Berisha: Ne jemi këtu për të qëndruar deri në fund, për të deklaruar se kurrë krimi nuk do të na mposhtë ne

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË SELENICË, LEONARD RAKIPAJ

Të dashur banorë të Peshkëpisë, Selenicës, fshatrave përreth.

I dashur deputet i Vlorës, miku im, Bujar Leskaj.

I dashur kryetari i Partisë Demokratike për Selenicën, Guri Leskaj.

I dashur zoti kandidati për qytetar të parë të Bashkisë së Selenicës, dhe me mbështetjen, vullnetin tuaj, kryetari i ardhshëm i Bashkisë Selenicë, Leonard Rakipaj.

E nderuar zonja kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, Afroviti Hysaj, e dashur Barie, zonja të nderuara, të dashur miq, Nadja të gjithë sa jeni këtu. 

Së pari, u përshëndes ju përzemërsisht dhe u falënderoj për pjesëmarrjen në këtë takim, por unë përshëndes nga kjo platformë të gjithë banorët e Selenicës, banorët e fshatrave përreth, banorët e Vlorës kudo që janë sot, në këtë bashki, në këtë rreth, në Shqipëri, në emigracion dhe kudo.

Shpreh kënaqësinë që takohem me ju dhe bindjen më të thellë se momenti në të cilin ne takohemi, është një moment thirrje kushtrimi për secilin prej nesh, për çdo shqiptar, mbasi shoqëria shqiptare, populli i Selenicës, i Vlorës i Shqipërisë përjeton në një farë mënyre një nga momentet absolutisht më dramatike të historisë tonë kombëtare.

Përjeton një moment në të cilin ne jemi pakësuar dhe po pakësohemi, jemi shkretuar dhe po shkretohemi me një shpejtësi të pabesueshme. Ne mblidhemi në një moment kur me statistika 38% e qytetarëve të Vlorës kanë braktisur Vlorën gjatë 9 viteve të fundit. Ne mblidhemi në një moment kur me statistikë të saktë, 34 % e shqiptarëve kanë braktisur Shqipërinë për BE-në dhe vende të tjera.

Kurrë në histori, një komb në një hark kohor kaq të shkurtër, nuk është shkretuar siç po shkretohemi ne shqiptarët, dhe po të kemi parasysh se 80% e të larguarve nga Shqipëria janë të rinj, kjo e thellon edhe më shumë dramën, katastrofën tonë, mbasi e vërteta është se të humbasësh 80% të rinjve, ke humbur një gjeneratë të tërë dhe më shumë se një gjeneratë.

Është në detyrën tonë, në detyrën e çdo demokrati e demokrate, të çdo qytetari pa parti por edhe të çdo socialisti që e do këtë vend, të bashkohemi të ndalojmë këtë rrokullisje të madhe, të bashkohemi sepse nuk ka asnjë shkak natyror që ne të braktisin këtë tokë të bekuar.

Të bashkohemi dhe të shtrojmë pyetjen, pse ne po ikim në këtë mënyrë, çfarë po ndodh me Shqipërinë e shqiptarët.

Së pari, ju jeni njerëz politikë, ju burra e gra, keni një jetë të tërë në politikë, dhe përgjigja e parë është kjo; sot njëlloj si në vitin 1991 jemi në monizëm të plotë. Sot Edi Rama kontrollon 10% më shumë pushtete se Ramiz Aliaj në 1991. Sot ne gratë dhe burrat që njohëm diktaturën komuniste, formën më të egër të komunizmit në Europë, e dimë se çfarë fatkeqësie kombëtare është monizmi. E dimë se monizmi, prodhon dhunim, shtypje, varfëri, tjetërsim. Dhe ky është monizmi i ri që ne përjetojmë.

Ky monizëm nuk bazohet në doktrinën marksiste-leliniste në të cilën kundërshtari ishte armik për tu burgosur, për tu ekzekutuar, për tu internuar. Ky monizëm bazohet në krimin dhe terrorin e tij. Lidhjet e krimit gjer tek Edi Rama dhe ministrat e tij.

Çfarë u duhet krimi këtyre do të pyesni ju; krimi u duhet vetëm për pushtetin. Edhe në diktaturë, kishte ligje, ligjet e diktaturës e ndalonin torturën, ligjet e diktaturës kishin dhe ato përcaktimet për kohën e mbajtjes në paraburgim dhe burg. Por në diktaturë ekzistonin hetues xhelatë, ekzistonin njerëz mizorë, që përdorin të gjitha mjetet e dhunës kundër kundërshtarëve politikë.

Udhëheqja e kohës e dinte se ata po shkelmonin ligje, por ata ishin më të preferuarit e saj sepse ata ushtronin ndaj kundërshtarin politik, atë që ligji nuk e lejonte. Nuk e lejonte ligji të internonte fëmijë, kurse këta xhelatë merrnin fëmijë e pleq dhe i internonin në Tepelenë, Kavajë, etj., dhe në këtë mënyrë ata bëheshin njerëzit më të preferuar.

Po kështu sot. Bandat, banditët, vrasësit janë njerëzit më të preferuar të Edi Ramës dhe ministrave, sepse nëpërmjet tyre, ata realizojnë fitimet që nuk i nxjerrin dot me ligjet. Dhe kjo është arsyeja e lidhjes së tyre me krimin, me drogën.

Edi Rama monizmin e tij e bazon në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Kemi folur çdo ditë por vjedhjet e qindra milionë eurove në djegësat, në Durrës, në tendera sekretë, në Portin e Durrësit dhe kudo.

Dje Departamenti i Shtetit denonconte në mënyrë eksplicite vjedhjen me djegësat. 237 mln dollarë janë zhdukur thoshte, janë zhdukur në xhepat e Edi Ramës, Erion Veliajt, Arben Ahmetaj, Engjëll Agaçit, pa asnjë diskutim. Pra këta vjedhin. Por vjedhjet më të mëdha këta i bëjnë në punë publike.

Po vija këtu dhe rrugët anësore, Lekaj-Fier, rrugët anësore kushtojnë me Edi Ramën 2.2 herë më shumë se sa vetë autostrada, se sa vetë bajpasi i Fierit, se sa kilometri në autostardën Levan-Vlorë. 

A mund të imagjinohet kjo. Këta ndërtojmë kilometrin me paratë tuaja, 24 mln euro autostradë në fushë. Këta vjedhin 70 deri në 90% të gjithë fundit të punëve publike. Këta ndërtojnë një shkollë e cila kushton 700 mijë euro në të gjitha manualet e ndërtimit me 5-6 mln euro dhe këto janë realitete.

Këta jetojnë vetë në mënyrë përrallore. Ai udhëton me avion, shpenzon 22 mln euro me avionin privat me dhomë gjumi brenda. Me 137 fluturime. Presidenti i SHBA bën 47 fluturime, ai bën 137 fluturime. Shtrohet me biftek 1 mijë euro, darkë 10 mijë euro.

Këta nuk duan të ja dinë për qytetarët. Për ta qytetarët janë qenie inferiore, këta mbajnë për qytetarët atë qëndrim që mban hajduti që vjen, ndaj viktimës së tij. Në këtë kontekst, sot ose kurrë ky vend na fton të bashkohemi. Të shpëtojmë njëri-tjetrin, të shpëtojmë shoqërinë dhe Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe që po e shkatërron çdo ditë.

Këtu ju e përmendët shumë bukur, pasuritë e Selenicës, të njohura e thatë, kjo minierë për mineralin e saj, ziftin, është më e famshmja në Europë. Pasuri të tjera ka plot. Këto nuk shndërrohen në mirësi për ju. Prodhimet tuaja nuk shndërrohen në mirësi për ju, se kjo qeveri në vend që të ju ndihmojë ju, thotë pse i mbollët, bëtë gabim që i mbollët. Po a ka injorancë më të madhe që ti thuash tjetrit, bëre gabim që mbolle ullirin i cili kalon nga brezi në brez edhe 300 vite.

Për herë të parë këta nxorën këtë teori.

Po çfarë bëjnë të tjerët. I kanë të zgjidhura. Është e vërtetë që një vit ka prodhim më tepër se 1 vit tjetër dhe është e vërtetë që këtë vit ndërhyn shteti dhe të paguan me çmimin bazë dhe nuk të len që ti të mjerohesh, që ti të shkosh ti vesh sopatën, por të presësh vitin tjetër dhe vitin tjetër.

Pra këtu ka një raport armiqësor mes qeverisë dhe fermerëve, dhe ju. Në botë nuk ekziston një shtet tjetër që të vendosë TVSH-së zero në blerje dhe 20 % në shitje. Është në kundërshtim me ligjin, me interesat e çdo fermeri. Është në interes të çdo fermeri të huaj që i importohen prodhimet dhe i vijnë në Shqipëri dhe operatorët shqiptarë kanë më leverdi të marrin prodhimet e huaja se sa tuajat. A ka një mënyrë se si ti mjerosh ndryshe njerëzit. Se si fermerët të thonë, nuk ka duhet gjë kjo fermë, nuk po më ecën, ik bir shko ku të duash se këtu nuk ja dalim dot, në një kohë kur mund të ja dalësh shumë herë më mirë.

Një shkatërrim, një rrënim gjatë këtyre 8 viteve.

Myzeqeja kishte para 8 vitesh 35 mijë kokë lopë rrace. Janë pakësuar dhe po pakësohen me shpejtësi të madhe. Po pse? Sepse dengu i barit po kushton aq shumë sa nuk nxirret dot me litrin e qumështit. Dhe toka që është e bekuar na kthehet ne në një tokë të mallkuar, që  nuk na jep. Kjo ndodh me çdo gjë në këtë vend.

Ne jemi vend plot ujëra. Një nga pasuritë më përrallore të këtij vendi janë ujërat. E kanë quajtur me të drejtë ‘Norvegjia e Ballkanit’. Falë një strategjie të viteve më parë, ju e dini, janë ndërtuar mbi 100 HEC-e që prodhojnë tani 58% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në Shqipëri. Dhe çfarë do të thotë kjo. Kjo do të thotë eksport energjie, shqiptarët eksportojnë energji.

Dy vitet e fundit, të dashur qytetarë, janë prodhuar në Shqipëri çdo vit 2 miliardë kilovat më tepër energji elektrike nga ujërat të cilat më përpara derdheshin në det. As për vaditje shumica nuk përdorej. A fituan gjë qytetarët nga kjo.

Po fituan bizneset çmimin, nga 120 që e kishin në 220 kilovatin, se shpërtheu luftra në Ukrainë. Por për energjinë lufta në Ukrainë për energjinë ne kishim zero lidhje. Lufta në Ukrainë  nuk ndikoi as te shiu, as tek reshjet, as tek dielli, as tek retë. Por ndikoi vjedhja. Rroftë sebepi tani. Digat që mbushen plot, edhe tani janë plot, edhe do mbushen edhe më tepër, gjithë verën në vend që ti ruajnë dhe ti përdorin në vjeshtë, i zbrazin në kundërshtim me ligjin, ua sheshin sekserëve të vet.

Çfarë janë sekserët e vet? Janë kompani që blejnë e shesin energji. Shesin energjinë këtyre sekserëve me 15-20-30 euro dhe këta e shesin në bursë me 150-200 euro dhe të gjithë fitimin e ndajnë me qeveritarët e ndajnë me ministrat. Kjo është e vërteta.

Nga të gjitha këto qytetarët nuk fitojnë asgjë. Ata marrin sot një rrogë e cila po të krahasohet me inflacionin, me rritjen e çmimeve gjatë këtyre 9 viteve, ka fuqi blerëse minimumi 30% më pak se në 2013. Ata marrin sot një pension me të cilin blejnë sot 30% më pak se në 2013, prandaj dhe një arritje të madhe, historike dhe që ishte në vitin 2013 ne ishim njerëzit më të mirë të paguar në Ballkan. Ne kaluam për rroga dhe pensionet, të gjitha kombet e Ballkanit, përfshi edhe dy vende të BE-së, Rumaninë dhe Bullgarinë.

Gjatë këtyre 8 viteve ne u rrokullisëm përsëri të fundit, dhe sot jemi me paga 30-50 % poshtë Kosovës. Po pse, sepse çdo kryeministër, çdo qeveri ka synim të parë rritjen e mirëqenies së qytetarëve të vet. Pagesën, shpërblimin për qytetarët e vet, për pensionistët e vet. Dhe kjo është akti më i përgjegjshëm që mund të bëjë.

Kurse ky thotë, mirë e kanë kaq, nuk vuan kush për bukë këtu thotë, çfarë u duhet. Po për vete vrapon të bëhet miliarder. Merr portin e Durrësit, 5 miliardë euro vlera dhe e ndan me arabin Alabar, sepse thotë ai është miliarder edhe unë të bëhem miliarder si ai. Me pasuri të kujt? Me pasurinë tuaj. Mund të rreshtoj këtu dhjetëra e dhjetëra shembuj.

Por unë mendoj se një thirrje është për çdo shqiptar. Të bashkohemi të ndalim këtë të keqe. Se kjo e keqe ka një alet të fuqishëm. Aleati më i fuqishëm të dashur miq, është indiferenca jonë, është ç’më duhet mua, është epo kështu s’kemi ç’të bëjmë, janë rënkimet tona, sepse ky vend nuk bëhet.

Duhet të heqim dorë prej tyre, ky vend bëhet, dhe ju garantoj unë ju, se vend me pasuri më të mëdha, nuk ka vend në Europë. Se po të marrësh Vlorën me të gjithë kompleksin e saj është një parajsë tokëse e padiskutueshme. Se nuk i mungon asgjë nga një parajsë e vërtetë, për të pasuruar banorët e vetë dhe tre herë më shumë seç ka vetë.

Por Vlora plaçkitet, Shqipëria plaçkitet dhe shqiptarët marrin rrugët e dheut. Nga Shkodra shkojnë e punojnë në Mal të Zi, sepse Mali i Zi rrit rrogat. Po të shkoni ju në Mal të Zi, breg ka, por burimet e tjera i ka të pakrahasueshme më të pakta se tona. Megjithatë tani rrogat i kanë tani më të lartat në Ballkan. Sepse ajo qeveri, ai kryeministër ka pasur qëllime të mira, ka shfrytëzuar çdo mundësi për të rritur rrogat. Ndaj dhe ne do të jemi të vendosur të rrisim rrogat dhe pensionet 2-3 herë dhe u garantoj se rritja e tyre do të jetë objektiv më madhor.

Por sot, ne kemi një thirrje, thirrja jonë është për të gjithë banorët e Selenicës, të votojnë për Leonard Rakipajn.

Leonard Rakipaj është një nga qytetarët shembullorë të kësaj bashkie, një nga qeveritarët vendorë shembullorë, një njeri i cili ka drejtuar një komunë, por pati guximin të ju thotë ja ku jam, unë vij të kërkoj besimin tuaj. Më njihni, kam punuar, kam administruar drejtuar  një komunë. Çdo gjë që keni shpreheni me votë dhe ju e votuar. Dhe po kështu vepruam me Hysni Sharrën dhe të gjithë kandidatët.

Unë erdha këtu në Foltore në Vlorë dhe kudo dhe që të gjithë pa përjashtim më kërkuan që ne të zgjedhim vetë kandidatët për qeveritarë vendorë. Të zgjedhim vetë kryetarin e partisë dhe drejtuesit. Të zgjedhim vetë deputetët. Kjo ishte kërkesa më e drejtë. Liria është kjo dhe jo vetëm liri, por është edhe përfaqësimi më i shkëlqyer.

Leonard Rakipaj nuk është kandidat i Sali Berishës, i kryesisë së PD-së, është kandidati i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së në Bashkinë e Selenicës.

Ju garantoj, se Leonardi me dashurinë për ju, respektin për ju, përkushtimin, aftësitë, do të kthejë në shërbime, mirësi, do të përdorë me transparencë çdo qindarkë të taksave tuaja, se me dinjitet do të ju përfaqësojë ju, se do të punojë shumë për të krijuar burime të tjera financiare, nga donacione dhe fondacione të tjera. Por fitorja e Leonardit është fitore e pluralizmit.

Duke votuar për Leonardin ju keni votuar kundër monizmit, keni votuar për rivendosjen e pluralizmit. Dhe këtu, ua them unë, e kam thënë edhe në takime të tjera dhe ju them edhe ju; ne demokratët duhet të punojmë dyfish, se kontribuam me braktisjen e zgjedhjeve lokale, në vendosjen e monizmit në Shqipëri. Edi Rama e deshti, por ne e lëshuam barrikadën, pozicionin. Tani na takon të bëjmë natën ditë, në mënyrë që bashkë me qytetarët e Selenicës, të çojmë kryetar bashkie, qytetar të parë të Selenicës, Leonard Rakipajn.

Ku duhet ta bazojmë ne betejën tonë. Ne mediat nuk i kemi me vete. Mediat i kontrollon në mënyrën më të shëmtuar qeveria. Ju e patë, Departamenti i Shtetit denoncoi tritolin në hotelin ‘Prestige’ vetëm për shkak të Neës24 dhe medieve, sepse pronari nuk pranonte ti nënshtrohej instruksioneve dhe diktatit të Edi Ramës. Por të tjerët pranojnë.

Mediat sot janë në një terror të vërtetë. Atëherë çfarë kemi ne. Ne kemi njëri-tjetrin, duhet të trokasim në çdo derë, në çdo klub, kudo, të ulemi me çdo bashkëfshatar, me çdo bashkëqytetar dhe të ndalim e të diskutojmë këto. Këto që themi ne janë të vërteta. Nuk ka asgjë të stisur. Të vërtetat më të hidhura që mund të dëgjojmë ndonjëherë në jetën tonë. Nuk ka të vërtetë më hidhur që të ikë 1/3 e kombit në 8 vite.

Nuk ka të vërtetë më hidhur se sa punët publike që bëhen me taksat tuaja të vidhen në masën 80-90 %. Nuk ndodh kund në botë, përveç se ne Shqipëri. Pra nëse ne trokasim në dyer, çelim jo vetëm derën, por edhe zemrën e tjetrit, ndaj ju ftoj; këto zgjedhje të bëjmë gjithçka për të zgjedhur Leonard Rakipajn qytetar të parë të Selenicës, për të përmbysur monizmin këtu në Selenicë, Vlorë dhe mbarë Shqipërinë.

Edi Rama është në një tmerr të vërtetë, në një frikë të jashtëzakonshme. E shihni ju se ku mbahet, në paterica, në pengje si Basha dhe Alibeaj. U them demokratëve të Selenicës dhe mbarë Shqipërisë, zhvillimet e fundit treguan se ata të cilëve të gjithë ne u dhamë besimin, nuk e merituan kurrë besimin tonë, ata e shkelmuan besimin tonë. Ata janë në lidhje krimi me Edi Ramën dhe lidhjet e krimit janë lidhjet më të tmerrshme të njeriut.

Unë ju garantoj ju se ata nuk çlirohen dot kurrë prej tyre.

Afera McGonigal tregoi qartë se çfarë tmerri ka Edi Rama nga opozita. Po çfarë dallimi ka Edi Rama sot nga babai i tij që firmoste varjen në litar të kundërshtarit të tij politik, Havzi Nelës.

Çfarë dallimi ka sot Edi Rama nga Spiro Koleka që kërkonte në dhjetor të vitit 1990, tu futeshin tanke dhe mitrolozëve studentëve si kundërshtarë. Edi Rama ndaj kundërshtarëve ka po atë armiqësi sa ata të dy, ndaj dhe kontrakton si vrasës me pagesë, kryezbuluesin e SHBA-së, një tradhtar të kombit të tij. Ndaj dhe merr peng Lulzim Bravën me dosjen e larjes së parave, merr peng Enkelejd Alibashën me krimet e vëllait dhe të vetes së tij.

Ne jemi këtu për të qëndruar deri në fund, për të deklaruar se kurrë krimi nuk do të na mposhtë ne.

Ne do të mposhtim Edi Ramën, bandën e tij, organizatën e tij kriminale.

Ne do të fitojmë.

Rroftë populli i Selenicës,

rroftë Vlora,

rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale