FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË BULQIZË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Bulqizës, ku është paraqitur edhe kandidati për këtë bashki, Dëfrim Fiku.
Në fjalën e tij, Berisha tha se përpara me Edi Ramën, do të thotë përpara drejt varfërisë dhe vjedhjes.
‘Edi Rama u bën thirrje ju, përpara thotë, por përpara me Edi Ramën do të thotë përpara drejt varfërimit, drejt vjedhjes, përpara me hajdutin, me krimin dhe pasigurinë, përpara me të keqen. Ndaj le ti tregojmë atij, vendin që meriton’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati bëri thirrje që në datën 14 maj të dalin të gjithë në zgjedhje dhe të zgjedhin ndryshimin.
‘Thirrja ime për ju, për çdo qytetar të këtij rrethi, në këtë rreth dhe kudo që është më 14 të dalim të gjithë në votime, të votojmë ndryshimin, të votojmë Defrim Fikun, të votojmë 1-shin!
1-shin për kandidatin, 1-shin për koalicionin e fitores, për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë.
Thirrja ime gjer me datën 14, çdo orë, çdo ditë le të përshëndesim njëri-tjetrin: ndryshimi në duart tuaja, ndryshim, ndryshim. Ne do fitojmë!’, theksoi në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të Bulqizës, nderimin tim më të madh, mirënjohjen time më të thellë, ju burra e gra, djem e vajzave të Bulqizës, kudo që jeni sot, në këtë qytet, në këtë rreth, në Shqipëri dhe në emigracion.
Mbetem gjithnjë mirënjohës të pakufishëm për mbështetjen tuaj të çmuar.
I dashur Shaqir, kryetari i PD-së për Bulqizën.
I dashur deputeti i kuvendit, Petrit Doda.
I dashur kandidati ynë dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë së Bulqizës, zoti Defrim Fiku.
I dashur zoti Myqerem Tafaj, ish-ministër, intelektual i shquar dhe përfaqësues dinjitoz i juaj.
I dashur zoti Roland Keta, qeveritar i juaji vendor dhe deputet i shkëlqyer, përfaqësues dinjitoz i qytetarëve të Bulqizës.
Miqtë e mi!
Jam sot këtu para jush për tu bërë thirrje me 14 maj, i madh dhe i vogël, burrë dhe grua, vajza e djem, të festojmë fitoren e Dëfrim Fikut. Të festojmë fitoren e secilit qytetar dhe banor të këtij rrethi të bekuar, të festojmë fitoren e ndryshimit.
Edi Rama u bën thirrje ju, përpara thotë, por përpara me Edi Ramën do të thotë përpara drejt varfërimit, drejt vjedhjes, përpara me hajdutin, me krimin dhe pasigurinë, përpara me të keqen. Ndaj le ti tregojmë atij, vendin që meriton.
Një njeri që ka përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, një njeri i cili Bulqizën, Dibrën dhe Shqipërinë e shkretoi më shumë se çdo pushtim në histori. Ai është një pushtues i vërtetë. Ai nuk ka interesa të qytetareve të Bulqizës, Dibrës dhe Shqipërisë. Ai ka interesa vetëm të pasurimit të tij, ai ka interesa vetëm të pasurimit të rrethit të tij familjar, ai ka interesa vetëm ato të Beogradit dhe jo të shqiptarëve.
Një javë më parë deklaroi në Athinë se jemi kushërinj me serbët. Se nga e gjeti ky kushirëllikun me serbët, e gjeti për të mbuluar tradhëtinë e tij ndaj shqiptarëve, si një vegël, argat i Vuçiçit dhe asgjë më shumë.
Miqtë të mi!
Socialistë, demokratë të paparti, banorë të Bulqizës.
Kam një thirrje miqësore për ju. Mendoni pak se çfarë ndodhi këto 8 vite, çfarë sollën këto 8 vite për ju, Bulqizën dhe Dibrën. Këto 8 vite secili nga ju sot, për shkak të rritjes së çmimeve, merr minimumi 1 rrogë e gjysmë më pak seç mirrte në vitin 2013.
Në vitin 2013 ne ishim njerëzit të më paguar të rajonit. Më të paguar se bullgarët dhe rumunët që ishin anëtarë të BE-së. Po sot ku jemi. Sot jemi me rrogat 30-40 % më të ulëta se Kosova, me rrogat më të ulëta. Po pse kjo? Sepse Edi Rama ngriu rrogat dhe nxori si justifikim, gjithnjë armën e tij të zezë, mashtrimin.
Dje u thoshte në një takim se do i kisha rritë rrogat, por s’më la lufta. Po ç’kishte lufta me rrogat tona. Ne asnjë kilovat energji nuk e kemi nga nafta, e kemi nga ujërat. Po pse kushton nafta 2 herë me e lirë në Ukrainë se në Shqipëri. Pra nuk është lufta, por është vjedhja.
Sepse me këtë Balluken që ju vjen ju këtu, çdo verë këta zbrazin digat, në një kohë kur ligji i digave ndalon zbrazjen e tyre verës. Sepse dihet që çmimi më i shtrenjtë i energjisë del në vjeshtë. Zbrazin digat, e shesin sekserëve të tyre me çmim 20-30 euro, ata e shesin në bursë me çmim, 150-200 euro dhe këto i merr Ballukja me ballukun tjetër dhe i fshehin në offshore.
Këta nuk mendojnë për qytetarët, këta mendojnë si ti vjedhin.
A e keni parë ju se si e kanë inauguruar gjer më sot, pesë herë Rrugën e Arbrit. Para tre ditësh, inauguruan tunelin e Qafë Buallit. Tuneli i Qafë Buallit e ju jeni dëshmitar, është hapur në vitin 2012 dhe ai tunel mund të ishte inauguruar 15 herë gjer më sot, por ata e lanë ta inauguronin në prag të zgjedhjeve.
Po rruga e Arbrit, çfarë ndodhi? E kanë inauguruar 5 herë. Ka qenë gjithsej 27 km të papërfunduara. Po ka qenë tuneli i Murrizit dhe ka qenë ura e Vashës, por 32 km u lanë të përfunduara. Pse nuk u ndërtua tuneli, sepse një kompani konsulente nga më të shquarat e Europës, gjeti se aty nuk mund të shpohej, sepse duhej rritur kuota të paktën 80 metra sepse në atë nivel dilte ujë dhe baltë.
Edi Rama pasi ndërroi 3 kompani, gjeti klientelën e tij dhe zotëria shpoi pikërisht aty ku nuk
duhej shpuar. Ndaj dhe ka 4 vite që tuneli nuk përfundon. Unë uroj ta përfundojë, por e zgjati 5 vite tunelin vetëm e vetëm që nuk respektoi një kusht të përcaktuar për ndërtimin e saj.
Po rruga tjetër. Rruga që lidh Bulqizës me Librazhin. Çfarë ka ndodhur? Aty ku e lamë ka mbetur.
Po rruga për në Batër dhe Martanesh, është shkatërruar gjithnjë e më shumë. Mbi 20 milionë tonelata krom të maleve të Bulqizës, shfrytëzohen në mënyrë të egër dhe hoqi rentën. Hoqi rentën në mënyrën më antidemokratike, çka do të thotë se ju nuk përfitoni asgjë përveç rrogave nga nxjerrja e kromit, e një pasuri përrallore.
Ka dërguar këtu një njeri që është simbol i dy gjërave, simbol i babëzisë dhe e shfrenuar pas lukseve.
Tani, i them asaj Ballukes që vjen këtu, a mundet po të mendoje ti për këta qytetarë, ta
orendoje zyrën me 220 mijë euro, që atë nuk e bën as kryetari i shtetit?
A mundet ti, po të ishe njeri i ndjeshëm ndaj qytetarëve, të ulesh dhe të porosisësh biftekun 1 mijë euro? A munde ti zonjë, të ndjekësh lukset, në një kohë kur Shqipëria dhe shqiptarët përjetojnë varfërinë dhe mjerimin në rritje.
Ajo vjen këtu dhe unë ia them sot: Belinda Balluku, do të përgjigjesh gjer më 1 si kriminele elektorale, njëlloj si Edi Rama, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu dhe Damian Gjiknuri.
Ju jeni një bandë kriminale, që shëtisni nëpër Shqipëri duke rrëmbyer votat, duke terrorizuar qytetarët, por ju jap fjalën se deri ditën e fundit të jetës tiuaj, do ndiqeni për krimin e shëmtuar që keni kryer dhe po kryeni.
Ne do të fitojmë!
Miqtë e mi!
Ka një panik, ka një tmerr në radhët e hajnave. Hajnat, çdo gjë janë, vetëm trima nuk janë. Edhe hajnat në qeveri vetëm trima nuk janë. Tani i ka kapur lemeria se fitorja është e burrave dhe grave idealiste, e njerëzve të lirë, e qytetarëve të Bulqizës, Dibrës dhe mbarë Shqipërisë. Ata e shohin se në 14 maj firmoset fundi i tyre i turpshëm politik. Ata e dinë se me 14 maj nuk votohet vetëm për veglat e tyre, por votohet për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Ndaj dhe thirrja ime për ju, për çdo qytetar të këtij rrethi, në këtë rreth dhe kudo që është më 14 të dalim të gjithë në votime, të votojmë ndryshimin, të votojmë Defrim Fikun, të votojmë 1-shin!
1-shin për kandidatin, 1-shin për koalicionin e fitores, për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë.
Thirrja ime gjer me datën 14, çdo orë, çdo ditë le të përshëndesim njëri-tjetrin: ndryshimi në duart tuaja, ndryshim, ndryshim. Ne do fitojmë!
Të gjithë ata të cilët marrin shpërblim, marrin para nga Ballukja, e cila ka sjellë 400 milionë lekë vetëm pagesa paaftësie, merrni ato para, janë tuaja, ua kanë vjedhur ju dhe ndëshkojini me votën tuaj.
Ju garantoj ju dhe gjithë shqiptarët, se qëllimi më kryesor i yni është jo vetëm dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, por prapë shqiptarët në krye të rrogave dhe pensioneve në të gjithë Ballkan. Shqipëria është vendi më i pasur i Ballkanit, shqiptarët meritojnë rrogat më të pasura dhe ne i garantojmë ato.
Edi Rama është në panik dhe ju e dini atë fjalën që thotë, tani të themi të gjithë: kërcen Rama nga sevdaja. Ky kërcënimi nga sevdaja është kërcim me lepur në bark. Në fakt Edvin çdo ditë e më thellë ai lepur do të shkojë në barkun tënd.
Dhe absolutisht përdor çdo fjalor, por me asgjë nuk mbulon dot ti vjedhjen që u ke bërë këtyre qytetarëve, me asgjë nuk mbulon ti dot diskriminimin e tmerrshëm që u ke bërë zonave të veriut dhe shqiptarëve. Me asgjë nuk mbulon dot, projektin kriminal të zhdukjes së Dibrës, mbytjes së saj me Skavicën. Me asgjë nuk mbulon dot ti aktet kriminale për të mbytur votën me lek.
Edvin je i përfunduar, ndaj dhe hidhu dhe përdridhu sa të duash, por pas datës 14 maj të pret ai vend që e meriton. Do ketë zgjedhje të përgjithshme dhe do dalësh përpara ligjit.
Përveç kësaj, Edvinin e pret edhe miku i tij i nderit, Charles McGonigal. Po e pret me padurim. Po, po, absolutisht. Nuk ka gjykatës që dënon ryshfetmarrësin dhe nuk dënon ryshfetdhënësin. Ai e ka të sigurtë që bashkë me 2-3 të tjerë, do të përfundojë, bashkë me McGonigalin në burgjet e Amerikës, por përpara do të provojë këto të Shqipërisë, përpara se të shkojë atje.
Ekstradimin do të ja bëjmë.
Edhe njëherë ju bëj thirrje të bëjmë çdo përpjekje, për çdo votë. Është e vërtetë se na mungojnë shumë njerëz, u bëj thirrje të vijnë të votojnë, por u bëj thirrje ju, të nxirrni në votim çdo qytetar të Bulqizës. U bëj thirrje të nxirrni në votime edhe ata që nuk kanë votuar nga dëshpërimi, zemërimi, indiferenca.
Të vijë çdo qytetar i këtij rrethi. Të mos harrojë se ka një parti tjetër që sillet si pushtuese, që ju servir ju Hajredin Pashën për Mustafa Zerqanin, u servir ju Hajredin Pashën për Dervish Carën. Këta janë, këta qofshin, ndaj dhe të ndahemi me ta me votë me 14 maj.
Rroftë Bulqiza, rroftë Shqipëria, rroftë fitorja.
Fitore, fitore, fitore!