Berisha në parlament: Po shkelmoni Kushtetutën dhe vullnetin e shqiptarëve! Ky është provokacion i ulët

REAGIM I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PARLAMENT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha reagoi me tone të ashpra gjatë seancës plenare ditën e sotme në Parlament, duke akuzuar mazhorancën se ka nisur sesionin parlamentar me një “shkelmim të Kushtetutës” dhe duke përjashtuar, çdo hapësirë demokratike dhe kushtetuese. Berisha e cilësoi këtë veprim si një “provokacion të ulët” dhe një “puç institucional”, që sipas tij dhunon vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Kryetari i opozitës, Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, duke e quajtur “kreun e një organizate kriminale” dhe akuzoi mazhorancën se po përdor parlamentin për të legjitimuar veprime antikushtetuese. Berisha kërkoi që të respektohet Kushtetuta dhe rregullorja e Parlamentit, duke theksuar se ato janë themeli i rendit demokratik në vend.

“Çfarë e keni Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit?” – deklaroi Berisha, duke kërkuar nga drejtuesi i Kuvendit që të mbledhë këshilltarët dhe të zbatohet Kushtetuta.

REAGIMI I PLOTË

Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama.

Shkelmimi i Kushtetutës, është shkelmim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë të të gjithë spektrit, shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.

Si ka mundësi, a keni ju, çfarë të thuash, njerëz që lexojnë Kushtetutën? A ke ti këshilltarë që paguan që të të lexojnë ty Kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit, e cila për parlamentin është Kushtetuta e parlamentit, është ligji më i rëndësishëm i vendit, pas Kushtetutës.

Pra, aq peshë sa ka parlamenti në jetën e një shteti dhe të vendit.

Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni rendit kushtetues të vendit. Ky është një provokacion i ulët, që ju i bëni qytetarëve të këtij, që i bëni opozitës së këtij vendi.

Akt i turpshëm! Çfarë do të thotë kjo? Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit e keni atë, që silleni në këtë mënyrë?

Prandaj dhe merr vendimin, mblidhi këshillat dhe të zbatohet Kushtetuta.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale