Berisha nderohet me Çelësin e Qytetit të Mesquite, Teksas: Kontribut për forcimin e marrdhënieve Shqipëri-SHBA

Një vlerësim i veçantë dhe simbolik për liderin e opozitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Berisha është nderuar me Çelësin e Qytetit të Mesquite, Teksas. Çelësi iu dorëzua Berishës nga Kryebashkiaku i Mesquite, Daniel Aleman Jr.

Gjatë ceremonisë, Aleman e cilësoi Çelësin e Qytetit si nderimin më të lartë qytetar që bashkia mund t’i japë një personi. Sipas tij, ky vlerësim përfaqëson respektin, besimin dhe marrëdhëniet e veçanta mes komunitetit të Mesquite dhe shqiptarëve.

Nderimi për Berishën vjen si vlerësim për kontributin e tij në drejtimin politik të Shqipërisë dhe angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia në Mesquite merr një tjetër dimension për komunitetin shqiptar në Teksas, duke shërbyer si një simbol i lidhjeve të forta shqiptaro-amerikane dhe i rolit që diaspora shqiptare ka në forcimin e këtyre marrëdhënieve.

Mesquite, është një qytet në periferi të Dallasit, me 150 mijë banorë sipas censusit të vitit 2020. I njohur zyrtarisht si “Kryeqyteti i Rodeos në Teksas”, qyteti është vlerësuar gjithashtu për hapësirat rekreative dhe gjelbërimin. Mesquite ka aeroportin e vet dhe është një qendër e rëndësishme ekonomike, ku veprojnë kompani dhe institucione të mëdha si UPS, AT&T, FedEx, Ashley Furniture, Charter Spectrum dhe Eastfield College.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale