Berisha: Ne e kemi vënë përpara regjimin! Luftën do e fitojmë me kryengritjen tonë të qëndrueshme

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, deklaroi se vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm dhe se protesta e opozitës ka tronditur qeverinë në themel.

Berisha theksoi se reagimi qytetar ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të kryeministrit Rama, duke e akuzuar për përpjekje për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët përmes ndryshimeve ligjore dhe riformatimit të qeverisë. Ai e cilësoi riorganizimin e fundit të kabinetit si akt të papërgjegjshëm dhe pjesë të agonisë politike të mazhorancës. Sipas liderit demokrat, opozita ka arritur suksese të rëndësishme, por beteja nuk ka përfunduar dhe duhet të vazhdojë deri në largimin e qeverisë aktuale.

Berisha përmendi gjithashtu vizitën në Shqipëri të një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian, si edhe të përfaqësuesve të Partia Popullore Europiane, duke theksuar se ata kanë konstatuar problematika serioze dhe kanë shprehur mbështetje për opozitën.

Në sesionin pyetje–përgjigje me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha përsëriti thirrjen për vijimin e protestave dhe largimin e Edi Ramës nga pushteti.

Berisha theksoi se beteja e opozitës ka si objektiv kryesor dorëheqjen e kryeministrit, të cilin e akuzoi si kreun e organizatës kriminale, ndërsa deklaroi se protestat do të përshkallëzohen deri në arritjen e këtij qëllimi. Ai u shpreh se Partia Demokratike ka gati një platformë për daljen nga kriza politike, ekonomike dhe sociale, por kusht themelor mbetet largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike për zgjedhje të lira.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha foli edhe për emigracionin dhe largimin e të rinjve nga vendi, duke e cilësuar periudhën e qeverisjes së Ramës si “katastrofë demografike”. Ai premtoi politika për rikthimin e diasporës, mbështetje për studentët dhe konfiskim të pasurive të paligjshme të zyrtarëve, përmes një agjencie të posaçme.

Në përgjigje të pyetjeve mbi raportet me Serbinë dhe integrimin europian, Berisha akuzoi Ramën dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç për nisma që dëmtojnë integrimin e plotë të Shqipërisë në BE. Ai deklaroi se opozita ka si objektiv anëtarësimin me të drejta të plota në Bashkimin Europian, bazuar në standarde dhe shtet ligjor.

Kryetari i PD, Sali Berisha hodhi akuzoi edhe afera korruptivet, përfshirë projektin e Portit të Durrësit dhe çështje të tjera që janë nën hetim, duke theksuar implikim të drejtpërdrejtë të kryeministrit në dosje të prokurorisë.

Në përfundim të bashkëbisedimit, lideri demokrat u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në Tiranë për rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe ndryshimin politik në vend.

FJALA HYRËSE

Të dashur miq, jemi në një udhëkryq tejet të rrezikshëm.

Protesta jonë, kryengritja jonë paqësore ka tronditur në themele regjimin dhe ka pasur jehonën më të fuqishme në Europë dhe në botë.

Ka pasur jehonën më pozitive se të gjithë protestat që kemi organizuar ndonjëherë pasi në kushtet e një flagrance në vjedhje të kryeministrit, zëvendëses së tij, përpjekjet e tyre për grusht shteti, ne u treguam shqiptarëve dhe botës se opozita shqiptare është në këmbë, është e tëra kundër këtij regjimi dhe nuk pajtohet me të.

E them dhe e përsëris, ne mbrojtëm dinjitetin e këtij vendi, mbrojtëm dinjitetin e kombit tonë dhe bënë detyrën që kemi në misionin e shpëtimit të Shqipërisë.

Revolta tronditëse e qytetarëve shqiptarë vuri me shpatulla pas muri Edi Ramën.

Nxori në shesh para shqiptarëve dhe botës fytyrën e tij të vërtetë prej diktatori.

Pasi dështoi me grushtin e shtetit me Gjykatën Kushtetuese, ai përpiqet me ndryshime ligjesh të krijojë një mburojë për veten dhe bashkëhajdutët e tij në mënyrë që ligji të mos mund t’i dënojë, të vazhdojnë të qetë të vjedhin fondet dhe pasuritë publike.

Dhe po në këtë kontekst, ai bëri dje një riformatim të qeverisë me të cilin faktoi më shumë se çdo gjë tjetër se Lubia është vetë Rama.

Apo me fjalë të tjera, fuqinë e pakufishme të Lubisë mbi Ramën.

E marrë hua nga populli që thotë se u mbars mali dhe polli një mi, ne themi dështoi Lubia dhe populli 3 ministra dhe një zëvendësministër.

Akt më qesharak dhe më të papërgjegjshëm nuk ka pasi firmat e atyre që janë emëruar, janë në të gjitha dokumentet që Lubia koa firmosur me urdhër të Edi Ramës.

Pra, këta ministra janë për definicion anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të Lubi Ballukut në ofertat, tenderat dhe vjedhjet e saj.

Por përsëri është absolutisht e pamohueshme se pa protestën tuaj, pa revoltën tuaj dhe kryengritjen tuaj paqësore, këto nuk do mund të ndodhnin.

Këto përpjekje të Edi Ramës shënojnë agoninë, progresin e agonisë politike të tij.

Dëshmojnë se suksesin e opozitës në kilometrin e fundit të saj.

Por këto ftojnë që kjo betejë të vazhdojë me të gjithë forcat tona.

Në rast se ne, të themi se arritëm ta vëmë përpara regjimin, ne nuk kemi fituar ende luftën.

Lufta fitohet me kryengritjen tonë të qëndrueshme dhe unë kam besim tek shqiptarët se sot janë më të gatshëm se kurrë të ndahen me këtë regjim.

Të dashur miq, ditët që kaluan kishin disa zhvillime të tjera jashtëzakonisht pozitive për ne, për opozitën dhe për shqiptarët.

Në Shqipëri erdhi misioni faktmbledhës i Parlamentit Europian për të parë në vend gjendjen në Shqipëri.

Këta deputetë, të gjitha grupeve parlamentare të PE, pasqyruan dje dhe pardje, gjatë këtyre ditëve qëndrimet e tyre në mënyrë shumë të përgjegjshme dhe reale gjendjen në Shqipëri.

Mbi këto raporte dhe mbi këtë bazë, dje një raport për Shqipërinë paraqiti të gjithë problematikën e madhe të Shqipërisë.

Një raport tjetër po përgatitet për të damkosur Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Përveç kësaj, jeni dëshmitarë se gjatë kësaj jave në Shqipëri qëndroi për dy ditë misioni faktmbledhës i Partive Popullore Europiane, i përbërë nga përfaqësuesit e 30 partive politike anëtare të kësaj organizate, i kryesuar nga sekretarja e përgjithshme Dolors Montserrat dhe nënkryetarja e PPE.

Në takimet e tyre të shumta me PD, me median, me shoqërinë civile, ata gjetën një realitet shokues, duhet t’ua them, e vlerësuan shokuese gjendjen dhe na garantuan për mbështetje të fuqishme.

Na përgëzuan për qëndresën që bëjmë dhe na siguruan për mbështetje më të mëdha.

Ndërkohë sot në mëngjes, agjencitë e lajmeve njoftuan se forcat ajrore të Izraelit dhe të SHBA kanë bombarduar rezidencat dhe qendrat e udhëheqësve diktatoriale teokratikë të ajatollahëve të Iranit.

Le të urojmë që kenë marrë përgjigjen e merituar pasi ky regjim ka vrarë të rinj dhe të reja, qytetarë të vet, më shumë se çdo regjim i kohës së sotme.

Le të urojmë që të marrin ndëshkimin e merituar sepse prej kohësh e kanë merituar një ndëshkim të tillë.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME BASHKËBISEDUESIT

Aleks Kapllaj: Dëshiroj të falënderoj nga zemra të gjithë qëndrestar dhe protestuesit shqiptarë që po qëndrojnë përballë regjimit antishqiptar të Edi Ramës. Atyre u jemi mirënjohës gjithë jetën. Ju falënderoj për çdo gjë që po bëni për të shpëtuar Shqipërinë.

Sali Berisha: Jam shumë mirënjohës për mesazhin tuaj inkurajues. Është një betejë e vështirë, por është një mision i madh në të cilin po bashkohen çdo ditë e më shumë shqiptarët.

Dhe me këtë rast dua t’u rikujtoj shqiptarëve se kjo betejë nuk lidhej me Lubi Ballukun, në asnjë rast.

Kjo betejë lidhet me kreun e organizatës kriminale të qeverisë shqiptare që është Edi Rama.

Ndaj dhe ne këtë betejë do ta vazhdojmë gjersa Edi Rama të largohet nga pushteti.

Dorëheqja e tij dhe largimi i tij nga pushteti është kushti i të gjitha kushteve që Shqipëria të rigjejë paqen, të rikthejë zgjedhjet e lira dhe të ecë në rrugën e normalitetit.

Vis Bejleri: Doktor, a mendon se ka ardhur koha që PD të nxjerrë një platformë si do dalim nga një situatë ekonomike, sociale dhe politike, e kombinuar kjo me qeverinë teknike për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ta bëjmë Shqipërinë vend normal për të jetuar?

Sali Berisha: PD e ka të gatshme platformën dhe do nisë ta shpalosë me seriozitetin më të madh për t’u dhënë përgjigje të gjitha problemeve të mëdha me të cilat përballen sot shqiptarët.

Por, kushti i të gjitha kushteve që shqiptarët të ndjejnë një ndryshim që meritojnë është largimi i Edi Ramës.

Llesh Prendi: Dy fëmijët e mi u larguan në Venecia, vajza arkitekte dhe djali arkeolog erdhën në Shqipëri për të punuar dhe jetuar. Ishin vitet e para të qeverisë Rama. Por fatkeqësisht nuk arritën të punësohen. Më ther zemra se nipat e mi nuk kthehen më. I vrau pushteti ëndrrat e mia.

Sali Berisha: U përshëndes ju dhe fëmijët tuaj Llesh. Vitet 2014-2026 do shënohen në muret e historisë së këtij vendi si vitet e katastrofës më të madhe demografike.

Si vitet kur shqiptarët me politikat antishqiptare të Edi Ramës braktisën vendin e tyre si kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi.

Këto politika të shpunësimit të të rinjve, këto politika të vrasjes së shpresës, kanë dëmtuar rëndë ëndrrën, kanë vrarë ëndrrën e të rinjve shqiptarë për të ndërtuar këtë ëndërr në Shqipëri.

Shembulli më i gjallë janë fëmijët e tu, të cilët u shkolluan në shkollat më të mira të Italisë dhe u rikthyen për të ndërtuar ëndrrën në Shqipëri.

Por Edi Rama është vrasësi i ëndrrave.

Kështu që, largimi i këtij regjimi duhet të jetë objektivi absolut i yni dhe një politikë që do synojë qoftë kushte reale për të rinjtë shqiptarë në Shqipëri që të ndërtojnë ëndrrën e tyre me punësim, me kredi, me strehim, por edhe një përpjekje e madhe shumë për rikthimin e të rinjve shqiptarë që dëshirojnë të rikthehen dhe të investojnë në këtë vend, do jenë drejtime kryesore të politikës sonë.

Elion Kaja: Përshëndetje lider historik. A do të ketë rezistencë sonte? A do të vazhdojmë të përballemi me të gjitha për të gjitha se shqiptarët janë gati më shumë se kurrë për përballje dhe qëndresë?

Sali Berisha: Faleminderit dhe të përshëndes përzemërsisht.

Sigurisht që do ketë revoltë.

Kryengritja jonë paqësore do njohë dimensione të reja dhe është pandalshme gjer në largimin përfundimtar të Edi Ramës.

Dhe ju e patë se si në fjalën e tij tejkaloi edhe kohëzgjatjen e fjalimeve të Gedafit dhe Fidel Kastros në OKB.

Por në fakt, në qoftë se e rikthen pak, kishin përpara shqiptarët një kufomë politike të pakallur.

Kështu që ne do ta kallim atë dhe do i japim vendin që meriton.

Adi Fiku: Doktor, përshëndetje. Rama ka sulmuar Gjermaninë për shkak se ka shënjestruar korrupsionin e tij. Si mundet ta bëjë një kryeminsitër këtë ndaj një vendi që është motorri i Europës?

Sali Berisha: Edi Rama për interesat e tij kriminale është i aftë të sulmojë çdo vend dhe çdo njeri.

Dënoj me forcën më të madhe sulmet e tij ndaj një vendi, i cili i ka dhënë Shqipërisë gjer sot ndihma jashtëzakonisht të çmuara në mijëra projekte nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, mbi 1.5 miliardë euro ose më shumë.

Edi Rama nuk ka asnjë kriter tjetër as mirënjohje, as përgjegjësie përveç interesave të tij kriminale.

Është e vërtetë se autoritetet gjermane kërkojnë funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Po rikujtoj këtu vizitën e ministrit federal për ndihmën ekonomike Nibel. Duhet të ketë qenë viti 2009 ose 2010.

Inauguruam së bashku ujësjellësin e Beratit, financim i tyre dhe po pinim një kafe.

Ai kishte deklaruar për gazetarët se ne jemi të interesuar për konsolidimin e shtetit ligjor. Një deklaratë shumë normale.

Dhe më pyeti, zoti kryeministër, a u lëndova unë me këtë deklaratë.

Absolutisht aspak, çfarë kërkuat ju zoti ministër, ju kërkuat atë që është interesi i qytetarëve shqiptarë. Si mund të lëndohem unë kur ju kërkoni një gjë që është në interesin më të mirë të shqiptarëve.

Dhe ai më falënderoi dhe më tha se edhe për ne, kur i japim këto ndihma, që ua marrim taksapaguesve tanë, duhet të jemi të qetë se i jepet një vendi ku qytetarët bëhen edhe më të lirë dhe më të sigurt.

Tani, zhvillimi më i fundit siç e patë ju, ishte artikulli që shkroi me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç në Frankfurter Allgemine Zeitung.

Aleksandër Vuçiç, i akuzuar së fundmi për safarin, gjahun e qytetarëve myslimanë në Sarajevë, si snajper që shkonte dhe bënte gjah në vikende, mori argatin e tij për t’u paraqitur me një editorial të gjatë në Frankfurter Allgemine Zeitung.

Çfarë kërkonin dy kryetarët e organizatave kriminale më të rrezikshme të Europës, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç.

Po, po, Aleksandër Vuçiç është gjetur se ka lidhje me Bjelivukun apo Ujkun e Bardhë dhe bandën e tij, njerëz që thernin dhe bluanin mishrat e kundërshtarëve politikë në brigjet e Danubit, njësoj siç është Ergys Agasit i cili me pam-pam apo me pengmarrje zgjidhte të gjitha problemet e kopshtit privat të Edi Ramës.

Pra, këta bëjnë një kryeartikull, në të cilin i thonë Europës se nuk ka nevojë të jemi anëtarë me të drejta të plota në BE, sepse nënkuptohet rregullat nuk i zbatojnë dot, kriteret nuk i zbatojnë dot, por na jepni tregun.

Pra, me një fjalë, ky argat u rikthye tek Ballkani i Hapur, na jepni tregun e lirë.

U rikthye tek Ballkani i Hapur me të cilin ky shkatërroi përfundimisht ekonominë, bujqësinë shqiptare.

Nuk kishte akt më antishqiptar.

Bashkohet me aleatin e Putinit tani që e sheh se dera e Brukselit, dera e integrimit po i mbyllet për shkak të vjedhjeve të tij.

Ne jemi sot për t’i deklaruar Edi Ramës se opozita shqiptare ka dhe do ketë si ylli e saj polar integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Integrimin e bazuar në meritë, e bazuar në funksionimin e shtetit ligjor, e bazuar në kriteret dhe standardet demokratike.

Prandaj dhe përpiqu, bëj gati kërkesën për strehim politik në Beograd, por të garantoj se bashkë me të do përfundoni diku tjetër se edhe atij demokratët dhe populli shqiptar do i japë përgjigjen e merituar.

Alban Tirana: Përshëndetje Doktor, jam një socialist dhe më vjen shumë keq ku është katandisur PS e Fatos Nanos dhe shumë akademikëve dhe profesorëve që janë zëvendësuar me Zeqinetë e Ramës. Më vjen shumë keq për partinë time që e ka mbuluar krimi dhe korrupsioni.

Sali Berisha: Përshëndetje Alban, në vitin 2013, kur Edi Rama erdhi në pushtet pas një rotacioni, dëshmi e funksionimit të demokracisë, në parlament unë i jam drejtuar me këto fjalë: Lidhjet e tua me krimin janë universalisht të njohura, por qytetarët shqiptarë u votuan dhe do të thotë se u amnistuan për lidhjet që keni me krimin. Jam i sigurt se edhe Brukseli do të amnistojë, do të pranojë verdiktin e qytetarëve shqiptarë.

Por, gjithçka do të përcaktohet nga qëndrimi yt ndaj krimit të organizuar.

Do i presësh ti lidhjet me krimin dhe bandat, ky do jetë një zhvillim shumë i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Do i forcosh dhe do përdorësh pushtetin për t’i forcuar ato, kjo do jetë një tragjedi.

E vërteta është se, ai përdori të gjithë pushtetin e tij për të forcuar gjithnjë e më shumë lidhjet me bandat gjersa e shndërroi qeverinë e tij në një organizatë të mirëfilltë kriminale.

Ndaj dhe unë, ftoj çdo socialist të ndershëm që ka idealet e tij të bashkohemi të heqim këtë të keqe të madhe që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë në krye pas Enver Hoxhës.

Geraldina Kola: Doktor, çfarë do të thotë ky bashkëpunim i Ramës me Vuçiç dhe çfarë do të thotë anëtarësim në BE pa të drejtë vetoje, mos kërkojnë të lënë Kosovën jashtë?

Sali Berisha: Kjo është një platformë, ky është një urdhër që Rama mori nga Aleksandër Vuçiç, padroni i tij, që ka dosjen e Ramës dhe çdo gjë për ta mbajtur siç e mban, argat.

E vërteta është që edhe ajo pa të drejtë vetoje nuk është vetëm aq, por po t’i vësh re, këta kërkojnë tregun e lirë, pra Aleksandër Vuçiç kërkon Ballkanin e Hapur sepse Ballkanin e Hapur ia kundërshtoi në mënyrë të prerë BE kur u bë e qartë se ajo përfundoi në një aleancë serbo-maqedono-shqiptare, aleancë trilaterale.

Dhe atëherë Edi Ramës iu tha, zgjidh këtë ose atë.

Por ata kthehen prapë në vendin e krimit me këto kërkesa.

Pra shikoni se ku përfundon ëndrra shekullore e shqiptarëve me Edi Ramën.

Nuk ka nevojë të kemi veto, por kemi nevojë të kemi këtë. Pra kërkon Ballkanin e Hapur. Ky është thelbi i kërkesës së tij sepse për pushtetin e tij ai është i aftë të bëjë gjithçka.

Mos harroni se furtuna për Edi Rama është vetëm në fillimet e saj.

Kryengritja paqësore është në hapat e saj të para.

Reagimet e fuqishme ndërkombëtare janë edhe ato në hapat e parë.

Miqtë tanë, që pritëm këto ditë, na thanë se jemi të shokuar nga këto që dëgjuam dhe konstatuam në këtë vend.

Ndaj Edi Rama mund të marrë çdo vendim për të shpëtuar, por i mbyturi është i pashpresë dhe ne do ta çojmë atë aty ku e meriton.

Laert Vasili: Doktor, shumë mendojnë se Rama e lëshoi Ballukun, por në fakt shenjat janë se do bllokohet kërkesa e prokurorisë. Keni informacion në lidhjet me dosjet apo përgjimet që ka prokuroria, dhe a del aty implikimi i Ramës, se fundja ikën apo qëndron Balluku, nuk është se ndryshon gjë. Halli është Edi Rama.

Sali Berisha: Jam shumë dakord me ty, problemi kryesor është Edi Rama dhe vetëm Edi Rama.

Në dosjen e prokurorisë, nga 6500 mesazhe, rreth 4 mijë janë direkt të Edi Ramës.

Ai nuk e lëshon Belindën. Se ju e shihni, Lubia emëroi të gjithë kabinetin e saj në vend të saj.

Fuqia e saj janë dosjet që ka.

Fuqia e saj janë filmimet që ka, regjistrimet që ka.

Në këtë kontekst nuk ka peng dhe skllav të dikujt se sa është Rama i Lubi Ballukut.

Ndaj dhe ne si opozitë e kemi përqendruar të gjithë që në fillim sulmin dhe betejën tonë mbi Edi Ramën si kryetar i organizatës kriminale.

Albanian Americans: Doktor, e bukur ajo që nxorën Piranjat, duhen 80 vite që të mbarojë projekti i Alabarit në Durrës. 80 vite e kanë siguruar pastrimin e parave…

Sali Berisha: Në ligjin e nomenklaturës së vjetër, këta mendojnë për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve.

Dhe u garantoj që ajo parashikohet në Durrës nuk është gjë tjetër, veçse Dubai i 1001 netëve të Edi Ramës dhe enturazhit të tij mafioz.

Dosja prej 400 milionë eurosh e portit gjoja në Porto Romano u hap në prokurori.

Garantoj se ajo është vetëm fillimi.

Afera më e madhe korruptive sot në Europë është Porti i Durrësit që shkon në 4 miliardë euro.

Erion Çako: Përshëndetje Doktor, përse protestat nuk po përhapen edhe në qytetet e tjera?

Sali Berisha: Është taktika jonë, të falënderoj për pyetjen.

Ne besojmë se duhet të jenë të përqendruara në Tiranë, por edhe mund të përhapen, por kjo ka qenë taktika jonë.

Petrit Matija: Doktor përshëndetje, sot është protesta e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, a mendoni që sot të mos largohemi më nga bulevardi pa larguar Ramaduron?

Sali Berisha: Kërkesa dhe propozimi juaj është absolutisht i drejtë dhe ajo do ndodhë.

Por nuk mund të them se do ndodhë sot.

Por rruga e vetme e sigurt është kryengritja paqësore e vazhdueshme.

Luma Atdheu: Çfarë do të ndodhë me pasuritë e paluajtshme që janë zhvilluar këto 10 vitet e fundit nga korrupsioni dhe krimi? A keni bërë projektligj për këtë?

Sali Berisha: Ne po punojmë për një projektligj shumë të mirë dhe një agjenci kombëtare që do merret vetëm me gjuetinë, gjetjen, identifikimin e të gjitha pasurive të krimit të qeveritarëve, zyrtarëve shqiptarë dhe karteleve të lidhura me to.

Të gjitha do shndërrohen në fonde për të ndihmuar qytetarët për rrogat, pensionet, strehimin, etj.

Ana: Jam studente në vit të dytë të fakultetit. Kam filluar që në tetor, sot është shkurt, akoma lekët e bursave nuk janë ndarë. Marrim 15 mijë lekë të vjetra ndihmë ekonomike, qira për një garsionere që është 400 euro. Si do të bëhet halli ynë? Rrugët janë copë-copë, nga 700 që paguaja për Korçë, është bërë 10 mijë lekë të vjetra. Si do të bëhet halli me këtë qeveri hajdute, imorale dhe të papërgjegjshme?

Sali Berisha: Të falënderoj shumë dhe u përshëndes ju dhe të gjithë studentët. E vërteta është se kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet për të qenë qoftë edhe një orë në qeveri dhe e vetmja rrugë është të bashkohemi të gjithë, të rinj, studentë, të bashkohemi t’i japim duart kësaj kalbësire që po kundërmon sot në Shqipëri, në rajon, në Europë dhe në botë.

Shpëtimtare për kombin do të jetë një lëvizje e fuqishme e të rinjve së bashku me opozitën.

Energjia, guximi i të rinjve kanë ndarë epokat dhe kanë bërë historinë e këtij vendi.

Ndaj dhe uroj dhe ftoj çdo student në interesin më të mirë të tij, të familjes së tij dhe të ardhmes së tij, të ngrihet në këtë kryengritje paqësore në këtë mision të madh për të shpëtuar Shqipërinë.

Engjëll Gishti: Edhe dikur në vitin 2005, premtuat se ne të shkolluar në Perëndim do drejtonim Shqipërinë. Unë jam nga të parët e shkolluar në Perëndim në vitin 1988 dhe në vitin 2006 u ktheva, por askund nuk gjeta mbështetje nga qeveria juaj. Pse duhet t’u besojmë sot?

Sali Berisha: Të falënderoj Engjëll! Por unë mund të them një gjë, qeveria ime, kur erdhi në pushtet, gjeti se në administratën shtetërore kishte vetëm 1.6% të shkolluar jashtë vendit dhe me ato masa që përcaktuam, me një shtesë në rroga, me një bonus për strehimin, me punësimin dhe lehtësime të tjera ne arritëm që numri i të shkolluarve në Perëndim në administratë të arrijë në 22%. Përveç kësaj, unë ndjej keqardhje që ju nuk keni përfituar dot nga këto masa.

Por përveç kësaj, në vitin 2005, në universitete kishte gjithsej 6 mijë pedagogë dhe asistentë. Ne arritëm me hapjen e universiteteve të reja, me hapjen e programeve të reja, degëve të reja, që numri i pedagogëve dhe studentëve të arrijë në rreth 11.300, pra pothuaj të dyfishohet.

Dhe kjo u bë në tërësi me të rinj dhe të reja nga jashtë vendit.

Ka pasur një politikë aktive në këtë drejtim, ndjej keqardhje që ju nuk keni përfituar, por qëllimi ka qenë të përfitoni.

Dhe siguroj se ne do i kthehemi fuqishëm kësaj politike.

Mund të them se edhe në qeveri, edhe në drejtim, kjo kategori zuri vende shumë të rëndësishme dhe do zërë përsëri vende të rëndësishme.

Ergysi: Doktor, si ishte puna e videove të Gysit? Thonë se e kishte kthyer zyrën në një lloj Epsteini?

Sali Berisha: Po, e vërtetë, degradimi ishte në shkallë ekstreme që ta dinë shqiptarët dhe aty janë një kamion me video dhe fotografi nga më të turpshmet në të cilat janë të implikuar nga Edi Rama gjer në një nivel tjetër.

Ajo zyrë është frekuentuar rregullisht nga gjykatës, nga prokurorë, nga kryepolicë, nga ministra, mbiministra, e me radhë.

Ajo zyrë me arkivin e saj do mbetet në historinë e këtij vendi turpi më i madh.

Ndaj, unë kam kërkuar dhe kërkoj që ato dokumente të publikohen.

Por po të publikohen ato, Edi Rama nuk del nga shtëpia se çfarë ka direkt për të.

Ndaj të dalë, t’i publikojë.

Ato do publikohen se ato janë, ekzistojnë. Por fatkeqësia është se parlamenti dhe Edi Rama nuk pranon.

Berti: Doktor, e ke parë sa i ecën këtij të gjatit, sa herë është keq, ndodh ndonjë gjë si puna e Iranit. Fat qeni ka…

Sali Berisha: Kjo e tmerron atë, se kjo që po ndodh me Iranin është një goditje e merituar e diktaturës teokratike, kurrë miku im mos ndjej keqardhje kur goditen diktatorët.

Ky regjim vetëm dy muajt e fundit ka vrarë 5 mijë të rinj, ndoshta edhe më shumë.

Tani, çdo diktator tronditet kur sheh fatin e diktatorit tjetër.

Unë them se do vijë kush ta qëllojë me Tomahauk, jo, jo, jemi ne qytetarët shqiptarë që do i japim vendin që meriton atij.

Edil Pirra: Me zhvlerësimin e madh, çalimin e madh në mjekësi, agrikulturë dhe ngritja në stratosferë e çmimeve të apartamenteve, bëhet edhe më e pamundur kthimi në atdhe. Cila do jetë strategjia për të marrë besimin e diasporës?

Sali Berisha: Ke ngritur një çështje themelore, çështje e cila po shkatërron ekonominë dhe qenien shqiptare dhe ky është narkoshteti.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë, i vetmi vend, në të cilin euro zhvlerësohet, kurse në vendet e tjera ka vlerësime minimale.

Në Shqipëri, euro është zhvlerësuar 35%.

Çfarë ka sjellë kjo?

Kjo ka sjellë goditjen masive të eksporteve pasi eksportuesit shqiptarë llogaritë i kanë me euro. Imagjinoje ti, ai që eksporton me euro, po këtu euro këmbehet nga 135 lekë që ishte, këmbehet me 96 lekë, ai falimenton.

Po kështu turizmi, se njerëzit dëgjojnë të ardhurat e aeroportit të Rinasit, të cilat nuk janë turizëm se plazhet tona edhe në korrik, edhe në gusht janë të paktën gjysëm ose çerek bosh.

Ka rënie dramatike turizmi.

Sepse turisti që më parë paguante për këtë mall 100 euro, tani duhet të paguajë 130 euro.

Krahas kësaj, ju jetoni në Itali, një shishe ujë në Shqipëri kushton dy herë më shtrenjtë se në Itali.

Të gjitha çmimet janë rritur dhe ky është efekti i narkoeurove.

Shpërbërja e narkoshtetit, përmbysja e narkoshtetit, prerja me gërshërët e ligjit të gjitha burimeve të parave të drogës është shpëtimit i Shqipërisë, shpëtimi i ekonomisë shqiptare, i eksporteve shqiptare dhe punësimit në Shqipëri.

Ndaj, dhe duke përfunduar këtë bisedë, ftoj çdo qytetar të bashkohet në këtë kryengritje paqësore.

Të bashkohet në këtë mision, i cili do jetë misioni më i çmuar i jetës së tij.

Misioni që do e bëjë krenar atë dhe fëmijët e tij.

Misioni i shpëtimit të Shqipërisë nga kjo rrokullisje e madhe, nga kjo boshatisje e tmerrshme që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1300, nga kjo damkosje e zezë e emrit.

Nga vendi në të cilin qytetarët vidhen ditë e natë nga qeveritarët, por kreu i organizatës kriminale tani do bëjë ligje mburojë për të mbrojtur vjedhjen, për të dekriminalizuar vjedhjen, për të asgjësuar drejtësinë.

Të bashkohemi me besim se sa më shumë të bashkohemi, aq më tepër i shkurtojmë ditët këtij regjimi.

Nuk është bashkim për Sali Berishën, nuk është bashkim për PD, nuk është bashkim për opozitën, është absolutisht bashkim për shpëtimin e Shqipërië.

Është bashkim për shpëtimin e ëndrrës të çdo shqiptari, për shpëtimin e dinjitetit të çdo shqiptari.

Për rikthimin e zgjedhjeve të lira.

Le të bëjmë zgjedhje të lira ne, siç bën Kosova, e cila ka një rrugë 18-vjeçare në demokraci dhe shkëlqen si shembull me proceset demokratike.

Ndaj le të bashkohemi pavarësisht nga bindjet politike, njerëz që duam të jetojmë me djersën tonë, njerëz që i themi Shqipërisë, Shqipëri, dhe që e duam vendin.

Të bashkohemi në këtë kryengritje paqësore për të rrëzuar këtë regjim një mnutë e më parë, një qeveri teknike, zgjedhje të lira, të votojnë të gjithë për ata që duan, jo nën presionin e patronazhistit terrorist, jo nën presionin e trafikantëve, vrasësve dhe kriminelëve.

Jo nën frikën dhe as në mashtrimin e medieve të paguara nga qeveria.

E patë se si doli nga SPAK-u Sokol Balla, i divorcuar 20 vite më parë nga Lubia, por vazhdonte bashkëvjedhjen me të.

Thuhet se të paktën 10 milionë euro i ka transferuar Lubia tek ai.

E mora këtë si shembull, se po kaq janë Bolino dhe të tjerët.

Pra, të shpëtojmë nga kjo gjendje, nga kjo administratë, nga kjo amalgamë mafioze qeveritaro-mediatike që po shkatërron çdo ditë qenien shqiptare.

Sot, në ora 6, të gjithë të marshojmë rrugëve të Tiranës në kryengritjen tonë paqësore.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale