PRONONCIM PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË HOMAZHET E 74 VJETORIT TË VRASJES SË 22 MARTIRËVE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokrati, Prof. Dr. Sali Berisha, së bashku me Departamentin e të Përndjekurve në PD dhe Unionin e të Përndjekurve Politikë, nderoi pranë ish-Ambasadës Sovjetike, 22 intelektualët e ekzekutuar nga regjimi komunist në 74 vjetorin e vrasjes së tyre, duke i cilësuar ata si martirë të kombit shqiptar. Berisha denoncoi krimin e regjimit komunist dhe rolin e Enver Hoxhës në përndjekjen dhe ekzekutimin e këtyre intelektualëve, duke theksuar se këta individë u vranë për mendimet e tyre kundër diktaturës.
Lideri historik i PD, Sali Berisha theksoi shqetësimin për ngjashmëritë e metodave të përdorura nga Edi Rama në trajtimin e kundërshtarëve politikë dhe thotë se Shqipëria duhet të çlirohet nga kjo “diktaturë e dytë”. Ai i bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të larguar regjimin aktual dhe për të nderuar martirët që dhanë jetën kundër komunizmit.
PRONONCIMI I PLOTË
Sot ne nderojmë martirizimin e 22 intelektualëve, ndër të shquarit e kombit shqiptar, të cilët u ekzekutuan pas një kurthi të organizuar nga policia sekrete shqiptare dhe KGB-ja, hedhjen e një shashke apo një bombe asaj kohe ambasadës sovjetike, por që nuk kishte absolutisht asnjë lidhje me intelektualët kolosë që nuk mund të pajtoheshin kurrë me regjimin komunist.
Ky ishte një krim i shëmtuar kundër njerëzimit që regjimi kreu në vazhdën e luftës civile, në vazhdën e krimeve të kryera që nga themelimi i partisë komuniste shqiptare si seksioni i partisë komuniste jugosllave, dhe gjer në fund të ekzistencës së saj.
Sot, ne nderojmë dhe përulemi para veprës së pavdekshme të këtyre martirëve, të cilët u përzgjodhën nga regjimi, por edhe personalisht nga Enver Hoxha, i cili me dorën e tij shtoi disa emra, ndër të cilët edhe Sabiha Kasimatin, një intelektuale, një shkencëtare, një studiuese të vërtetë.
Të dashur qytetarë, nderimi më i madh që u bëjmë ne sot këtyre përfaqësuesve dinjitozë të elitës së kombit shqiptar është të bashkojmë, të angazhojmë të gjitha forcat për të çliruar Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, e vendosur nga një bastard i atyre që ekzekutuan 22 intelektualët e pafajshëm vetëm e vetëm për mendimet e tyre kundër diktaturës totalitare.
Edi Rama, sot përdor të njëjtat metoda, duke shkelur ligje dhe Kushtetutë, kundër kundërshtarëve politikë, për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.
Sot është një rast për të gjithë shqiptarët që të bashkohemi me 11 maj për t’i dhënë shtytjen përfundimtare në galerat e historisë një regjimi të bazuar në krimin,drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Nderim përjetë martirëve të kombit shqiptar, që u ekzekutuan vetëm e vetëm si kundërshtarë të armikut të egër të shqiptarëve, doktrinës komuniste dhe regjimit komunist.