PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BRUKSEL
EKSTRAKT
Gjatë një prononcimi për mediat, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, komentoi nga Brukseli raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili kritikon ashpër qeverinë e Edi Ramës për shkelje të parimeve të shtetit ligjor dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Berisha theksoi se ky raport denoncon ndërhyrjen politike në sistemin e drejtësisë dhe përmend një stok të madh dosjesh që vërtetojnë mungesën e një procesi ligjor të drejtë për shqiptarët.
Në lidhje me zgjedhjet e 11 majit 2025, Berisha theksoi se raporti i përbashkët i OSBE/ODIHR dhe institucioneve ndërkombëtare e konsideron procesin zgjedhor si një farsë elektorale, duke akuzuar qeverinë për përdorimin e burimeve shtetërore për të dominuar zgjedhjet.
Raporti gjithashtu denoncon përfshirjen e ministres Olta Xhaçka dhe Edi Ramës në aferat korruptive, si dhe nënvizon dështimin e Parlamentit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, kritikohet ligji i investimeve strategjike, i cili ka mundësuar abuzime me pronat e qytetarëve shqiptarë.
Lideri Opozitar, Sali Berisha e konsideron këtë raport si një moment kritik për qeverinë e Edi Ramës, duke e quajtur atë një “Vaterlo” të tij.
Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu mirënjohjen për deputetët e Komisionit të Jashtëm që mbështetën denoncimet ndaj regjimit të Edi Ramës, përfshirë kryetarin McAllister dhe koordinatorin e grupit të PPE, zoti Gahler. Ai theksoi se gjatë një takimi në Asamblenë Politike të PPE u diskutua në mënyrë të thelluar për farsën elektorale të 11 majit 2025 dhe për ndikimin e krimit të organizuar në zgjedhje, duke mbështetur plotësisht raportin e OSBE/ODIHR.
Lideri demokrat, Sali Berisha zbuloi se një nga qëllimet kryesore të vizitës së tij në Bruksel ishte të denonconte ndërhyrjet e qeverisë shqiptare për të ndikuar në raportet ndërkombëtare. Berisha akuzoi Edi Ramën dhe ministrin e Jashtëm për përdorimin e presioneve për të ndryshuar përfundimet e vlerësimeve të OSBE/ODIHR.
Kryetari i PD shtoi se qytetarët shqiptarë, veçanërisht ata të diasporës, do të angazhohen për të mbrojtur votën e tyre, të cilën ai e konsideron të shkelmuar nga “narkoregjimi” i Edi Ramës. Berisha paralajmëroi gjithashtu mundësinë e protestave të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për të denoncuar dhunimin e zgjedhjeve dhe kërkoi angazhimin e mëtejshëm të institucioneve ndërkombëtare për të mbrojtur proceset demokratike në Shqipëri.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se beteja e opozitës është shumëplanëshe, duke përfshirë si përpjekjet për të denoncuar zgjedhjet tek faktori ndërkombëtar, ashtu edhe betejën në Shqipëri për të larguar Edi Ramën. Sipas Berishës, zgjedhjet janë një çështje kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe është e rëndësishme që pretendimet të vërtetohen edhe nga miqtë dhe aleatët.
Kryedemokrati shtoi se fakti që brenda 24 orëve njoftohen dy misione faktmbledhëse, tregon se Shqipëria është një emergjencë dhe ka tërhequr vëmendjen e madhe të institucioneve ndërkombëtare.
Në lidhje me ardhjen e përfaqësuesve të mazhorancës në Bruksel, Berisha e komentoi si një veprim që nuk solli asnjë rezultat të rëndësishëm, duke theksuar se ata morën përgjigjen më të mirë nga Komisioni i Jashtëm dhe Asambleja Politike e PPE.
PRONONCIMI I PLOTË
Syri Tv: Zoti Berisha, cili është komenti juaj dhe si e shikoni ju raportin e Parlamentit Europian, raportin vjetor për Shqipërinë? Ku duhet të përmirësohet Shqipëria dhe ku janë gabimet e qeverisë?
Berisha: Mendoj se raporti që sapo u miratua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, damkosi në mënyrë të qartë si kristali regjimin e Edi Ramës, si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, si një regjim që shkelmon të drejtat themelore, të drejtën e informimit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës.
Në raport damkoset regjimi i Edi Ramës si një regjim në të cilin ndërhyhet politikisht fuqishëm në sistemin e drejtësisë. U shpreh shqetësimi i madh për stokun e madh të dosjeve, çka nënkupton mungesë procesi ligjor të drejtë për qytetarët shqiptarë.
Ky raport denoncoi me qartësinë më të madhe farsën elektorale të 11 Majit 2025 pasi e vërteta është se raporti citon hyrjen e raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE, në të cilin që në rreshtat e para thuhet se qeveria përdori burime të gjera për të dominuar në zgjedhje. Pra, faktikisht ajo do të thotë se qeveria, se shteti ligjor i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale.
Raporti gjithashtu denoncon Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën, jo më emra, por i denoncon në aferën e tyre. Denoncon parlamentin për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht për Xhaçkën dhe Vullnet Sinën.
Raporti e merr këtë si një shprehje të asgjësimit të shtetit ligjor dhe përqendrimit të të gjitha pushteteve në një dorë.
Raporti indirekte dënon ligjin e investimeve strategjike, pra ministret dhe ministrat që kanë përfituar nga ky ligj për të plaçkitur pronat e shqiptarëve.
Raporti mbështet fuqishëm kërkesat e pronarëve shqiptarë.
Ky raport në të vërtetë me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë Edi Rama, sot mund të themi se kjo ishte Vaterloja.
Syri Tv: Çfarë përpjekjesh ka bërë Rama zoti Berisha?
Berisha: Edi Rama ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar raportin, për të ndryshuar jo vetëm këtu, por për të ndryshuar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Por sot, përveç këtij miratimi në Komisionin e Jashtëm të raportit për Shqipërinë, dhe me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë deputetët e këtij komisioni, në mënyrë të veçantë kryetarin McAllister, koordinatorin e grupit të PPE, zotin Gahler dhe deputetë të tjerë, me të cilët patëm dje takime intensive dhe paraqitëm rastin si duhet për qëndrimet e tyre, për diskutimet e tyre, për denoncimin publik që ata i bënë në këtë komision regjimit të Edi Ramës dhe zgjedhjeve të tij.
Por sot ne ishim në Asamblenë Politike të PPE se ishte dita e dytë. Edhe sot pati përqendrim përsëri te Shqipëria.
Kërkesa e zonjës Vokshi, që rezoluta e miratuar në Valencia, e cila parashikoi pikë për pikë farsën elektorale të 11 Majit dhe dokumente të tjera për Shqipërinë, të sensibilizojnë më shumë institucionet ndërkombëtare që kryesohen nga personalitete të qendrës së djathtë evropiane dhe qeveritë e qendrës së djathtë të BE, kërkesë që u prit me shumë mbështetje dhe interes nga drejtuesit e PPE, por edhe diskutantët.
Në këtë seancë sot, përsëri eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, zoti Gahler, mori fjalën ku mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri.
Ndër të tjera unë dua të informoj shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të denoncoja pranë autoriteteve të këtij tempulli, ndërhyrjet banditeske, ndërhyrjet e turpshme në formë presionesh të Edi Ramës dhe ministrit të jashtëm pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR në mënyrë që të mund të ndryshojnë raportin.
Pra, unë them se udhëtimi, qëndrimi dyditor në tempullin e demokracisë evropiane, realizoi qëllimet e tij.
Por unë pata edhe një takim me drejtuesit e PD për Brukselin dhe diskutuam gjerësisht për një plan. Qytetarët europianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.
Syri Tv: Po paralajmëroni protesta në institucionet ndërkombëtare?
Berisha: Paralajmërojmë të gjitha format e angazhimit të qytetarëve shqiptarë jashtë vendit për votën e tyre. Edi Ramës do i ngecë në fyt vota e diasporës dhe dhunimi që iu bëri zgjedhjeve.
Zoti Berisha, beteja e opozitës tani është të denoncojë farsën elektorale tek faktori ndërkombëtar apo ta vijojë betejën në Shqipëri?
Betejë shumëplanëshe. Pa diskutim edhe tek faktori ndërkombëtar.
Syri Tv: Pse faktori ndërkombëtar?
Berisha: Zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare.
Dhe detyrimisht duke qenë palë në zgjedhje, ti pretendimet e tua duhet t’i verifikosh dhe vërtetosh me opinionet e miqve dhe aleatëve tu.
Por, në rrafshin tjetër, çështjen e zgjidhin shqiptarët.
Unë e them, miqtë tanë, faktori ndërkombëtar, forcat demokratike e damkosin Edi Ramën si të tillë, por për të larguar Edi Ramën, e largojnë vetë qytetarët shqiptarë.
Në këtë betejë, kësaj radhe PD, krahas dimensionit ndërkombëtar, ka edhe dimensionin diasporë. Unë e pashë, një revoltë e jashtëzakonshme tek qytetarët shqiptarë, shtetas të Belgjikës, të cilëve vota iu është përvetësuar, vota iu është dhunuar nga regjimi i Tiranës.
Syri Tv: Si e shikoni ju paralajmërimin e zotit McAllister, i cili tha se edhe Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian do të dërgojë një mision faktmbledhës në Shqipëri, ashtu siç bëri dje me dije edhe PPE?
Berisha: Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci.
E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë, është një e sëmurë mbi të cilin ka një fokus të madh nga tempulli i demokracisë, nga Brukseli. Nga Parlamenti Europian.
Syri Tv: Edhe një pyetje të fundit, në Komisionin e Jashtëm nuk munguan edhe përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët mbërritën në Bruksel, një gjë të cilën e kishit paralajmëruar ju. Si e shikoni ardhjen e tyre?
Berisha: Ardhja e tyre ishte njëlloj sikur qeveria të niste dy spiunë. Por morën përgjigjen më të mirë, qoftë në Komisionin e Jashtëm, kështu edhe nga Asambleja Politike e PPE.
Faleminderit!