Berisha në samitin e PPE: Mbështetja për opozitën vetëm po shtohet, masat ndëshkuese për qeverinë po rriten

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NGA BRUKSELI

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se mbështetja ndërkombëtare për opozitën shqiptare është në rritje, ndërsa sipas tij po shtohen edhe masat ndëshkuese ndaj qeverisë.

Gjatë një prononcimi për mediat pas pjesëmarrjes në samitin e Partisë Popullore Evropiane (PPE), Berisha tha se në këtë takim u diskutuan çështjet kryesore që prekin Evropën, përfshirë krizën energjetike, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe luftën në Ukrainë. ‘Samiti u përkushtua temave më të mprehta aktuale, si kriza energjetike e krijuar nga zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe mbështetja e plotë për Ukrainën në përballjen me agresionin rus,’ u shpreh ai.

Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se gjatë takimeve me liderë evropianë ka paraqitur situatën politike në Shqipëri, të cilën e cilësoi si ‘dramatike’. ‘Zhvillimet në Shqipëri janë dramatike dhe në çdo aspekt e nxjerrin vendin jashtë hapësirës evropiane,’ deklaroi ai, duke shtuar se vendi po largohet nga standardet demokratike.

Sipas liderit të opozitës shqiptare Sali Berisha, vlerësimet ndërkombëtare kanë përkeqësuar imazhin e Shqipërisë. ‘Një nga institucionet më prestigjioze në botë e klasifikoi Shqipërinë si autokraci elektorale. Kjo do të thotë diktaturë autoritare,’ tha Berisha.

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA:

Mora pjesë në punimet e samitit të Partisë Popullore, në të cilin ishin të pranishëm kryetarët e shteteve, kryetarët e qeverive dhe kryetarët e partive opozitare të të gjitha vendeve anëtare të BE dhe vendeve në proces integrimi, në të cilën një ndër to është PD si një parti e asociuar në Partinë Popullore Europiane.

Ky samit që zhvillohet pas festimit të 50-vjetorit, një ngjarje jashtëzakonisht e veçantë për PPE, parti e cila me anëtarësinë e saj ka ndërtuar Europën e sotme, samiti u përkushtua temave më të mprehta aktuale.

Së pari, çështjeve të energjisë dhe krizës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, goditjet që Irani u ka bërë të gjitha instalimeve të naftës dhe gazit në vendet e Gjirit Persik.

U përqendrua në problemin madhor të Ukrainës dhe u shpreh mbështetje e plotë, solidaritet i plotë me Ukrainën, mirënjohje ndaj saj për qëndresën ndaj agresionit rus.

Çështje tjetër që u diskutua në këtë samit ishte konkurrueshmëria në hapësirën e BE. Samiti i PPE ka për qëllim bashkërendimin e qeverive të qendrës së djathtë në kuadrin e samitit evropian që mbahet pas tij.

Mendoj se ky samit, ose partitë anëtare të Partisë Popullore në këtë samit, rakorduan qëndrimet e tyre për sa i përket luftës në Lindjen e Mesme dhe përballimit të pasojave të krizës energjetike. Rakorduan për mbështetje të fuqishme të Ukrainës dhe marrjen e një seri masash për ndihmë të madhe ekonomike, dhe jo vetëm ekonomike, ndaj këtij vendi që po i reziston agresionit rus.

Gjatë kësaj periudhe këtu pata rastin të takoj kryeministra, të takoj miq, të takoj drejtuesit edhe njëherë të PPE, të paraqes shkurtimisht zhvillimet në Shqipëri…

Marsi Korreshi: Si i kanë pritur ata këto zhvillime?

Sali Berisha: Zhvillimet në Shqipëri janë zhvillime dramatike të cilat në çdo aspekt e nxjerrin Shqipërinë jashtë hapësirës evropiane.

Pra, Shqipëria me këto zhvillime spostohet diku nga Maghrebi ose më thellë në hapësira të tjera.

Besoj se ishte edhe një rast për të shprehur falënderimin për misionin faktmbledhës që solli PPE në Shqipëri, por edhe Parlamenti Evropian.

Në këtë aspekt mendoj se është bërë një punë shumë e madhe eficente për të bërë prezent realitetin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të Edi Ramës, i cili tani pas shndërrimit të zgjedhjeve në një farsë elektorale, dhe e pranuar kjo universalisht. Ju besoj se e dëgjuat se dje, një nga institucionet më prestigjioze në botë të vlerësimit të standardeve të demokracisë, Videm, e klasifikoi Shqipërinë autokraci elektorale. Autokraci elektorale do të thotë diktaturë autoritare.

Pra, në këtë kuadër, Shqipëria e Edi Ramës është bërë famëzezë.

Dhe dua të garantoj shqiptarët se gjithnjë e më shumë mbështetja për opozitën shqiptare bëhet më e madhe dhe dënimi dhe masat ndëshkuese për qeverinë vijnë në rritje.

Jemi në një situatë kritike në parlament, por ne përsëri duhet të intensifikojmë të gjithë kërkesat tona, sugjerimet tona, amendamentet tona, në mbrojtje të interesit publik të shqiptarëve.

Ata kanë gjetur një mënyrë, të mbyllin parlamentin, të bëjnë 15 minuta dhe ta mbyllin. Por ne do të bëjmë gjithçka që parlamenti të shndërrohet në tribunën e diskreditimit të tyre të plotë, siç e meritojnë.

Siç e meritojnë para shqiptarëve dhe botës.

Ndaj dhe njëherë nga kjo mbledhje, që të gjithë në terren, tek qytetarët. Janë ata dhe vetëm ata që do i japin përgjigjen këtij qëndrimi poshtërues ndaj shqiptarëve, këtij qëndrimi antishqiptar të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Natyrisht, sytë, mendjet e miqve tanë, partnerëve tanë në Evropë dhe në botë janë të drejtuar tek qytetarët shqiptarë, tek opozita shqiptare, qëndresa e tyre ndaj këtij regjimi, përpjekja e tyre për largimin e tyre.

Kështu që 22 marsi, këtu nga Brukseli shfrytëzoj rastin, nga ky moment historik siç ishte kremtimi i 50-vjetorit të PPE dhe samiti i liderëve kryesorë, kancelari Merz, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian dhe liderë të tjerë të pranishëm, pra shfrytëzoj këtë rast për t’u bërë thirrje shqiptarëve më 22 mars në kryengritjen tonë paqësorë të ngremë zërin fuqishëm, të ushtojë në Shqipëri dhe në Evropë dhe në botë zëri i protestës, zëri i kryengritësve paqësorë shqiptarë.

Marsi Korreshi: Zoti Berisha, a janë tronditur marrëdhëniet e Edi Ramës me ndërkombëtarët pas zhvillimeve të fundit që ju përmendët, por edhe për çështjen e Belinda Ballukut?

Sali Berisha: Çështja Belinda Balluku është çështja Rama. Marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe më shqiptarët të Edi Ramës janë përmbysur për shkak se dosja Balluku është dosja Rama. Dosja AKSHI është dosja familjare e Edi Ramës. Në këtë aspekt, Edi Rama është në rrethin e kuq dhe i pashpresë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale