Berisha në Kuvend: Nuk ndodh kurrë që paketa buxhetore të vijë pa paketën fiskale! Qytetarët do nisin betejën para kryeministrisë

REPLIKË E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë një replike në seancën e sotme plenare, akuzoi me tone të ashpra qeverinë dhe udhëheqjen parlamentare, duke akuzuar se po shkelin norma dhe procedura themelore.

Lideri opozitar, Sali Berisha vuri në dyshim legjitimitetin e paketës buxhetore që u soll pa paketën fiskale, duke thënë se “kurrë nuk ndodh që paketa buxhetore të vijë pa paketën fiskale”, pasi paketa fiskale është burimi i krijimit të buxhetit. Ai akuzoi qeverinë për paraqitje të statistikave të rreme që përdoren për të mashtruar qytetarët dhe paralajmëroi se qytetarët do të nisin një betejë para kryeministrisë për të kundërshtuar politikën e propozuar, duke theksuar se edhe pse kushtet janë të pabarabarta, ata kanë të gjitha të drejtat për t’u mobilizuar.

REPLIKA E PLOTË

Të dashur qytetarë dhe qytetare, e dëgjuat vetë që kreu i tyre me 5 mbiemra kërkon që shpjegimi i votës të bëhet para se të votohet.

Kjo kërkesë shpreh të gjithë brendinë psikike, ideologjike, identitare të këtij grupi parlamentar që pranon në krye një person si ai, i cili me një ndërhyrje të tillë tregon se nuk njeh asnjë ligj, asnjë parim, asnjë normë.

Por unë jam këtu për të thënë dy fjalë.

Në historinë e një vendi kurrë nuk ndodh që paketa buxhetore të vijë pa paketën fiskale.

Sepse është vetëm paketa fiskale burimi i krijimit të atij buxheti.

Kurse ju sillni këtu statistikat kallpe, false për të mashtruar shqiptarët.

Sidoqoftë, para kryeministrisë, qytetarët shqiptarë janë të vendosur të rrisin një betejë në kushte të pabarabarta, por një betejë në të cilën kanë të gjitha të drejtat.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale