Berisha në SHBA: Nga kjo platformë kam një kushtrim për të gjithë shqiptarët në botë, Shqipëria duhet të çlirohet nga narkoshteti me në krye Edi Ramën. Kam besim se SHBA do t’i ndihmojnë shqiptarët në këtë betejë kundër narkoshtetit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME SHQIPTARËT E AMERIKËS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është pritur në mënyrë madhështore nga qindra shqiptarë në takimin e zhvilluar me diasporën në Nju Xhersi. Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha bëri një apel të fortë për përmbysjen e ‘narkoshteti shqiptar’ dhe për largimin e Edi Ramës nga pushteti. Nga Nju Xhersi Berisha e paraqiti situatën në Shqipëri si një krizë që, nuk është më thjesht politike apo ekonomike, por një krizë ekzistenciale për vetë vendin dhe kombin shqiptar.

Lideri i demokratëve Sali Berisha e nisi fjalën e tij duke iu drejtuar diasporës shqiptare në Amerikë me një mesazh të fortë për rolin e saj historik dhe politik. ‘Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është fati i bardhë, fati i mirë i kombit shqiptar. Ju jeni ata që keni dhënë kontributin më të jashtëzakonshëm në përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, ju jeni ata që keni dhënë kontributin më të jashtëzakonshëm në lirinë e Kosovës. Dhe sot, unë jam këtu për t’ju shprehur mirënjohjen time të pakufishme për gjithçka që keni bërë dhe për t’ju thënë se edhe një herë kontributi juaj për Shqipërinë është jetik’, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, kryetari i PD, Sali Berisha bëri një përmbledhje të situatës në Shqipëri në Shqipëri. Berisha u shpreh se, vendi është në krizë pasi qeveriset nga ‘narkoshteti shqiptar’. ‘Kam një kushtrim për të gjithë shqiptarët. Shqipëria sot po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Ajo po përballet me një situatë në të cilën krimi i organizuar, droga, paratë e drogës dhe pushteti politik janë bërë një sistem i vetëm. Kjo që ne po shohim sot është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën’, deklaroi Berisha.

Drejtuesi i opozitës shqiptare Sali Beisha e bëri të qartë se beteja që demokratët po zhvillojnë bëhet për ndryshimin e vetë sistemit të qeverisjes. ‘Nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë, nëse duam që Shqipëria të jetë një vend ku ligji është i barabartë për të gjithë, ku qytetarët kanë të drejtën e votës dhe ku pushteti nuk përdoret për pasurimin e një grupi njerëzish, atëherë ne duhet të bashkohemi dhe të luftojmë së bashku. Kjo është një betejë që kërkon angazhimin e çdo shqiptari’, tha ai.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh se, qytetarët shqiptarë janë të vendosur për largimin e Edi Ramës si objektivin kryesor të opozitës. ‘Nëse duam të ripërtërijmë Shqipërinë, kjo arrihet vetëm duke larguar nga pushteti Edi Ramën. Nuk ka rrugë tjetër për të ndalur këtë rrokullisje të vendit. Ne duhet të zhvillojmë betejën për dinjitetin e Shqipërisë, betejën për shpëtimin e Shqipërisë. Dhe unë ju them ju sot se do të arrijmë ditën e shpëtimit të Shqipërisë’, deklaroi lideri demokrat.

Kryetari i Partisë Demokratike i kërkoi diasporës shqiptare në SHBA të mos qëndrojë jashtë zhvillimeve politike në Shqipëri. ‘Prej tre muajsh, rinia dhe qytetarët e Tiranës janë angazhuar në një protestë, më të madhen që nga vitet ’90. Ndaj dhe unë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje diasporës shqiptare kudo në botë, të japë kontributin e saj në këtë protestë. Partia Demokratike e mbështet fuqishëm atë dhe ne besojmë se çdo shqiptar që e do Shqipërinë duhet të japë kontributin e tij për ndryshimin e kësaj gjendjeje’, theksoi Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij se, gjatë kësaj vizite do të kërkojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për betejën e opozitës për çlirimin e Shqipërisë nga ‘narkoshteti që ka në krye Edi Ramën’. ‘Unë jam sot këtu për të kërkuar ndihmën, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë betejë. Kam besim të madh se shqiptarët do kenë ndihmën e tij, ndihmën e tyre, për të shpëtuar nga narkoshteti me në krye Edi Ramën. Çlirimi i Shqipërisë nga narkoshteti nuk është vetëm një betejë e Partisë Demokratike, është një mision për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë ata që besojnë se Shqipëria meriton të jetë një vend i lirë dhe demokratik’, deklaroi Berisha.

‘Ky rikthim do të përdoret për ndërtimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i një rëndësie jetike për të ardhmen e vendit tonë. Këtë rikthim do ta përdorim së bashku për ndërtimin e marrëdhënieve, të partneritetit më të shkëlqyer, sepse Shqipëria ka nevojë për Amerikën dhe shqiptarët kanë nevojë për mbështetjen e saj’, tha gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët e Nju Xhersit kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE

Të dashur vëllezër, miq, zonja, zotërinj shqiptaro-amerikanë.

Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje vëllazërore.

Kënaqësi më të madhe që unë takohem sot me ju.

Me të njëjtin besim që kam patur në mars të vitit 1991 në udhëtimin tim të parë në këtë vend të bekuar. Ai ishte një udhëtim më emocionali në jetën time.

Emocionet vërshonin nga kënaqësia se unë po udhëtoja në drejtimin e duhur, pas dekadash që vendi im kishte humbur drejtimin.

Kënaqësia ime e jashtëzakonshme ishte se po takoja ju, zërin e pamposhtur i shqiptarëve në liri. Ndaj dhe unë sot, e konsideroj vizitën time tek ju, te pasardhësit e atyre, si një dhuratë të vyer.

Fati i madh imi se takova atë plejadë të diasporës shqiptare e cila me atdhetarinë e saj, me idealet demokratike, me idealet kombëtare, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe luftoi me të gjitha mjetet për lirinë e Kosovës.

Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara është fati i bardhë, fati i mirë i kombit shqiptar.

Për ne sot, kjo është një ditë jo e zakonshme. Sot është një ditë që për mua përsëri ngjall emocione.

Është një ditë që shumëkush e ka menduar të pamundur. E ka menduar si një ditë që nuk do ta shihnim ndonjëherë. Sepse, le të jemi të sinqertë, shumë prej nesh të paktën një herë ose më shumë kemi pyetur veten: kush jemi ne?

Kush jemi ne për të sfiduar një padrejtësi, kur ajo padrejtësi bëhet nga forca shumëfish më të mëdha se ne. Jo pak herë kemi pyetur veten këto vite, kush jemi ne, që zëri ynë i të drejtës të dëgjohet në një botë ku për fat të keq gjithmonë e më shumë po sundohet nga e padrejta.

Kush jemi ne që të qëndrojmë të fortë kur në momente të caktuara e gjithë bota dukej kundër nesh. Këto janë pyetje që vërtet të bëjnë të ndihesh i vogël në një botë të madhe.

Këto janë pyetje që të bëjnë të ndihesh i pafuqishëm përballë padrejtësive shumë të fuqishme. Por kjo pyetje, kush jemi ne, ka një përgjigje, e cila përjetësisht do jetë, do jetë burim i pashtershëm i fuqisë sonë për të bërë të pamundurën të mundur.

Ne jemi shqiptarë!

Sepse ne jemi shqiptarë dhe qëndrojmë e luftojmë të pamposhtur për dinjitetin tonë. Sepse ne jemi shqiptarë, luftojmë dhe qëndrojmë të vendosur për familjet tona.

Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe luftojmë në kushtet më të pabarabarta për kombin tonë, dinjitetin dhe lirinë e tij. Ne jemi shqiptarë, ndaj dhe nuk dorëzohemi. Prandaj ditë si kjo, të pamundura ne i bëjmë të mundura. Zoti ju bekoftë!

Kjo ditë shënon pra një nga ato raste, forcë e të keqes që të gjithë e njohim në një agresion të padrejtë ndaj dinjitetit tim, më mohoi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 4 vite më parë.

Në një kohë kur unë isha, 8 vite pa asnjë pushtet, thuajse i tërhequr plotësisht nga jeta politike. Por, me fuqinë që na karakterizon ne si shqiptarë, me besimin e palëkundur tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky vend e komb i madh, vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve.

I qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga Shtetet e Bashkuara, por po vinte nga axhendat antiliri, antikomb, të asaj që vetë presidenti Donald Trump e ka emërtuar si ekstremi i majtë.

Duke mbajtur në mend shprehjen e një prej burrave më të ndritur dhe legjendarë të kombit të madh amerikan, Abraham Lincoln, i cili thotë se ‘rëndësi nuk ka sa herë rrëzohesh, por sa herë ngrihesh’. Dhe unë, dhe unë vendosa të ringrihem. Vërtet e nisa këtë betejë në pamje të parë në pamundësi të plotë.

Në errësirë. Por asnjë natë, asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Në të njëjtën kohë që unë zhvillova këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të ringrihet duke zgjedhur si president Donald Trump në nëntor të vitit 2024.

Pak nga pak, bota e lirë filloi të ringrihet nga agresioni i ekstremit të majtë, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë.

Ata që firmosën ndalimin tim, sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri, sot janë prapa hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë.

Ndaj dhe unë sot, kam një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra, gra, djem dhe vajza, shqiptarë të vërtetë që më mbështetët në orët më të para por dhe ndër më të vështirat.

Mirënjohje të pakufishme ndaj administratës së presidentit Donald Trump, sekretarit të Departamentit të Shtetit, Marco Rubio, për vendimin e tij.

Por miq, duhet të jemi të sinqertë se, këtu nuk kam ardhur vetëm për falënderime dhe festime, ndonëse mirënjohja ime ndaj jush dhe kombit amerikan është e përjetshme dhe e pakufishme.

Sot unë kam ardhur këtu me një thirrje të fortë për ju, por dhe çdo shqiptar tjetër në Kanada, në Itali, në Gjermani, në Greqi, në Spanjë dhe në çdo vend tjetër të Evropës dhe të botës.

Sot nga kjo platformë kam një thirrje për çdo shqiptar në Shqipëri dhe kudo që ndodhet dhe që po na ndjek në këtë takim, në media, në internet, kam një kushtrim për të gjithë shqiptarët.

Dita e sotme mund të jetë për ne një moment përmbushje dhe triumfi, por ne si shqiptarë kemi disa arsye shumë të forta që sot të mos jemi të përmbushur, të mos ndjehemi të përmbushur dhe triumfues. Jo dhe jo.

Sepse Shqipëria, dheu ynë i dashur, po rrokulliset ndoshta më shumë se kurrë në ekzistencën e saj. Në Shqipëri ekstremi i majtë që ka lindur nga krimi, ka sunduar me krimin, është shartuar, është shartuar me kartelet e drogës të cilat presidenti i Shteteve të Bashkuara me shumë të drejtë po i krahason me organizatat terroriste.

Duke sjellë kështu në jetë një monstër të rrezikshme që ushqehet me paratë e shqiptarëve ditë e natë, që lë spitalet pa ilaçe dhe mjeron të sëmurët shqiptarë, që ka rrënuar arsimin në një shkallë ekstreme, që ka shkatërruar drejtësinë dhe kontrollon atë, duke e bërë bashkë me dy-tre vite burg ata që kanë vjedhur miliona dhe pastaj i liron që të shijojnë paratë e tyre, siç ka ndodhur me Tahirin, Dakon, Beqajn, Çyrbjen, Bllakon e të tjerë, që janë liruar nga qelia dhe nuk u kanë kthyer shqiptarëve asnjë qindarkë të vjedhur.

Kjo monstër, duke iu referuar statistikave të Eurostatit, po kërcënon tani së fundi shqiptarët edhe me uri, me çmimet që rriten 5.2 herë më shumë të ushqimeve sesa në mesataren e Bashkimit Evropian, në qytetet që kanë kapur pagën mesatare.

Kjo monstër hibride midis ekstremit të majtë dhe karteleve të drogës është narkoshteti shqiptar, me në krye Edi Ramën, i cili po shpopullon Shqipërinë me ritme apokaliptike.

Ka zbrazur Shqipërinë me mbi 1 milion vetëm në zonën e Shengenit, sipas shifrave të Bashkimit Evropian. Ky narkoshtet antishqiptar është themeluar dhe drejtohet nga një individ i vetëm, që ka mbledhur të gjitha pushtetet në duart e tij, më shumë se diktatori i fundit, që sundon shqiptarët duke mos lejuar zgjedhje të lira, që ka shuar përfundimisht kufirin midis partisë dhe shtetit.

Ky monstër me emrin Edi Rama bllokon drejtësinë me 83 mandatet e krimit, siç patë në rastin e Lubi Ballukut, ku nuk u votua heqja e saj e imunitetit. Ky monstër me emrin Edi Rama kontrollon mediat kombëtare.

Dhe ky, në bashkërendim me padronin e tij në Beograd, Vuçiçin, është faktuar një armik i egër i interesit kombëtar, një armik i egër i Kosovës dhe i kombit shqiptar.

Miq, Edi Rama do të ishte kryeministri i parë në botë, Tirana do të ishte qeveria e parë në botë që do të vendoste sanksione ndaj qeverisë së Kosovës, ndaj Kosovës. Do të mbetet përjetë në shtyllën e turpit, akti i këtij tradhtari i cili nuk la përpjekje pa bërë për të plotësuar ambiciet serbe në Kosovë, për të shpërbërë Kosovën.

Por u dua të përshëndes përzemërsisht autoritetet e Kosovës të cilat qëndruan, të cilat qëndruan. Qëndruan me burrëri, me guxim, ndaj Vuçiçit dhe argatit të tij në Tiranë.

Dua të përshëndes sot para jush dhe në emër tuaj, ish-udhëheqësit politikë të Kosovës që vuajnë vitet të tëra në burg nga projektet e këtij atdhe-shkatërruesi, dhe t’u uroj nga zemra të marrin pafajësinë dhe të kthehen të lirë në tokën e tyre.

Miqtë e mi, nëse duam të shembim narkoshtetin antishqiptar, nëse duam të çlirojmë Shqipërinë nga kthetrat e ekstremit të majtë, askush nuk duhet të harrojë: Partia Socialiste është themeluar mbi krimin kombëtar dhe tradhtinë kombëtare, ka qeverisur me krimin kombëtar, vazhdon të qeverisë me krimin kundër shqiptarëve.

Nëse duam të ripërtërijmë Shqipërinë, kjo arrihet vetëm duke larguar nga pushteti Edi Ramën. Ndaj dhe unë sot kam një kërkesë për ju, këtë ditë kaq të veçantë, të na frymëzojë, ta përthithim si ditë të dinjitetit të një njeriu, si shembull për të çuar përpara betejën tonë, më të rëndësishme, shumë herë më të rëndësishme se sa këtë që festojmë sot.

Betejën për dinjitetin e Shqipërisë, betejën për shpëtimin e Shqipërisë, në kushtet që është sot Shqipëria.

Shumëkujt mund t’i duket e vështirë, shumëkujt mund t’i duket e frikshme, shumëkujt dhe e pamundshme. Por ashtu siç ishte e vështirë të arrinim këtë ditë, ashtu siç ishte e frikshme të arrinim këtë ditë, ashtu siç dukej e pamundur të arrinim këtë ditë, absolutisht ju jap fjalën se do të arrijmë ditën e shpëtimit të Shqipërisë.

Se do fitojmë betejën e dinjitetit kombëtar. Edi Ramën do ta largojmë nga qeveria dhe asgjë në botë nuk na ndal sot në këtë qëllim. Duke larguar Ramaduron, ne shpëtojmë Shqipërinë.

Duke larguar Edi Ramën ne çlirojmë edhe një copë të Evropës. Por duke larguar Edi Ramën ne u bëjmë një shërbim të gjitha kombeve mike.

Shqipëria sot është eksportues madhor droge.

Miq, në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, Sekretari Marco Rubio, për herë të parë në histori në mesazhin që dërgon, ju referohet karteleve të drogës dhe bashkëpunëtorëve të tyre si një rrezik për këtë vend të madh, si një rrezik për Shtetet e Bashkuara.

Dhe vërtet çlirimi i Shqipërisë nga narkoshteti, është pra një mision, sa atdhetar, aq edhe për miqtë tanë kudo që janë.

Miqtë e mi, unë jam sot këtu për të kërkuar ndihmën, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në këtë betejë.

Në mars të vitit ’91, unë erdha në këtë vend të bekuar për të kërkuar mbështetje për të përmbysur një diktaturë, diktaturën komuniste. Sot, kërkesa ime ndaj vendit që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një ndihmë të jashtëzakonshme, ndaj këtij vendi, presidenti i së cilës udhëhoqi luftën për çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Kam besim të madh se shqiptarët do kenë ndihmën e tij, ndihmën e tyre, për të shpëtuar nga narkoshteti i ndërtuar në trojet e tyre. Shqipëria ka sot nevojë jetike për një ringritje, për një ripërtëritje.

Shqipëria pret nga ne të rikthejmë vlerat më të arrira të shpirtit tonë, të virtyteve tona. Sot, ju duhet ta dini, vendi juaj është kopshti eksperimental i ideve të përçudnuara të George Sorosit dhe ekstremit të majtë.

Ju duhet ta dini se në Tiranë kanë filluar t’u japin hormonet, në kundërshtim me çdo ligj dhe parim, fëmijëve 13-vjeçarë. Në tekstet, prindërit emërtohen me numra. Me një ligj të quajtur anti-diskriminim de facto i jepet goditja më fatale familjes.

Po. Një ligj që nuk e ka asnjë vend në botë, përveç Shqipërisë, kopshtit eksperimental të George Sorosit. Në rrezik të madh pra është familja shqiptare.

Në rrezik të madh është ajo e cila ka mbajtur kombin mbi supe në shekuj dhe mijëvjeçarë dhe së cilës ne i dedikojmë të gjithë qenien tonë.

Ndaj dhe, beteja jonë është një betejë për ekzistencë të familjes shqiptare.

Miq, 10 vite Shqipëria ka përjetuar shokun demografik më të madh se të gjitha kohërat. Në 10 vite, 1 milion e 99 mijë shqiptarë janë larguar në zonën e Shengenit.

Po të llogarisim dhe zonat e tjera, 47% e kombit ka ikur nga Shqipëria. Lëvizja e lirë sigurisht lejon njerëzit të shkojnë ku të duan, por unë ju njoftoj këtu se nga viti 2007 në vitin 2014, çdo vit, numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur, rritur, rritur.

Ndaj dhe, ripopullimin e Shqipërisë, ne duhet ta shohim si kushtin e të gjitha kushteve, që kombi ynë, mijëravjeçar, të mos gllabërohet nga abiset e historisë. Dhe ju keni një rol të jashtëzakonshëm në këtë vend të bekuar.

Keni një mundësi të madhe, me përfaqësuesit tuaj, ju më shumë se kushdo tjetër në çdo vend tjetër, mund të luani një rol parësor në këtë betejë, me të keqen në Shqipëri.

Miq, sot regjistri i gjendjes civile të shtetit tregon se lindjet janë të barabarta me ato që ishin 100 vite më parë, kur shqiptarët në Shqipëri ishin më pak se 1 milion banorë.

Është koha për veprim! Është emergjencë! Rruga e rikthimit, e ripopullimit kalon nga largimi i Edi Ramës. Partia Demokratike ka një program, e cila nga themelimi i saj gjer sot, ka patur interesin e parë, interesin kombëtar, e cila vendos familjen në themel të shoqërisë, e cila në këtë situatë të krijuar dramatike, do bëjë gjithçka me ripopullimin e Shqipërisë, për ripopullimin e Shqipërisë.

Do bëjë gjithçka që ju, të riktheheni në dheun tuaj. Besoj se ju jeni të bindur, se nuk ka një vend të dytë në botë, me pasuritë përrallore që kanë ato 28 mijë kilometra katrorë që ka Shqipëria. Pasuri të nivelit botëror. Pasuri me të cilat banorët e saj mund të bëhen banorët më të prosperuar, më të pasur të rajonit dhe të Evropës.

Por ato pasuri kërkojnë administrim, kërkojnë ligjin. Kërkojnë që të mos jenë mallkim për qytetarët, por të shtrohen në të mira për qytetarët. Sot shqiptarët janë qytetarët më të keqpaguari në Ballkan dhe në Evropë.

Në fakt, pak vite më parë, ata merrnin pensionet dhe rrogat më të larta në të gjithë rajonin. Dhe në fakt, ata sot duhet të ishin pa asnjë lloj mëdyshje, me mesataren evropiane. Por pasuritë e tyre plaçkiten, grabiten.

Dhe ligji bllokohet. Imunitetet nuk hiqen, përdoren mandatet e krimit për të bllokuar prokurorin. Të gjitha këto janë thirrje për ne. Shqipëria ka jetik vendosjen e shtetit ligjor, funksionimin e institucioneve, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prej tre muajsh, rinia dhe qytetarët e Tiranës janë angazhuar në një protestë, më të madhen që nga vitet 90. Në këtë protestë, ata kërkojnë largimin e Edi Ramës. Kërkojnë veprimin, funksionimin e institucioneve. Kërkojnë mbrojtjen e pasurive publike, dhe ai sillet si një tiran i vërtetë ndaj tyre.

Ndaj dhe unë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje diasporës shqiptare kudo në botë, të japë kontributin e saj në këtë protestë. Partia Demokratike e mbështet fuqishëm atë.

Tani miq, le ta quajmë rikthim të dytë apo të tretë, le ta quajmë si të duam.

Por një gjë ju siguroj, se ky rikthim do të përdoret, për ndërtimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i një rëndësie jetike, për të ardhmen e vendit tonë.

Kurrë shqiptarët nuk duhet të harrojnë se ky vend ka kontributin më të madh se çdo vend tjetër i planetit në lirinë e botës.

Ky komb me qeveritë e tij, kanë kontributin më të madh dhe përcaktues në lirinë e kombit shqiptar nga vitet ’20 të shekullit të kaluar deri në vitet 2000 të këtij shekulli.

Ndaj edhe ju siguroj, se këtë rikthim do ta përdor, do ta përdorim së bashku, për ndërtimin e marrëdhënieve, të partneritetit më të shkëlqyer në interesin më të mirë të dy vendeve dhe kombeve tona, me këtë vend dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara.

Edhe një herë faleminderit shumë për këtë pritje.

Dhe mirënjohje të pafundme.

Rroftë diaspora shqiptare!

Rroftë kombi shqiptar!

Rroftë kombi i madh amerikan!

Zoti e bekoftë, i bekoftë Shtetet e Bashkuara, Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj. Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale