Berisha: Ne për votën do t’i marrim kokën çdo armiku. SKAP-i i partisë ka çelur hetime për Belind Këlliçin vetëm pse ka denoncuar vjedhjen e shekullit nga Rama dhe Veliaj

ESKTRAKT

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke folur në tubimin qytetar në “Rrugën e Shpresës’ ka paralajmëruar Edi Ramën që të mos e prekë votën. Sipas Berishës, për votën demokratët do ti marrin kokën çdo armiku.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati ka paralajmëruar Edi Ramën se sot e mbron drejtuesi i SPAK, Altin Dumani dhe të tjerë mercenarë prokurorë, por nesër shqiptarët do ia nxjerrin për hunde vjedhjet e tmerrshme që ka kryer në Shqipëri.

Teksa ka sulmuar Ramën dhe Veliajt, kryetari i Partisë Demokratike nga tubimi qytetar në ‘Rrugën e Shpresës’, ka bërë publik faktin se, SPAK me urdhër politik ka nisur hetimet për Belind Këlliçin.

Sipas Berishës, hetimi ndaj Këlliçit ka nisur vetëm e vetëm pse ka denoncuar vjedhjen e shekullit, inceneratorin e Tiranës nga Rama e Veliaj.

Kryedemokrati i ka kujtuar gjithashtu Edi Ramës se nuk shpëton nga ndëshkimi i drejtësisë amerikane në lidhje me aferën korruptive McGonigal.

FJALA E PLOTE

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Nderimin më të madh, mirënjohjen më të pakufishme.

Prania juaj sonte, fjalimet e bukura, gjithçka janë një frymëzim i madh për Sali Berishën dhe çdo shqiptar që ndjek këtë protestë në Rrugën e Shpresës, në rrugën e fitores.

Po bëhen mbi tre javë që ju çdo natë lini çdo gjë dhe mblidheni këtu për të dhënë mesazhin e luftëtarit të pamposhtur, e qytetarit dinjitoz, e misionarit të vërtetë se do të shpëtojmë Shqipërinë, se diktatura e krimit, drogës dhe vjedhjes nuk do të mund të sundojë më gjatë në Shqipëri.

Të dashur miq!

Të gjitha zhvillimet e shpejta kanë pasur dhe kanë një shkak themelor: Edi Rama, i cili qëndron në pushtet mbi votën e vjedhur, mbi vullnetin e shtypur, mbi vullnetin e kontrolluar të qytetarëve shqiptarë, e kuptoi, e realizoi se me Sali Berishën, me PD-në, zgjedhje të tjera nuk do të mund të bënte kurrë në jetën e tij.

Ka pasur kohë që kjo parti është përballur me dhunues zgjedhjesh, është përballur me banda, por ajo kohë, në atë kohë kjo parti doli me një moto: kush prek votën, prek kokën!

Edi Rama e mbante mend atë kohë, Edi Rama e kuptoi se ne për votën ishim dhe mbetemi të gatshëm për çdo sakrificë.

Se ne për votën, kemi vetëm himnet e lirisë.

Se ne për votën, do t’i marrim kokën çdo armiku të votës sonë.

Edi Rama, Rruga e Shpresës, banorët e saj, demokratët dhe populli opozitar, të kanë dënuar ty për kufomë politike.

Mos mendo më kurrë se do mund të vazhdosh pushtetin tënd të krimit.

Ke zgjedhur rrugën e burracakut, e hajdutit, e frikacakut.

Ke përdorur mercenarë, ke përdorur grupe të organizuara kriminale në institucionet tua.

I ke ndërsyer ata si cackej kundër opozitës. Por opozita nuk mund të mposhtet, aq sa mund të mposhtet e drejta e një kombi për të votuar i lirë.

Aq sa mund të mposhtet e drejta e një qytetari për të jetuar me dinjitet dhe në liri.

Aq sa mund të mposhtet e drejta e një qytetari për të pasur në dorë fatin e tij dhe të vendit të tij.

Kjo është një betejë e të gjitha betejave!

Miqtë e mi!

Edi Rama u vërsul me verbëri sepse nuk duronte dot dhe mendoi se do të dënonte Sali Berishën me heshtje.

Nuk duronte dot, tmerrohej nga denoncimet e tij.

Poshtë e përpjetë u thoshte enturazhit, mirë mua, po ç’ka me vajzën, mirë mua, po çka me Lindën?

Tani të them Edi Rama, par këtyre burrave dhe grave, se për çdo qindarkë të vjedhur këtyre shqiptarëve, do të mbaj përgjegjës gjithë jetën tënde.

Edi Rama, ligjet dhe Kushtetuta e këtij vendi ndalojnë kryeministrin dhe ministrat të mbushin xhepat dhe të pasurohen me buxhetin e qytetarëve, me pasuritë publike të vendit.

Kurse ti je modeli më i shëmtuar i hajdutit qeveritar të të gjitha kohërave.

Ti je kryeministri që duke deklaruar gjithsej 4 mijë euro, ndërtove saraje me oborr 5 mijë metra.

Ti je qeveritari, që ndërtove pallatin pesëkatësh për gruan dhe familjen e saj pa asnjë faturë.

Ti je njerku i artë, që bëre milionere thjeshtrën me mbi 50 tendera të fituara nga kompanitë ku ajo punonte.

Ti je kryeministri që rrite të ardhurat 16 herë, të deklaruara, po se ka të padeklaruara, vetëm duke vjedhur me gjithë familjarët e tu.

Ti je kryeministri, arkitekt i vjedhjes së shekullit. Gjer sot, vetëm me djegësin e Tiranës, këta qytetarë kanë humbur, iu janë vjedhur 130 milionë euro, të gjitha me firmën tënde, të gjitha për sipërmarrjen tënde dhe të Erion Veliajt.

Po sot të mbron Damani, të mbron Kraja, të mbrojnë larot dhe mercenarët e tu.

Por të garantoj se nesër, këta shqiptarë, një për një, qindarkë për qindarkë, do t’i nxjerrin për hunde këto vjedhje të tmerrshme.

Edi Rama mendon se me një grusht mercenarësh do të mund të mposhtësh opozitën.

Të garantoj se me aktet tua, po i bën gropën vetes tënde.

Sepse opozitën nuk e mposhtën dot paraardhësit tu, nuk e mposht dot as ti.

Sot ke një makineri të madhe propagande dhe mashtrimi.

Sot institucionet e narkoshtetit, Skapin, gjykatat, shërbimin e fshehtë i ke ndërsyer kundër opozitës.

Por mos harro se do bëhen pluhur njëlloj si paratë së bashku me to.

Të dashur miq!

Këto kohë, i tmerruar nga ju, i tmerruar nga misionarët e Rrugës së Shpresës, ai ka vërsulur institucionet në mënyrë të tërbuar kundër opozitarëve.

Deputetët e opozitës, eksponentë kryesorë të saj, vihen në përgjime, vihen në hetime vetëm e vetëm për deklaratat që bëjnë, për të vërtetat që i përplasin në fytyrë, kreut të organizatës kriminale të qeverisë shqiptare.

Sot mediat njoftojnë se grupi i strukturuar kriminal me në krye Dumanin e partisë në SKAP, kanë çelur hetime për Belind Këlliçin, vetëm e vetëm pse ai dënon çdo ditë firmat në vjedhjen e shekullit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt dhe amnistinë kriminale të Damanit dhe Krajës ndaj tyre.

Edi Rama, një proces të hapur ke në Uashington.

Siç njoftoi radio publike e SHBA, akuza është tmerrësisht e rëndë.

Ke korruptuar njeriun që me ligjin amerikan, me misionin e tij, kishte për detyrë të mbronte SHBA nga korrupsioni.

Një akt të tillë ndaj një vendi mik nuk e ndërmarrin kurrë partnerët, e ndërmarrin vetëm armiqtë e saj.

Edi Rama, ti në krye të grupit të strukturuar kriminal McGonigal-Dorian Duçka-Neza-Gjiknuri, etj, je bërë personi më i damkosur sot në Europë për korrupsion.

Duhet t’u thuash shqiptarëve sa para more me licencën që dhe për Damianin dhe Nezën.

Duhet t’u thuash shqiptarëve sa para po paguan tani për t’i shpëtuar ndëshkimit dhe drejtësisë amerikane.

Por nuk shpëton se nuk janë Damanë ata, nuk janë Kraja ata.

Jo, jo, je i pashpresë, por në radhë të parë je i pashpresë, je i humbur sepse luftëtarët e Rrugës së Shpresës çdo ditë ecin të sigurt drejt fitores.

Rrugët, sheshet e Tiranës do shndërrohen në rrugët dhe sheshet e fitores.

Asgjë nuk mund të mposhtë opozitën pa realizuar qëllimet e saj.

Duke përfunduar, edhe njëherë shpreh besimin tim se luftëtarët e të vërtetës, se ju, njerëzit e kauzës së drejtë, njerëzit e betejës pa kthim për interesin e çdo shqiptari, do të çoni Shqipërinë drejt fitores.

Ne do fitojmë!

Rroftë fitorja, rroftë Shqipëria, rrofshi ju!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale