FJALA PERMBYLLESE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR FAMILJEN DHE KUNDËR SHPOPULLIMIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ftuar në panelin e prezantimit të programit të Qeverisjes 2025-2029, për Mbrojtjen e Familjes dhe Politikave Kundër Shpopullimit, ka deklaruar se Shqipëria është një vend i cili nuk ka prodhim industrial dhe se turizmi në vend po shitet ndryshe tek qytetarët kur ndërkohë ky sektor është kthyer në një sektor shfrytëzues për punonjësit. ‘E kanë shndërruar në një lloj droge, në mes të janarit plasi turizmi dhe aty nuk ka asnjë turist. Turizmi është një sektor shumë i pasigurtë.’- u shpreh Berisha
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha e quajti kryeministrin Edi Rama, si armikun më të egër kombëtar. ‘Rama është armiku më i egër kombëtar! Ne nuk do të pranojmë kurrë një prokurori politike’, u shpreh Berisha në panelin e programit të Qeverisjes 2025-2029, për Mbrojtjen e Familjes dhe Politikave Kundër Shpopullimit.
Kreu i PD-së Sali Berisha ka premtuar ndalimin e shpopullimit, si objektivin kryesor të PD. Duke folur gjatë programit qeverisës 2025-2029, Berisha tha se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u zhvilluar, por politikat e narko-regjimit vetëm sa e kanë rrënuar ekonominë e saj.
Gjatë fjalës përmbyllëse në këtë takim, kryetari i PD-së Sali Berisha ka krahasuar luftën e brendshme të pamëshirshme në PS, ku sipas tij, ‘vrasja e Mehmet Shehut e ka një ngjashmëri me rastin e Veliajt’.
‘Vrasja e Mehmet Shehut e ka një ngjashmëri me rastin e Veliajt! Këto zgjedhje janë shpëtimi i kombit’, u shpreh Berisha në fund të fjalës së tij gjatë prezantimit të programit të Qeverisjes 2025-2029, për Mbrojtjen e Familjes dhe Politikave Kundër Shpopullimit, tregoi se objektivi i qeverisë së PD-së, do jetë shtimi i popullsisë çdo vit.
FJALA E PLOTE:
Ju falënderoj për ndërhyrjet tuaja, sugjerimet apo komentet që i bëtë programit. Dhe ju garantoj se ato do të pasqyrohen plotësisht sigurisht cilido tjetër që ka ide, sugjerime për këtë program, them dhe një herë për një çështje themelore, ekzistenciale, qëndrimi ndaj familjes dhe ripopullimit të Shqipërisë, është një çështje që ka të bëjë me ekzistencën tonë më shumë se çdo çështje tjetër.
Kështu që ndiheni të lirë ti shkruani departamentit, çfarë do mendimi në mënyrë që ne ta plotësojmë këtë program dhe ta kemi në lartësinë më të mirë të mundshme.
Profesor Myqeremi shtroi më të drejtë se ky shpopullim i ngjet luftërave.
Ka një dallim.
Në histori asnjë luftë, botërore, rajonale apo lokale, nuk ka shpopulluar një komb siç ka shpopulluar narkodiktatura Shqipërinë, asnjë.
Kombi që ka përjetuar barbaritë më të mëdha në luftën e dytë botërore ka qenë kombi polak. Ka humbur gjithsej 22 % të popullatës. Ne në 10 vite kemi humbur 43-45 % të popullatës.
E thatë me të drejtë, Shqipëria nuk ka prodhim. Kur prodhimi industrial bie sipas statistikës zyrtare në 6 simestra njëri pas tjetrit, kur eksporti që është sektori i cili lidhet mbi të gjitha me prodhimin, nga viti 2023-2024 ka rënë 32%, vetëkuptohet se çfarë rrokullisje të tmerrshme ekonomike po pësojmë.
Ndërkohë mediumet, mediat janë shtrua në mediume të qeverinë dhe e kanë me borxh nga mesnata në mesnatë të manipulojnë dhe mashtrojnë shqiptarët për turizmin, i cili nuk po i vë në diskutim shifrat, thotë 10 mln, 10 mln, por nga taksat që merren nga turizmi çdo shqiptar përfiton 4 euro.
Por çdo shqiptar taksat që paguan, shpenzon për një turist 230 euro.
Pra nëqoftëse potenciali turistik është ndër më të rëndësishmit e këtij vendi, turizmi është shndërruar në një sektor ekonomie më shfrytëzues se sa në sistemin më të egër kolonial.
Ti nuk mund të llogarisësh turizmin me fitimet e hoteleve apo Airb&b. Ata janë, por janë gjithsej 110 mijë shtretër. Janë pastaj 80% e shqiptarëve që paguajnë sepse, Edi Rama çdo vit në buxhet shpenzon 430 mln euro për infrastrukturën e resorteve, të investitorëve strategjikë, Olta Xhaçkës dhe si Oltave të tjera. Kjo është e vërteta.
Kurse nga 10 mln turistë ka 6 mln net fjetje të regjistruara. Nga 6 mln net fjetje, shitjet e përgjithshme janë gjithsej 140 mln euro, TVSH e tyre është 8 mln euro që futet për qytetarët e tjerë.
Po të dëgjoni është shndërruar në një lloj droge, në mes të janarit plasi turizmi dhe aty nuk ka asnjë turist. Turizmi është një sektor shumë i pasigurtë. Çfarë ndodh. I kanë të punësuar 3 muaj dhjetëra e mijëra dhe pas 3 muajsh u thonë shkoni në shtëpi, sikur të ishin skllevër. Por ka një kod, ligj, rregull në çdo vend të botës, shteti ndërhyn, i mbron ata. Në Shqipëri i flakin të gjithë.
Pra unë ju thashë këtë shembull për të parë se si po shkon.
Prodhimi bujqësor, e njëjta gjë.
Rënie të ndjeshme.
Pra, Shqipëria po përfytyrohet një vend hotel.
Po në qoftë se ka vend që ka potenciale mahnitëse, ka pasuri përrallore mbitokësore, nëntokësore në 28 mijë kilometra katror, zor të gjendet vend tjetër si Shqipëria.
Po e dëgjoni ndonjëherë narkodiktatorin të thotë prodhim? Nuk ka, nuk ekziston fjala prodhim. Nuk ekziston fjala zhvillim. Këto dy fjalë janë të ndaluara me ligj në fjalorin e tij.
Mirëpo dalim aty te fjala e profesor Myqeremit. Problemi është se mungesat e krahut të punës janë të jashtëzakonshme në këtë periudhë. Të rinjtë ikin, ikin, ikin se vendin e ka pushtuar droga.
Do më falni, cili është sektori i dytë? Normal që ndërtimi duhet të jetë një promotor, por jo shkatërrimtar siç është në Shqipëri.
Tirana ka indeksin më të lartë të ndërtimeve në Europë.
Tirana, me gjithë këtë, ka çmimet e treta ose e pesta sipas rastit, më të lartat në Europë.
Dhe një njeri, për të blerë një apartament, duhet të punojë një shekull.
Faktikisht duhet të ikë dhe vetëm të ikë nga Shqipëria.
Euro po e rrënon ekonominë. Asnjë masë, asnjë ndërhyrje. E qëllimshme. Sepse në qoftë se ti do mbrosh vendin e punës, ti frenon emigracionin.
Dhe ka një mënyrë shumë të thjeshtë, ra euro, kompensojua euron eksportuesve. Aq sa humbasin, jepu atë përqindje dhe vendet e punës mbeten. Dhe prodhimi mbetet.
Ikni, ikni dhe vetëm ikni. Kjo është politikë se këto janë gjëra të thjeshta, të mundshme plotësisht pa asnjë lloj problematike.
Mirëpo Shqipëria duhet të mbetet e trafikantëve.
Unë e përgëzoj dhe e përshëndes që partia aleate e jona ka ndalimin e shpopullimit objektiv kryesor. Ne do e realizojmë këtë, e kemi detyrë kombëtare.
Ju shpesh dëgjoni për qindra shkolla të mbyllura.
Për shkolla me 5 nxënës, po unë 4 ditë më parë lexova, Kolonja, që është një nga vendet më të bukura në Shqipëri, në vitin 2023 në qytet kishte lindur vetëm një foshnje.
Kishte lindur vetëm një foshnje! Qyteti që po shuhet!
Dhe qyteti që është një tokë e bekuar me të gjitha ato potenciale, me njerëz punëtorë, të mençur, të zotë, po shuhet. Një foshnje lindi. Imagjinojeni ju, klasa e parë e vitit 2030 do jetë me një nxënës në të gjithë qytetin. Kjo do jetë klasa e parë.
Kaq emergjente është situata e jona.
Po, Edi Rama është armik kombëtar. Do të theksoj një moment. Kur Donald Trump deklaroi se
për SHBA, vendin më të fuqishëm të botës, armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm, ra si një rrufe në qiell të hapur. Po pse? Sepse njerëzit aty njihnin sekretarë shteti, shtetarë, presidentë, zyrtarë të lartë, të gjithë këta. Po a kishte të drejtë? Ai kishte 100 përqind të drejtë sepse nuk i solli kush nga jashtë SHBA-ve detyrimin për të bërë betejë kundër gjinisë njerëzore. E ndërmorën vetë ata. E ndërmori Xhorxh Sorosi.
Sepse nuk ishte as Kina dhe as Rusia që po i vendosnin censurë kombit amerikan. Jo, nuk ia bënte kurrë as Kina, as Rusia dhe as e gjithë bota. Po atë po ia bënin zyrtarët e vet. Po tundnin flamujt e censurës. Po fusnin censurën në gjigantët e rrjeteve sociale, në Google, FB, Instagram.
Po a ka armik më të egër liria e fjalës se sa censurën? Jo, nuk ka. Liria e fjalës atë ka.
Pra, u krijuan zyrat e censurës në mënyrën më të pabesueshme.
Erdhi këtu sekretari i shtetit, firmosi befasishëm një protokoll te ministri i jashtëm. Ishte protokolli i censurës. Po, të ngrini zyrën e censurës në ministri dhe parlament.
Tani unë do u them ju se kjo deklaratë e Donald Trump ka po atë rëndësi historike dhe epokale që pati deklarata e Ronald Regan në Berlin ‘zoti Gorbaçov rrëzojeni këtë mur’. Liria e gjermanëve është çështje e lirisë botërore.
Pse u ndala këtu? Po ka armik më të egër se ky që kemi ne? A nuk është ky që arreston liderët e opozitës me motivet e të atit që varte dikur kundërshtarët politikë? A nuk është ky armiku më i egër i shqiptarëve edhe se rusi dhe kushdo tjetër?
A nuk është ky që përdor drejtësinë si hanxhar kundër opozitës?
Dhe pastaj dalin mbështetës të saj dhe thonë mos e prek. Po është kretinizëm politik dhe më e pakta, në rast se ne pranojmë prokurori politike, e cila është vegël e verbër e diktaturës.
Kush ka jetuar diktaturën, kur u vra Mehmet Shehu, e ka një ngjashmëri me këtë të Erion Veliajt.
Ua them unë ju, e ka një ngjashmëri.
Absolutisht! E ka, se Aulon e shoh që po më sheh me çudi, po e ka.
Pse e ka ngjashmërinë tani se mos kaloj nga tema në temë? E ka ngjashmërinë, se Erion Veliaj, unë ua thashë, i meriton 60 vite minimumi realisht, por problemi është se Edi Rama nuk e dënoi për ato.
Jo mor jo, e dënoi se e di se humbet zgjedhjet dhe nuk do që të merrte partinë. Njëlloj si Mehmeti. Enveri nuk donte që ta merrte Enveri. Po, absolutisht.
Pra, një prokurori politike është një fatkeqësi kombëtare dhe o burra, t’i dalim zot.
Si mund t’i dilet zot? Po erdhi ai në Mynih dhe të tha, ju e keni armikun brenda, ju arrestoni
opozitat, ju arrestoni gazetarët. Të gjitha kanë ndodhur në Shqipëri.
Ndaj dhe këto zgjedhje janë fati i Shqipërisë.
Janë shpëtimi i Shqipërisë.
Janë shpëtimi i familjes shqiptare.
Dhe absolutisht një kthesë thelbësore për ekzistencën e këtij kombi.
Ju falënderoj shumë!