Berisha në Kongresin e PPE: Rama ka në zyrën e tij një koordinator për bandat kriminale! Në prag të zgjedhjeve, ka bllokuar debatet televizive, dhe nëpërmjet një industrie mafioze i ka kthyer ato në fasadë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONGRESIN E PPE NË VALENCIA, SPANJË

EKSTRAKT

Në fjalimin e tij në Kongresin e PPE, Kryetari i Partisë Dmeokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ngriti akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur Shqipërinë një “narkoshtet” dhe duke e akuzuar për përdorim të pushtetit në shërbim të interesave të tij personale dhe të krimit të organizuar. Berisha theksoi se Rama ka centralizuar të gjithë pushtetin në duart e tij, duke kontrolluar ekonominë, median dhe sistemin zgjedhor përmes një makinerie mafioze të blerjes së votës dhe intimidimit.

Lideri Opozitar, Sali Berisha theksoi se, në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Rama ka përdorur metoda të tilla si bllokimi i debatit publik dhe shpërndarja e dhuratave monetare për të siguruar mbështetje, duke përfshirë dhënien e 100 licencave për kultivim kanabisi. Berisha gjithashtu e akuzoi Ramën për lidhje me krimin ndërkombëtar, duke përmendur një këshilltar të tij që koordinon aktivitetet e grupeve kriminale, dhe për ndikimin e tij në institucione ndërkombëtare si FBI, përmes skandalit me Charles McGonigal.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për një qëndresë të fortë kundër regjimit të Ramës dhe shprehu besimin se Partia Demokratike e Shqipërisë do të mund të përmbysë këtë “diktaturë narkotike” me mbështetje ndërkombëtare.

FJALA E PLOTË

I dashur President Weber,

Së pari, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen e çmuar që Presidenca e EPP i ka dhënë Partisë Demokratike me rezolutën e miratuar në mbështetje të kauzave të drejta të saj. Po ashtu, dua të falënderoj Presidentin e IDU, Stefan Harper, dhe Presidentin e CDI, Andres Pastrana, për rezolutat e këtyre dy organizatave në mbështetje të kauzave të drejta të Partisë Demokratike.

Një falenderim të veçantë kam për miqtë e mi të CDU, Elmar Brok dhe Peter Beyer, si dhe për Forza Italia, Battilochio dhe Mazzeti, për mbështetjen e tyre në disa ditë të vështira për mua.

Zonja dhe Zotërinj!

Shqipëria sot është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë, ku të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu. Siç kanë vënë në dukje vëzhguesit ndërkombëtarë, përmes një industrie mafioze të blerjes së votës dhe një makinerie masive intimidimi, ai ka vënë nën kontroll vullnetin e qytetarëve dhe ka shndërruar zgjedhjet në një fasadë. Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe sillet si një shaka, ka kontroll të plotë mbi ekonominë, të gjitha mediat kryesore në vend, dhe dy muaj para zgjedhjeve, bllokoi TikTok, duke e rreshtuar kështu Tiranën me Kabulin dhe Teheranin.

Për të siguruar mandatin e tij të katërt, ai, ashtu si Zaied i Tunizisë, ka arrestuar dhe persekutuar politikisht pa asnjë provë kriminale liderët e partive kryesore opozitare: Sali Berishën, Kryetarin e Partisë Demokratike, Ilir Metën, Kryetarin e Partisë së Lirisë, dhe Fatmir Mediun, Kryetarin e Partisë Republikane. Ai ka burgosur Ervin Salianin, një deputet të Partisë Demokratike, dhe për interesat e tij mafioze ka marrë mandatin e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Himarës, thjesht sepse ky i fundit nuk do lejonte që ai të plaçkiste qindra mijëra metra katrorë tokë në bregdet që nuk ishin të tijat.

Në luftën e tij brutale kundër opozitës, Narkodiktatori i Tiranës ka ryshfyer dhe angazhuar, duke paguar sipas gjykatës së Washingtonit, 225,000 dollarë të shefit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal, dhe ju siguroj se ai nuk është i vetmi. Tani është provuar gjithashtu nga mijëra dokumente nga vendet partnere se shteti dhe krimi në Shqipëri janë një sipërmarrje e përbashkët. Në zyrën e Kryeministrit paguhet një këshilltar për të koordinuar këtë bashkëpunim nga Sinaloa e Meksikës, deri tek bandat brenda vendit.

Sipas Eurostat, nga viti 2014 deri në vitin 2023, 1,099,000 shqiptarë kanë emigruar në zonën Shengen. Për shkak të këtij fenomeni, sipas OKB-së, Shqipëria tani ka indeksin më të ulët të lindshmërisë në botë. Përveç kësaj, vendi është një nga eksportuesit kryesorë të krimit në Evropë. Në 11 maj do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në këto zgjedhje, përveç asaj që u përmend më sipër, ai ka bllokuar debatin televiziv, ka shpërndarë 100 euro si dhuratë për vota për rreth 800,000 pensionistë, dhe ka dhënë qindra licenca për plantacione kanabisi me moton ‘Kanabis për Vota.’ Ai e ka shndërruar narkoshtetin e tij në një makineri elektoral.

Por në një diktaturë, një nga opsionet e vetme është të luftohet për rrëzimin e saj. Partia Demokratike që 32 vite më parë përmbysi diktaturën me staliniste në Evropë të Enver Hoxhës, me ndihmën tuaj të dashur miq, do ta përmbyse edhe narko-diktaturën e parë dhe të vetme në Evropë të Edi Ramës.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale