Berisha: Në 8 maj të ngrihemi fuqishëm kundër murit të trillimit dhe mashtrimit që Rama ka ngritur me ‘mafian e fjalës së lirë’

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimi të përjavshëm në rrjetet sociale me qytetarët, iu drejtua qeverisë Rama, duke e cilësuar një regjim autoritar të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal fillimisht te situata ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masa për lehtësimin e barrës së qytetarëve në kushtet e rritjes së çmimeve. Ai tha se rritja e të ardhurave nga TVSH-ja po vjen në kurriz të qytetarëve, ndërsa fermerët dhe shtresat në nevojë po përballen me mungesë mbështetjeje shtetërore. Berisha ngriti gjithashtu akuza për abuzim me fondet publike dhe tenderat, duke veçuar institucionin e AKSHI-t si një nga qendrat kryesore të shpërdorimit të parave publike.

Në aspektin politik, lideri demokrat e përshkroi situatën në vend si mungesë të pluralizmit real, duke akuzuar qeverinë për presion ndaj opozitës dhe përdorim të institucioneve të drejtësisë në funksion politik. Ai tha se hetimet dhe arrestimet ndaj figurave të opozitës në periudha zgjedhore kanë për qëllim ndikimin e rezultateve të votimeve. Berisha ngriti gjithashtu akuza për ndikim të grupeve kriminale në procesin zgjedhor, duke përmendur qytete si Durrësi, Elbasani dhe Vlora, të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni. Ai iu referua edhe deklaratave të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë për të mbështetur qëndrimet e tij mbi situatën politike në vend.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i PD, u përgjigj edhe pyetjeve mbi situatën brenda Partisë Demokratike, duke deklaruar se partia është në proces riorganizimi dhe hapjeje, por theksoi se drejtimi i saj nuk do të diktohet nga kryeministri Rama apo faktorë të tjerë jashtë saj. Berisha hodhi poshtë zërat për marrëveshje politike mes tij dhe kryeministrit, duke i cilësuar ato si pjesë e propagandës mediatike. Ai tha se qëllimi i këtyre është “zbardhja e figurës së Ramës në kurriz të tij” dhe krijimi i një perceptimi të rremë mbi opozitën.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 8 maj, një “protestë e madhe kombëtare” kundër qeverisë. Lideri opozitar theksoi se ajo synon mbrojtjen e votës së lirë, kundërshtimin e korrupsionit dhe “rrëzimin e një pushteti të lidhur me krimin dhe varfërimin e qytetarëve”. Ai u shpreh se protesta nuk është vetëm e Partisë Demokratike, por e të gjithë qytetarëve që ndihen të pakënaqur me gjendjen aktuale në vend.

FJALA E PLOTË

Sot Edi Rama është në një panik të vërtetë, e konsideron veten, në fakt ashtu sic është, pashpresë, por ndërkohë bën gjithçka për t’u mbajtur në fijen e barit. Ju e konstatoni e shihni se skandalet e tij kanë marrë dheun. Janë bërë europiane dhe botërore. Vjedhjet e tij dhe plaçka e pasurive publike nuk ka të ndalur. Qëndrimi i tij ndaj shqiptarëve në një kohë të vështirë kur çmimet po rriten për shkak të krizës së krijuar nga lufta në Lindjen e Mesme, në Shqipëri godasin masivisht shqiptarët, por Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që de facto nuk ka marrë asnjë masë lehtësuese. Miliardat që inkasohen nga rritja e TVSH-së dhe që u merren nga xhepat e shqiptarëve po rriten gjithnjë e më shumë. Ndërkohë fermerëve shqiptarë ju hiqet edhe subvencioni i naftës që kishin. Pra, një indiferencë totale e tij ndaj fermerëve, një indiferencë e madhe ndaj pensionistëve, ndaj atyre të cilët nuk mjekohen dot me pensionin që marrin as 15 ditë në muaj. Indiferencë totale ndaj atyre që janë në ndihmë ekonomike dhe që u thuhet të jetojnë me 34 euro në muaj. Një indiferencë totale ndaj të gjithë atyre që përdorin transportin publik, asnjë subvencion, ndërkohë kompanitë kanë përgjysmuar përdorimin e autobusave për shkak të krizës.

Pra, kemi të bëjmë me një qeveri e cila funksionon vetëm për vete, funksionon vetëm e vetëm për pasurimin e anëtarëve të saj e rrethit të tyre familjar. Ligji që parandalon, që mbron qytetarët nga abuzimi i zyrtarëve me pasuritë e tyre quhet ligji i konfliktit të interesit. Ky ligj është rrafshuar me zero. Ky ligj nuk ekziston më. Shembullin më së pari e dha vetë Edi Rama, kur ai me firmën dhe vulën e tij i ka dhënë vëllait të vet 38.000 m2 tokë. Kur ai ka shtrirë dorën e tij të zezë në të gjitha këto koncesione. Miq, çdo koncesion i tij del një vjedhje e madhe e përmasave të jashtëzakonshme. Por ai nuk u ngop vetëm me koncesionet. Gropa e madhe e zezë familjare e tij është AKSHI. AKSHI-n në të cilin Edi Rama, Linda Rama dhe Armand Frangu kanë patur minierën e Floririt. Kanë plaçkitur shqiptarët në qindra e qindra milionë euro. Për të realizuar këtë plaçkitje të madhe, Edi Rama në vitin 2017 nxorri një vendim qeverie me të cilin të gjitha tenderat në fushën e IT-së të të gjitha drejtorive, agjencive, ministrive të vendit do t’i bënte tashmë vetëm AKSHI. Në mënyrë që AKSHI të mos kishte më pak qindra milionë, por shumë e shumë qindra milionë tendera.

Ergys Agasi, ju e morët vesh që vera 33.000 euro që i dhurohej Edi Ramës për dreka dhe darka shoqërohej me 200.000 të tjera. Pra, kutia e verës përmbante vetëm një shishe dhe pjesa tjetër mbushej me 500-she euro. E megjithatë, Ergys Agasi apo Alias Ergys, Edi Rama, Alias Ergys Agasi, është i lirë, shëtit i lirshëm, shoqërohet nga policia, vazhdon punimet në pronat e sekuestruara. Ligji pra nuk ekziston. Ajo që mbetet, mbetet revolta qytetare. Ndaj dhe e mbyll këtë hyrje me thirrjen më vëllazërore për çdo qytetar shqiptar të bashkohemi me datën 8 maj në protestën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria, në kryengritjen më të fuqishme paqësore kundër këtij regjimi.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT

Kristi Meshini. Edhe policia e ndryshoi strategjinë dhe mënyrën e dhunës, edhe cilësinë e gazit, edhe dozën e piperit të ujit. Vetëm ne vazhdojmë me të njëjtën protestë këtu e 13 vjet. Pse nuk shkoni aty me makina, traktor, autobus? Lëreni aty dhe ikni. Sepse në Evropën ku duam të shkojmë, nuk bëjnë muhabet, nuk hedhin fishekzjarre, nuk digjen goma, nuk hahet as gaz as dru apo fara. Kur policia dhunon deputetët, populli i shquhen siç ka bërë deri më sot, por ju keni veç procedime se keni imunitetin, kurse ne populli prangat e paraburgimit. Ku është vija e kuqe për ju që do të thoshnit mjaft më, duhet ndryshim i fortë? Pse qytetarët ndihen të lodhur nga protestat dhe si do t’i riktheni ata në shesh? A ka ardhur koha për një brez të ri në krye të PD-së apo jo? A është opozita sot më shumë në rrugë apo në mungesë idesh?

Sali Berisha: Pra, pyetja juaj. Së pari, nuk na dikton njeri ne dhe nuk na e ka diktuar taktikën tonë. Kryengritja paqësore është zgjedhja jonë. Me besimin e plotë se kjo është më e mira. Vija e kuqe e jona është protesta gjerë në rrëzimin e Edi Ramës. E lodhshme, rraskapitëse, e mundimshme, por ne këtë kemi zgjedhur. Vija e kuqe e jona si protestë, gjer në rrëzimin e Edi Ramës është jetike jo vetëm për Shqipërinë, jo vetëm për Partinë Demokratike por dhe për Shqipërinë, që të ketë një opozitë me zë të fuqishëm. Ata që mërziten Kris, nga protesta e Partisë Demokratike, gabojnë, në qoftë se janë kundërshtarë të regjimit. Gabojnë shumë. Protesta e Partisë Demokratike është zëri i atyre qytetarëve që guxojnë të dalin në rrugë. Për çfarë çështjesh? Dalin në rrugë për çështje të cilat janë njëlloj rrënuese për çdo qytetar të ndershëm të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet politike. Mendo pak njëherë sikur Partia Demokratike të mos dilte në rrugë, po të ndiqte shumicën e heshtur. Çfarë do të thoshte kjo për Shqipërinë? Çfarë do thoshte? Do të keni një gjë parasysh, se Shqipëria sot është një diktaturë autoritare. Një diktaturë autoritare që dallon nga diktaturat totalitare, sepse kjo e pranon pluralizmin. Por kjo e shtyp pluralizmin. E shtyp pluralizmin. Ata të cilët kanë një dyshim në këtë, më lejo t’u shtrojmë pyetjen bashkë. Në të cilin regjim arrestohen si persona nën hetim vitin elektoral liderët e opozitës? A mund të realizoni ju se ç’do të thotë kjo? Në të cilin regjim? Vitin elektoral arrestohen liderët e opozitës si persona nën hetim. Cili është qëllimi i këtij, i këtij arrestimi? Qëllimi i tij është një dhe vetëm një, të marrë të grabisë zgjedhjet me çdo kusht. Në të cilin regjim përdoren kartelet e drogës për të përcaktuar rezultatet e zgjedhjeve, siç e përcaktuan në Durrës, siç e përcaktuan në Elbasan, siç e përcaktuan në Vlorë, në Fier dhe një seri qytetesh të tjera. Kur mendon, mos harro se këto kartela administrojnë miliarda, jo qindra milionë, miliarda euro. Dhe ato kanë vetëm një detyrë në bashkëpunimin politik, zgjedhjet, garantimin e fitores. Nuk e di ku jeton, por do të përgjigjem për këtë lidhur me këtë fenomen me një deklaratë të Michael Gahler, deputet ndër më të nderuarit në Parlamentin Europian, koordinator i Partisë Popullore në Parlamentin Europian me grupe të tjera parlamentare. Çfarë tha? Çfarë deklaroi? Ai kryesoi delegacionin parlamentar të Parlamentit Europian në vëzhgimin e zgjedhjeve. Ai deklaroi në parlament, aty në Bruksel se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit. Ndaj dhe në formulimin e mendimeve është e domosdoshme të mbahet parasysh realiteti. Unë, këtu në këtë bisedë me ty, u ndala vetëm në një aspekt, në aspektin e krimit të organizuar dhe të terrorit politik ndaj opozitës. Por mund t’u them tjetrën. Vetëm dy ditë para zgjedhjeve u falën 2 miliardë gjoba dhe kamata. Me 2 miliardë gjoba e kamata, blen zgjedhjet jo në Shqipëri, me 1 milion e 400 mijë zgjedhës, por blen zgjedhjet në një vend dhe dy dhe tre herë më të madh. Vijmë tek Partia Demokratike. Partia Demokratike është në një proces riorganizimi, ripërtëritje, në demokratikun që ka njohur. Partia Demokratike ka garë, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë të gjithë. Por ka një kusht, i dashur Kris. Kurrë, kurrë, Edi Rama nuk do mund të përcaktojë kryetarin e kësaj partie. Për këtë të garantoj. Dhe çdo demokrat është i mirëpritur të, në garë, është i mirëpritur të zërë pozicionin dhe siguroj që po bëhet shumë punë për hapësira gjithnjë më të mëdha për të rinjtë, po kryetarin e kësaj partie do e caktojnë vetëm demokratët me votën e tyre dhe asnjëherë askush tjetër. Faleminderit.

Klisman Mhillaj: Përshëndetje doktor. Pse propogandohet në çdo studio që ti je bashkë me Ramën në një marrëveshje? Çfarë mund të bësh për këtë propagandë, ku besoj se e dinë mirë që një popull i painformuar zhytet në lajme të rreme? Të lutem lexoje.

Sali Berisha: Tani, çfarë është thelbi i kësaj propagande? Në aspekt është një logjikë primitive, sipas të cilës, domethënë, Edi Rama, Edi Rama arrestoi Sali Berishën, po nuk e ka arrestuar. Sipas të cilës, Edi Rama, ndonëse loboi me të gjitha paratë e tij për sanksionimin e Sali Berishës, por nuk e ka bërë këtë. Çfarë ndodh? Pse kjo propagandë? Duan të përmirësojnë figurën e nxirë të Edi Ramës. Duan të krahasojnë të pakrahasueshmet. Një, është e vërtetë kjo, po unë ka kohë që kam, ju kam thënë shqiptarëve se mafia më e rrezikshme në Shqipëri, më e rrezikshme se ajo e kokainës, është mafia e fjalës së lirë. Dhe këtë mafie e ka në dorë Edi Rama. Tani që Edi Rama është damkosur publikisht para shqiptarëve dhe botës, tani thonë që edhe Berisha është një lloj si Rama. Në një kohë kur nuk japin dot një argument, një fakt të vetëm, që mund të krahasohen këta dy persona. Një fakt të vetëm. Një, të vetëm. Në asgjë dhe në asnjë fakt. I vetmi fakt është se Edi Rama nuk e mposht dot Sali Berishën. U përpoq me të gjitha mënyrat, ta arkivonte politikisht, u përpoq me atentate fizike, u përpoq me çdo mënyrë, dështoi dhe do të dështojë. Dhe ata të cilët bëjnë këtë, këtë, këtë krahasim, duan të mirësojnë sadopak figurën e nxirë të Edi Ramës. Unë ju pyes ju, më thoni ju mua, qoftë dhe një fakt ku mund të krahasohemi. Kam 35 vite në politikë. Jetoj në një apartament 125 metër katror. Edi Rama jeton në një vilë me themele më të gjata se çdo ndërtesë qeveritare sot dhe se vila e Enver Hoxhës. Po i marrim pak gjërat. Bashkëshortja ime ka qenë mjeke. Ka 20 vite që punon në fushën e autizmit pa asnjë shpërblim. Nuk u bë kurrë anëtare bordesh, as e bankave, as e sipërmarrjeve gjatë gjithë periudhës sime në pushtet. Fëmijët e mi u vetuan dhe u stërvetuan, nuk u gjet asnjë shkelje ligji. Nuk ka asnjë vendim që unë të kem bërë kurrë me emër të një të afërmi apo familjarit tim, siç ka Edi Rama për vëllaun e vet. A mund të bëhet fjalë, nuk bëhet fjalë kurrë që unë të kem pritur kryesorë, klanet, përfaqësues të klaneve kryesore të drogës në botë, siç i ka pritur dhe përcjellë Edi Rama. Nuk bëhet fjalë kurrë, kurrë dhe s’po më gjesh t’i biesh Shqipërisë kryq e tërthor, të gjesh qoftë dhe një vepër publike të projektuar, të financuar nga qeveria e mëparshme që të mos ekzistojë, të mos i gjendet nami as nishani, siç është djegësi i Tiranës, impianti i ujërave të zeza të Tiranës.

Janë ndërtuar rrugë me çmim më të ulëta sesa çmimet në rajon, sepse ashtu duhet të ishin dhe s’kanë lëvizur asnjëherë.

Janë ndërtuar rrugë nga Edi Rama me çmime të dhjetëfishta

në krahasim me çmimet në rajon dhe që të gjitha janë shembur.

E kupton se çfarë absurditeti është ajo? Të krahasosh Sali Berishën me Edi Ramën, është si të krahasosh gjysmën e ndritshme të hënës me gjysmën që nxin gjithmonë, të saj.

Pra, është thjesht një mafie e fjalës së lirë, e cila përdoret tani për të për të zbardhur sadopak figurën e Edi Ramës duke e krahasuar me Sali Berishën.

Por e vërteta është që nuk ka gjë më të pakrahasueshme mbi tokë sesa ato dy persona.

Faleminderit.

Dajana Ruka: Si e lexoni lëvizjen e fundit të Elisa Spiropalit në PS, a është një lëvizje e Ramës apo ka gjasa reale që ajo të ndërtojë në fraksion të vetin politik në PS.

Sali Berisha: Nuk është një manovër e Ramës, sepse Elisa Spiropalin e flaku Lubi Balluku. Ia kam thënë dhe asaj në parlament, kur ishte në detyrë. E flaku Lubi Balluku, sepse Elisa Spiropali nuk mund të mbronte vjedhjen flagrante klamoroze të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut në takime ndërkombëtare.

Dhe Edi Rama e largoi atë menjëherë me urdhër të Lubi Ballukut. Se çfarë do bëjë, nuk është, nuk kam ndonjë, interes se çfarë do bëjë Eliza, apo çfarë ndodh brenda atij, asaj partie krimi. Ajo që mund t’ju them unë, se ata janë një grusht kriminelësh, njerëz që kanë porositur vrasje me Edi Ramën në krye, njerëz të cilët ndajnë pasurinë publike të shqiptarëve me familjarët e tyre, njerëz të cilët s’kanë ligj as kushtetutë, por vjedhin nga mëngjesi në darkë.

Kurrë Shqipëria s’ka patur në krye një grup më kriminal se ç’ka sot Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale. Ata janë sinonim i krimeve monstruoze, janë sinonim i krimeve të shumëllojta, janë sinonim i porositjes së vrasjeve, janë sinonim i bashkëpunimit me drogën, janë sinonim i plaçkitjes dhe vjedhjes së pamëshirë të pasurive publike dhe fondeve publike të qytetarëve shqiptarë, janë sinonim i pashiqve dhe çubrilloviqve, platformave të tyre ndaj shqiptarëve.

Ata janë pra armiq të egër, të qenies shqiptare, të kombit shqiptar, të të ardhmes së shqiptarëve.

Laert Mera. Përshëndetje doktor. Më 17 prill, ndërkohë që protestohej në bulevard, në zona të tjera të Tiranës jeta vazhdonte normalisht. Familje, lokale, shëtitje, pazare. A nuk tregon kjo se protesta nuk po arrin të prekë të gjithë qytetin dhe se duhet menduar një mënyrë më e gjerë për ta përfshirë Tiranën?

Sali Berisha: Së pari, i dashur mik, mendoj se duhet të shtrojmë pyetjen. Si ka mundësi, që Edi Rama të mbyllë drejtësinë.

Pas Saimir Tahirit, është hera e dytë. Të mos lejojë drejtësinë të arrestojë për aferat që shkojnë sipas dosjes 1.2 miliardë euro. Si ka mundësi që qytetari shqiptar, ai që ulet në kafe dhe ai që mban dyqanin hapur, të mos protestojë për rritjen stratosferike të çmimit të naftës?

Si ka mundësi që, qytetari shqiptar të mos protestojë kur dëgjon se prej dy muaj rresht, raport i jashtëzakonisht i rëndësishëm nuk votohet në Bashkimin Europian për Shqipërinë? Si ka mundësi kur partnerët tanë ndërkombëtarë dënojnë veprimin e Edi Ramës dhe ai nuk pyet, por mbron Lubi Ballukun.

Si ka mundësi që sipërmarrja që është quajtur kopshti privat i Edi Ramës, që është një agjenci shtetërore, të jetë e para në historinë e këtij vendi që merr peng biznesmenë dhe njerëz? Ju pyes unë ju.

A janë këto motive që për çdo qytetar që të revoltohet? Po. Ju mund të më thoni, këto janë po këta s’kanë besim tek Partia Demokratike. Ata që s’kanë besim tek Partia Demokratike mund të derdhen vetë në rrugë, siç ndodh prore. Po ata nuk derdhen në rrugë.

Ata që s’kanë besim tek Partia Demokratike mund të ndjeknin protestën e shoqërisë civile. Ishte e partisë. U mblodhën 10 vetë. Çfarë tregon kjo, i dashur mik? Kjo tregon shkallën e tmerrshme të frikës që kanë njerëzit dhe ju nuk e realizoni këtë.

Kjo shumicë e heshtur është shumicë e frikësuar, gjer në palcë. E frikësuar sepse humbet vendin e punës, e frikësuar sepse i mbyllin dyqanin. Do të jap një shembull. E kam dhënë disa herë, po e jap prapë për ju.

Katër javë më parë në Beograd u arrestuan katër shqiptarë, sepse njëri prej tyre kishte postuar në Facebook flamurin Autoktonus, flamurin me portretin e Ismail Qemalit dhe dhe Isa Boletinit dhe kishte thënë disa fjalë jo të mira për Serbinë. Policia e kontrollit të mediave sociale e dikton dhe shkoi dhe arrestoi në hotel.

Po mos harro se të nesërmen në Shqipëri ka ndodhur ky episod.

Në lagjen Astir, Klevis deputeti Klevis Balliu po shpërndante fletushka, fletëpalosje për protestën. Një nga ato që merr dhe një vajzë e re, merr fletëpalosjen. Dhe ajo bën një foto me Klevisin, me deputetin, të cilën Klevis e hedh në Facebook.

Në darkë, Klevisit i troket dera. Hap derën, sheh ishte kjo vajza. I thotë deputet, të lutem thotë, më hiq pak atë foton se i ka shkuar mamit tek puna me foto, patronazhistët dhe i kanë thënë që ja kush është vajza jote, po merr atë dhe ose të heq.

Me një fjalë, vajza i kërkoi të heqë. Prandaj duhet të thellohesh pak më shumë në realitetin që jeton, që jetojnë shqiptarët.

Ka një moment. Unë kam memorie. Me datën 9 dhjetor, nuk e harroj kurrë. 24 orë tek studentët nuk ka shkel njeri.  Kemi qenë dy vetë dhe studentët. Jo se nuk e dinin. Jo, e dinin. Tirana gumëzhinte. Por kishin frikë. Ndaj dhe mendoj se duhet respekti më i madh për ata guximtarë që dalin e përballen aty dhe që dhe që duan ta damkosin si protestë e Partisë Demokratike.

Ajo është protestë e shqiptarëve të guximshëm, në mbrojtjen më jetike të interesave të shqiptarëve. Prandaj dhe të bëjmë gjithçka që të vrasim frikën tek njerëzit. Të bëjmë gjithçka për të bindur ata se heshtja është aleati më i çmuar i regjimit. Heshtja është mbështetja më e madhe që mund t’i jepet atyre. Faleminderit.

Halim Musaraj: Doktor, të përshëndes dhe të uroj shëndet. Nuk ndërhyj dot t’ju bëj pyetje live, sepse sapo kam vendosur një unazë në zemër, por ju ndjek vazhdimisht sa të marr frymë. Kërkesa ime si Berishian 24 karatësh: është momenti të tregosh burrërinë tënde dhe të shpëtosh Partinë Demokratike. Mbaje fjalën e dhënë kur rithemeluam PD-në dhe lejo de facto fraksionet. Salianji përfaqëson ata demokratë, 15-20%, të cilët nuk mendojnë më si ju, si unë dhe si 80% e demokratëve, por ata janë demokratë dhe opozitarë. Nuk duhet t’ia japim votat e tyre Edvin Hajdutit. Prandaj, jam i bindur se nuk do të na zhgënjesh edhe këtë herë. Suksese dhe me fitore sa më shpejt.

Sali Berisha: I dashur Halim. Së pari, të uroj shërim të plotë dhe të shpejtë. Së dyti, të garantoj se në qoftë se unë vendosa të lë mënjanë dorëheqjen time pa revokim, e bëra në mënyrë absolute vetëm për një gjë, dhe për asnjë motiv tjetër. Dhe kjo ishte sepse unë kuptova dhe pashë, faktova se ish-kryetari i kësaj partie kontrollohej totalisht nga Edi Rama.

Kontrollohej me dy mënyra. Kontrollohej me dosje, dy dosje, me dosjen Toyota Yaris dhe dosjen e Nick Muzit. Për dosjen e dytë, ai kishte angazhuar dhe McGonigalin. Ndërkohë, kontrollohej me para. Kontrollohej me favore që i bënte bizneseve të tij. Në këto kushte, unë vendosa të rikthehem. Kontrollohej edhe nga të tjerë, pa diskutim. Nuk mund të pranoja kurrë që një parti sovrane, parti kombëtare, parti e interesit kombëtar, të ishte false opozitë, fake opozitë. Fake opozitë.

Nuk mund të pranoja kurrë që kjo parti të ishte një kukull, një fasadë e Edi Ramës.

Halim, meqenëse ke shtruar këtë çështje, me datën 19 apo 20 prill 2021, mua në zyrë më erdhi këshilltari kryesor i Partisë Demokratike për zgjedhjet, një zotëri i nderuar, Asaf Shariv, me të cilin isha takuar shumë herë sepse vinte për këshilla. Dhe më thotë, zoti Berisha, në qoftë se Partia Demokratike nuk fiton zgjedhjet, çfarë mendon ti për një koalicion me Partinë Socialiste?

Unë i them, absolutisht, për mua kjo është e papranueshme dhe për vendin kjo është shumë e dëmshme. Po në qoftë se ndodh, domethënë në qoftë se ndodh pa të pyetur ty, nuk e tha kështu, po në qoftë se ndodh, do t’i kundërvihem me të gjithë forcën, i thashë.

Dhe pastaj zhvillimet që ndodhën. Pra, nuk jam rikthyer pse u vendosën sanksionet. Jo. Përkundrazi, betejën time për sanksionet e kisha shumë më komode pa rikthim. Pa rikthim. U riktheva sepse pashë që Partinë Demokratike e kishin vënë nën kontroll.

Çfarë përfaqëson? Së pari, të siguroj unë ty që ai zotëri nuk përfaqëson as 0.002% të demokratëve. Dhe ajo shifër që jepni është jashtë çdo lloj realiteti. Ti vërtetë ke parë sallat, po të garantoj që sallat janë të mbushura tërësisht nga biznese me urdhër të qeverisë, nga drejtori burgjesh dhe nga bandat e qyteteve.

Nga bandat e qytetit Elbasan, nga bandat e qytetit Durrës e të tjerë me radhë. Pra, ai përfaqëson, siç e sheh ti tani, ai e nisi, sepse të tjerëve nuk u shkonte mendja, por sot i ka ngelur vetëm dy pengje me vete.

Çfarë përfaqëson? Tani duhet të them sepse, siguroj se çdo njeri do të ishte dhe është i mirëpritur në garë, por kurrë s’do mund ta marrin këtë parti misionarët e krimit dhe të Edi Ramës.

Meqenëse do tani, të them ty. Ervin Salianji nuk po merrem këtu në drekat dhe darkat me Oltion Bistrin në burg dhe Pëllumb Gjokën, sepse banorë të burgut janë, ishin dhe nuk, për mua ai ka qenë i burgosur politik. Po të vërtetat janë këto që të them unë.

Një javë para se të dilte nga burgu, më thotë: kam ardhur për të të marrë një këshillë. Urdhëro, i them unë. Çfarë më thua sepse për të më liruar këta tre muaj që më kanë mbetur, më takojnë sipas ligjit, por gjykatësi më kërkon një deklaratë ku të them se nuk do të vras Fatmir Xhafën. Po ç’punë ke ti me këtë? E kanë në rregull ata. Ashtu i thashë unë.

Ti Ervin nuk duhet të bësh një deklaratë të tillë. Ti Ervin nuk duhet të bësh një deklaratë të tillë për mendimin tim, sepse merr përsipër fajësinë, kurse ti për ne je i burgosur politik. Ne kemi arritur dhe në dokumente ndërkombëtare të të sanksionojmë si të burgosur politik. Dhe të mbetet, karriera është e gjatë. Mirë tha. Iku, pas një jave erdhi. Më liruan, u lirova mirë. Çfarë bëre me të? Jo, nuk ma kërkuan më. Tani e kuptove vetë, se ja kërkuan, s’ja kërkuan më.

Për ta nderuar, prit, për ta nderuar, e kooptuam pa asnjë lloj, thjesht për ta nderuar në kryesi të partisë. Gjatë të gjitha mbledhjeve të kryesisë, ai nuk ka shtruar në mënyrë absolute asnjë problem, Halim. Asnjë problem. Pasi u publikua raporti, unë bëra mbledhjen e kryesisë. U them anëtarëve të kryesisë, tani duhet të kalojmë në aksion dhe ky e mbështet plotësisht këtë qëndrim.

E thërras një ditë mbrapa dhe i them, çfarë mendimesh ke ti për këto? Unë tha, jam dakord. Se i thashë të fillojmë protestë, një protestë te kryeministria, një tjetër të madhe, këto, ishte dakord. Dhe pas kësaj, pa thënë asnjë fjalë, ai doli veçmas, mashtroi, vërtetë një grup njerëzish ishin të votuar shumë mirë dhe shkuan ata, e shkuan me pi kafe për akte miqësore, si një gjest miqësor, por e panë që qëllimi ishte pak i errët.

Vazhdojmë pak më tutje.

Çfarë bëri? Verën e kaloi me Ergys Agasin në dreka dhe darka. Në një kohë kur unë Ergys Agasin e kisha sulmuar me qindra herë si koordinator i karteleve të drogës. Tani, shkoi në Durrës dhe mblodhi, kë mblodhi? Eksponentë të Partisë Demokratike që tradhtuan Partinë Demokratike duke mos punuar absolutisht asnjë ditë në fushatë, apo që punuan për Partinë Socialiste, me fakte.

Unë i thashë, kjo veprimtari është jashtë Partisë Demokratike, nuk ka lidhje me Partinë Demokratike. Në Elbasan, sallën ia mbushi Suel Çela. Këtu je i përjashtuar, i thashë. Kjo është vija e kuqe. Krimi s’do mund kurrë dot këtë parti. Po, më duhet të them, i dashur Halim, se në mënyrë të çuditshme edhe ky përsëriti fatin e Lul Bravës. Pse e përsëriti?

A mund t’i imagjinosh ti që përsëri ka mentor Taulant Ballën? Vazhdon darkon me Taulant Ballën, njëlloj. Të kujtohet takimi i Lul Bravës me Desada me Taulant Ballën? Ju kujtohet apo jo? Pra, çfarë mendon ti se, kur doli? Prit, merr një moment tjetër. Kur doli ky, Halim?

Ky doli në momentin më kritik për Lubi Ballukun, e cila duhet të ishte në burg sot. Dhe nisi një lëvizje vetëm për të krijuar zhurmë mediatike, zhurmë mediatike, për të sfumuar, shpërqendruar opinionin publik te Lubi Balluku. E birësuan, nuk e thashë kot unë. E birësuan.

A mund t’i imagjinosh ti që një televizion të publikojë në katër orë 16 lajme për të? Po aty ka gazetarë të ndershëm, të cilët na informuan se vinin direkt nga zyra e Edi Ramës lajmet. Besoj se ti nuk je për një fraksion të tillë.

Partia Demokratike ka një statut, i dashur. I lejon plotësisht fraksionet, por kurrë fraksione me njerëz si Edi Rama, me njerëzit e Edi Ramës dhe të të llojit Basha nuk mund të ketë. Kjo, besoj se jemi dakord këtu. Nuk mund të ketë fraksion në Partinë Demokratike ata të cilët në fushatë kanë punuar me për Partinë Socialiste, me fakte.

Nuk mund të ketë fraksion me ata të cilët mbrojnë interesat e biznesit të tyre dhe jo të demokratëve. Partia Demokratike është e vetmja parti që ka në statut nenin e fraksionit, por i bindur të jesh ti se kurrë Edi Rama s’do mund ta marrë këtë parti. Ai është qesharak. Por përfundoi në fund në krahët e Taulant Ballës.

Po sigurisht, kur të drejton Oltion Bistri dhe Ergys Agasi, s’ka pse të mos drejtojë Taulant Balla. Ndaj dhe, duhet t’i analizoni më, më saktë gjërat. Kjo është e vërteta lidhur me pretendimin se ai përfaqëson fraksionet. Ai, asnjë demokrat siç ishte në Kukës, shko e pyet degën e Kukësit, cilët ishin demokratët te Kukësi.

Ishin të gjithë familjarë të një ortaku të tij. Kaq ishin. Dhe të tjerët të sjellë nga qeveria, nga anë të ndryshme. Nuk ka asnjë mbështetje. Por, natyrisht me mbështetjen e Edi Ramës nuk fitojnë kurrë. Hiqe nga mendja.

Politiko.al: Kur kanë kaluar 11 ditë nga zjarri në kompleksin Arlis, ku u dogjën 71 apartamente, bonusi i qerasë për këto familje është e vetmja masë e marrë deri tani, por pa frikë mund të thuhet se kjo masë është si të bësh makiazh mbi një plagë. Janë me qindra pallate në Tiranë dhe bregdet që kanë fasadë polisteroli, de facto, janë mina me sahat që mund të shkaktojnë tragjedi të paprecedenta, pasi në vendin tonë eficenca e zjarrfikësve është minimale. Me ardhjen e stinës së verës, rreziku për zjarr është i madh. A nuk është koha që zyrtarët e bashkisë t’i lënë shfaqjet me heqje karrigesh dhe tendash dhe të kalojnë në site e pallateve në Tiranë për të evidentuar fasadat e polisterolit që janë si mina? Kandidati juaj a duhet të jetë, a duhet të ketë pjesë të platformës propozuese këtë?

Sali Berisha: Po e nis përgjigjen nga fundi. Detyrimisht, kandidati ynë do ta ketë këtë çështje kryesore të platformës së tij. Fasadat flakmarrëse, zjarrmarrëse janë jashtëzakonisht të rrezikshme për banorët.

Është një krim i shëmtuar përdorimi i atyre materialeve dhe u faktua në mënyrën më të qartë tek pallati i kuq i Edi Ramës. Por, duke theksuar këtë, përsa i përket bashkisë, nuk ndërmarr dot, nuk ndërmerr dot asnjë veprim, se avokati i pronarit të, i ndërtuesit të pallatit, Edi Rama e ekzoneroi atë nga çdo përgjegjësi.

Pallati tha, djegia e tij nuk ka lidhje me ndërtimin. Dhe fasada, inxhinieri Edi Rama u fut dhe tek fasada dhe fasada është ndërtuar me materiale të duhura. Të tjerët e panë se si mori flakë si me qenë fasadë kashte, kashte dhe Edi Rama tha se materialet nuk ishin të duhura. Kështu që, sa të ketë Armando Lila, avokat Edi Ramën, të harrojnë gjykatës, prokurorë apo këshilltarë bashkie apo punonjës bashkie se mund t’i thotë gjë atij.

Shyqyri Myrtollari: Kur njerëz pranë pushtetit si Ergys Agasi dhe Mirlinda Karçanaj dyshohet se kanë pasuri marramendëse, sa mendoni se mund të ketë akumuluar vetë Edi Rama? Nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, a do të sekuestrohen këto pasuri dhe çfarë do të ndodhë me vilën e Surrelit? A mund të hapet për publikun si simbol i abuzimit me pushtetin?

Sali Berisha: Pyetje shumë, shumë e drejtë. Ju garantoj se një agjenci shtetërore do të ngrihet vetëm për identifikimin, gjetjen e pasurive dhe fondeve të fshehura të qeveritarëve aktual do të konfiskohen, të shtrohen në pasuri publike. Fati i sarajeve të Surrelit është e vështirë të përcaktohet sot.

Por një gjë është e sigurtë. Ato saraje janë saraje krimi. Muret, tullat, brendia, qelqet, xhamit, çatia janë të gjitha të ndërtuar me para krimi. Janë të ndërtuara nga kompani të cilat kanë rrjepur shqiptarët në tendera nga qeveria. 4400 m2 tokë janë të paregjistruara. Imagjinoje pak. Toka tjetër dhe po këto janë në kundërshtim flagrant me ligjin.

Janë deklaruar me një çmim qesharak 2 euro për metër katror në një kohë kur çmimi në atë kohë ka qenë minimumi 25 gjer në 40 euro metri katror sipas terrenit në atë zonë. Edi Rama kishte gjithsej të deklaruar në ILDKP 400.000 lekë dhe 3.800 euro.

E gjithë pasuria e tij. Ndërkohë, sarajet e Surrelit me themele më të gjata se çdo ndërtesë qeveritare, se presidenca dhe se ndërtesa të tjera, lëshonin shtat me materiale më të kushtueshme.

Po kështu është pallati në pajë i zonjës Rama, për të cilin nuk ekziston asnjë faturë doganore, tatimore, bankare, çfarëdolloji. Ka mbirë nga toka. Dhe zonja Rama thoshte, është bërë me para gjaku. Paratë e gjakut janë paratë e vrasjeve, paratë e trafiqeve. Nuk është e vërtetë dhe nuk besoj që i vëllai i saj të jetë i tillë.

Se nuk kam, nuk kam dëgjuar ndonjëherë që, i vëllai i saj është trafikant droge apo është vrasës. Por ajo i ka deklaratat të pa kështu. Ajo është një, edhe për pallat, edhe për sarajet e Surrelit na tha që janë ndërtuar me paratë e ‘Kurbanit’. Ju kujtohet apo jo?

‘Kurbanin’, një kohë kur s’ka paguar asnjë taksë Edi Rama për ‘Kurbani-n’. Imagjinoni si u ndërtua pallati me paratë e Kurbanit që as koteci, që kanë për qenin aty, në anë të shtëpisë, nuk mund të ndërtohej me paratë e Kurbanit. Breshkat, më fal se thashë qen, se ruan breshkat, breshkat i ka banorë të shtëpisë.

Brisilda Selimaj: Z. Berisha, ju keni denoncuar faktin se Altin Dumani ka nënshkruar një kontratë porosie për apartamentin e tij në vitin 2006, por ka hyrë në të që në vitin 2004. Ndërkohë që në dosjen e AKSHI-t që e ka Altin Dumani, ai evidenton faktin se Mirlinda Karçanaj ka nënshkruar një kontratë qiraje në shkurt të 2026-ës dhe ka hyrë në apartament në janar të 2025-ës. Pra me këtë logjikë, SPAK duhet të hetojë edhe Dumanin.

Sali Berisha: Pa diskutim. Edhe ju përgëzoj. Ju përgëzoj. Janë identike rastet. Janë identike! Kjo është e vërteta. Këto janë apartamente të tyre që i kanë, domethënë që pastaj i kanë rregulluar dokumentet.

E kuptoni? Ky është rregullim fals i dokumenteve. Dhe unë e dënova, e denoncova siç e patë ju, para SPAK-ut. Por unë kam prapë çështje të tjera për Dumanin. Është e vërtetë. Si Mirlinda e AKSH-it, ashtu dhe Dumani me pesë mbiemra, kanë fshehur në të njëjtën mënyrë.

Shumë e qartë. Unë ju kam deklaruar shqiptarëve, një gjë ua them, kurrë nuk mund të blesh në shumë se një apartament, hajde të themi maksimumi dy, një kuzhinë me rrogën tënde. Dhe duke marrë kredi për to, se s’e blen dot. Kurse zotëria ka katër. Ka katër apartamente. Të japë llogari!

Fatos Doçi: Doktor, përshëndetje! Kisha një pyetje. Pse ju jeni bashkuar bandës në dëgjesa publike për reformën territoriale? Se çfarë kuptimi ka e gjithë kjo betejë kur ne këtej i quajmë organizatë kriminale dhe këtej ulemi me ta sikur kemi një kundërshtar normal?

Sali Berisha: Fatos, absolutisht ke 100% të drejtë në pyetjen që shtron. Unë të jap të drejtë, por ti do më mirëkuptosh. Sepse, reforma territoriale është një interes thelbësor qytetar. A e dëgjove diskutantin në Gjirokastër, se si i kanë zhveshur nga çdo lloj shërbimi.

Mirëpo, mos harro se jemi në fushën e, ku të gjitha mediat kontrollohen nga qeveria, pothuaj të gjitha, 90%. Çfarë ndodh? Ndodh që në rast se ne nuk do ishim aty, për të dalë para jush, për të mbrojtur ju, interesat tuaja, do ishin të panumërt ata që do na thoshin se ju munguat, ju nuk ishit, ju gabuat. Dhe ne nuk jemi aty, unë jam dakord me ty, me atë që thua.

Por ama, jam i detyruar të marr për bazë opinionet e gjëra të qytetarëve të cilët duan që ne të bëhemi avokatë të interesave të tyre. Duan të shohin dhe projektin tonë, për sa komuna dhe bashki jemi ne. Dhe që të jemi të hapur këtu me njëri-tjetrin, reforma territoriale është një kërkesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ne jemi të zotuar që ne nuk braktisim kërkesat që janë të nevojshme për procesin e integrimit, siç sikundër dhe reforma zgjedhore.

Këto janë arsyet. Po kjo, vetëm një gjë, kjo nuk ndryshon asgjë në raport me cilësimin se këta janë një organizatë e mirëfilltë kriminale. Këtu nuk ndryshohet, nuk ka asnjë ndryshim.

Geraldina Kola: Zoti Berisha, Kushtetuta obligon Tiranën zyrtare të mbrojë shqiptarët jashtë kufijve, por ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, i quani idiotë. Ku është dallimi mes kësaj deklarate të Hoxhës dhe thirrjeve të maqedonasve që thonë, shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur?

Sali Berisha: Kjo është një deklaratë kriminale, antishqiptare, e turpshme, prej një gangsteri, që ka humbur çdo integritet, që ka humbur çdo element të ndërgjegjes kombëtare dhe tejkalon. Bravo, ju e thoni vetë, barazohet me ultranacionalistët më të verbër maqedonas dhe serbë. Dorëheqja e tij urgjente është akti i domosdoshëm. Ky etiketim që u bëri ai dhe përpjekja e turpshme që bëri për ta fshehur, unë e përgëzoj zotin Këlliçi, i cili zbuloi një akt të tillë kriminal, një akt të tillë të pashembullt.

Të quash idiotë shqiptarët e Maqedonisë, se ata nuk mbrojnë Pashiqin, kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiqit, Edi Ramën, do të thotë të jesh një tradhtar më i keq se ai. Një gjuhë gangsteri dhe vagabondi. Për të cilën ai duhet të japë menjëherë dorëheqje. Dhe jo të fshihet. Belind Këlliçi i nxori dokument, i nxori mesazhet e ambasadorit.

Shikoni se kush e ka, shikoni çfarë gangsteri është në politikën e jashtme të Shqipërisë, drejton politikën e jashtme. Sigurisht, vetëm ai mund të zgjidhej nga Edi Rama, nuk mund të zgjidhej kush tjetër. Akt i pashembullt, i padëgjuar ndonjëherë. Dhe pse? Sepse s’mbrojtën Edi Ramën ata. Po si mund të mbrohet Edi Rama, një tradhtar i kombit? Pse je ti lakej i tij? E dënueshme, plotësisht.

FJALA PËRMBYLLËSE

Ju falënderoj shumë për pyetjet që bëtë, të gjithëve. Shpresoj keni bërë pyetje shumë thelbësore, shumë të mira. Dhe shpresoj që me përgjigjet e mia të kem sqaruar pikëpyetjet tuaja.

Por, e mbyll këtë bisedë me ju me thirrjen më të sinqertë, të ngrihemi fuqishëm në protestën tonë të datës 8 maj. Por para së gjithash, të ngrihemi fuqishëm mbi murin e propagandës së mashtrimit, trillimit, që Edi Rama ka montuar me mafien e fjalës së lirë. Mos harroni, të dashur qytetarë, se sot kjo mafie 24 orë mbi 24 orë, shtatë ditë në javë, fillon dhe mbaron gjithçka për t’u mashtruar ju, gjithçka për të manipuluar të vërtetat para jush, gjithçka për të trilluar shpifje për opozitën, për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.

Mos harroni se kjo propagandë është në funksion total të veprimtarisë të vjedhjeve, në mburojë të vjedhjeve, plaçkitjeve të pasurive tuaja, varfërimit tuaj, shkretimit të Shqipërisë.

Mos harroni se kjo propagandë është në funksion të plotë të mbulimit të qëndrimeve të drejta që një numër vendesh anëtare të Bashkimit Evropian po kanë adaptuar ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit.

Duhet të ngrihemi edhe për të dëshmuar shqiptarëve dhe botës se ne nuk pajtohemi kurrë me këtë dhunim, me këtë vjedhje, plaçkitje të madhe, me këtë sundim të krimit në Shqipëri, se ne nuk pajtohemi kurrë, me këto pengesa të vendosura në procesin e integrimit.

Se ne jemi lokomotivë e integrimit, por me kusht, një proces i bazuar në meritë dhe jo lobim korruptiv. Jo lobim korruptiv që u fsheh shqiptarëve të vërtetën, që i fsheh komunitetit ndërkombëtar të vërtetat mbi Shqipërinë.

Jo, ne jemi për një proces transparent, të plotë, përfshirës. Jo vetëm të opozitës, por përfshirës të opinionit publik shqiptar dhe të qytetarëve shqiptarë. 8 maji është një ditë për të gjithë shqiptarët.

Nuk protestohet për pushtetin e Sali Berishës apo të Partisë Demokratike, apo të aleatëve të saj. Protestohet për votën e lirë të shqiptarëve. Protestohet përkundër plaçkitjes dhe varfërimit e mjerimit të tyre të vazhdueshme nga kjo qeveri. Protestohet kundër karteleve të drogës dhe vendimmarrësve, kundër sulmeve ndaj opozitës dhe përpjekjeve të egra ndaj saj.

Ndaj dhe të gjithë në këmbë, krenarë, krenarë me çdo protestues, krenarë me çdo burrë, grua, vajzë dhe djalë që mbush bulevardin për të tetën herë dhe qëndroni i pamposhtur si zëri i shqiptarëve. Ju uroj një fundjavë të mbarë.

Faleminderit!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale