Berisha: Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë. Azem, ti je gjallë!

FJALA E KREUT TË PD, SALI BERISHA NË 60 VJETORIN E LINDJES SË ‘HEROIT TË DEMOKRACISË’, AZEM HAJDARI

I dashur Kiri. I dashur Bislim. Të dashur të pranishëm zotërinj drejtues të PD, deputetë, miq, bashkëpunëtorë të tribunit të lirisë, Azem Hajdari.

Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit. Njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të kombit tonë. Njeriu që me guximin e tij ia doli të kontribuojë më shumë se tjetër në përmbysjen e diktaturës në Shqipëri, ndërrimin e sistemeve dhe epokave në Shqipëri.

Ditën që ne e përcollëm në banesën e fundit nuk vajtuam, por brohoritëm: Azem, ti je gjallë!

Sot jemi këtu përsëri për t’i thënë Azem Hajdarit, se sot je më i gjallë se kurrë. Takimin tim të parë me Azem Hajdarin e kam patur më datën 9 dhjetor të vitit 1990. Me Besnik Mustafën shkuam të bashkoheshim me studentët në rrugën e Elbasanit, dhe një masë prej 700-800 studentësh protestonin. Mbi ta ngrihej si lider një djalë, student bashkëmoshatar me ta, ngrihej mbi supet e tyre dhe brohoriste: Poshtë diktatura! Poshtë dinastia! E duam Shqipërinë si Europa!

Për ne që vështronim dhe sodisnim aty, ai ishte një njeri. Ai ishte një legjendë. Ai po bënte në rrugët e Tiranës atë që nuk e kishte bërë kush në gjysmë shekulli.

Shqipëria në vitin 1990 nuk ishte e qetë. Shkodra e nisi me demonstratën e saj për heqjen e busteve të satanëve. Kavaja skuqi rrugët e saj me gjakun e të rinjve kundër diktaturës. E shndërroi stadiumin në një arenë gladiatorësh. Heronjtë e 2 korrikut kryengritës u përballën dhëmbë për dhëmbë dhe në fakt e përmbysën murin e Berlinit në Tiranë.

Por shoqëria në Tiranë vazhdonte në letargjinë e saj. Nuk i mbështeti, nuk i përkrahu, dhe ata regjimi i nisi me procesion ushtarak jashtë vendi. Kështu që, pas saj në Shqipëri, por jo vetëm, në Europë dhe më gjerë, predominoi mendimi se Shqipëria do të mbetet Kuba e Adriatikut. Shqipëria do të mbetet ‘Kështjella e Socializmit’, siç e cilësonte regjimi.

E përmend shpesh, por prapë do ta përmend, se është shumë domethënëse. Në një intervistë që jep Verner Daum, ish-ambasador gjerman në atë kohë një mik i madh i kombit shqiptar për suksesin e 2 korrikut, ai dëshmon se qeveritë tona, kancelaritë tona, nuk ishin dakord me trazimin e Shqipërisë.

Fatalisht kishin pranuar specifikat e paraqitura nga regjimi komunist si një ndëshkim për shqiptarët, por lavdi Zotit, nuk kishte këtë mendim Azem Hajdari, nuk kishin këtë mendim bashkëluftëtarët e tij. Kishte shumë të tjerë që nuk kishin atë mendim, por problemi është se kush do dilte në shesh të mejdanit, dhe ky ishte Azem Hajdari me një grup studentësh, i cili u ngrit dhe i tha ‘ndal diktatorit’ se nuk kemi dalë për një gotë çaj më shumë, apo një risk djathi, por kemi dalë në këtë betejë për fatet e kombit. U liderizua me një betim para bashkëpunëtorëve të tij që të dukej se vinte nga thellësitë e lashtësisë së kombit tonë. Fitoi një besim të plotë dhe ai nga ai moment, ai mbeti një udhëheqës i pavdekshëm i lirisë së shqiptarëve.

Azem Hajdari, lëvizja studentore, solli pluralizmin dhe themeloi PD-në. Njëkohësisht solli në epiqendër jo vetëm lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si kombi më i shtypur i planetit në atë kohë, por edhe çështjen kombëtare, si një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e Europës, e tradhtuar dhe injoruar tërësisht nga Tirana zyrtare gjer atëherë. Ai u shndërrua në një avokat të pamposhtur të vlerave në të cilat besonte. U shndërrua në një avokat të pamposhtur të lirive dhe të drejtave njerëzore në Shqipëri. U shndërrua në një avokat të Kosovës dhe lirisë së saj. Ekzekutimi i Azem Hajdarit nga regjimi para selisë së PD, ishte hakmarrja më primitive e bijve të etërve që Azem Hajdari përmbysi, pushtetin e të cilit ai e përmbysi. Sot, Azem Hajdari është më i gjallë se kurrë, frymëzim për çdo shqiptar. Është frymëzim sot për çdo shqiptar. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se të mos kuptosh, të mos ndjesh, të mos reagosh ndaj të keqes që pushton gradualisht të gjithë qenien tënde.

Sot ne jemi në një monizëm të njëjtë që ishim në vitin 1990 para dhe pas themelimit të PD. Ne vërtetë u themeluam në 11 dhjetor, por u themeluam kur kultet ishin, jo vetëm kulti i diktatorit Hoxha, por ne kishim marrë edhe kulte të tjera lindore dhe i kishim në Tiranë. Ne u themeluam vërtetë, por Ramiz Alia i cili në momentin kur ne krijuam PD, u përshëndet nga mbarë bota si një Gorbaçov. Vetëm 10 ditë pas kësaj do të shpallte se doktrina marksiste-leniniste është boshti udhëheqës i PPSH.

Doktrina marksiste-leniniste opozitën e ka armike, e ka për ta zhdukur. Njeriu pra, brenda 10 ditëve, pasi shpalosi tanke edhe mjete tjera në Shkodër, Elbasan dhe gjettiu u kthye në një diktator stalinist të vërtetë.

Por kjo, nuk ka zmbrapsi ne. Kjo nuk e zmbrapsi Azem Hajdarin. Me një vendosmëri të palëkundur, ne ecëm të sigurt, duke shmangur gjakderdhjen drejt fitores Ecëm drejt mbrojtjes së vlerave që u besonim pluralizmit, lirive të individit, familjes, interesit kombëtar, dinjitetit njerëzor.

Pas 32 vitesh, Shqipëria ndodhet jo vetëm në një monizëm ku një njeri kontrollon të gjitha pushtetet, por njëlloj si qeveritarët në vitin 1998 ekzekutuan me kolonelë dhe majorë të tyre, para selisë së PD-së, Azem Hajdarin. Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë, jo vetëm vrasës brenda vendit, por kontraktoi një nga njerëzit më të fuqishëm të zbulimit të SHBA, McGonigal për të vrarë, për të shkatërruar PD-në. Për të vrarë dhe shkatërruar Azem Hajdarit, idealet e lirisë së shqiptarëve.

Gjithçka kishte vetëm një synim, konsolidimin e pushtetit monist të Edi Ramës.

Gjithçka kishte një synim: Shqipëria, protektorat i mafies dhe krimit, ku McGonigali dhe të të tjerë, të vinin të pasuroheshin duke u prerë gjoba bizneseve, të grabisnin bizneset, fushat e naftës, minierat, brigjet dhe me radhë.

De facto po bëhej çdo gjë që një pushtet, që sillet më me egërsi se të gjithë pushtuesit e këtij në historinë e këtij vendi, të forcohej dhe konsolidohej çdo ditë e më shumë.

Ky pushtet është pushteti më barbar, më mizor që kanë njohur shqiptarët. Ne jemi një komb që kemi pasur fatin të përjetojmë pushtime të shumta, as ato osmane, as ato para osmane, as ato të Luftës Botërore, asnjë pushtim tjetër nuk ka arritur të spastrojë shqiptarët etnikisht sa ç’ka arritur Edi Rama. Dhe ky është një kushtrim për çdo shqiptar, në Shqipëri dhe kudo botë, për t’u ngritur, të mos sodisin këtë vdekje graduale të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Po vdiq Shqipëria, kombi shqiptar nuk mund të ekzistojë. Shqipëria është djepi, është kushti më themelor i ekzistencës së kombit shqiptar.

Ndaj dhe  unë ftoj shqiptarët kudo që janë, t’i dalin zot vendit të tyre ndaj një agresioni barbar të mafies shqiptare ndërkombëtare. Të mbrojnë interesat ndërkombëtare të shqiptarëve. Shuarja e Shqipërisë është shuarja e kombit.

Në rast se në harkun e 8 vjeçar largohet një e treta e kombit, në rast se 16 vitet e ardhshme vazhdon ky trend, këtu nuk do ketë më shqiptarë këtu. Ky komb nuk e meriton të zhduket. Ky komb ka patur dhe ka vështirësi. Por, ai ka mbijetuar falë qëndresës së tij, virtyteve të tij, ka mbijetuar dhe mbijeton në tokat e veta, pa pasur varre në tokat e askujt, përveçse në vendin e vet dhe në tokat e veta.

Sot, ata që vranë, ekzekutuan para selisë së PD-së, Azem Hajdarin. Sot ata që kontraktuan si vrasës me pagesë McGonigalin. Sot ata që kontaktuan si vrasës me pagesë ambasadorë, deputetë, zyrtarë të tjerë në vendet e tjera dhe e ndërsejnë kundër forcës opozitare të Shqipërisë, kundër opozitës më pro perëndimore, më pro amerikane të Shqipërisë dhe rajonit, bëjnë gjithçka që ne të mos hyjmë në zgjedhje. Bëjnë gjithçka, duke i dhënë vulën dhe logon pengjeve që i kanë marrë ata në këtë afërë makbethiane. Edi Rama nuk është i vetëm. Ai u ndihmua aktivisht në mënyrën më të shëmtuar nga ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e cila bëri çdo ndërhyrje nëpër gjykata, e cila është betuar në mënyrën më patologjike. E korruptuar sa vetë McGonigal, ajo është betuar se PD do shkatërrohet, se Shqipëria do përjetojë ndëshkimet më të rënda. Po, pse? Sepse nuk pranon monizmin e Edi Ramës.

Të gjitha këto u kaluan, ndaj Azemi është më i gjallë se kurrë sot.

Ne jemi dhe do mbetemi opozitë e fuqishme njëlloj siç u themeluam, pro-europiane, pro-perëndimore. Për PD aleatët më kryesor janë dhe do mbeten SHBA dhe BE.

Banditë të pabesë. Njerëz që nuk kanë asnje normë morale si Edi Rama që shkoi dhe i rekrutoi partnerit kryesor kryezbuluesin. Përdori si mburojë se SHBA nuk korruptohen. Por SHBA nuk korurptohen, por ti me McGonigal jeni të dy tradhëtarë të kombeve përkatëse. Jeni të dy, armiq të betuar të lirisë së këtyre dy vendeve. Dhe ju së bashku do merrni fundin që meritoni.

Sikundër ne këtu, mbetemi të angazhuar që në këto zgjedhje të marrim rezultatet më të mëdha dhe t’i japim goditjen më të fuqishme regjimi të Edi Ramës dhe përpjekjeve të mafies ndërkombëtare për të shndërruar Shqipërinë në çifligun e saj dhe të Edi Ramës. Ne do marrim pjesë në zgjedhje. Kudo që shkoj, gjej një klimë entuziazmi që nuk e kam gjetur kurrë më parë. Ekziston e drejta për shqiptarët.

Edhe ata të cilët mund të kenë patur vërejtjet nga më të ndryshmet. E kuptojnë se po bëhen përpjekje për t’i lënë pa opozitë. E kuptojnë s Edi Rama bashkë me të korruptuarit e tjerë, po bëjnë gjithçka për të krijuar një pseudo-opozitë. Ata që nuk përfillin dhe njohin votën e shumicës, ata janë armiq të lirisë. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me lirinë, as në Shqipëri, as në vendet e tyre.

Azemi sot është më i gjallë se kurrë, njësoj siç ngrihej mbi supet e studentëve më datën 9 dhjetor. Poshtë diktatura! Liri demokraci!

Ne sot, të frymëzuar nga ai, do të vazhdojmë betejën tonë në të gjitha fushat.

Në një revolucion të pandalshëm, deri në përmbysjen të këtij regjimi anti-shqiptar, anti-demokratik, anti-kushtetues, mafioz, i cili nuk meriton të qeverisë asnjë ditë Shqipërinë.

Azem, ti je gjallë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale