Berisha: Në datën 29 protestë në të gjithë Shqipërinë. Ta paralizojmë këtë regjim!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KRYESINË E PD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë mbledhjes me Kryesinë e PD, e ka dënuar ashpër arrestimin e Ilir Metës, duke e cilësuar si një akt burracak dhe terrorist nga ana e kryeministrit Edi Rama. Berisha e akuzon Ramën për përdorimin e forcës për të rrëmbyer dhe zvarritur një ish-president, ish-kryeministër dhe lider të opozitës.

Ai e krahason Ramën me babanë e tij, të cilin e quan “xhelat,” duke i referuar ekzekutimit të Havzi Nelës, një kundërshtar politik. Berisha gjithashtu vlerëson rolin historik të Metës në mbrojtjen e Kushtetutës dhe pluralizmit, sidomos gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i PD, Sali Berisha i është drejtuar me tone të ashpra Edi Ramës duke shtuar se ai qendron pas skemave kriminale që përfshijnë individë si Jurgis Çyrbja dhe organizata mafioze. Berisha tha se, Rama ka përdorur metoda të ulëta morale dhe banda kriminale për të shkatërruar Ilir Metën dhe partinë e tij. Lideri demokrat, Sali Berisha e përshkruan Çyrbjen si përfaqësuesin e vërtetë të Ramës dhe e lidh atë me krime të rënda, si ndarja e trupit të Jan Prengës. Ai gjithashtu akuzon Ramën dhe vëllain e tij, Olsi Rama, për lidhje me organizata kriminale ndërkombëtare.

Gjatë fjalimit të tij në mbledhjen me Kryesinë e PD, Lideri historik i PD, Sali Berisha thekson se përballja me regjimin e Edi Ramës dhe strukturat e tij kriminale kërkon guxim dhe vendosmëri nga opozita dhe qytetarët. Ai përmend se ndonëse përballjet janë dramatike, ato duhet të shërbejnë si një thirrje për mosbindje civile dhe luftë të vazhdueshme kundër kësaj qeverie. Berisha u shpreh mbi për manipulimet dhe propagandën e egër të Ramës, krahasuar me diktaturat staliniste, dhe nxit opozitën që të marrë udhëheqjen dhe të frymëzojë qytetarët për të përballuar këtë regjim.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka njoftuar gjatë mbledhjes së Kryesisë se, më 29 tetor do të organizohet një protestë masive në mbarë Shqipërinë, me synimin për të paralizuar regjimin e Edi Ramës.

Berisha i bën thirrje qytetarëve dhe bizneseve të bashkohen, duke sakrifikuar për të fituar më shumë pas fitores së betejës. Ai inkurajon të rinjtë dhe opozitarët të ngrihen kundër regjimit dhe t’i rezistojnë frikësimit, duke paguar çmimin e guximit të tyre, siç ka bërë edhe Ervin Salianji. Berisha thekson se koha për veprim është tani, dhe se opozita duhet të udhëheqë me përkushtim dhe vendosmëri.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma z.Noka, zotërinj drejtues të PD, anëtare dhe anëtarë të kësaj kryesie, demokrate e demokratë, opozitarë e opozitare kudo që jeni.

Kjo mbledhje kryesie e thirrur ditë më parë mblidhet sot në një moment, në një ditë, në të cilën regjimi, narko-regjimi i Edi Ramës kreu një akt terrorist të vërtet.

Rrëmbeu në mes të rrugës, tërhoqi zvarrë dhe goditi me urdhër të Edi Ramës, ish-presidentin, ish-kryeministrin, ish-kryetarin e Parlamentit, kryetarin e partisë së dytë më të madhe opozitare, z.Ilir Meta, e gjitha kjo si person nën hetim.

Edi Rama, me këtë akt prej burracaku, prej frikacaku dëshmoi se në shpirtin e tij nuk ka asnjë dallim nga i ati xhelat që i tmerruar nga vargjet e Havzi Nelës firmoste varjen e tij në litar si kundërshtar politik.

Të nxjerrësh një bandë me uniformë, të rrëmbejnë, të zvarrisin, të godasin njërin nga personalitetet me karrierë më të gjatë politike, i cili në rininë e tij bëri aq sa kishte mundësi për një orientim europian të partisë së krimit.

Në periudha tjera, veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dha kontribut thelbësor në përballimin e krizës, qendroi në detyrën e presidentit në mbrojtje të Kushtetutës dhe pluralizmit.

Edi Rama ka bërë gjithçka që të shkatërrojë Ilir Metën dhe partinë e tij që themeloi. Ai ka përdorur standartet më të ulëtat morale të individit. Ai ka përdorur makinacionet me bandat vrastare. Ai përdori mercenarët e Skapit me qëllimin e vetëm, të zhdukë Partinë e Lirisë.

Sot, unë u them të gjithë atyre që kanë votuar Ilir Metën nga viti ’92 gjer sot, se kjo që ndodhi sot me Ilir Metën, ndodhi vetëm për shkak të besimit të tyre ndaj tij, ndaj qendrimeve të tij dhe urrejtjes së papërmbajtur të një njeriu, edhe njëherë të standarteve më të ulëta morale, njerëzore në politikën shqiptare, Edi Ramës.

Kjo që ndodhi sot, ishte e paralajmëruar në mënyrë të përsëritur nga vet Edi Rama. Dhe momenti u zgjodh për të mbuluar në një mënyrë, ose në një tjetër zbulimin se  numri 2 në listën e Durrësit, Jurgis Çyrbja, i vendosur fill pas të parit në gjini ishte një kriminel i sponsorizuar nga jëra nga dy shtëpitë më të rrezikshme të mafiozëve të Durrësit dhe të të gjithë Shqipërisë, Avdylajt.

Ishte një kriminel që fshihte, mbronte, strehonte një xhelat, një kasap të vërtet, që ndau në pjesë trupin e Jan Prengës, të rrëmbyer nga banda e Çyrbjes dhe Edi Ramës.

Çyrbja, që është fytyra e vërtet e Edi Ramës, u dëshmon shqiptarëve se ata që vrasin njerëz, ata që copëtojnë trupa njerëz ata kanë si strehë pushtetin aktual.

Por dua të them këtu edhe njëherë, se më shumë se Çyrbja është Taulant Balla. Ështrë ky kriminel që Altin Hajrat që i vendosën Lulzim Kullës tritolin që i vendosën për ta ekzekutuar në mes të ditës në mes të qytetit, vrapoi t’i lironte me Vat Stakën, dhe i liroi.

Njëri është minitër, tjetri është anëtar i KLP-së.

Çyrbja është vërtet fytyra e kësaj partie, por më e zezë se kjo fytyrë është vet Edi Rama, i cili në bisedat e tij me SKY/EÇ, Encrochat dëshmon se është një bashkëpunëtor kryesor me organizatat më të rrezikshme të Europës dhe të botës.

Në këto përmasa është Olsi Rama, një kriminel tjetër, eksponent kryesor i bandës ‘Hakmarrja për drejtësi’, klanit shqiptaro-kolumbian të Xibrakës.

Të dashur miq, këto zhvillime pavarësisht nga unikaliteti i tyre, nga dramaticiteti i tyre për çdo opozitare dhe opozitar, për çdo demokrate dhe demokrat, për të gjithë ne janë një kushtrim, janë një thirrje për t’u përballur dhëmbë për dhëmbë me këtë organizatë kriminale që kryesohet nga Edi Rama dhe bandat e tij në institucionet shtetërore.

Ne e nisëm këtë betejë, ne nuk prisnim. Edi Rama na shpalli luftë, ne i përgjigjemi. Por kjo betejë kërkon vazhdimin intensiv të saj.

Kjo betejë kërkon udhëheqje nga ana juaj, të demokrateve, demokratëve dhe mbështetësve tanë në një mosbindje civile për të shpëtuar këtë vend.

Para syve, para kamerave, publikut shqiptar dhe të botës ndodhin akte të cilat edhe në diktaturë nuk ishin kaq publike. Qëllimi i tyre kryesor është të frikësojnë qytetarët. Detyra jonë është t’i inkurajojmë, t’u japim zemër, të dalim vet në krye, të japim shembullin tonë.

Të paguajmë çdo çmim, të gatshëm për çdo çmim dhe t’i japim përgjigjen e merituar këtij regjimi.

Të dashur qytetarë dhe dhe qytetare!

Një propagandë toksike e llojit mafioz që tejkalon apo barazon me propagandën më të egër të diktaturës staliniste derdhet çdo ditë mbi ju.

Se cilat janë zgjedhjet me Edi Ramën, mos harroni kurrë skenat te kthesa e Kamzës, të cilat duhet t’i themi, nuk i bën as Putini, as Lukashenko. Nuk i bën njeri në Europë. Të jemi të sinqertë, nuk i bënte diktatura kaq publike.

Pra, këto skena kaq publike janë thirrje për ne, thirrje për guximin tonë, janë thirrje për qytetarët: të ngrihemi me të gjitha mjetet e mosbindjes civile!

Prova e përgjithshme ishte e shkëlqyer. Fati i Shqipërisë varet nga vazhdimi i saj. Opozita duhet të bëjë atë që nuk e ka bërë gjer sot, të udhëheqë me guxim, të udhëheqë me vendosmëri.

Qytëtarët në këtë përballje, me pushtetarë, me banda dhe me çdo gjë, me drogë dhe me çfarë ka kjo qeveri.

Unë u garantoj ju, se nuk ka asnjë nga armët e regjimit, asnjë nga bandat e regjimit, asnëj nga degët e krimit të tij nuk mund t’i rezistojë trimërisë, guximit dhe protestës qytetare.

Koha është veprim dhe vetëm veprim!

Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë qytetarët në rang qarku për paralizën e plotë të këtij regjimi. Ftojmë qytetarët të bashkohen me ne.

Unë u them qytetarëve, se në këtë betejë secili duhet të sakrifikojë diçka, secili edhe mund të humbasë diçka, por pas fitores së saj fiton shumë herë më tepër.

Unë u bëj thirrje bizneseve të përdorin qepenat e tyre për t’i treguar diktaturës së ju nuk mposhteni kurrë. Të përdorin qepenat e tyre për t’i treguar diktaturës se ju jeni të gatshëm të zbrisni në shesh bashkë me qytetarët.

Unë u bëj thirrje, veçanërisht të rinjve, të rejave që nuk mund të pajtohen kurrë me skena të tilla që panë sot, të ngrihen.

Unë u them atyre e sot Shqipëria në mediat e mbarë botës është vendi më i shëmtuar. Akte të tilla nuk përcjell as Korea e Veriut, i bën me më kujdes.

Ndaj dhe, le të ngrihemi të gjithë dhe pas datës 29, data tjetër është shumë e afërt, gjer sa të kalojmë në formën e pandërprerë të kësaj qëndrese.

Unë kam bindjen më të thellë, se asgjë nuk mund t’i rezistojë zemërimit tonë. Të mos harrojmë, të jemi të gatshëm, secili nga ne të paguajë çmim për guximin tonë.

Ervin Salianji, është sot në burg sepse po paguan çmimin e guximit të tij qytetar dhe politikan. Denoncoi vëllain kriminel të ministrit kriminel që drejtonte trafiqet në Vlorë, dhe bënte bixhozin me vëllanë e Edi Ramës.

Pra, secili nga ne duhet të jetë i gatshëm të paguajë çmimin e guximit. Të sakrifikojmë dhe të shpëtojmë vendin tonë. Mos prisni kurrë që të tjerë do vijnë të qendrojnë për ne.

Janë opozitarët shqiptarë ata të cilët kanë meritën e madhe, kanë vullnetin dhe vendosmërinë për t’u ngritur. Janë ata që iu rezistuan përpjekjeve për t’i asgjësuar dhe sot vijmë më të fortë se asnjëherë.

Ndaj edhe koha nuk është e fjalëve. Koha është e veprimit.

Zotërinj, drejtues të PD kërkohet përkushtim i juaji më i madh jetës suaj. T’u prijmë qytetarëve, t’u prijmë demokrateve e demokratëve në këtë betejë vendimtare.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale