EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat mesditën e sotme ka denoncuar farsën elektorale të zgjedhjeve të 23 korrikut në Rrogozhinë.
Sipas Berishës, në këto zgjedhje, u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së 14 majit 2023.
“Farsa elektorale e 14 majit u mbyll në mënyrën më të shëmtuar me procesin në Rrogozhinë.
U mbyll në Rrogozhinë në mënyrën më kriminale, pasi mandati që ia dhanë qytetarët e Rrogozhinës, kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha, ia rrëmbyen në mënyrë kriminale dhe antiligjore, institucionet e farsës elektorale’, tha në deklaratën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË:
Mirëdita!
Farsa elektorale e 14 majit, u mbyll në mënyrën më të shëmtuar me procesin e djeshëm në Rrogozhinë, u mbyll në mënyrën më kriminale, sepse mandatin të cilin ja dhanë qytetarët e Rrogozhinës kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ Shkëlqim Hoxha, ja rrëmbyen në mënyrën më antiligjore institucionet e farsës elektorale.
Ja rrëmbyen pasi rezultati ishte përmbysur nga qendra e paligjshme e ngritur në burgun e Rrogozhinës, qendër të cilën institucionet e farsës elektorale e përjashtuan nga gara elektorale, por përsëri nuk shpallën me urdhër të partisë, fitues zotin Shkëlqim Hoxha, shkelmuan në mënyrë të padenjë, antiligjore, votën e qytetarëve të Rrogozhinës dhe urdhëruan një proces të ri zgjedhor, në të cilin ju them këtu se, u manifestuan të gjitha fenomenet më të shëmtuara antiligjore të farsës së 14 majit 2023.
Në rezultatin e mbrëmshëm, qëndron një terror i paparë i ushtruar për 1 muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës. Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik, etj. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapura, fletëvotimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit, në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara.
E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituam jo se na duan. Natyrisht të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme, si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, të mendosh se shtohen votat pas shpërthimit të ri të gjirizeve të aferës më të tmerrshme korruptive të asaj të djegësve, do të thotë të jesh me një koficent intelektual afër zeros.
Dhe Veliaj nuk bie në këtë pozitë, e thotë haptas me porosi të Ramës se, fituam jo se na duan, por fituam sepse nuk duan Sali Berishën.
Pra, përsëri i ka tmerri i Berishës dhe në fakt këtu kanë të drejtë se PD-ja, opozitë e vërtetë po i bën autopsinë kësaj kalbësire, këtij rregjimi të kalbur dhe po u tregon shqiptarëve se vota në Shqipëri ka vdekur dhe se rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja në protestë të fuqishme me këtë bandë që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët.
Me vjedhjen e Bashkisë së Rrogozhinës, Edi Rama dhe Erion Velaij jo vetëm që nuk mbulojnë dot vjedhjen e shekullit, të djegësave, vjedhjen e tmerrshme, pyllin orbital, vjedhjet e tyre të tmerrshme që arrijnë në 138 miliardë leke sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vjedhjen e tmerrshme vetëm në dogana e tatime që arrijnë në 104 miliardë lekë, por përkundrazi ftojnë shqiptarët në emër të shpresës, të besimit tek liria të ngrihen kundër këtij regjimi i cili është një arimik i egër i qenies së shqiptarëve.
Opozita mbyll sot një etapë në të cilën ajo nuk gjeti asnjë befasi, ajo paralajmëroi shqiptarët tre muaj më parë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por paralajmërimi ishte paralajmërim. Faktet dokumentet ishte detyrim i saj ti paraqiste para shqiptarëve dhe ne këtë e bëmë me vendosmëri gjer ditën e sotme.
Ftoj çdo demokrat e demokrate, çdo qytetar e qytetare, që e do këtë vend, që besoj se ai fëmijët e tij dhe vendi i tyre meriton një të ardhme, jo si narkoshtet, jo si shtet ku klanet e mafias bëjnë ligjin dhe janë mbi qeverinë, jo një shtet ku përfaqësuesi më i nxirë në politikë, për lidhjet e tij me krimin merr në dorë Ministrinë e Brendshme.
Asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e atyre që vendosin të luftojnë, të qëndrojnë për lirinë e dinjitetit të vet dhe të vendit të tyre.
Këtu janë përgatitur sekuenca nga dita e djeshme ku dëshmojnë se në krye të bandës që terrorizonte qytetarët, qëndronte Blendi Gonxhe, një nga hajdutët më të shpifur të kësaj administrate, Afrim Qendro, hajdut me damkë, i njohur për vjedhjet e tij në rrugën Tiranë-Elbasan dhe shumë vjedhje të tjera. Deputeti Agron Çela edhe ky njeri që nga fryn era, nga i del biznesi kthen flamurin. Famëzi Valdrin Pjetri, ish kandidati i diskredituar i Shkodrës. Etien Xhafaj, deputet vegël e verbër e Erion Veliajt, Taulant Tusha, Blerim Shera, Nuredin Bushi dhe shumë të tjerë, të cilët kryen akte antiligjore në fushatën e djeshme.
Këtu i keni votimet kolektive, votimet familjaret, deklaratat prandaj dhe sipas interesit mund ti ndiqni. Do të jua kaloni bashkë me tekstin këto akte vandalizmi akte antiligjore, fotografime të votës në kolektiv.
Faleminderit.