Berisha: Ne do i japim përgjigjen e merituar mafies më të urryer ndërkombëtare të Xhorxh Sorosit

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, akuzoi Arben Ndokën për atentatin e ndodhur para shkollës në Lezhë. Berisha tha në fjalën e tij, se ata që bërë atentatin janë të njëjtët njerëz që i zunë pritë dhe Salvador Kaçit.

Gjatë fjalës në tubimin qytetar në rrugën e Shpresës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar Taulant Ballën si të përfshirë në krime. Berisha theksoi se, gjyqi ndaj Gentian Sharrës, një prej pjesëtarëve të dosjes ‘Plumbi i Artë’, po shtyhet sepse në atë dosje ka dokumente shkatërrimtare për Taulant Ballën.

Në fjalën e tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur edhe për djegien e spitalit të Urgjencës, të sapo ndërtuar. Berisha tha se, kjo ngjarje nuk hetohet sepse prokurorët e krimit manipulojnë çdo dosje për interesa të Edi Ramës.

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk ka gjë më dramatike se të lesh për 10 vite pa rritur pensionet dhe të rritësh me 100 % rrogat e zyrtarëve.

Në fund të fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se, demokratët do ti japin përgjigjen e merituar mafies më të urryer ndërkombëtare të Xhorxh Sorosit.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju misionarëve të të vërtetës, misionarëve të dinjitetit njerëzor.

Shpreh mirënjohje të pakufishme që me qëndresën tuaj të përnatshme, ndriçoni, shpërndani dritë dhe shpresë në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve.

Me praninë tuaj, me fjalët tuaja, ju tejshponi vellon e zezë të territ me të cilin narkodiktatura fsheh krimet e saj të përditshme.

Miqtë e mi!

Në këtë regjim të urryer për çdo njeri që i beson lirisë dhe dinjitetit njerëzor, vrasja, plumbat, breshëritë nga pushtetarët fshihen njëlloj si në kohërat më të errëta të diktaturës komuniste.

Vetëm 4-5 ditë më parë, në Lezhë u shkrehën breshëri ndaj një qytetari me mbiemër Puka.

Këto breshëri u shkrehën nga drejtori i Policisë Bashkiake, nga një akraba e afër e kryebosit të krimit të Lezhës, Arben Ndokës.

U shkrehën nga ata kriminelë që i dolën para, i zunë pritë, e morën në shenjë Salvator Kaçin dhe djalin e tij ditën e zgjedhjeve.

Çfarë ndodhi thoni ju?

Policia me Bashkinë, në garë për të fshehur para qytetarëve shqiptarë vrasjen, krimin.

Çfarë më rikujtoi kjo mua? Më rikujtoi kohërat më të zeza në diktaturë kur diktatori ose mëkëmbësi i tij, përdornin si zagarë për gjah oficerët, dhe kishte rastisur që çiftja apo pushka të shkrehej mbi ta dhe jo mbi gjahun që ata ndiqnin.

Fshihej, pëshpëritej, por gjyq nuk zhvillohej kurrë.

A nuk është kjo e njëjtë? Afër një shkolle u qëllua një qytetar dhe hapat e parë u bënë të fshihej.

Po pse të fshihej? Sepse krimineli që qëlloi ishte zyrtar. Dhe jo vetëm zyrtar, por edhe i afërm i Arben Ndokës.

Lexoni pak dosjen Metamorfoza dhe shikoni ju se si jeton Dumani dhe Kraja.

Në atë dosje, e zezë mbi të bardhë shkruhet se sipas Denis Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, Beni, fjala është për Arbenin, na ndihmoi shumë.

Po me çfarë? Me nxjerrjet në pritë të gjahut të radhës të qytetarit të vrarë diku në rrugët e Torovicës.

Pra, ju e shihni se cili është regjimi.

Pak kohë më parë, kryetari i PS, partisë së krimit në Elbasan, grushtoi si kafshë një roje shkolle.

Po ai ishte mik i ngushtë i Taulant Ballës, Taulant Bego Yaris. Ishte vetëm reagimi i opinionit publik që i detyroi të arrestojnë banditin, sepse fillimisht bënë gjithçka për të fshehur krimin.

Ka një gjyq dhe ky është gjyqi i Gentian Sharrës.

Gentian Sharra është mik me kokë i Taulant Ballës. Në dosjen e Skapit faqezi të partisë, ekzistojnë, ua them unë me përgjegjësi të plotë, kilometra të tëra biseda, ndërhyrje të Taulant Ballës që bashkëshortja e Gentian Sharrës të fitojë tenderat.

Ekzistojnë akuza për implikime nga më të tmerrshmet.

Çfarë po ndodh me këtë gjyq miq?

Në këtë gjyq, i cili ka dosjen me dokumente shkatërrimtare për kriminelin Taulant Balla, gjyqtarët njëri pas tjetrit, japin dorëheqjen.

Detyrohen të marrin gjyqtarë nga rrethet për të krijuar trupën gjykuese.

Çfarë ndodh? Misteri përsëri. Meqenëse avokati i çështjes rastisi të jetë një njeri me integritet dhe natyrisht po të kapte dosjen në dorë, do të gjente Taulantin, në mënyrë të befasishme, pa asnjë motiv, gjykatësja me urdhër e përjashton avokatin nga mbrojtja.

Dhe gjyqi shtyhet për kalendar greke gjersa të dalë dikush të pastrojë plotësisht dosjen në të cilën Taulant Balla, njëlloj si në rastin e avokatit Gurra, përmendet për krime të shëmtuara.

Të gjitha këto kryhen nga segmentet e krimit në pushtet.

Imagjinoni ju se sa kushton jeta juaj në qoftë se me ju merren vrasësit e lidhur me qeverinë.

Të dashur miq!

Para jush kam denoncuar djegien shumë milionëshe, të qëllimshme të spitalit të sapondërtuar, të inauguruar disa muaj më parë.

Sot, të sëmurët nuk kryejnë më asnjë ekzaminim, por shpërndahen në të katër anët e Tiranës.

Meqenëse ministrja, meqenëse drejtoresha janë njerëz të pushtetit, gjer sot nuk ka asnjë të fajësuar për zjarrin e rënë dy herë në objekt, për djegien e miliona e miliona eurove.

Gjithçka mbulohet nga errësira.

Gjithçka mbulohet nga prokurorët e krimit.

Më kriminelë se sa ata që rrinë skutave, sepse atyre qytetari, atyre ligji u ka besuar institucionin e akuzës.

Të dashur miq!

Sot ju jeni qytetarët më të pambrojtur në Europë dhe botë, sepse lista dhe vendimet, lista për ata që do gjykohen dhe vendimet merren në zyrat e kreut të Meduzës.

Por a ka liri, a ka të ardhme, a ka zhvillim për një shoqëri pa drejtësi?

Jo dhe jo!

Ndaj dhe solla këtu vetëm disa raste.

Me dhjetëra dhe qindra të tjera mund të sjell para jush.

Sot ju keni prokurorë, keni gjykatës të aftë të kryejnë çdo krim me gjakftohtësi.

Të falsifikojnë, të manipulojnë çdo dosje për interesa të krimit dhe Edi Ramës.

Ju jeni qëndrestarë, qëndrestarë të të vërtetës.

Ju garantoj se rrallë ndonjëherë në histori mund të ketë pasur njerëz që të kenë zhvilluar një betejë më epike, më të rëndësishme, më të jashtëzakonshme se kjo që po zhvilloni ju sot.

Krahas aleancës me krimin, e cila është e gjithëpushtetshme mbi jetën e qytetarëve, e gjithëpushtetshme mbi jetën e bizneseve, e gjithëpushtetshme në jetën e vendit, organizata kriminale qeveri me në krye Edi Ramën po përdor tiraninë e varfërisë kundër jush, kundër qytetarëve të thjeshtë.

Të dashur miq!

Parafolës këtu theksuan çështjen e rrogave dhe të pensioneve.

A ka gjë më dramatike se sa ngrirja e pensioneve për 10 vite me radhë, në një kohë kur çmimet jo gjatë 10 viteve, por vetëm 4 vitet e fundit, janë rritur me 40 përqind.

Pensionet e 670 mijë burrave dhe grave, që kanë shkrirë jetën e tyre për një Shqipëri tjetër, kanë mbetur aty ku ishin.

A nuk është kjo një qëndrim çnjerëzor, një përçmim ekstrem ndaj këtyre burrave dhe grave si qenie njerëzor, ndaj dinjitetit të tyre?

A nuk është kjo një grabitje e tmerrshme në kurriz të tyre?

Por çfarë ndodhi, cila është arsyeja që të ngrihen pensionet, që të ketë zero rritje pensione për 10 vite?

Për ç’motiv, ku e bazon Edi Rama këtë pashpirtësi ekstreme?

Mungojnë paratë? Jo, absolutisht. Jo dhe jo.

Në vitet 2005-2013, pensionet e ulëta u dyfishuan. Pensionet e tjera u rritën me 80 përqind, ndërkohë me fonde publike u ndërtuan dhe u rindërtuan 11 mijë kilometra rrugë, u ndërtuan dhe rindërtuan 1300 shkolla, u dyfishuan rrogat e punonjësve.

Atëherë çfarë ndodh, në një kohë kur taksat ky regjim i dyfishoi, ku shkojnë këto para?

Këto para vidhen dhe vetëm vidhen.

Prandaj të dashur pensionistë, mendoni njëherë për veten tuaj.

Pavarësisht nga botëkuptimi që mund të kemi, por t’u lësh ju sot me zero rritje pensioni dhe të rrisësh 100 përqind rrogat e ministrave, deputetëve, zyrtarëve të lartë, a nuk është kjo një krim i shëmtuar, a nuk është kjo t’u përcjellin ju sa më parë nga kjo botë për mungesë ilaçesh dhe ushqimi.

Miqtë e mi!

Po nëse rrogat e ofiqarëve të lartë u rritën 80 gjer në 100 përqind, sa u rritën o qytetarë, rrogat e shërbëtorëve tuaj në arsim apo shëndetësi?

Ato u rritën nga 0.3 gjer në 7 përqind. Dhe tani së fundmi profesionet e lira, edhe këta të gjithë shërbëtorët tuaj, iu vendos taksa e re 23 përqind. Në mënyrë që këta të ikin, të ikin dhe vetëm të ikin.

Të dashur qytetarë shqiptarë.

Në këto kushte kur vritesh nga shteti dhe krimi fshihet.

Në këto kushte kur vidhesh në mënyrë të tmerrshme nga qeveritarët dhe vjedhjet nuk ndëshkohet.

Në këto kushte kur drejtësia kontrollohet tërësisht nga bota e krimit, ryshfetit dhe Edi Rama.

Në këto kushte kur vota jote nuk ka asnjë vlerë sepse Edi Rama rotacionin nuk pranon.

Të mbetet vetëm një rrugë, betejë pa kthim, o sot o kurrë, të përmbysim këtë diktaturë, të krijojmë qeveri teknike, të ecim drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Të marrim në dorë fatin tonë, të mos lejojmë më të shkelmohet fati dhe e ardhmja jonë nga armiqtë e egër të saj, nga ata të cilët vjedhin dhe varfërojnë çdo ditë shqiptarët.

Nga ata të cilët krijojnë kushtet për largimin e tyre nga Shqipëria.

Nga mafia e urryer ndërkombëtare, çnjerëzore që iu vërsul, e Xhorxh Sorosit, McGonigalit, korruptorëve të tjerë, që iu vërsul në një barbari kundër opozitës shqiptare për të lënë Shqipërinë pa opozitë, për të vrarë shpresën e shqiptarëve, për të mbajtur në pushtet kryekryeminelin, kryehajdutin që shqiptarët kanë pasur në të gjitha kohërat, Edi Ramën.

Le t’i japim ne përgjigjen e merituar, o sot o kurrë, në betejë poa kthim.

Rrofshi ju, rroftë opozita shqiptare, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale