Berisha: Në 24 janar të gjithë shqiptarët në shesh. Nuk do ta ndërpresim betejën gjer ditën e largimit të Edi Ramës. PD forca e idealeve që ringrihet gjithmonë për Shqipërinë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN ME ANETARET E DEGËS NR. 2

EKSTRAKT

Në ‘Foltoren’ me demokratët e Degës 2 të Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ngarkuar me mesazhe historike dhe politike, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin 35-vjeçar të Partisë Demokratike si forcë e idealeve të lirisë, demokracisë dhe interesit kombëtar. Në fjalën e tij, ai theksoi sakrificat e demokratëve ndër vite, misionin themelor të PD-së në përmbysjen e diktaturës dhe ndërtimin e shtetit demokratik, si dhe rolin e pazëvendësueshëm të kësaj force politike në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, të cilën e cilësoi si ‘Yllin Polar’ që ka udhëhequr çdo vendimmarrje të saj.

Gjatë fjalës me demokratët e Degës 2, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për sfidat e mëdha që ka kaluar Partia Demokratike dhe Shqipëria, duke theksuar vendimet e dhimbshme janë marrë në emër të parimeve morale dhe besnikërisë ndaj qytetarëve.

Ai vuri në pah transformimet epokale të vendit nën qeverisjen e PD-së, përballë krizave dhe sfidave si vitet 1997 dhe lufta kundër korrupsionit, dhe përmes këtyre përvojave tregoi se mbështetja e qytetarëve dhe qëndrimi i palëkundur ndaj të vërtetave themelore kanë qenë gjithmonë shtylla e forcës së partisë.

Pasi bëri një pasqyrë të arritjeve të Partisë Demokratike kur ishte në pushtet, kryedemokrati Sali Berisha denoncoi qeverisjen e Edi Ramës se solli kirmin në politikë, duke manipuluar pluralizmit, dhe duke zhdukur votën e lirë. Ai theksoi se Partia Demokratike, megjithë sulmet dhe përpjekjet për të zhdukur atë, ka qëndruar e palëkundur në mbrojtje të të vërtetës dhe votës së lirë, duke sfiduar manipulimet elektorale dhe ndërhyrjet e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

Sipas Berishës, kjo betejë është një moment historik vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë dhe demokracisë.

Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës me anëtarët e degës 2, denoncoi qeverisjen aktuale si të paligjshme dhe të lidhur me krimin, duke e cilësuar si një ‘farsë zgjedhore’ që dëmton qytetarët shqiptarë dhe ekonominë e vendit. Ai theksoi se Partia Demokratike ka mbrojtur gjithmonë të vërtetat, jo për interesa politike, por në interes të qytetarëve dhe të drejtësisë ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah krizën ekonomike, rritjen e çmimeve, papunësinë dhe helmimin e të rinjve me drogë si pasojë të qeverisjes aktuale.

Berisha nënvizoi gjithashtu mbështetjen ndërkombëtare të PD-së në luftën kundër karteleve të drogës dhe rendi e përkushtimi i saj për të qëndruar në ‘kilometrin e fundit’ të betejës për Shqipërinë dhe votën e lirë.

Krydemokrati Sali Berisha në fjalën e tij me anëtarët e degës numër 2, ka denoncuar farsën elektorale, korrupsion masiv dhe kapje të shtetit nga qeveria aktuale.

Duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2021 dhe atyre pasuese, Berisha theksoi se vota është blerë hapur përmes shpërndarjes së qindra milionë eurove nga buxheti i shtetit, ndërsa sot, sipas tij, skandalet kanë marrë përmasa edhe më të rënda, duke përfshirë zhdukjen e fondeve publike, afera miliardëshe dhe shpalljen e zonave fiktive të teknologjisë së lartë për përfitime familjare dhe klienteliste. Sipas tij, livadhet e Troplinëve në Durrës, janë simboli i deformimin ekstrem të shtetit ligjor, ekonomisë dhe drejtësisë në Shqipëri.

Duke bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur 24 janarin si ditën e një përballjeje vendimtare në shesh kundër qeverisë së Edi Ramës.

Duke iu referuar ngjarjeve të 21 Janarit, Berisha u shpreh se ajo video ishte manipuluar nga Edi Rama dhe Filip Çakulli, për të organizuar protestën më të dhunshme në historinë e Shqipërisë. Ai theksoi se, Shqipëria ndodhet në ‘kilometrin e fundit’ të një beteje historike për demokracinë dhe votën e lirë. Kryedemokrati Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në protestë paqësore, pa u tërhequr, deri në largimin e kryeministrit, duke e cilësuar këtë si misionin më të madh politik të Partisë Demokratike që nga themelimi i saj.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, demokrateve e demokratëve të lagjes 2.

Të gjithë demokratëve e demokratëve të Tiranës, qytetareve e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Të dashur drejtues, të degës së Partisë Demokratike numër 2, Jorida, zonja kryetare, Belind, Enri, Mimoza, të gjithë sa jeni këtu. Është kënaqësi e veçantë të takohem me ju dhe takohem me ju me shpresë dhe besim të plotë. Sepse, në 35 vite, kur ndalim dhe vështrojmë pas, ne vijmë këtu si njerëz të idealeve.

Si njerëz që sakrifikuam për idealet më të larta, më fisnike të njeriut. Për lirinë e individit, për votën e lirë, për iniciativën e lirë, për atdhedashurinë, për Shqipërinë. Sakrifikuam për familjen. Pra, ne jemi njerëz të cilët jemi udhëhequr dhe kemi mbrojtur të vërtetat më të mëdha të një shoqërie, të vërtetat më të mëdha të një individi.

Ky është realiteti, kjo ka qenë përcaktuese në mbijetesën tonë. Ne u krijuam në një terren më armiqësorin që mund të ishte. Në një terren që opozita ishte një mallkim. Por ne ia dolëm. Ia dolëm jashtë çdo parashikimi.

Që në atë terren, në vendin e diktaturës më ekstreme, hiperkolektivizmit më ekstrem, të ndërtojmë rendin demokratik, institucionet e shtetit demokratik, ekonominë e tregut. Dhe ajo që është shumë e veçantë në këtë arritjen tonë: ne ia dolëm në një kohë kur, në agun e këtyre ndryshimeve, ne pothuaj nuk dinim asgjë për to. Por ne mësuam.

Ne të vendosur të kthejmë në jetë idealet tona, ne arritëm në katër vite një transformim epokal të Shqipërisë. Me idealet tona, ne ndamë epoka. Përmbysëm epoka, sisteme. Dhe mbi të gjitha, ne çështjen kombëtare shqiptare, një çështje e tradhtuar në mënyrë më antishqiptare, një çështje që përbënte një nga padrejtësitë më të mëdha historike të Europës, ne guxuam.

Javën e parë, ne u thamë shqiptarëve dhe botës, se për ne, çështja kombëtare do të jetë Ylli ynë Polar. Në rast se ne nuk do thonim, nuk do shpallnim këtë, ne nuk duhet të ekzistonim, nuk meritonim të ekzistonim. Pra, që në themelim, ne morëm përsipër mision, misione të mëdha. Dhe e vërteta është që ka qenë misioni ynë. Ka qenë misioni ynë për Shqipërinë, ka qenë misioni ynë për lirinë.

Ajo bën që sa herë menduan që ne u zhdukëm, të ngrihemi si feniksi nga hiri. Ajo që bën që ne të transformojmë në mënyrë epokale Shqipërinë.

Miq, ne u përmbajtëm këtyre të vërtetave, nuk i lëshuam ato. Të shpallje ti në vitet ’90 se çështja kombëtare është Ylli ynë Polar, në një kohë kur fqinjët tanë kishin kthetrat të gjithë në çështjen shqiptare, automatikisht shpallje një armiqësi me të gjithë ata që i kishin kthetrat në këtë çështje.

Po ne do ta bënim atë. Sepse në qoftë se, thashë edhe njëherë, ne do përfaqësonim interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pra, këto të vërteta që mbrojtëm, ky mision, u shndërrua dhe në forcën jetike të Partisë Demokratike.

Përsëri, ne ramë në 1997-ën. Sepse bëmë gabimet tona, pa diskutim. Bëmë gabime por nuk i kishim, nuk i njihnim, edhe kjo është e provuar, ne s’njihnim skemat piramidale. E vërteta. Megjithatë, në atë situatë, prapë ne mbajtëm të vërtetat. Cilat? Së pari, qeveria nuk i kishte ndërtuar ato.

Së dyti, meqenëse qytetarët, propaganda i bindi se qeveria i ka marrë paratë e tyre, vendimi ynë ishte shumë i drejtë: të dalim nga pushteti, të lëshojmë pushtetin. Të dalim në opozitë. Shqiptarët ta kuptojnë, ta marrin vesh se nuk është prekur asnjë qindarkë e tyre nga qeveria.

E dhimbshme kjo. Vendim i dhimbshëm. Por prapë duhej. Ne nuk mund të qeverisnim njerëz që besonin se u kishim futur duart në xhepat e tyre. Çfarë ndodhi? Katër vite. Katër vite përpjekje të jashtëzakonshme, primitive, të Partisë së Krimit për ta zhdukur ne. Qindra akuza. Krime kundër njerëzimit, çfarë nuk bënë. Kurse ne u bëmë çdo ditë më të fuqishëm.

Dhe në vitin 2021 ne fituam zgjedhjet. Ata na i morën. Por, na i morën, por, ne bëmë avokatinë e votës. Ne ia zumë në fyt kafshatën. Dhe u detyruan, u detyruan, pasi u tha Parlamenti Europian se nuk jua njohim parlamentin, s’ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, të bëjnë kompromisin që u bë.

Pra, jo vetëm që ne nuk u zhdukëm siç dëshironin, kur e filluam tek ajo ndërtesë, 30 vetë në oborr. 40 bëheshin pas pesë ditësh dhe me radhë. Po u ngritëm. U ngritëm të vërtetat që besojmë. U ngritëm sepse qëndruam të vërtetë me shqiptarët.

Kur rivali im, yni, u tha atyre se do ju shpërblej çdo qindarkë të humbur, do ju kthej… Jo u thamë ne. Ajo s’mund të bëhet. Sepse çfarë do të thotë? Do të thotë të marrësh paratë e atij që s’ka vendosur një qindarkë në skema dhe të t’i japë ty. Po kjo është pamoral. Kjo përbën në rrafshin moral një krim, e të tjerë e të tjerë.

Ai nuk ktheu një qindarkë, qytetarët na votuan ne. Pra, pse i kujtoj unë këto? I kujtoj këto sepse ne jemi forcë politike vendimesh të dhimbshme. Por i kemi marrë ato në emër të një morali. Në emër të një parimi. Në mënyrë që të jemi të vërtetë me qytetarët shqiptarë. Kjo është historia. Morëm pushtetin. Përsëri transformim të jashtëzakonshëm të vendit.

Miq, kemi një problem, duhet ta dimë. Një problem serioz. Korrupsionin nuk kemi arritur që të krijojë zemërimin e madh të qytetarit. Nuk kemi, po të shihni, të flasim hapur me ju, po të shihni studimet e vërteta, nuk e pëlqejnë, por nuk është ai reagim që duhet të jetë.

Dhe këtu është një defekt i yni, duhet ta pranojmë. Duhet të mos lodhemi. Duhet të mos lodhemi të shpjegojmë. Se ç’do të thotë. A kishte korrupsion gjatë qeverisjes sonë? Po. Po kishte një luftë të hekurt kundër korrupsionit.

Dhe për secilin prej jush, dy të dhëna. Ne administruam në tetë vite 30 miliardë euro. Ne ishim parti e taksave të ulëta. Dhe do jemi gjithmonë. Kanë administruar në 12 vite, 67 miliardë euro.

Dyfishuam rroga dhe pensione. Mbi dyfishuam rrogat. Dyfishuam pensionet. Ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë. Ja ku janë të gjitha. Një mijë e sa shkolla, kopshte. Shqipëria, në Shqipëri pothuaj interneti nuk ekzistonte. Arritëm Shqipërinë dixhitale. Pra, në ato tetë vite ne bëmë që Shqipëria kurrë të mos ishte ajo që ka qenë.

Mbi të gjitha, Shqipërinë që renditej në vendet, në grupin e vendeve më të varfra, e nxorrëm të renditur në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Besnikë të idealeve tona, ne humbëm zgjedhjet, pranuam rotacionin, dolëm në opozitë. Pra, u qëndruam vlerave dhe parimeve. Sot, çfarë ka ndodhur? Sot, në pushtet, partia e krimit. Nuk mund të ketë emër tjetër partia në pushtet përveçse parti-krimi.

Në fakt ajo ka lidhje me krimin. Në fakt ajo është rritur me gjakun e shqiptarëve të ndershëm, në luftë civile. Në fakt ajo ka mbijetuar në shtypjen më të egër të shqiptarëve. Dhe sot, sot ajo më shumë se kurrë në historinë e saj, vjedh shqiptarët dhe poshtëron kombin shqiptar.

Miq, në diktaturën e narko-horrave votohej me dajre dhe daulle, dihet. Frika që kishte mbjellë patronazhisti që shpërndante tre muaj para zgjedhjeve, nga pallati në pallat, mbi terror, dhe njerëzit shkonin votonin automatikisht për kandidatin që s’duhej. Po sot? Ku jemi? Sot ne jemi përsëri një diktaturë.

Një diktaturë e cila dallon nga e para. Ku dallon? E pranon pluralizmin. E para e kishte të ndaluar me kushtetutë. Kjo nuk e ka të ndaluar me kushtetutë, përkundrazi, kushtetuta sanksionon rend demokratik. Por kjo e shtyp pluralizmin me të gjitha mjetet. E shtyp pluralizmin me të gjitha mjetet dhe pluralizmin e shndërron të pavlerë, e shndërron në fasadë.

Edi Rama realizon këtë nëpërmjet, nëpërmjet shndërrimit të zgjedhjeve në farsë. Nëpërmjet propagandës së tij, se farsat janë votë, se farsat janë zgjedhje. Nuk ka demokrat e demokrat. Sot forca jonë politike ndodhet në një moment jashtëzakonisht të vështirë, por përcaktues për fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Pra, nga njëra anë, nga njëra anë ky armik i votës së lirë zgjedhje nuk bën, ose bën zgjedhje farsë një lloj si paraardhësit e tyre. Nga ana tjetër, të gjithë altoparlantët e mediave, 42 mercenarë të fjalës së lirë, shpërndahen çdo natë për t’u thënë shqiptarëve se Edi Rama fiton zgjedhjet, se opozita humbet zgjedhjet. Për të mbrojtur një mashtrim të pa, të pakufijshëm.

Por, kësaj here nuk eci. Kësaj here falë punës që u bë nga ju, qëndrimit që u mbajt, jo. Ai u sul si bandit dhe donte me çdo kusht të ndryshonte raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë. Dështoi me turp. Përkundrazi, ato raporte do t’jua mbledh vetëm me dy fjali. Në Këshillin e Europës rekomandimi ishte që në Shqipëri të ndahet partia nga shteti.

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që zgjedhjet në Shqipëri janë si në monizëm. Shteti me të gjithë fuqinë e tij në garë, partitë me mundësitë dhjetëra herë më të pakta në garë. Kurse në Parlamentin Europian, kryevëzhguesi i zgjedhjeve nga ai parlament deklaroi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.

A i keni dëgjuar ju këto media të shpërfytyruara të flasin një herë për ndërhyrje, për rolin e tmerrshëm të krimit të organizuar? Tepër rrallë. Nuk mund të mohohet. Por kartelet e drogës nuk kanë si mision kryesor fushatë farse elektorale të qeverisë së krimit. Kthehem dhe njëherë, ne, parti e të vërtetave. Kësaj here, pavarësisht nga kalvari që kaluam, më i pamerituari, më qesharak, ai kalvar që kaloi Partia Demokratike ia vlen të bëhet, të bëhet skenari i një prej filmave më oruellian që mund të dalë. Po pse? Se mbronim të vërtetën.

Ne mbronim të vërtetat! Çfarë bënim ne? Ne mbronim të vërtetat, të vërteta jo vetëm në interes tonë, por të vërteta në interes të njerëzve të lirë mbarë botën, në Europë dhe në botë. Po në qoftë se ne denoncojmë kartelet e drogës, dhe themi se Edi Rama ndërtoi narkoshtet, po ne nuk e bëjmë këtë për qëllime politike. Kurrë! Se s’do pranoja kurrë t’i vija vendit tim një damkë të tillë.

Korruptokratët! Korruptokratët, e paguar apo pa paguar nga Edi Rama, anatemojnë sepse themi narkoshtet. Po si të mos them narkoshtet unë? Kur ti aty more zotëri, ti aty, një euro që shkëmbehej me 135 lekë, e shkëmben sot me nja 107 lekë.

Në një kohë kur në çdo vend tjetër të botës, përveç Shqipërisë, euro ka ardhur duke u rritur, jo duke rënë. Po çfarë ka sjellë kjo? Kjo ka falimentuar me qindra, edhe sot po lexoja, me qindra qindra sipërmarrje eksporti. Po çfarë ka sjellë kjo? Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë pa punë. Pa punë. Baronët e drogës ndërtojnë kullat, kurse shqiptarët marrin rrugët e dheut. Po çfarë ka sjellë kjo? Ka deformuar në mënyrë të tmerrshme çmimet.

Sot, për shkak të çmimeve, 200 euro vlejnë, ose sot në ato që blije para 4 vitesh me 140 euro, do shpenzosh 200 euro. Do shpenzosh 200 euro. Nuk po ndalem në pasojat e tjera, po po ndalem tek xhepi juaj, tek xhepi i qytetarëve shqiptarë.

Nuk po ndalem tek helmimi i të rinjve shqiptarë me drogë, dhe fëmijëve. Nuk po ndalem te fakti që Ergys Agasi, nëpërmjet emrit të Suel Çelës dhe të Troplinëve, shkarkon njëri pas tjetrit ministrat. S’po ndalem te këto. Pra, mirëpo ne prapë, pse jemi ne në këmbë? Se jemi parti e interesit kombëtar.

Dhe interesi kombëtar i shqiptarëve kërkon që ne ta denoncojmë, ta denoncojmë, ta denoncojmë. Fatmirësisht, fatmirësisht jeni dëshmitarë që katër muajt e fundit të gjitha mesazhet që kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara janë, që të gjitha, për luftën kundër karteleve të drogës, lidhjeve të tyre me kartelet e drogës. Kjo është e vërteta. Miq! Ne erdhëm pra sot, pas një mbështetje të madhe ndërkombëtare nga të gjitha partitë simotra në botë. Dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme.

Në qoftë se ne më parë flisnim para shqiptarëve, damkosnim këtë situatë dhe nxirrnim të vërtetat, ne nuk kishim një mbështetje. Kurse sot janë shtatë rezoluta. Në qoftë se do lexoni ju punimet e seancës së dëgjimit në Kongresin Amerikan, aty keni të rreshtuara të gjitha problemet që ju keni mbrojtur, që ju keni denoncuar, për të cilat ju keni luftuar kundër. Kjo është e vërteta.

Pra, kemi arritur që kauzën tonë, kauzën tonë që mbrojmë, t’ia bëjmë të qartë si kauzë të drejtë mbarë botës. Ishin në Brazil, në Sao Paulo. Pas Venezuelës, e dyta është Shqipëria. Maduro – Ramaduro!

Prapë kthehemi. Sot opozitarët janë njerëz të mërzitur. Janë të lodhur. Janë të keqtrajtuar. Janë dhe të dëshpëruar. Por çdo opozitari dhe opozitareje i them se jemi në kilometrin e fundit.

Jemi në kilometrin e fundit. Pse jemi në kilometrin e fundit? Jo nuk e them këtë unë, ju duhet të dini një gjë: pavarësisht nga çmimi, po unë nuk devijoj kurrë të mos u them atë vërtetë që unë besoj, dhe e besoj plotësisht.

Jemi në kilometrin e fundit, pas gjithash dhe mbi të gjitha, për shkak të qëndresës sonë. Dhe të atyre që arritëm me këtë qëndresë. Përballë një qeverie nuk mundet kurrë, normal, të përpiqesh të rrëzosh një qeveri që del nga zgjedhjet e lira. Në qoftë se ti përpiqesh të rrëzosh një qeveri që del nga zgjedhjet e lira, ti je njeri që shkelmon mbi votën e qytetarëve të tu. Ti je një demon pushteti dhe nuk beson në votën e lirë të qytetarëve të tu.

Dhe ne të tillë nuk jemi. Jo. Por një qeveri që del nga një farse zgjedhore e faktuar, një qeveri e cila bazohet në rryshfetin më të tmerrshëm publik, që jep vetëm dy ditë para zgjedhjeve 2 miliardë euro gjoba dhe kamata për 200 mijë familje, ajo as dy minuta nuk meriton të qëndrojë në pushtet dhe është e paligjshme.

Është e paligjshme. Pra, në këtë kuadër ne kemi përballë një armik të paligjshëm, që qëndron në kundërshtim me Kushtetutën. Qëndron në kundërshtim me ligjin, vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Edi Rama s’ka fituar kurrë zgjedhjet. As në 2021-shin, as në 2025-ën. Absolutisht jo. Ju them unë ju.

Të dashur miq, në 2021-shin, dy ditë pas zgjedhjeve, ka mbërritur zëri dhe shkrojta, vota vdiq pa hyrë në kuti. Po si vdiq vota pa hyrë në kuti? Po sigurisht, sepse shpërndau 130 milionë euro me fatura thesari, në zonën, në Durrës, Kamëz, Kurbin, Lezhë dhe një pjesë të Tiranës. E me 130 milionë euro t’i blen zgjedhjet. Edhe aty, prandaj shkrova në atë kohë: vota vdiq pa hyrë në kuti.

Në këto zgjedhje, katërfishi, pesëfishi, dhjetëfishi i atyre që bëri në 2021-shin. Nuk ishte zgjedhje, ishte farsë. Ndaj dhe ne kemi të drejtën kombëtare, ndërkombëtare, morale, ligjore, ta rrëzojmë këtë qeveri një minutë e më parë.

Ne kemi çdo motiv. S’është vetëm kjo. Jo, prisni. Një qeveri që del nga vota e lirë, por që i vjedh qytetarët, ajo meriton hu dhe vetëm hu. Ajo s’meriton kurrë të qeverisë.

Dy gjëra i heqin çdo legjitimitet qeverisë: farsa zgjedhore dhe vjedhja e qytetarëve. Dhe vjedhja e qytetarëve. Tani, ne kemi denoncuar. Në vitin 2022, u gjet nga komisioni se Edi Rama, Erion Veliaj, kishin zhdukur vetëm tek djegësi i Tiranës, pa nam e pa nishan, 130 milionë euro.

130 milionë euro. Ajo është e mjaftueshme të rrëzohet Edi Rama në çdo kohë, në çdo ditë dhe në çdo muaj. Vazhdoj vijmë tani. Tani dalin dosjet, në të cilat ka vetëm një emër dhe ky është Edi Rama.

Dosjet e Lubi Ballukut, të cilat arrijnë absolutisht miliarda euro. Nuk ka imagjinatë, asnjëri prej nesh, po të ulet dhe të shkruajë, bëji pak skenarët si kanë vjedhur, sa kanë fryrë çmimet kanë vjedhur këta, nuk jemi të zot t’i bëjmë ato. Se ata kanë vjedhur në mënyra nga më të paimagjinueshmet.

Kush mund të imagjinonte se livadhet e Troplinit do konsideroheshin, do shpalleshin zona teknologjisë së lartë, më e zhvilluar në Shqipëri, në një kohë kur aty ka vetëm lopë që kullosin dhe s’ka asnjë high-tech. Hajdutët Edi Rama, baxhanaku i tij, marrin taksat e dhjetëra kompanive të cilët të regjistruara atje paguajnë 5% taksë. Sepse tjetrën, tjetrin ja paguajnë familjes Rama dhe Ramës. A mund të shkojë mendja kjo? Që të regjistrosh zonë teknologjike në livadhe, të lash livadhe, asnjë tullë nuk ka aty dhe vazhdon prej dy vjet, tre vjetësh, i paguajnë taksat.

A mund të ketë? A keni dëgjuar kurrë që në një ndërmarrje shtetërore, ndërmarrje shtetërore e shtetit, se në një private hajt thotë njeriu se ky paratë private i ka, edhe aty ka përgjegjësi po jo kështu. Në një ndërmarrje shtetërore të merren peng biznesmenët që guxojnë, që guxojnë të marrin pjesë në tendera. Sepse aty zot absolut duhet të jetë baxhanaku Frangu. Kunati i Lindës së Surrelit. Që del dhe u bën dhe propagandë nëpër televizione për vuajtjet e mëdha të bashkëshortit në vjedhje.

E cila është absolutisht 100%. Po aq dhe më shumë përgjegjëse se Mirlinda e AKSHIT. Tani vijmë, tani ç’na bën? Tani thotë jo, nuk ka efekt, drejtësia nuk mund të veprojë. Dhe e bën Belindën kalë beteje. Sfidë dhe poshtërim për çdo shqiptar, nuk i heqim imunitetin.

Demokratë e demokratë, duhet të jeni të kthjellët, të qartë. Kurrë një kryeministër s’mund të kundërshtojë kërkesën, në qoftë se i përmbahet shtetit ligjor, kërkesën qoftë dhe 100% e padrejtë të prokurorisë për të hequr imunitetin. Jo.

Që në pushtet, në atë kohë ishte prokuroria e Përgjithshme autoriteti që kërkonte heqjen e imuniteteve. Ju i dini mirë epitetet e mia të merituara që të gjitha për Ina Ramën. Por, por, ju them ju me sinqeritet absolut, se as për një të mijtën e sekondës s’më kishte shkuar kurrë në mendje që kërkesat e saj për heqjen e imunitetit t’ja kundërshtoj. Jo.

Jo, përkundrazi. Vinte kërkesa, ministri dorëzonte vetë imunitetin. Vinte kërkesa, ministri jepte dorëheqje.

Shikoni miq, sot është 21 Janari. Çfarë bëri Edi Rama në vitin 2011?

Montoi një trillim, absolut trillim, me një regjistrim që kishte bërë Dritan Prifti. Ku një shkrese të dërguar nga një biznesmen, Ymer Tola, i cili kishte fituar një gjyq me një kompani italiane për një hidrocentral, i thoshte që zoti ministër më zbato vendimin e gjykatës, se gjatë këtyre tre muajve që nuk ke zbatuar vendimin, ndërmarrja ime ka humbur 700 mijë euro.

Meqenëse ishte përdorur fjala 700 mijë, Edi Rama me Filip Çakulin e kishin montuar këtë, shtuan fjalën ryshfet, dhe ja ku është korrupsioni. Çfarë bëri zëvendës kryeministri? Zëvendës kryeministri i cili, në qoftë se largohej nga qeveria, e rrëzonte qeverinë, se ato ishin votat. Jo. Ai më erdhi, jo kur kërkoi prokurori, po me datën 14 më erdhi në zyrë, unë tha do jap dorëheqjen, do dorëzoj imunitetin, sepse nuk kam ndërmend të paraqitem tek prokurori si zëvendës kryeministër.

Kjo është e vërteta. Ky është rregulli. Pushtetet janë të ndara. Dhe ti që ke pushtet më shumë, në qoftë se atij pushtetit gjyqësor ia heq, ti pastaj bëhesh një tiran i urryer për popullin tënd. Çfarë bën ky?

Ky mbron nesër Irenat e Gjykatës Kushtetuese votojnë për mbrojtjen e Olit (Olta Xhaçkës). Sepse u është bërë presioni më i madh. Pra ky po përdor sistemin gjyqësor tani në mënyrën më kriminale për të mbrojtur krimet kundra jush. Dhe unë ju them ju, ai nuk ia heq imunitetin asaj. Sepse ajo është e vërteta.

Çdo ditë, që ta dini, i thotë që unë vetëm nuk shkoj. E ja u tha dhe në mbledhje të kryesisë, e detyroi të mbledhë qeverinë me kryesinë socialiste dhe ja u tha aty të gjithëve: unë ju marr me vete. Unë ju marr me vete sepse ajo ka zbatuar, e vërteta, ajo është e inkriminuar 100 përqind, po ka zbatuar 100 përqind udhëzimet e kryebanditit, e kryehajdutit të shtetit shqiptar Edi Ramës.

Pra tani miq, për ta përmbledhur. Këtu jemi ne. Ne jemi në këtë situatë. Gjithçka sot varet vetëm nga ne. Do të pranojmë ne këto veprime? Do të pranojmë ne që Edi Rama të jetë edhe kryeministër hajdut, edhe gjykatës, edhe prokuror? Do pranojmë ne që Edi Rama të tmerrojë, të shtrojë zgjedhjet në farsë?

Do pranojmë ne që të shkojmë përsëri në zgjedhje me Edi Ramën në zgjedhje? Jo. Prandaj dhe kjo është prova e fundit. Kilometri i fundit. Është misioni më i madh që kemi patur ndonjëherë që kur jemi krijuar gjer sot. Ja u them unë ju. Ne, ne kemi dy alternativa. Ose të rrëmbejmë armët dhe t’i përzëmë, por ne nuk jemi kjo parti. Jo. Ne

 jemi parti e parimeve demokratike. Dhe kemi qenë, jemi themeluar të tillë. Dhe kjo ka qenë mrekullia jonë. Ja u them unë, në qoftë se kjo parti ka bërë, ka patur, ka bërë një mrekulli në ekzistencën e saj është se ajo edhe kur u përdor dhuna kundër saj, se kur u përdor dhuna kundër saj, ajo nuk përdori kurrë dhunën.

Nuk jemi ne. Por ne kemi fituar çdo betejë në rrugën që besojmë. Në kryengritje paqësore. Në qëndresë paqësore. Dhe kësaj here kjo kërkohet nga ne. Kësaj here kërkohet, kërkohet që ne të betuar, të mos lëshojmë sheshin gjer në realizimin e qëllimit tonë.

Vetëm njerëzit, të cilët i besojnë të vërtetës, e kanë të qartë të vërtetën, janë të vendosur për të sakrifikojnë për të, fitojnë, s’humbasin kurrë. Edhe ne tani të vërtetën e kemi përpara, e kemi të qartë, dimë gjithçka për të, jemi më të motivuar se kurrë ta mbrojmë atë.

Ndaj dhe me 24 janar të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë në Tiranë.

Të betuar që ne betejën tonë s’do e ndërpresim gjer ditën e largimit të Edi Ramës dhe ju garantoj se nuk ka forcë, nuk ka forcë në botë që atë ta mbajë në pushtet para guximit tuaj, energjisë suaj. Rrofshi ju, rroftë Tirana, rroftë Shqipëria.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale