja me të është kushti që shqiptarët të votojnë të lirë. Ne kemi deklaruar, nuk vijmë në pushtet me mjete të tjera, veç se me votën e lirë. Ne kemi për detyrë të bëjmë që shqiptarët të votojnë të lirë. Ai flet për tërmet, ne duhet të ja bëjmë cunam. Jo zgjedhjet, qeverisjen. Ne jemi për zgjedhje të lira, nuk i prekim kujt votën dhe e respektojmë secilin. Por nëse ai do të bëjë votën tërmet, ne do të ja bëjmë qeverisjen cunam atij. 

Data 11 është sipari i një revolucioni i cili ndalet vetëm me përmbysjen e Edi Ramës. Pasnesër në ora 10:00 se detyrat janë të shumta, opozita sakrificë është. Kjo është e vërteta. Nëse do të kishte një emër të dytë, opozitë-sakrificë do të thotë. 

Pasnesër ne e kemi thirrur atë në parlament. Ftoj qytetarët e Tiranës, ska nevojë nga rrethet që të vijnë aty rreth parlamentit, të jenë aty. Të thonë edhe ata zërin e tyre jashtë parlamentit. Nuk mund ti lihet parlamenti një krimineli si ai. A e vinit re ju, ai vinte në parlament dhe shante në mënyrë më të shpërfytyruar. Asgjë sepse e dinte që ishte më kriminel se çdo kriminel tjetër në këtë vend. 

Një njeri që porosit për të vrarë opozitën, për të asgjësuar opozitën ai është krimineli më i madh i këtij vendi. Prandaj dhe i shpërfytyruar vinte dhe sillet ndaj opozitës në mënyrën më armiqësore. Ne na mohojnë çdo të drejtë aty, e bëjnë që të ikim nga parlamenti, por jo jo nuk do të ikim nga parlamenti. Ne do të flasim aty, ju do të flisni aty jashtë parlamenti. Parlamenti është i juaji, është i qytetarëve, është tempulli i demokracisë dhe ne nuk ja lëshojmë një grushti kriminelësh parlamentin. 

Të mërkurën në ora 10:00 ka urdhëruar Lindën e parlamentit që të përjashtojë 8 deputetë. E dëgjoni ju, të mërkurën në orën 10 kemi seancën e pyetjeve në parlament për Edi Ramën, tu shpjegojmë shqiptarëve për McGonigal, Marko Rossin, Duçkën, Nezën. Të ju shpjegojmë shqiptarëve të gjitha këto.

Data 11, duhet të bëjmë gjithçka për protestën më të madhe, më të fuqishme që ka njohur vendi. Zinxhiri i protestave do të vazhdojë. Ky është revolucion, nuk ka revolucion një ditor, revolucioni ka objektiv fitoren, ai vazhdon gjer në fitore dhe ne do të fitojmë.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale