Berisha: Ne mbrëmë ia dolëm, që nga qindra mijëra, të bëhemi shumica numerike, shumica politike e shqiptarëve!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal te protesta madhështore e mbajtur mbrëmjen e djeshme nga opozita përpara Kryeministrisë, ku me dhjetëra mijëra shqiptarë shprehën indinjatën e tyre kundër qeverisë së Edi Ramës dhe vjedhjeve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Lideri i opozitës, Sali Berisha bëri një rezyme të aksionit opozitar dhe rrugëtimit epik të demokratëve që nga foltoret dhe deri te protesta e djeshme madhështore përpara Kryeministrisë. ‘Ne nuk u mposhtëm në rrugën tonë. Nga dhjetëra mijëra, u bëmë qindra mijëra! U bëmë 600 mijë veta!’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se me protestën e mbrëmshme, demokratët dhe qytetarët e lirë treguar se janë shumica numerike dhe politike e shqiptarëve. ‘Ne mbrëmë ia dolëm, që nga qindra mijëra, të bëhemi shumica numerike, shumica politike e shqiptarëve!’, u shpreh Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u kujtoi demokratëve sakrificat e tyre përgjatë tre viteve të fundit, si ato brenda partisë dhe ato me pushtetin kriminal të Edi Ramës. ‘Sa herë dëgjuat këto 3 vite se Berishës i ka ardhur fundit, kur në fakt arritëm të bëhemi shumica e shqiptarëve’, theksoi Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta së pari edhe njëherë mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve të pamposhtur dhe të gjithë atyre demokratëve, opozitarëve, shqiptarëve që dje me 11 korrik firmosën në një uragan madhështor besën, betimin e tyre për t’i dhënë Shqipërisë qeveri teknike, dhe shqiptarëve zgjedhje të lira, ndryshim dhe rotacion.

Miqtë e mi!

Që nga nata e mbrëmshme, që nga protesta madhështore e natës së mbrëmshme, Shqipëria nuk është më e njëjta sepse protesta e djeshme ishte protesta më e paparë dhe në kushtet më të jashtëzakonshme që ndryshoi përfundimisht ekuilibrat e imponuara nga narkoshteti i Edi Ramës në Shqipëri.

Dje, në Shqipëri nisi beteja pa kthim e shqiptarëve që nuk është bërë ndonjëherë më parë për qeveri teknike, për votën e lirë, për ndryshim, rotacion dhe fitoren e opozitës.

Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi më shumë si opozitë e vërtetë se kurrë.

Protesta e djeshme faktoi se sot ne jemi shumica politike e Shqipërisë, por jo vetëm kaq, por edhe shumica numerike e saj.

Me admirimin më të madh për qëndresën tuaj qytetare, dua të them se sot ne jemi diçka edhe më shumë se shumica numerike e shqiptarëve.

Sepse ditën e djeshme me masivitetin tuaj, me vendosmërinë tuaj, me fjalët tuaj shkruajtët në shesh një fjalë, të cilën shqiptarët e kishin harruar.

Shkruajtët fjalën shpresë.

Shpresa është arritja më e rëndësishme e ditës së djeshme.

Sepse dje ju faktuat se në këtë vend që sundohet nga narkoshteti, me drejtësi të kapur dhe shfrytëzuar nga Edi Rama si armë kundëropozitës, me mediat kryesore të blera nga paratë e inceneratorëve, me mafien e Xhorsh Sorosit të investuar kundër interesit kombëtar të shqiptarëve, ju faktuat se ne jemi shpresa dhe të palëkundur, të vendosur, së bashku ne ecim të sigurt drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, drejt fitores, drejt ndryshimit.

Drejt fitores së Shqipërisë, drejt triumfit të lirisë.

Bashkë kemi bërë një udhëtim mbresëlënës duke nisur nga foltoret e para deri te protesta madhështore, te cunami i djeshëm.

Dhe për këtë rrugëtim epik, ju keni mirënjohjen më të pakufishme.

Për këtë rrugëtim epik ia vlen sot të thuhen disa fjalë.

Miqtë e mi!

E nisëm këtë lëvizje në kohën më të vështirë, në ditët kur opozitës shqiptare iu bë atentati më i turpshëm, që gjykimi i historisë do e damkosë si episodin më të zi për demokracinë shqiptare.

E nisëm këtë rrugëtim, sepse donin të na shpërbënin. Donin të na caktonin kryetarin. Donin të na shndërronin ne motër të partisë se krimit. Donin të na fshinin identitetin. Donin të përçanin.

Kjo do të ishte për Shqipërinë atentati më i rëndë.

Sepse shkatërrimi i opozitës po bëhej që narkoshteti i Edi Ramës ta kishte të shtruar rrugën e sundimit absolut. Për ti vjedhë shqiptarët i pashqetësuar. Për të dëbuar shqiptarët pasivisht nga Shqipëria.

Po si mund ta pranonin ne këtë? Ishim pak veta atëherë. Akoma më pak besonin se do t’ia dilnim.

Por kauza jone ishte e drejtë.

Dhe ne bëmë detyrën tonë.

Nisëm foltoren. U shtuam në numër. Nga dhjetëra veta, u bëmë qindra e qindra.

Vazhduam me Kuvendin e Dhjetorit. Nga qindra e qindra, u bëmë mijëra e mijëra.

Vijuam me procesin e Rithemelimit. Ndonëse na luftuan me gjithë angazhimin e mafies së Xhorxh Sorosit. Më gjykatat që na sekuestruan simbolet e Partisë. Me McGonigalët që kontraktoheshin për të goditur Sali Berishën.

Ne sërish, nga mijëra e mijëra u bëmë dhjetëra mijëra.

Vazhduam të palëkundur në farsën zgjedhore të majit 2023. Aty ku u planifikua dhe zhdukja jonë. Duke ndaluar emrin e Sali Berishës në fletë votimi. Pa asnjë financë. Pa vëzhgues. Pa numërues. Pa komisionerë. Pa logo. Po ne nuk u mposhtëm. Nuk u tutem, nuk u zbrapsëm. Iu dhamë përgjigjen tmerruese që meritonin. Nga dhjetëra mijëra, u bëmë qindra mijëra! U bëmë 600 mijë veta.

Lufta e tyre nuk u ndal. Arrestuan liderin e opozitës, pa prova, pa fakte, pa akuzë. Dhe ne u përgjigjëm me Rrugën e Shpresës.

Mbas 5 muajsh betejë në Parlamentin e Shqipërisë. Mbas 192 ditëve qëndrese të pandaluar në Rrugën e Shpresës. Nga ditët e acarta të dimrit, deri në ditët më përvëluese të verës. Mbas

16 protestash në Bashkinë e Tiranës.

Ne mbrëmë ia dolëm, që nga qindra mijëra, të bëhemi shumica numerike, shumica politike e shqiptarëve!

Ne mbrëmë ia dolëm të ndajmë një vijë të qartë midis shqiptarëve, qofshin ata demokratë, socialistë, pa parti dhe rilindësave, kësaj fare të keqe të Edi Ramës.

Ne mbrëmë ia dolëm të lëmë pa gjumë Erion Veliajn. Me mesazhin tonë të qartë: Jep dorëheqjen se kemi forcën dhe legjitimitetin për të nxjerrë për zverku dhe për qafe prej zyre dhe të të varim në shtyllën e turpit të historisë.

Ne mbrëmë ia dolëm të lëmë pa gjumë, Edi Gonigalin. Me mesazhin tonë të qartë: Vendos qeverinë teknike, sepse shumica politike e Shqipërisë e kërkon këtë.

Të krahasosh foltoren e parë me protestën e djeshme, e kupton se sa shumë punë është bërë miqtë e mi.

Rezistenca e një grushti opozitarësh që si shqiptarë të vërtetë guxuan, qëndruan ndaj çdo kërcënimi për dinjitet, për demokracinë dhe për zgjedhje të lira, sot është kthyer në një ortek të përmasave gjigante.

Por këto fjalë, nuk i thashë aspak për të mburrur qëndresën tonë.

Këto fjalë i thashë vetëm për të rikujtuar edhe një herë, që ky ortek nuk duhet kurrë të ngadalësojë vrullin. Sidomos tani!

Sepse ky ortek fitoi çdo betejë deri më sot. Demaskoi të vërtetën e narkoshtetit. Bashkoi demokratët. Shpëtoi opozitën e vërtetë. Shpëtuam flamurin e Partisë Demokratike.

Por sot ky ortek duhet të vazhdojë me po aq fuqi, drejt detyrës së fundit që na ka mbetur. Rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët, fitoren e opozitës!

Ndryshimin e pushtetit, rotacionin e vonuar.

Prandaj, tani e tutje, fokusi dhe energjia jonë do shkoj vetëm në një detyrë, vendosjen e qeverisë teknike.

Çdo demokrate dhe demokrat, çdo opozitare dhe opozitar, çdo shqiptare dhe shqiptar që përjeton me dhimbje zbrazjen e tmerrshme të dheut të vet, duhet ta dijë se qeveria teknike është kushti i te gjitha kushteve që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira.

Është detyrimi i të gjitha detyrimeve që ne si opozite shqiptarë kemi, është premisa pa të cilën nuk ka ndryshim, nuk ka votë të lirë, nuk ka rotacion.

Dhe për këtë, sot ne kemi mbështetjen e shumicës absolute të shqiptarëve.

Sepse ne e provuam qe jemi shpresa e vetme për Shqipërinë.

Dhe si shpresa e vetme e Shqipërisë, ne kemi misionin hyjnor për ta shpëtuar Shqipërinë nga narkoshteti, diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjeve të shqiptarëve e Edi Ramës.

Prandaj sot, le të ecim të vendosur drejt ndryshimit, drejt fitores.

Dhe nëse qëllon të keni dyshime, kujtoni pak: Sa herë keni dëgjuar se foltoret do të ishin dështim? Por me foltoret ne shpëtuam opozitën.

Sa herë dëgjuat që shqiptarët na kanë braktisur. Por në tre protesta, më 7 korrik të vitit 2022, më 20 shkurt dhe në protestën e djeshme ne thyem rekord pas rekordi për pjesëmarrje.

Sa herë dëgjuat këto 3 vite se Berishës i ka ardhur fundit, kur në fakt në 3 vite, arritëm nga një grusht opozitarësh në shumicën numerike dhe politike të shqiptarëve.

Sa herë dëgjuat se duhet të hapim parti të re? Por sot, ne kemi partinë e rithemeluar. Flamurin tonë të bukur ngjyrë blu.

Dhe të gjitha këto, sepse Rilindja, sepse narkoshteti, sepse Edi Rama, nuk e kuptojnë dot kurrë se ne nuk mund të mposhtemi.

Sepse ne sot nuk jemi thjesht opozitarë. Ne jemi misionarë.

Sepse Sali Berisha nuk u kthye si politikan, por u kthye si misionar.

Dhe misionarët nuk ka forcë në botë që t’i mposhtë.

Sepse beteja jonë nuk është politike, është për shpëtimin e demokracisë dhe Shqipërisë.

Prandaj ne nuk mposhtemi. Prandaj ne nuk ndalemi. Prandaj ne do fitojmë.

Rrofshi ju.

Rroftë çdo shqiptar që dje zgjoi shpresën.

Rroftë Partia Demokratike. Rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Zoti ju bekoftë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale