EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në tubimin qytetar të sotëm është ndalur te asambleja e PS-së, ku sipas tij Edi Rama kishte në krah Charles McGonigal dhe para tij ecte Arben Ahmetaj.
Në fjalën e tij gjatë protestës së demokratëve, të cilët mbështesin liderin e opozitës kundër vendimit të gjykatës së dirigjuar nga Edi Rama, Berisha theksoi se akuzat e Arben Ahmetaj ndaj Edi Ramës rezultuan 100% të vërteta pasi kryeministri nuk iu përgjigj asnjë nga pyetjeve të gazetarëve pas 5 orë mbledhje.
Kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Edi Ramës se njësoj si diktatori gjakatar Enver Hoxha përdori të njëjtat metoda si ky i fundit në plenumet e linçimit ndaj bashkëpunëtorëve të tij.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje shqiptarëve që në 20 shkurt të bashkohen për fitoren e pluralizmin, kundër mafias.
FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vllazërore, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve, misionarëve të vërtetë të shpresës, dinjitetit, lirisë dhe shpëtimit të Shqipërisë.
Miqtë e miq!
Ftoj qytetarët shqiptarë kudo që janë të ndalen për një moment në dy ngjarjet politike të ditës.
Të ndalen, të hedhin sytë, të dëgjojnë fjalimet në rrugën e Shpresës, në rrugën e fitores, lirisë.
Të shikojnë fytyrat, entuziazmin besimplotë të misionarëve të rrugës së Shpresës.
Dhe pastaj të ndjekin mesazhet e oratorëve të mrekullueshëm nga ky parlament i fjalës së lirë, dhe të kthehen në ngjarjen e paradites.
Në asamblenë e kalbësirës që quhet Rilindje. Të ndalen për një moment hap pas hapi, të analizojnë këtë asamble, e cila do të shkruhet me germat më të zeza në histori si asambleja film tipike e një organizate kriminale.
Edi Rama tek hynte në asamble, në krah kishte Charles McGonigal. Para tij ecte Arben Ahmetaj, gazetarja e pyet, e len pa gojë e len pa mend, nxihet dhe ikën.
Ndalni pak. Mos harroni këtë asamble.
Cilat qenë dy anët e saj të dashur qytetarë.
Për ju, për shqiptarët, socialistët, papartitë, asambleja ishte një heshtje varri, sepse Edi Rama përdori ndaj qytetarëve shqiptarë, kodin e omertas, kodin e mafias, sipas të cilës anëtarët janë të betuar të mos çelin gojën, se përndryshe i pret plumbi pas veshit.
Asgjë nuk pipëtin.
Nuk kishte më fjalime për inteligjencën artificiale, as për hidrogjenin e Bulqizës, apo metanin e Shpiragut.
Jo, jo, kishte omerta, omerta, omerta.
Në 5 orë mbledhje, qytetarët shqiptarë mësuan se akuzat e Arben Ahmetaj ishin 100% të vërteta.
Se ajo heshtje vdekësore, vetëm sa konfirmoi një për një ato akuza të tmerrshme.
Arben Ahmetaj në të vërtetë në intervistën e tij certifikoi të gjithë vërtetësinë e akuzave të opozitës, se Edi Rama është autori kryesor i djegësave në Shqipëri.
Se Erion Veliaj është pronari i djegësit të Tiranës.
Arben Ahmetaj dëshmoi para shqiptarëve se vetingu është një akt fund e krye politik, se drejtohet me mesazhe dhe dokumente false dhe se u bë me gjah shtrigash.
Ai u tha shqiptarëve se kreu i ekzekutivit ka kryer veprime të llahtarshme, ndaj dhe omerta, sepse të llahtarshme për çdo njeri normal janë aktet e vrasjes, pengmarrjes, detyrimit me forcën e armëve për ti kryer një akt kriminal tjetrit.
Në rastin e Ramës, me avion privat në dispozicion jashtë çdo kontrolli, janë dhe mund të jenë baulet me tonelata drogë, pasi siç thotë Ahmetaj është arkitekti i kanabizimit të Shqipërisë, ose baulet me narkoeuro, ose kontot bankare të ofshore.
Mos harroni se në 2014 u akuzua nga OSBE-ja se ka 200 mln euro ofshore. Pra llahtari këto mund të jenë, ndaj dhe kodi i mafias për qytetarët shqiptarë.
Arben Ahmetaj e akuzoi Edi Ramën se i ka kërcënuar në mënyrën më të rëndë në kryesi, dhe më pas janë kërcënuar fëmijët, familja. Asnjë anëtar kryesie nuk doli ta mohojë. Të gjithë i pranuan me heshtje denoncimet e Ahmetajt.
Kjo ishte asambleja për qytetarët.
Tjetër ishte asambleja, për asamblejistë Edi Rama përdori në mënyrë identike metodat e Enver Hoxhës ndaj armiqve të brendshëm.
Për asamblejistë Edi Rama vendosi kontrollin e plotë dhe total në sallë, saqë edhe për nevoja personale, Gramozi u detyrua ti dërgonte dy letra për ti marrë leje.
I tillë ishte terrori që vendosi.
Për asamblejistë përdori ato metoda që diktatori Hoxha përdorte në plenumet e linçimit.
Ju vërsul Erion Veliajt, jo se ke ngrënë dardha të prishura, por se je bërë një hiç, në një OJF.
Këtu para jush kam denoncuar aktet se si bashkia e Tiranës, gumëzhin nga mëngjesi në darkë kundër Edi Ramës. Por gumëzhitja ka arritur edhe në Surrel, prandaj dhe u kthye sot në sallën e plenumit të asamblesë.
Terrorit nuk i shpëtoi as Olta Xhaçka dhe të tjerë indirekt.
Miqtë e mi!
Edi Rama sot ju tha asamblejistëve se jeni të kontrolluar prej tij në çdo hap, akt. Ti zonja Xhaçka e ke harruar Facebook, nuk na bën më as like. Imagjinoni ju diktatorin se si ua kontrollon, Tik Tokun, Instagram, Facebook.
Para disa ditësh një polic, vagabond me mbiemrin Bistri, kishte lidhur një linjë të paligjshme përgjimi me të cilën spiunonte, ministrat, deputetët, drejtorët dhe me radhë.
Dhe gjasme Bistri punonte për Belindën.
Po ja pra, Bistri u kap linja u gjet, Belindës nuk i ndodhi asgjë, sepse kishte vepruar me urdhërin e Edi Ramës.
Kishte vendosur nën kontroll të plotë, bashkëpunëtorë dhe të gjithë për të kontrolluar besnikërinë e tyre ndaj Edi Ramës.
Në çdo vend të botës, intervista e Arben Ahmetajt ishte detyrim për dorëheqje, kurse në Shqipëri Edi Rama i kaloi këto me kodin e mafias, i kaloi me terror ndaj asambleistëve, të cilët duket se po i veçon si kokë turku të radhës.
Të dashur miq!
Edhe njëherë si përfundim në rast se mund ta vlerësonim asamblenë thjeshtë një film dal vivo, si ato të Martin Scorcezes, të organizatave kriminale, por kësaj here quhet asambleja e PS.
Krahasojeni atë me parlamentin e fjalës së lirë, rrugën e Shpresës, nata me ditën, e shkuara me të ardhmen.
Në dalje, Edi Ramës i doli përpara famëziu McGonigal.
Kërceu Rama nga sevdaja dhe ja mbathi, kur ju bë pyetja.
U ndala në këtë analizë miqtë e mi, sepse dita po vjen, se 20 shkurti është dita e zërit të shqiptarëve, e idealit të shqiptarëve, dita e fitores së shqiptarëve.
Ndaj dhe në 20 shkurt ftoj çdo shqiptar të bashkohet me qëndrestarët e rrugës së Shpresës, të bashkohet me ju për fitoren e pluralizmin, fitoren e demokracisë kundër mafias, diktaturës, për fitoren e Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore