FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, foli mbi rezultatet e Asamblesë së Përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës (CDI) të mbajtur në San Paolo, ku Shqipëria u trajtua si një nga çështjet qendrore. CDI miratoi një rezolutë të veçantë për Shqipërinë, e cila denoncon ashpër regresin demokratik, kapjen e shtetit dhe depërtimin e krimit të organizuar në institucionet shtetërore nën qeverisjen e Edi Ramës, shtoi Berisha.
Gjatë deklaratës për media, Berisha lexoi pjesët kyçe të dokumentit, i cili ngre shqetësime serioze për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vend.
Sipas rezolutës, në Shqipëri po vërehet një shkrirje e partisë me shtetin, ndërsa zgjedhjet e 11 majit janë vlerësuar nga ODIHR si jo të lira dhe jo të ndershme. Dokumenti denoncon fenomenet e blerjes së votave, përdorimit të burimeve publike gjatë fushatës dhe ndikimin e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.
CDI thekson gjithashtu përqendrimin e pushtetit, “paralizimin e drejtësisë”, korrupsionin endemik dhe rritjen e pastrimit të parave në ekonomi. Në rezolutë shprehet shqetësimi se vendi po rrëshqet drejt një “narko-shteti”, çka përbën rrezik për stabilitetin rajonal.
Organizata u bën thirrje BE-së dhe SHBA-së të vendosin sanksione ndaj individëve të përfshirë në krim dhe korrupsion, të krijojnë një mekanizëm të pavarur monitorimi për sundimin e ligjit dhe të mbështesin një qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Rezoluta thekson se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian duhet të mbështetet vetëm në progres real dhe meritokraci.
Gjatë konferencës, Berisha nënvizoi se publikimi i rezolutës përbën një sinjal të fortë ndërkombëtar për krizën në vend dhe domosdoshmërinë e reformave urgjente.
Kryetari i PD, Sali Berisha reagoi edhe ndaj deklaratës së zyrtares së BE-së, Marta Kos, e cila i quajti zgjedhjet e 11 majit të lira dhe të ndershme. Ai e cilësoi këtë deklaratë të pavlefshme dhe të ndikuar nga propaganda qeveritare, duke shtuar se qëndrimi zyrtar i Komisionit Europian nuk përputhet me atë të Kos. Berisha akuzoi gjithashtu ambasadorin Gonzato për përhapje dezinformatash kundër PD-së në institucionet e BE-së.
Në fund, Berisha njoftoi se është zgjedhur nënkryetar i CDI-së, duke e konsideruar këtë një vlerësim të rëndësishëm për PD-në dhe përpjekjet e saj për mbrojtjen e vlerave demokratike. Ai u zotua se kjo mbështetje ndërkombëtare do të shërbejë si forcë shtesë për betejën opozitare në Shqipëri.
FJALA E PLOTË
Sot jam para jush për të informuar shqiptarët lidhur me rezultatet e punimeve të asamblesë së përgjithshme të Internacionales Demokrate të Qendrës në San Paolo të Brazilit, punime në të cilat Shqipëria ishte një nga temat qendrore të organizatës politike të qendrës së djathtë më të madhe në botë, e cila grupon në gjirin e saj rreth 118 parti politike dhe ka të federuara në gjirin e saj organizata të tjera siç është EPP, etj.
Në këtë organizatë, kushtuar gjendjes së demokracisë dhe shtetit ligjor në botë, natyrisht një vend kryesor zinte Ukraina, përpjekjet e kombit ukrainas për t’u çliruar, për të çliruar territoret nga pushtuesi rus dhe dënimi i këtij agresioni nga ana e CDI, solidaritet i plotë me kombin ukrainas.
Venezuela, narkoshteti i rrezikshëm i Amerikës Latine, ishte çështje tjetër madhore dhe rezoluta e miratuar nga CDI bën thirrje për rikthimin, rivendosjen në detyrë të presidentit të zgjedhur të popullit venezuelas, i cili jeton në Spanjë për shkak të grabitjes së zgjedhjeve nga Maduro, ky diktator i narkoshtetit.
Por një vend qendror kishte edhe narkoshteti shqiptar. Presidenti Pastrano, Sekretari i Përgjithshëm Isturiz dhe një seri personalitetesh morën fjalën pas ekspozesë dhe miratimit të rezolutës për Shqipërinë, duke dënuar me forcën më të madhe, shpreh shqetësimin më të madh për zhvillimet dramatike në Shqipëri, konsolidimin e narkoshtetit në drejtimin e Edi Ramës. Lidhjet direkte të Edi Ramës me kartelet më të rrezikshme si të Sinaloas apo kartelet e tjera të Amerikës Latine.
Ju e dëgjuat vetë nga deklarata e Dolors Montserrat, sekretare e Përgjithshme se cili ishte qëndrimi i Partisë Popullore në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të CDI.
Pra, sekretarja e Përgjithshme e Partisë Popullore Europiane shprehu në përmbledhjen, në deklaratën e saj në të cilën përmblodhi çështjet kryesore të asamblesë, një nga të cilat ishte Shqipëria, narkoshteti shqiptar dhe lidhjet e tmerrshme me kartelet e drogës të qeverisë shqiptare.
Por përveç kësaj, siç jeni informuar, Asambleja e Përgjithshme e CDI miratoi një rezolutë të veçantë, edhe për Shqipërinë.
Në këtë rezolutë, po lexoj, thuhet:
-Duke marrë parasysh Raportin Final të OSBE/ODIHR për Zgjedhjet Parlamentare të 11 Majit 2025 në Shqipëri;
-Duke marrë parasysh Indeksin e Sundimit të Ligjit 2025 të Ëorld Justice Project, Raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA për Klimën e Biznesit 2025 në Shqipëri;
-Duke marrë parasysh Kriteret e Kopenhagës, Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së (1990), Kodin e Komisionit të Venecias për Praktikat e Mira në Çështjet Zgjedhore dhe Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore;
-Duke marrë parasysh rezolutat e mëparshme të miratuara nga EPP, CDI dhe IDU lidhur me regresin demokratik dhe korrupsionin në Shqipëri;
-Duke shprehur shqetësimin se Shqipëria ka pësuar një regres të thellë demokratik, shkrirjen e partisë me shtetin, drejtësinë selektive dhe depërtimin sistemik të krimit të organizuar në strukturat politike dhe ekonomike, dhe duke theksuar se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian duhet të jetë në bazë merite, e kushtëzuar me progres të matshëm në demokraci, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
1. Integriteti Zgjedhor
Konstaton me shqetësim të thellë gjetjet e Raportit Final të OSBE/ODIHR, i cili konfirmon shkrirjen sistemike të pushtetit shtetëror me atë partiak, keqpërdoriminmasiv të burimeve publike dhe klimën e intimidimittë drejtësisë selektive që pengoi konkurrencën e barabartë.
Vëren se ODIHR dokumentoi blerje votash, ndërhyrje të krimit në zgjedhje dhe rrjetet e patronazhit që shkëmbenin vendet e punës, përfitimet dhe lejet për vota. Forcat e rendit vepruan në mënyrë selektive, duke forcuar pandëshkueshmërinë.
Rikujton se ODIHR dokumentoi mbi 4,500 aktivitete të financuara nga shteti, të shndërruara në aktivitete elektorale, ndërsa KQZ sanksionoi vetëm 18 prej tyre, duke ekspozuar dështim të plotë tërregullatorit. Partia Socialiste përdori zyrat publike, infrastrukturën dhe komunikimin shtetëror për përfitime zgjedhore, në shkelje të Kodit Zgjedhor, kritereve tëKopenhagës, angazhimet ndaj OSBE-së.
Dënon ndjekjet penale dhe arrestimet me motiv politik të drejtuesve të opozitës në vitin elektoral, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, deputetin Ervin Salianji dhe Fatmir Mediun, të cilat ODIHR i vlerësoi si faktorë që kontribuuan në një klimë përplasjesh, mosbesimi dhe drejtësie selektive, duke penguar pjesëmarrjen e lirë dhe të barabartë të opozitës në procesin politik.
Shpreh shqetësim se ditën e votimit janë regjistruar raste intimidimi, aktivistë të paautorizuar në qendra votimi dhe shkelje të fshehtësisë së votës, ndërsa mbi 90% e mediave ishin nën kontroll qeveritar.
ODIHR konkludon se zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme, të dominuara nga kontrolli partia-shtet, shantazhi dhe ndikimi i krimit, në shkelje të Dokumentit të Kopenhagës të OSBE-së, standardeve të Komisionit të Venecias dhe Nenit 25 të PNDCP (IÇPR).
Shpreh keqardhjen që, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura të BE-së dhe organizatave ndërkombëtare, Shqipëria ka dështuar të zbatojë rekomandimet kryesore të ODIHR-it që prej vitit 2013, duke e vijuar klimën e pandëshkueshmërisë për krimet zgjedhore, dhe se qeveria shqiptare nuk ka adresuar asnjë prej thirrjeve ndërkombëtare të shprehura në pesë rezolutat e mëparshme të CDI, EPP dhe IDU.
2. Përqendrimi i Pushtetit dhe Eleminimi i Kontrollit dhe Balancave
Vëren se Kryeministri dhe Partia Socialiste ushtrojnë kontroll pothuajse total mbi institucionet e shtetit, përfshirë shërbimin civil, gjyqësorin, prokurorinë, institucionet rregullatore dhe mediat publike, duke eliminuar mekanizmat efektivë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies.
Dënon pengimin sistematik të mbikëqyrjes kushtetuese dhe parlamentare, përfshirë rrëzimin e mocioneve të opozitës, interpelancave urgjente dhe bllokimin e komisioneve hetimore parlamentare, veçanërisht atyre që hetojnë korrupsionin e gjerë ku përfshihet Kryeministri, apo farsën zgjedhore, etj.
Dënon shtypjen e mbikëqyrjes parlamentare, bllokimin e komisioneve hetimore dhe moszbatimin nga ana e ekzekutivit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Vëren se Indeksi Ëorld Justice Project 2025 e rendit Shqipërinë në vendin e 87-të në rang global, me rezultate veçanërisht të ulëta në “kufizimin e pushtetit qeveritar” dhe “luftën ndaj korrupsionit”, duke konfirmuar erozionin e pavarësisë së drejtësisë dhe llogaridhënies.
Shpreh keqardhje që Reforma në Drejtësi është shndërruar në një mekanizëm kontrolli politik dhe ndjekjesh selektive, duke paralizuar gjyqësorin dhe minuar besimin publik në sundimin e ligjit.
Pra, përqendrohet edhe tek degradimi i sistemit të drejtësisë dhe thekson se janë mbi 200,000 çështje të pashqyrtuara dhe vonesat e gjata në gjyqësor (deri në 1,230 ditë për zbardhjen e vendimeve) përbëjnë mohimin e drejtësisë.
3. Shqipëria si Narko-Shtet dhe Kërcënim për Sigurinë Rajonale
CDI shpreh shqetësimin e thellë se Shqipëria është kthyer në një nyje kryesore për trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, duke shërbyer si korridor logjistik për kokainën nga Amerika Latine drejt porteve evropiane.
Vëren me alarm infiltrimin e krimit në institucionet e shtetit, përfshirjen e trafikantëve të njohur dhe rrjeteve kriminale në kontrata publike, zhvillim turistik dhe procese zgjedhore.
Rikujton provat për takime midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe individëve të lidhur me Kartelin Sinaloa dhe grupet mafioze shqiptare.
Është fjala këtu për takimin në zyrën e kryeministrit me Luftar Hysin, përfaqësuesin e Sinaloas, dhe udhëtimin e qeveritarëve për në Aruba me çarter për të takuar krerët e organizatave kriminale shqiptare në Amerikën Latine.
Vëren se Eurostat dhe studime të pavarura konfirmojnë pastrim masiv parash në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, në rreth 4 miliardë euro investime të pajustifikuara në sistemin formal bankar.
I referohet Raportit të Klimës së Biznesit 2025 të SHBA, i cili identifikon korrupsionin endemik, flukset e paligjshme të kapitalit, përdorimin e PPP-ve dhe prokurimit publik për patronazhim politik.
Paralajmëron se konsolidimi e një narko-ekonomie paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal, cenon besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së dhe kërcënon sigurinë evropiane.
III. Thirrje dhe Rekomandime
Bën thirrje që Bashkimi Evropian, Shtetet Anëtare dhe partnerët demokratikë të sigurojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të mbetet rreptësisht i bazuar në meritë, i lidhur me progres të verifikueshëm në sundimin e ligjit, integritetin zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit.
Bën thirrje për krijimin e një mekanizmi të pavarur monitorimi për sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe zgjedhjet në Shqipëri.
Kërkon vendosjen e sanksioneve të përcaktuara nga BE dhe SHBA ndaj individëve dhe entiteteve të përfshira në trafik droge, krim të organizuar dhe grupe terroriste, pastrim parash dhe manipulim zgjedhor.
Bën thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të:
* Luftuar pastrimin e parave dhe çmontuar rrjetet kriminale;
* Mbështetur një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe depolitizimin e administratës publike;
* Forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe mediave;
* Rikthyer funksionimin e parlamentit dhe mbrojtjen e opozitës;
* Siguruar zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Mbështet krijimin e një qeverie teknike që të monitorojë zgjedhjet e ardhshme dhe të garantojë besueshmërinë e tyre.
Shpreh solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe forcat demokratike që punojnë për rikthimin e pluralizmit, llogaridhënies dhe vlerave evropiane.
IV. Konkluzione
Rikonfirmon se konsolidimi i një regjimi narko–autoritar në Shqipëri përbën jo vetëm një tragjedi të brendshme, por edhe një sfidë strategjike për sigurinë demokratike të Evropës.
Thekson se, pa veprim të menjëhershëm përmirësues, Shqipëria rrezikon të kthehet në një strehë të përhershme për krimin e organizuar, kapitalin e paligjshëm dhe qeverisjen autoritare brenda kufijve të Evropës.
Ju e shihni se çfarë shkalle të lartë përgjegjësie ka treguar Asambleja e Përgjithshme e CDI në vlerësimin e plotë dhe të gjithanshëm të gjendjes në Shqipëri.
Kjo rezolutë, së bashku me 5 rezoluta të tjera paraprake të miratuara nga organizatat ndërpartiake të forcave politike të qendrës dhe qendrës së djathtë, përbën një mbështetje të një rëndësie të jashtëzakonshme për opozitën shqiptare, për qytetarët shqiptarë, në betejën e tyre kundër këtij regjimi që është jashtë çdo lloj standardi demokratik, nuk ka asnjë legjitimitet, bashkëpunon me krimin dhe vjedh në mënyrë monstruoze qytetarët shqiptarë.
Unë shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë përfaqësuesve të forcave politike që gjatë Asamblesë së Përgjithshme të CDI të mbajtur në San Paolo votuan me unanimitet të plotë këtë rezolutë.
Diskutimet që ata bënë me preokupimin më të madh për gjendjen në Shqipëri dhe garantoj shqiptarët, garantoj miqtë tanë, se përpjekjet tona nuk do tërhiqen para asgjëje dhe se qëllimi ynë për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë do të vazhdojë me çdo përpjekje, çdo sakrificë.
Faleminderit!
PYETJE-PËRGJIGJE
Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, gjatë qëndrimit tuaj në Brazil, Tirana u vizitua nga zyrtarja e lartë e BE-së, Marta Kos, e cila i konsideroi zgjedhjet e 11 majit të lira dhe të ndershme. A keni një qëndrim në lidhje me këtë deklaratë dhe për faktin që nuk u konsiderua raporti i OSBE/ODIHR?
Berisha: PD pas deklaratës së Marta Kos, bëri një deklaratë në të cilën ajo e publikisht dhe gjerësisht, deklaratën e frymëzuar të zonjës Kos, nga propaganda e paguar e Edi Ramës, ekstremizmit politik i majtë apo dizinformimi, si një deklaratë që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin kombëtar.
Ajo çka unë dua të them, sot lexova para se të vij këtu, se ka patur një reagim nga ana e zëdhënësit të Komisionit Europian, i cili shpreh qëndrimin korrekt të Komisionit Europian të papajtueshëm me qëndrimin e Marta Kos, një adhuruese pa kushte për arsye të saj, të Edi Ramës dhe bëmave, gjëmave të tij.
Ndaj dhe unë falënderoj Komisionin për reagimin dhe garantoj se PD mbetet e përkushtuar totalisht për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si e ardhmja më e shkëlqyer për shqiptarët.
Sikundër thekson se sot Shqipëria në mënyrë absolute përveç pozicionit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë nga kushtet dhe kriteret që kërkohen për këtë anëtarësim.
Marsi Çerma, Syri Tv: Z.Berisha, veç dënimit të deklaratës së znj.Kos, çfarë duhet të bëjë opozita pas deklaratave që vjnë nga komisionerja e zgjerimit për zgjedhjet në Shqipëri, ndonëse raporti i ODIHR fliste për të tjera gjetje?
Berisha: Opozita ndodhet para disa sulmeve të targetuara të individëve të caktuar që janë në Komisionin Europian ose që përfaqësojnë në Shqipëri, Bashkimin Europian.
Të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur.
Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi.
Ky është një trillim, një mashtrim, e kam dënuar njëherë dhe e dënoj prapë.
PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit.
Janë të gjitha integrimet e mëdha të Shqipërisë vepër e kësaj partie.
Kurse sa i përket mashtrimit se ai ka axhendë MAGA-n, MAGA si program i një partie konservatore, ka shtylla e shkëlqyera të mbrojtjes të vlerave që partitë konservatore ndajnë, dhe unë i rikujtoj atij zotërie, se nuk e di ku ka qenë ai 32 vjet më parë kur Sali Berisha ka vendosur në Shqipëri taksën e dytë më të ulët në botë, TVSH-në më të ulët në botë pas një vendi tjetër dhe sistemin fiskal më konservator, më të ulët.
Ka bërë gjithçka për konsolidimin e familjes, ka mbrojtur interesin kombëtar.
Pra, në qoftë se ka një konkordancë, ne jemi krenarë për vlerat që mbrojmë dhe nuk mundet kurrë asnjë njeri nga pozitat e ekstremizmit të majtë të bëjë gjah shtrigash kundër programit tonë.
Në rast se presidenti Donald Trump këto vlera po i mbron dhe po i konsolidon në SHBA, ky është interesi i mbarë njerëzimit.
Apo pas mashtrimit tjetër se Chris LaCivita ka sjellë këtu çekun 9 miliardë euro në rast se fiton Shqipëria për t’u shkëputur nga BE.
Shqiptarët duhet ta dinë se kjo është propagandë e Edi Ramës dhe është përcjellë në të gjitha nivelet në kancelaritë në Bruksel.
Këto janë shpifje të turpshme.
Do blika mosanëtarësimin, përkundrazi, politika e SHBA ka qenë dhe është që Shqipëria të anëtarësohet në BE.
Por i theksova këto sepse janë fakte reale, janë të pamohueshme,
Dhe natyrisht në këtë mjedis, zonja Kos mund të bëjë çdo deklaratë, por nuk është e vetme zonja Kos. Jo!
Marsi Çerma, Syri Tv: Z.Berisha, gjatë qëndrimit tuaj në Brazil u emëruat edhe zv.president i CDI, si do ta impaktojë ky emërim aksionin tuaj politik në Shqipëri kundër qeverisjes së Edi Ramës?
Berisha: Ishte nder i madh për mua, që u propozova dhe u zgjodha zv/president i organizatës më të vjetër dhe më të madhe në botë të partive të qendrës së djathtë.
Ishte një vlerësim i jashtëzakonshëm për qëndresën e Partisë Demokratike, në mbrojtje të vlerave, të lirisë, demokracisë, shtetit ligjor, që ndan me partitë e tjera.
Por ishte një vlerësim dhe nderim edhe për përpjekjet e mia personale për të qëndruar për ato të vërteta që unë besoj dhe që janë të përbashkëta. Për dinjitetin njerëzor, për lirinë dhe demokracinë.
Unë do të bëjë gjithçka që këtë nder të madh që më bënë, së bashku me opozitarët në Shqipëri, ta shndërroj në një fitore të forcave opozitare, të vlerave që këto forca mbrojnë dhe zhvillojnë.
Faleminderit!


