EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në parlament ka folur në lidhje me situatën në Kosovë dhe reagimet e Edi Ramës. Berisha përmendi krahasimin që i bëri gazetari gjerman, Majkëll Martin, Edi Ramës, me Nikolla Pashiqin, kryeministrin serb më antishqiptar dhe mbështetës i serbomadhisë serbe.
‘A ka albanofob me të madh në historinë shqiptare se Edi Rama. Edi Rama u vërsul me tërbimin më të madh kundër udhëheqjes politike të Kosovës. Shpalli skenarë imagjinarë, Donbas, republika KFOR-i dhe çdo gjë tjetër që e urdhëronte padroni i tij në Beograd, Aleksandër Vuçiç’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha në Kuvend.
FJALA E PLOTE
Të nderuar qytetarë dhe qytetare, zonja deputete e zotërinj deputetë.
Çdo shqiptar sot që i thotë vetes i tillë, duhet të ndihet tmerrësisht i lënduar.
Dy ditë më parë, njëri nga gazetarët më të shquar të botës gjermane do të bënte krahasimin e shekullit në historinë e Ballkanit.
Gazetari Majkëll Martin, do të cilësonte Edi Ramën si kryeministrin më të mirë të Serbisë, pas Nikolla Pashiq.
Nuk ka në historinë e Ballkanit dhe të rajonit, një damkë, një krahasim damkosës si ky dhe më kuptim plotë.
Nikolla Pashiq është kryeministri i shekullit për serbët, në kuptimin e serbomadhisë. Nikolla Pashiq më kruel, më i pamëshirë, barbar, mizor kundër shqiptarëve. Ai është kryeministri i gjenocideve të Lumës, Manastirit, Prizrenit, Pejës, krahinave të tjera të Kosovës gjatë luftërave Ballkanike. Pashiq është autori i krimeve më monstruoze për të cilat Lev Davidoviç Trocki thotë se mbushi Vardarin me koka shqiptarësh.
Majkëll Martin gjen Edi Ramën, 100 % të krahasueshëm, sepse Edi Rama nga dita që edhi në pushtet gjer në datën 25 shtator u bë avokat kryeson i të gjitha projekteve të serbomadhisë. U bë po aq armik i shqiptarëve të Kosovës dhe kombit shqiptar sa vetë Aleksandër Vuçiç.
Edi Rama pas vizitës në Beograd, në mënyrën më persistente u angazhua për realizimin e projektit të ndarjes dhe copëtimit të Kosovës. Ndaj dhe Majkëll Martin thotë se, pas Pashiqit është kryeministri më i mirë i Serbisë.
Edi Rama pasi dështoi në projektin e copëtimit dhe ndarjes së Kosovës, si argat i Vuçiçit u angazhua me të gjithë potencialin e tij për projektin ruso-serb të Ballkanit të Hapur. Ai vuri në darë Kosovën, vetëm e vetëm për ta nënshtruar atë në një projekt që shënonte vendosjen e hegjemonsië serbe dhe në shekullin e 21, mjerisht përsëri pas 100 vitesh në rajonin e Ballkanit. A ka argat më të shpifur më të shpërfytyruar se ky. A ka albanofob me të madh në historinë shqiptare se Edi Rama.
Edi Rama u vërsul me tërbimin më të madh kundër udhëheqjes politike të Kosovës. Shpalli skenarë imagjinarë, Donbas, republika KFOR-i dhe çdo gjë tjetër që e urdhëronte padroni i tij në Beograd, Aleksandër Vuçiç. I shpalli ato në një kohë antihistorike, jashtë çdo konteksti. Veriu i Kosovës nuk kufizohet me Rusinë, veriu i Kosovës vërtetë kufizohet me Rusinë e vogël, por Rusia e vogël në veri të Kosovës, kufizohet me NATO-n, jo me Ukrainën, me NATO-n dhe e provoi se ç’ndodhi këto ditë.
E provoi se ç’ndodhi këto sepse mendoi se me të vërtetë mund të krijonte konfliktin.
Po pse të mos e quante Pashiq, Edi Ramën, zoti Martin, në një kohë kur pas sulmit terrorist në ora 11:00, Edi Rama del e kërkon atë që kërkonte Vuçiçi dhe Sergei Lavrov, atë që kërkonte Daçiçi, konferencën ndërkombëtare për Kosovën.
Nuk përcolli si një monstër e vërtetë njerëzore, ngushëllime familjes për birin e vet të rëndë në krye të detyrës. Si ndiheni ju me të, krenarë apo të turpëruar. Përgjigja e kësaj pyetje varet, ndiheni shqiptar apo antishqiptar. Keni ju gjak shqiptar në deje, apo nuk keni. Unë besoj se keni, dhe nuk mund të jetë ndryshe.
Atëherë a nuk është ky një turp kombëtar, të shpallet kryeministri i Shqipërisë, si Pashiqi i shekullit të 21.
Problemi tjetër që desha të sjell në vëmendjen tuaj është fillimi i vitit universitar. Shqipëria fillon me flamur në gjysëm shtizë me 50 mijë studentë më pak se 10 vite më parë. Me 70 mijë vite studentë më pak se 10 vite më parë. Me 15 % më pak studentë se sa vitin e kaluar.
Me një rënie katastrofale në rankimin e universitetit kryesor të vendit. Të gjitha këto rezultate të sulmeve armiqësore, injorante për shkatërrimin e universitetit, shkatërrimin e shkollave të larta, nga korrupsioni, nga armiqësia ndaj të rinjve shqiptarë.
A nuk është ky një moment alarmi i tmerrshëm në këtë vend. A nuk po shkojmë ne drejt sistemit selektiv dhe jo të dyerve të hapura të universiteteve, sistem që ekzistonte në diktaturë.
Mbaroi koha, por nuk mbarojnë krimet e shëmtuara të këtij regjimi.