FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DEGËN POGRADEC
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë takimit me degën e PD Pogradec në 34-vjetorin e themelimit të saj, theksoi arritjet historike të Partisë Demokratike gjatë 34 viteve, duke e cilësuar atë si “lokomotivë të zhvillimit” dhe faktor kyç në nxjerrjen e Shqipërisë nga izolimi. Berisha foli mbi arritjet e PD-së, si përmbysjen e diktaturës, ndërtimin e ekonomisë së tregut, integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët. Berisha theksoi gjithashtu se, megjithë gabimet, PD-ja ka lënë një trashëgimi pozitive dhe nuk mund të krahasohet me regjimin e kaluar komunist, që solli dhunë dhe persekutime.
Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi forcën dhe bashkimin e Partisë Demokratike pas një periudhe të vështirë, duke i referuar këto tri vjet si një kalvar të pazakontë për çdo forcë politike në një vend demokratik. Berisha gjithashtu përmendi luftën ndaj “mafias ndërkombëtare” dhe mbrojtjen e dinjitetit dhe interesit kombëtar shqiptar, si dhe e vë në dukje përpjekjen e qeverisë për të imponuar ideologji marksiste-leniniste, duke sulmuar familjen dhe identitetin tradicional shqiptar. Ai siguroi se PD-ja do të vazhdojë të mbrojë lirinë, dinjitetin dhe interesin kombëtar të shqiptarëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi virtytet e Partisë Demokratike, duke theksuar se ADN-ja e saj është e ndërtuar mbi tolerancën, respektin dhe mbrojtjen e të vërtetave. Ai theksoi se, pas një periudhe përçarjeje, PD-ja është bashkuar dhe është më e fuqishme se kurrë. Berisha e sheh si detyrën e partisë krijimin e një “fronti më të gjerë” se kurrë më parë, duke iu referuar frontit të krijuar në vitin 1991, kur PD-ja mundi të fitonte besimin e shqiptarëve pas një periudhe të vështirë.
Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi qeverinë për trajtimin e pensioneve dhe kushtet e vështira që po kalojnë pensionistët në Shqipëri. Ai theksoi se, pavarësisht buxhetit prej 8.2 miliardë eurosh, vetëm 16 milionë euro shpenzohen për pensionet, një shumë që ai e cilëson si të pamjaftueshme. Berisha e përshkroi situatën e pensionistëve, të cilët marrin paga shumë të ulëta, si 170 euro në muaj, dhe përballet me kosto të larta për shërbime dhe ilaçe. Ai e krahasoi këtë me shtete të tjera, si Mali i Zi dhe Maqedonia, ku pensionistët marrin më shumë se ata në Shqipëri.
Berisha gjithashtu kritikoi qeverinë për vonesën në indeksimin e pensioneve, duke theksuar se në vitin 2023, pensionistëve iu premtua një rritje prej 4%, por kjo nuk u realizua deri në tetor. Krydemokrati krahasoi politikën e qeverisë shqiptare me atë të Kosovës, ku pensionet u rritën me 20% dhe qeveria përdori fonde shtesë për këtë qëllim.
Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi qeverinë për rrogat e ulëta dhe thekson se programi i tij do të përmirësojë kushtet ekonomike për çdo shqiptar. Berisha premtoi rritjen e pagave, duke garantuar se çdo person që merr nën 200 euro do të marrë të paktën 200 euro. Berisha gjithashtu kërkoi që askush të mos paguhet më pak se 500 euro në sektorin privat dhe publik. Ai shpjegoi se do të ulen taksat dhe do të mbështeten sipërmarrjet për të arritur këtë nivel pagash.
Lideri opozitar, Sali Berisha vuri theksin gjithashtu mbi çmimin e lartë të naftës në Shqipëri, që është më i shtrenjtë se në vendet e tjera, si Kosovë dhe Maqedoni, dhe vuri në dukje tatimin e lartë mbi naftën. Berisha premtoi se pas 11 majit, çmimi i naftës do të rregullohet dhe do të jetë më i afërt me çmimet në këto vende fqinjë.
Kryetari i PD, Sali Berisha premton uljen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vendosur në 7 lekë për kilovat, për të ndihmuar qytetarët me të ardhura të ulëta. Ai shpjegon se 300 kilovatët e parë mbulojnë 78% të nevojave të familjeve shqiptare.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Pogradeci po rrezikohet nga mafia Rama-Xhafaj, që synon të shkatërrojë trashëgiminë natyrore dhe kulturore të qytetit. Ai i bëri thirrje qytetarëve të mbrojnë Pogradecin dhe vlerat e UNESCO-s.
FJALA E PLOTË
Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt ju, demokrateve dhe demokratëve të Pogradecit të pranishëm në këtë sallë. Të gjithë demokratëve dhe demokrateve të këtij rrethi dhe mbarë pogradecarëve në Pogradec dhe kudo që janë.
Një përshëndetje drejtuesit politik të qarkut, deputetëve, kryetarit të Partisë Demokratike dhe kënaqësinë e veçantë që, sot kremtojmë së bashku 34-vjetorin e themelimit të forcës politike.
Natyrisht, çdo përvjetor dhe ky përvjetor është një moment që ne të përulemi me nderimin më të madh para atyre djem dhe vajzave, gra dhe burra që 34 vite më parë në kushte, e vërteta është, terrori të shumëanshëm, firmosën dhe themeluan këtu Partinë Demokratike si parti të idealeve të lirisë, si parti të dinjitetit njerëzor, si parti të interesit kombëtar të shqiptarëve.
Partia Demokratike ishte forca e parë politike, ndoshta jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, që themelohej nga qytetarët shqiptarë. Në rast se, partia tjetër që qeverisi 45 vite Shqipërinë u themelua në Tiranë nga Beogradi, kjo është e vërteta, por përsëri, duart e tjerëve nuk kishin munguar edhe para saj.
Kjo parti u themelua nga studentët, liberatorë, nga intelektualë, nga punonjës, nga punëtorë në vendin më të izoluar të planetit dhe realisht u themelua pra, si partia e idealeve më fisnike, më të larta të qytetarëve më të shtypur, siç ishin qytetarët shqiptarë.
Në 34 vite, Partia Demokratike u faktua si lokomotivë e padiskutueshme e zhvillimit, e nxjerrjes së Shqipërisë nga izolimi, i integrimit të saj në institucionet euroatlantike. Ajo shënoi arritje epokale, përveç përmbysjes së diktaturës, me votën e lirë.
Duke shmangur një konflikt të mundshëm civil, ajo hodhi bazat e ekonomisë së tregut, të iniciativës së lirë së qytetarëve në vendin më hiperkolektivist të Europës. Hapi Shqipërinë ndaj botës, bëri hapat më seriozë drejt integrimit në BE, anëtarësoi Shqipërinë në KE dhe në NATO.
Partia Demokratike arriti në vitin 2008 që Shqipërinë, e cila ishte zvarritur jo në 10 vjeçar, po ndoshta edhe në shekuj në varfëri dhe mjerim, ta nxjerrë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta, në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Arriti që shqiptarët në kohëra, qytetarët më të keqpaguar të shndërrohen në qytetarët më të mirëpaguar, me rrogat dhe pensionet e tyre.
Arriti të transformojë në tërësi infrastrukturën e vendit. Padiskutim që, ajo pati gabimet e veta, pati mossukseset e veta, por një gjë nuk duhet të harroni kurrë; trashëgimia e saj janë arritjet që përmenda, janë gabime, por nuk janë kurrë krime.
Nuk janë burgjet, nuk janë ekzekutimet, nuk janë kampet e përqendrimit, nuk janë tirania e urisë që vendosi partia tjetër mbi shqiptarët, nuk janë tirania e izolimit që ajo vendosi dhe kjo duhet të jetë e qartë.
U ndala këtu për të thënë se, kurrë ne nuk jemi njëlloj, jo! Askush nuk duhet të pranojë se ne jemi njëlloj.
Ata që shprehen se jemi njëlloj, ata mashtrojnë veten e tyre, ose përsërisin një mashtrim të shërbëtorëve të narkodiktaturës. Por, përsëri rikthehemi te ky 34-vjetor.
Ne, kaluam këto 3 vite një kalvar, të cilin nuk e ka përjetuar asnjë forcë politike në një vend demokratik, në një vend të lirë. Dhe, e vërteta është që u bë një përpjekje e jashtëzakonshme që ne të mos ishim. Që ne, të mos kishim emrin me të cilin lindëm, të na ndryshonin emrin, të na ndryshonin flamurin.
U bë një përpjekje antidemokratike e turpshme, që të na shndërronin në një parti simotër të Rilindjes së Edi Ramës.
U bë një përpjekje që të gjitha pushtetet në këtë vend t’i jepeshin një njeriu, si përfaqësuesi më të rrezikshëm të mafies ndërkombëtare, mafies së Xhorxh Sorosit.
Në këtë betejë të egër kundër nesh, arritën të na përçanin, arritën të na burgosnin, arritën me makinerinë e tyre të shpifjeve të ngrinin një mal të tërë mashtrimesh, trillimesh.
Por si njerëz të cilët besonim në parimet dhe vlerat që mbrojmë, ne nuk u dorëzuam. Ne nuk u dorëzuam me besimin se, ato nuk janë të vërteta që nuk mund të mposhten kurrë. Se dinjiteti njerëzor, se interesi kombëtar, se liria dhe vlerat e saj, se familja dhe shenjtëria e saj, janë shtyllat e një shoqërie të lirë, e njerëzve me dinjitet.
Ndaj dhe ne, qendruam dhe vijmë sot, ju garantoj unë ju, më të fuqishëm, më të bashkuar, më të sigurtë se kurrë në fitoren e 11 majit!
Vijmë para vetes sonë dhe para shqiptarëve, si djem dhe vajza, burra dhe gra që, të pamundurat i bëmë të mundura. Ato që dukeshin utopi i shndërruam në realitet. Që përballuam me sukses mafien më të rrezikshme të Europës, që është qeveria shqiptare, por edhe mafien më të rrezikshme të planetit që është mafia e Xhorxh Sorosit.
Dhe qëndruam me të drejtat tona. Në sytë e shqiptarëve, ne mbrojtëm as më shumë dhe as më pak se, qënien shqiptare, se identitetin shqiptar.
Partia tjetër, u rikthye në origjinë. Tani duke kontraktuar praktika çnjerëzore të marksist-leninistë ekstremistë. Solli në Shqipëri praktikat e sulmit ndaj familjes, shpërbërjes së familjes, emërtimet e prindërve 1 dhe 2, krijimin e grave për njeriun e ri. Kjo është e vërteta.
Por, ja ku jemi. Asnjë nga këto nuk do mund të ndodhë. Ne do vendosim familjen shqiptare në meritat që ajo meriton. Është ajo që ka garantuar ekzistencën e kombit shqiptar.
Ne, do garantojmë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë. Ne do mbrojmë në çdo kohë dhe në çdo rast, interesin kombëtar të shqiptarëve.
Ne, jemi patriotë, e duam fort Pogradecin, e duam fort Shqipërinë. Dhe për ne, Pogradeci dhe Shqipëria do të jetë gjithnjë e para. Nuk mund të ketë asnjë mëdyshje, asnjë hezitim.
Miqtë e mi, edhe në takime të tjera e kam theksuar. Edhe këtu do e sjell, dhe e theksoj prap. Po të hyjmë ne në ADN-në dhe të shohim se, çfarë ADN-je është kjo e jona. ADN-ja jonë, është një ADN virtytesh.
Po, është ADN e tolerancës, e respektit, është ADN e mbrojtjes së të vërtetave. Ky është realiteti. Pikërisht, se jemi të tillë u përçamë dhe menduan se morëm fund. U bashkuan dhe jemi më të fuqishëm se asnjëherë.
Ndaj dhe, me këto virtyte tona sot kemi një detyrë dhe detyra më e madhe e jona është, krijimi i një fronti më të gjerë që ka njohur Shqipëria nga viti 1991.
Fronti në vitin 1991, iu kujtohet disave që janë këtu, ne e krijuam edhe me ata që rrëmbyen armët kundra nesh. Të jemi realistë, ne në 1991 nuk fituam asnjë fshat. Ishin të indoktrinuar. Por në 1992 ne fituam në çdo fshat, sepse e kuptuan që ne nuk ishim fashistë, siç na paraqisnin.
E kuptuan që, ne ishim njerëz për iniciativën e tyre, për lirinë e tyre.
Pra, ne krijuam një front më të gjerë dhe shënuam fitoren më të thellë.
Po, sot? Secili nga ju mund të më thotë: po është shumë larg Shqipëria e sotme me Shqipërinë e 1991.
Këtë e them edhe unë, qindra vite e vite larg. Por ama, po ta shihni me vëmendje, ka ngjashmëri të frikshme, përsëri. Dhe një nga ngjashmëritë e frikshme të kësaj Shqipërie me atë të 1991 është: se sot, edhe atëherë njerëzit vuanin për kafshatën.
Atëherë dyqanet ishin bosh. Sot dyqanet janë plot. Po kjo vitrinë është e ndaluar për një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë. Janë mollë e ndaluar.
Çfarë i duhet dyqani atij që merr 60 euro në muaj? Çfarë i duhet dyqani plot atij që, merr 120 euro në muaj? Çfarë i duhet dyqani plot, atij që nuk merr asnjë euro në muaj?
Çfarë i duhet dyqani plot pensionistit që, merr 170 euro në muaj, duhet të paguajë dritat, ujin, njëlloj sa ai që merr 7 mijë euro në muaj, duhet të paguajë ilaçet njëlloj si ai. Çfarë i mbetet atij, më thoni ju mua? Qoftë demokrat, socialist, i pa parti.
Çfarë i mbetet një invalidi që edhe për të sjellë nga jashtë, edhe në qoftë se ia dërgojnë mjete që i duhen atij, i marrin në doganë një herë e gjysmë çmimin që ka paguar.
Çfarë mund t’u thuhet sot pensionistëve që, sot janë 780 mijë gra dhe burra, kanë shkri jetën, dhe që në një buxhet 8.2 mld euro ndahen 16 milionë euro.
Ndahen, do të më falni për shprehjen, në mënyrë absolute me numër, aq sa ndan gjermani për qentë e shtëpisë. U lidh nga një pension gjermani, edhe qenve, u paguan 130 euro, ta dini këtë. Maces më pak, qenit më shumë.
Shikoni pra, se sa afër jemi ne me këta. Jemi një me këta. Pavarësisht nga bindjet, pavarësisht se për kë kemi votuar më parë.
Po se, një pensionist në Shqipëri të marrë mesatarisht 170 euro, në Mal të Zi të marrë 450 euro. Kush ka qenë nga ju në Mal të Zi? Çfarë ka Mali i Zi? Nuk ka asnjë të 1/5 të pasurive të Shqipërisë. Absolutisht!
Po, pse, një pensionist në Maqedoni të marrë 280% të pensionit që marrim ne? Dhe të gjitha këto, me të gjitha dokumentet, ne ishim para të gjithëve në vitin 2013. Ata ishin ndën ne në pensione, ndën ne në rroga.
Rumuni, kishte rrogën minimale në vitin 2013, 800 lei. Lexoni, shikoni sa e ka sot, 3300 lei. Kosova, shtet i sapoformuar, i shpallën pavarësinë, përsëri pensionistët marrin 30-40% më shumë se sa në Shqipëri.
Pse ndodh kjo? Kjo ndodh, sepse qeveria demokratike, që i thotë vetes përfaqësuese e qytetarëve, është e detyruar që të ardhurat që krijon t’i shpërndajë me qytetarët.
Çfarë bënë këta? Ky ngriu rrogat e ulëta, ky ngriu pensionet, ky mashtroi me indeksimin e pensioneve.
A ka akt më cinik?
Po marrim vitin e fundit. Në dhjetor të vitit 2023, votohet në parlament buxheti, ku pensionistëve do iu jepej indeksimi me 4%.
Erdhi marsi gjer në tetor, asnjë qindarkë. Që ishte ligj. Por ligjin nuk mund ta shkelë kurrë qeveria. Por një qeveri që nuk ka ligj, është kjo qeveri.
Dhe në tetor e vendosi, i grumbulloi, nga marsi gjer në tetor luajti bixhoz me to dhe tha po jap bonusin në dhjetor.
Qeveria e Kosovës, çfarë bëri? Do të rrisë 20% pensionet, tha kryeministri i Kosovës. Dhe, për të rritur pensionet mori 100 milionë euro nga buxheti dhe i vendosi në fondin e pensioneve. E kishin 500 milionë euro, e bëri 600 milionë euro.
Po rrogat e ulëta? Pse rumuni e rriti 4 herë rrogën e ulët, po Shqipëria po t’i vësh inflacionin pothuajse fare. A, prisni.
Në rrogat qendroi indiferent? Jo! Rrogat e larta i rriti në stratosferë. Sot, Shqipëria ka rroga më të larta se sa Sllovenia. Imagjinoni Sloveninë ju. Sllovenia ka rroga të barabarta me vendet e zhvilluara të BE-së.
Dhe këtu, rrogat e larta janë më të larta se atje.
Pra, çfarë kemi ne. Ne kemi programin tonë, zotimin tonë solemn, nga i cili do përfitojë çdo shqiptar që sot është në vështirësi, dhe jo vetëm.
Ne do vendosim minimumin jetik. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Dhe ai që nuk merr asnjë qindarkë, do marrë 200 euro. Edhe ai që merr 100 euro, do marrë 200 euro. Edhe pensionisti në fshat që merr 120 euro, do marrë 200 euro. Pensionisti në qytet që merr 170 euro, do marrë 200 euro.
Dhe u garantoj se është vetëm hapi i parë. Se ligj do të jetë, çdo vit do të indeksohet.
Nuk do të ketë shqiptar që do marrë rrogë në sektorin privat, apo në sektorin publik nën 500 euro. Jo, është jashtë çdolloj morali. Çfarë do bëhet me sipërmarrjet që, e kanë bazuar në rroga të ulëta?
Do ulim taksat, do i ndihmojmë me të gjitha mënyrat. Nuk do pranojmë kurrë që t’i paguajnë nën 500 euro shqiptarët. Të eci sipërmarrja mirë, nuk të eci, ky është kushti.
A po bëjmë ne një zbulim? Jo!
Çdo vend i lirë demokratik, ka jo pagën mujore, por pagën e orës, që çdo orë je i detyruar të paguhesh kaq, dhe në qoftë se nuk jep atë pagë për orën, të vihen drynat.
Pra, ky është. Si do e arrijmë ne këtë?
Nafta. Unë e kuptoj se, një pjesë e mirë e njerëzve nuk kanë vetura, por ata duhet ta dinë se, çmimi i naftës rëndon në çdo kafshatë të tyre. Se transporti i mallrave është një nga shkaqet e rritjes së çmimeve.
Po si ka mundësi, që nafta vjen në portin e Durrësit, nga Durrësi shkon në Kosovë. Në Kosovë shitet 30, 40 gjer në 50% më lirë se në Shqipëri. Merr fund!
Pas 11 majit, 3 muajt e parë nuk do mund të ketë çmim nafte në tokën e Shqipërisë, plus minus 10% çmimit të naftës në Maqedoni ose në Kosovë. Këto dy vende marrim.
Se këtu, çmimi është më i lartë se në Gjermani, është më i lartë se në Zvicër, çmimi është më i lartë se në Singapor. Por ama, ne bëjmë analiza reale. Çmimi i tillë ka na bzë në radhë të parë, pamëshirësinë e kësaj qeverie që, taton litrin e naftës me 1.1 euro. Dmth o miq, ajo naftë që merr 1.1, ia paguajmë qeverisë.
3 herë më pak, e taton Maqedonia. 2 herë e gjysmë më pak e taton Kosova. Merr fund kjo. Çmimi, me ngarkesë të njëjtë fiskale do të variojë, plus minus 10% me këto vende fqinjë.
Këto nuk kanë asnjë litër naftë, ne prodhojmë 1 milionë ton, mund të themi edhe më e ulët.
Energjinë elektrike, a mundet ta paguajë njëlloj ai që merr 120 euro, apo 150 euro, apo tani që do vendosim minimumin jetik 200 euro, me atë që merr 5000 euro, me atë që merr 4000 euro.
Jo, kurrë. Ne do vendosim. Së pari, do vendosim 7 lekë për kilovat. E keni patur 7.7 në vitin 2013, tani do e zbresim dhe më tej. 7 lekë, fillimisht, se mund të ulet edhe më shumë. Ua them unë pse ulet.
300 kilovatët e parë, këta mbulojnë, që ta dini, 78% të nevojave të familjeve shqiptare. Fasha e dytë, nuk do të jetë 115 lekë, do të jetë 100 ose 105 lekë. Bizneset do ta kenë sa e kishin. Pra, 6 lekë, në mënyrë që t’i lehtësojmë.
Ku i bazojmë këto masa? I bazojmë këto masa, ua them unë ju, se ne jemi vendi ku 2/3 e nevojave energjitike i realizojmë me koston më të ulët. Kaskada e ka shlyer veten gjer sot, 3 herë.
Nuk ka nevojë për t’u marrë qytetarëve për të shlyer ndërtimin e kaskadës. Kaskada prodhon, nuk them se falas, por afërsisht se falas dhe çmimi i energjisë mund të ulet. Dhe politika që ndoqëm ne me HEC-e ka bërë që sot të prodhohet 30% më shumë se nevoja, etj.
Tani, ata të cilët do ulemi me ta, do shtrojnë pyetjen: ku janë këto para? Ku janë?
Këto para dalin dhe teprojnë. Ua them unë ju, me bindjen më absolute. Sepse këta lanë 16 milionë për 780 mijë pensionistë, në një kohë që ndërtojnë rrugën 10 herë më shtrenjtë se Kroacia. Cilido, le të klikojë në Google, të gjejë autostradën në Kroaci, Bjelli-Osek-Manastir, 17 kilometra, 27 metra e gjerë, 27 milionë euro u ndërtua autostrada, 1.6 milionë për kilometër.
Merrni pak rrugën, Limuth-Thumanë. 20 milionë euro për kilometër. Merrni pak shkollat. Shkollat kanë standarde. BE, SHBA kanë standarde ndërtimi, kanë manuale në të cilat përcaktohet çdo çmim, dhe ato çmimet rriten siç rriten çmimet e tjera.
Pra, dihet sa është kostoja.
Nga 700 mijë, që ndërton BE, në Shqipëri ndërton me 8 milionë, Erion Veliaj ndërton me 6 milionë.
Pra, të gjitha janë këtu. Do ua marrim hajdutëve, do ua marrim kësaj rrace hajdutësh, të cilët diktaturën ideologjike staliniste e kanë zëvendësuar me diktaturën e krimit, dhe përdorin varfërinë, mjerimin për të larguar shqiptarët si kurrë ndonjëherë në histori nga vendi i tyre nëpërmjet varfërisë.
Ndaj dhe, jeni dhe jemi para një misioni të madh, dhe ky mision kërkon që me tolerancë, me përkushtim, të ulemi me çdo qytetar të Pogradecit.
Pogradeci ka edhe një motiv plus. Pogradeci ka një bukuri mahnitëse, të cilën qytetarët dhe Zoti e lartësuan në çatinë e vlerave për njerëzimin. Tani do t’ia zhgarravisë mafia fytyrën, t’ia pushtojë brigjet. Një mafie ndër më të rrezikshmet e kohërave, mafia Rama-Xhafaj.
Ata janë mafiozët më të rrezikshëm që ka patur Shqipëria ndonjëherë.
Unë do kisha tendencë të flisja vetëm për Xhafën, se është edhe dhëndër këtu, por jo. Xhafaj, pa firmën e Ramës, nuk heq dot një tjengull në këtë qytet. I ndajnë bashkë, edhe vëllezërit i kanë patur bashkë në afera të pisëta, dhe punët i vazhdojnë bashkë.
Iu bëj thirrje qytetarëve të Pogradecit: Ta mbrojmë këtë trashëgimi të jashtëzakonshme, sepse midis UNESCO-s dhe mafies, duhet të zgjedhim me çdo kusht UNESCO-n, e cila e vlerësoi Pogradecin, një ikonë të trashëgimisë mahnitëse natyrore, njerëzore dhe kulturore.
Ndaj dhe, ka edhe një arsye të madhe që, në këtë debat, të ulemi me çdo pogradecar, të sigurtë në fitoren e 11 majit. Parti e transformimeve të mëdha. Përmbysëm një diktaturë, do përmbysim diktaturën e dytë. Nuk ka fat më të madh për një njeri, fat më të madh për një gjeneratë, se sa të përballet dhe të përmbysë një diktaturë. Të çlirojë veten dhe vendin e tij nga një e keqe që sillet si një pushtim i egër ndaj qytetarëve.
Është radha, është radha jonë, është radha jonë!
Fitore!