Berisha: Narkoshteti po shembet! Në të premten e zezë, Veliaj krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë. Rama bëri ekzekutimin digjital të Rahmetlie Ballukut

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E KRYESISË SË PD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes me Kryesinë diën e sotme, gjatë fjalës së tij hyrëse drejtpërdrejt për media trajtoi zhvillimet politike të fundit, raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet, situatën e brendshme të PD-së dhe nevojën për hapje e ripërtëritje të forcës opozitare.

Berisha deklaroi se “narkoshteti i Edi Ramës po shembet”, duke e cilësuar këtë si një moment historik për opozitën që, sipas tij, ka mundësinë reale t’i japë “colpo di grazia” regjimit aktual. Lideri historik i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për ndërtimin e një strukture të bazuar mbi drogën, krimin dhe aleancat me qarqe të majta ndërkombëtare, të lidhura me Xhorxh Sorosin.

Gjatë fjalës së tij, Berisha komentoi edhe përplasjet e fundit brenda mazhorancës, duke e quajtur rastin e Belinda Ballukut “ekzekutim digjital nga Edi Rama” dhe duke theksuar se “shkërrmoqja e brendshme e qeverisë është dëshmi e krizës së thellë që po kalon narkoshteti”. Berisha theksoi gjithashtu se Rama po përdor “gjeopolitikën për të grabitur miliona euro”, ndërsa “krimi dhe oligarkët janë bërë shtylla e pushtetit”.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së liderit demokrat, Sali Berisha, iu kushtua raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, për të cilin ai tha se konfirmon në mënyrë të plotë akuzat e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve dhe kapjen e shtetit. Berisha tha se raporti vërteton përfshirjen e krimit të organizuar në disa qarqe, përdorimin masiv të burimeve shtetërore, patronazhistët dhe shkeljen e barazisë në garë. Ai akuzoi SPAK-un se ka qenë “indiferent ndaj krimit elektoral”, duke e quajtur “Skapin e partisë”.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e buxhetit të shtetit në fushatë, për blerjen e votave përmes pensionistëve dhe fermerëve, si dhe për përdorimin e mijëra automjeteve publike në aktivitetet elektorale. Berisha tha se, pas zgjedhjeve, bandat dhe kartelet e ndërtimit u shpërblyen me leje ndërtimi dhe projekte publike në tokë shtetërore.

Në një tjetër moment të fjalimit të tij në mbledhjen me Kryesinë, Berisha akuzoi Ramën se po përgatit një ligj që mohon burrin dhe gruan dhe synon shuarjen e familjes shqiptare, duke e lidhur këtë me ndikimin e Xhorxh Sorosit dhe agjendën e ekstremit të majtë postmarksist. Ai tha se opozita do të mbrojë vlerat tradicionale të familjes, kombit dhe besimit.

Kreu i PD-së i bëri thirrje Bashkimit Europian që të mos mbyllë sytë para bandave dhe pastrimit të parave të nëntokës, duke u shprehur se Shqipëria është më keq se një narkoshtet, sepse çdo hetim dekonspirohet menjëherë. Ai kujtoi periudhën e kultivimit masiv të kanabisit dhe akuzoi policinë e shtetit dhe qeverinë për lidhje me trafikun e drogës.

Kryetari i PD, Sali Berisha pranoi se PD duhet të bëjë një analizë të ndershme, të hapur dhe të sinqertë, duke thënë se vonesa e saj erdhi për të mos ndikuar raportin e OSBE/ODIHR. Ai theksoi se analiza nuk bëhet për të fajësuar, por për të ngjallur shpresën tek demokratët:

“Tek anëtarët nuk shkohet për t’i fajësuar, por për të ngjallur shpresën dhe shpresa ngjallet vetëm me dritën e të vërtetave, tha ndër të tjera Berisha.”

Kryetari i PD, Sali Berisha u ndal edhe te “censura mediatike” që ka shkatërruar besimin e njerëzve në të vërtetë, duke cituar filozofen Hannah Arendt dhe duke kërkuar transparencë në komunikimin e opozitës me qytetarët.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha shpalli hapjen e Partisë Demokratike ndaj të rinjve dhe njerëzve me vlera si prioritet kryesor për ringritjen e forcës opozitare: “PD duhet të hapet drejt të rinjve dhe njerëzve me vlera, kjo është si ajri për ne, theksoi Berisha.”

Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për ripërtëritje të fuqishme të partisë, përfshirje të brezit të ri dhe mobilizim përmes “protestave paqësore dhe kryengritjes demokratike” për të përmbysur “regjimin që po shkërmoqet”.

FJALA E PLOTË

Të nderuar anëtarë dhe anëtare të kryesisë së PD, të dashur demokrate dhe demokratë, mbështetës të kësaj partie që ndiqni këtë mbledhje të Kryesisë së PD.

Sot, ne mblidhemi në rrethana të zhvillimeve të jashtëzakonshme, dhe mendoj se, këtyre zhvillimeve PD, drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e saj dhe opozitarët, pa përjashtim, duhet t’i kushtojnë vëmendjen maksimale, vëmendjen e jashtëzakonshme.

E vërteta është se, narkoshteti po shembet. Kjo është sot e vërteta më e madhe se asnjëherë më parë. Dhe kjo shembje është e pandalshme. Struktura kriminale e bazuar mbi drogën dhe krimin e shqiptarëve, që Edi Rama ngriti këto 12 vite në aleancë me kartelet e drogës dhe ekstremin e majtë të udhëhequr nga Xhorxh Sorosi, ka hyrë në një proces dezintegrimi.

Këto zhvillime i japin një dimension krejt të ri për shpëtimin e Shqipërisë. Për të parën herë në 12 vite, opozita ka mundësinë e saj reale për t’i dhënë colpo di grazia narkoditaaturës së Edi Ramës. Shembja e narkoshtetit është shans historik për çdo qytetar opozitar, për çdo qytetar shqiptar, për çdo drejtues të forcave opozitare politike, drejtues të PD.

E premtja që kaloi është ‘e premtja më e zezë’ e narkoshtetit të Edi Ramës. Të gjithë ne ishim dëshmitarë me disa pamje të cilat atyre që kanë përjetuar diktaturën totalitare i kujtojnë procesin e Kadri Hazbiut në gjyqin e partisë. Të tilla ishin pamjet e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, por në dallim nga Kadri Hazbiu që deklaronte se e kam nga partia ime, Erion Veliaj me guzim krahasoi partinë e tij me FARC-un e Kolumbisë.

Të kuptohemi, nuk kam absolutisht as edhe ndjesinë më minimale,

 se Erion Veliaj është një person i pafajshëm. Erion Veliaj është një person që mbahet në burg për minimumi për 1/100 e asaj që ka shpërdoruar, për të mos thënë 1/200 e saj. Por duke thënë këtë, e vërteta e padiskutueshme është se, të drejtat e njeriut u shkelën në mënyrë brutale, u përdor ndaj tij ajo praktikë që Enver Hoxha përdori ndak Kadri Hazbiut, që ishte një kriminel, një vrasës. Dhe në këtë rast, duke shkelur çdo procedurë, çdo ligj i dhanë atij mundësinë të krahasojë FARC-un e Kolumbisë, partinë që në fakt, ai tha një të vërtetë, narkoparti, narkoregjim. Kjo është e vërteta e Shqipërisë.

Por në të njëjtën ditë, personi që po të merrje qindra e mijëra fjalë të fjalorit tonë, nuk meritonte fjalë tjetër më shumë, se sa lubinë.

E papërmbajtur, njeriu që pas Edi Ramës, ka vjedhur më shumë në shtetin shqiptar që nga themelimi i këtij shteti gjer sot, dhe kjo është Lubi Balluku. Lubi Balluku, u paraqit në Skap. Edhe kjo, si punë kolegësh, me atë gjuhën e Erion Veliajt doli, por u paraqit në SKAP për të dëgjuar akuzën. Akuza ishte: pabarazi në tendera.

Të kuptohemi. Në pamje të parë, kjo duket një akuzë për t’u englendisur. Po të kemi parasysh vjedhjet, mëkatet, vilat, etj., etj., të saj.

Por, po të marrim parasysh anën tjetër se në formulimin e kësaj akuze, prokurori i çështjes u kërcënua në mënyrë kriminale nga aenturazhi i Lubisë, por edhe nga vet Lubia, që del e i thotë prokurorit: mos më shih me rroba gruaje, se unë i heq këto dhe vishem si burrat.

Keni parë, Lubia me kobure? Po.

Kërcënohet direkt nga Edi Rama: cili je ti, thotë, që guxon t’i prekësh pasaportën zv.kryeministres së Republikës së Shqipërisë.

Një copë hajdute, që nuk ka shoqe në hajdutëri në 113 vitet e fundit.

Të vërtetën e nxorri lakuriq, siç e dinim ne njeriu më i afërt i Edi Ramës, në disa aspekte dhe shefi i tij, në marrëdhënie speciale, Baton Haxhiu. Po, tha, 50 milionë avulluan, por ishte avullim gjeopolitik, duke u përpjekur të implikonin në këtë mënyrë presidentin e Turqisë. Nuk thotë populli kot: po ndenje me qen, pleshta do të kesh.

Po, se gjeo, dhe gjeopolitikën e ka vetëm kryeministri. Të tjerët janë kot, janë gurë shahu.

Tani, këtu t’u them dhe unë një gjë. Për hir të së vërtetës, jashtë përgjegjësisë nuk del asnjë, por gjeopolitikën e ka kryeministri, prap ju them.

Këtu, Batoni, me të cilin nuk mund të pajtohem kurrë në 1000 gjëra, por në këtë rast ai i ka rënë pikës. Kryeministri e ka gjeopolitikën, nuk e ka ministri.

Pra, Edi Rama përdori gjeopolitikën për të grabitur 50 milionë euro. Dhe keni parasysh, se ai është burimor, se ai gjithë ditën me Ramën dhe njerëzit e Ramës e kalon. Ndaj dhe, zhvillimet brenda tyre janë shkërrmoqëse dhe u bënë më dramatike, kur Rama mori vesh se Lubia në mesazhet e saj u thoshte vartësve të saj se, ato dhe ato janë për palloshin e gjatë. Çfarë gjuhe!

Do t’ua them shqiptarëve ta marrin vesh se, kjo është e vërteta absolute. Janë në sms dhe në emaile. Kur del në dokumente se, kompania ka paguar udhëtime dhe qëndrime të Edi Ramës, Ervis Berberit, Lubi Ballukut në një resort se çfarë ishte ai, në Athinë. Urdhëroni, të të gjithë qeverisë!

Pra, së fundmi Lubia nuk i tha vetëm Prençit që unë heq rrobat e gruas dhe vishem si burrë. Në fakt, këtë ia tha edhe Ramës, palloshit të gjatë në zyrë, në prani të dy dëshmitarëve. Nuk jam qurraveci i bashkisë, i tha.

Ndaj dhe, filloi në mënyrë të rrufeshme izolimi i saj digjital, u fshinë me shpejtësi të madhe miliona klikime, share, angazhime, poste, etj.

U bë një ekzekutim digjital i Lubisë, saqë në rrafshin digjital, ajo nuk quhet më Lubi, ajo quhet Rahmetlie Balluku. Po.

Ju garantoj se, asgjë nuk e ndalon këtë proces, por për çdo opozitar duhet të jetë shumë e qartë se, Edi Rama është strumbullari, është shtylla, është kolona e të gjitha këtyre vjedhjeve. Unë nuk them se çdo vjedhje është bërë nëpërmjet tij, apo ai. Jo, por ka një gjë. Po u korruptua kryeministri, vjedhja bëhet masive.

Po të kalojmë nga Tuneli i Llogarasë, 50 milionë tek aeroporti i Vlorës 140 milionë.

140 milionë është garancia sovrane e biletave të munguara për 10 viteqë i ka dhënë Rama vetes së vet. Tmerr!

Dhe aeroportin, koncensionari do ta shfrytëzojë për 35 vite, do të ketë një fitim 700 milionë euro. Po këtu, aferat gjënë më të qartë, e thoshte një gazetar, në një bisedë koefidenciale: Rama nuk mund të hetohet, nuk ka shanse.

Pra, këto kisha unë për të të premten e zezë.

Ndërkohë, anëtarët tanë, mbështetësit tanë me të drejtë, e konsiderojnë analizën që ne fillojmë të vonuar.

Të kuptohemi, narkoshteti është në shkërrmoqje, por vet nuk bie kurrë, po nuk e përmbysëm ne. Ai shkon vite e dekada, për këtë nuk duhet të kemi asnjë iluzion. Për të përmbysur narkoshtetin, atë e realizojnë njerëzit guximtarë, njerëzit që kanë shpresë.

Njerëzit e dëshpëruar flasin me vete, janë njerëz shumë të mirë. Por ata, kanë humbur nord-in e jetës së tyre të përditshme. Vetëm njerëzit e shpresë janë ata që luftojnë për idealet e tyre, për misionin e tyre.

Në këtë kontekst, PD e ka jetike një analizë të ndershme, të gjithëanshme, të sinqertë, të hapur, demokratike.

Dua që në fillim të qartësoj çdo demokrat, se kjo analizë është shtyrë vetëm për një arsye. Është pritur raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR. Është pritur ky raport sepse, në çdo debat tonin mund të përdorej nga pala kundërshtare për të ndikuar tek raporti. Të dhënat i kishim të sigurta.

Edi Rama, ka kërcënuar direkt vet personalitete të vëzhgimit të zgjedhjeve. Igli Hasani për të firmosur me turp, për të mbyllur me turp karrierën si ministër i Jashtëm, detyrohet nga Edi Rama 2 orë pasi publikohet raporti paraprak, t’i bëjë letër misionit vëzhgues, dhe e gjitha kjo ishte, nënkuptimi, që ju keni shpifur, se ato që keni shkruar nuk i dokumentoni dot. Dhe kjo përpjekje ka vazhduar në nivelet me të larta me intensitetin më të madh.

Ndaj dhe ne, zgjodhëm si taktikë më të drejtë, spostimin e analizës së brendshme dhe paraqitjen e përditshme të fakte, dokumenteve që dëshmonin se ato që ishin shkruar në raportin paraprak kishim mbështetje të fuqishme në fakte dhe të vërteta.

Dhe ne, paraqitëm këtu para shqiptarëve çdo ditë, fakte, dokumente, prova për ato që raporti i kishte evidentuar. Ne, disponojmë mbi 2000 fakte, prova, të dhunimit të zgjedhjeve. Një punë kjo, kolosale, kemi komunikuar online, ua kemi çuar të gjitha institucioneve. Nuk them unë se sa ka ndikuar apo jo, por them që Edi Rama dështoi totalisht në ndryshimin, qoftë edhe të një gërme të atij raporti. Dhe kjo, është në meritën më të madhe të atyre vëzhguesve, njerëz me dinjitet, njerëz me integritet, besnikë të vlerave në të cilat besojnë, që në raportin me 46-47 faqe, ia rreshtojnë në faqe dhe footnote që të gjithë faktorët që ata e shndërruan procesin elektoral në farsë elektorale.

Kështu që, këtë analizë që bëjmë, ne u paraqesim anëtarësisë sonë një përmbledhje të shkurtër, sigurisht se, të gjatë e ka cilido ta gjejë, të të gjitha këtyre gjetjeve, dhe krahas tyre rezolutat ndërkombëtare të organizatave më të fuqishme të qendrës së djathtë në Europë dhe në botë. Ajo që është specifike, dhe unë e vlerësoj shumë, sepse midis rezolutave partiake dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR ngjashmëria është pothuajse e plotë. Se mund të thotë kush që, këto rezoluta janë linjë partiake, por nuk thotë dot kush kurrë se 300 vëzhgues me kryesim të përfaqësuesve të Këshillit të Europës të Parlamentit të Europës, Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kanë linja partiake. Në këtë kuadër, raporti thekson se në vitin elektoral u arrestuan 3 liderët e partive kryesore opozitare, atë që theksojnë rezsolutat.

Raporti thekson se, në shqyrtimin e krimit elektoral Skapi i partisë ishte indiferent. Nuk i shqyrtoi, çka përbën një damkë madhore në qëndrime ndaj lirisë së votës, por në qëndrime ndaj themilit të demorkacisë, themelit të vlerave.

Raporti ndërkombëtar, thashë, është i rëndësisë së jashtëzakonshme që shpreh me terminologji të institucioneve ndërkombëtare ato që shprehin rezolutat e mëparshme. Krimi i organizuar, thotë raporti, ishte aktiv në zgjedhje, në Elbasan, Durrës, Lezhë dhe një seri rrethesh tjera.

Rikujtoj këtu një deklaratë, të deputetit të nderuar Michael Gahler që është referent, është koordinator i grupit parlamentar të PPE. Ai deklaroi para asamblesë politike të PPE se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin.

Raporti i OSBE/ODIHR fakton se ligji elektoral i vendit u shkelmua në dhjetëra, qindra e mijëra herë. Janë të evidentuara. 4530 aktivitete në kundërshti me ligjin. Dhe këto, për Altin Troplinin nuk përbëjnë shkelje ligji, përkundrazi, si tha në parlament, nuk kemi gjetur tha.

Raporti pasi denoncon patronazhistët famëzinj, këtë polici të urryer të votës së lirë së shqiptarëve, e damkos si një zhvillim që nuk pajtohet me parimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira. Për Altin Troplinin nuk ka rëndësi parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve, ka rëndësi statuti i PS dhe platforma e Edi Ramës.

Kjo është e vërteta.

Raporti, në mënyrë të përsëritur thekson se partia e pushtetit përdori pa kufij resurset njerëzore, financiare, logjisitke, vendimarrëse për të ndryshuar dhe krijoi fushë të pabarabartë në zgjedhje. Krijoi zgjedhje të pabarabarta. Shkeli parimin më themelor.

Pra, shkeli parimin e kushteve të barabarta në garë.

Po, pse u mor e pandehur Balluku? Se shkeli barazinë në tendera. Për Altin Troplinin të shkelësh barazinë, në fenomenin më shoqëror që janë zgjedhjet e përgjithshme, nuk përbën problem.

E kuptoni, të dashur qytetarë dhe qytetare se çfarë është ky? Ç’janë këta?

E vërteta është se, është në meritën e madhe të atyre vëzhguesve dhe drejtuesve të tyre, që pikërisht tek kjo çështje që është më themelorja, ata ndahen dhe rikthehen sa herë që kanë analizuar njëri pas tjetrit faktorët që e bënë garën të pabarabartë.

Po si mund të jetë garë e barabartë, kur ai që ka buxhetin e shtetit paguan 100 euro për pensionist, dhuratë për votë. Si mund të jetë garë e barabartë, kur ai që ka buxhetin e shtetit nga 34 milionë, që ka dhënë një vit më parë për fermerët, e çon në 240 milionë fondin dhe vetëm për grante kanë aplikuar 74 mijë, dhe që nuk ua ka dhënë se i kishte për mashtrim. Aplikoni se do ua jap. Asnjë nuk u ka dhënë prapa.

Si mund të jetë garë e barabartë, kur mijëra automjete publike nga kryeminsitri e ministri përdoren 2 muaj rresht në garë elektorale? Çfarë logjistike gjigante është kjo, krahasuar me kundërshtarin? Ata kanë meritën, fushë e pabarabartë. Dhe kjo, nuk përbën krim monstruoz për Altin Troplinin. Jo, se ky është një mercenar i Edi Ramës.

Por ka gjë më të turpshme se, prokurori i Prokurorisë Speciale të thotë se, patronazhistët nuk janë shkelje ligji. Me të njëjtën lehtësi, sikundër deklaroi se ndalimi i komunikimit me avokatin nuk është shkelje ligji, dhe se po vendosën 2 gjykatës Kushtetuta nuk ka më vlerë. Absolutisht, në raportin e tyre. Ata denoncojnë përdorimin e fuqisë ekzekutive, siç e keni dëgjuar për leje, legalizime, certifikata pronësie dhe me radhë.

Çfarë ndodhi pas zgjedhjeve?

Të gjitha kartelet u shpërblyen me shuma përrallore. Këto që dëgjoni ju, se ky do ndërtojë 14 kulla e 12 vila, këto janë që të gjitha paratë e tyre, janë presta nome që përdoren. Vetëm Fatmir Troplinit i ka dhënë në Durrës 5 kulla, nga të cilat edhe 54 katëshe dhe 12 pallate në tokë publike 38 mijë m2.

Ai dhëndri i tyre, shpallet në kërkim gjoja, pasi e fsheh në xhep mandatin e arrestit që solli Italia.

Pra, raporti në fakt fakton 100% ato që janë thënë në rezolutat ndërkombëtare dhe ato që ne kemi paraqitur para shqiptarëve 3 muaj rresht fakte e dokumente.

Por, nga ana tjetër, e thashë dhe në fillim, një goditje të rëndë ka marrë në SHBA Xhorxh Soros, armiku më i egër i forcave demokratike konservatore në botë. Mbështetësi kryesor i ekstremit të majtë.

Në vendin e tij është akuzuar për veprimtari kriminale masive, por në Shqipëri qeveria, gjysma e kabinetit është me bashkëpunëtorë të Sorosit. Kjo është e vërteta, janë hajdutë. Ligji që vjen në parlament është ligji i poshtërimit të familjes shqiptare. Ligji që do të mohojë gjinitë njerëzore, burrë dhe grua, mashkull dhe femër. Ligji në të cilën e majta ekstremiste post-marksiste amerikane u angazhua në mënyrën më të papërmbajtur. Këtu, Marksi nuk ka shkuar gjer aty. Këtu, Marksi që është doktrinari i terrorizmit mbi tokë, nuk ka shkuar tek gjinia. Nuk ka ai përpjekje për të ndryshuar me gjininë. Kurse, Soros me të vetët përpjekje titanike për të krijuar gjininë e tretë, apo të katërt. Dhe tani, ligji në parlament, gjoja i barazisë gjinore, faktikisht ligji i shuarjes.

Gjinia, thotë Edi Rama, nënkupton rolet e ndërtuara në kontekstin social, sjelljet, aktivietet dhe kontributet që një shoqëri e caktuar e konsideron për gratë dhe burrat.

E kuptoni? E hoqi dhuntinë e Zotit. E hoqi përcaktimin natyror, por tani e sjell dhe e vërtit çfarë u duket e përshtatshme. Nuk ka. Kjo përpjekje për të shuar konceptin e familjes shqiptare dhe familjes në botë siç është, prindi, baba, nëna, fëmija, do të thotë se vendin e Marksit të dikurshëm në Shqipëri e ka Xhorxh Sorosi.

Dhe unë ju them ju, ne nuk duhet ta nënvleftësojmë sepse Xhorxh Sorosi ka mbështetës të fuqishëm shqiptarë dhe jo shqiptarë, që ditën dhe natën punojnë kundër opozitës shqiptare. E shpallin opozitën shqiptare joperëndimore vetëm pse mbron këto vlera të shenjta të familjes, të atdheut dhe të kombit.

Për ligjin, narkoshteti, duke mbështetur Edi Ramën, dhe unë me këtë rast dua t’i them pak z.Gonzato, për të cilin unë e kam respektuar dhe respektoj si përfaqësues i BE, padiskutim.

Por, përpjekja e tij për të injoruar narkoshtetin në Shqipëri është një mbështetje direkte për narkoshtetin. Dhe do i kërkoja njerëzisht t’i referohet Nikola Gratierit, një italian që lufton ditë e natë me mafien dhe që deklaron që Shqipëria është më keq se narkoshtet, dhe e dini pse? Sepse nuk mund të hetohet, sepse të dekonspirojnë menjëherë.

Dhe, para se të thërrmosh opozitën se ajo bën fjalë për narkoshtetin, ajo dhe cilidoqoftë tjetër, le të ndalet pak te raporti i OSBE/ODIHR, tek pjesëmarrja e bandave në ditën e zgjedhjeve, të kullave që 80% të parave i kanë nga nëntoka, jo nga bankat. Le të ndalet pak tek pritja e Sinaloas në zyrën e kryeministrit dhe pritja e qeveritarëve në Aruba. Fakte këto, jo të opozitës.

Është gabim shumë i rëndë të atakosh opozitën se ajo flet për narkoshtet. Opozita, sigurisht do mbrojë interesin kombëtar të vendit të vet. Por kjo, përbën një mbrojtje për narkoshtetin dhe qeverinë. Dhe unë, do t’u kujtoj shqitparëve një skenë.

Në vitin 2015, vendi u mbush kanabis, siç u kujtohet nga Pogoni, gjer tek Stani i Poshtëm. Stani i Poshtëm është një bjeshkë në kufi me Plavën, pothuaj.

Në Tiranë, sipërmarrjet mbylleshin sepse shkonin punonin në plantacione me rrogë të trefishtë, në një marrëveshje me sipërmarrësit. SHISH informonte se 180 oficerët madhorë policie janë të implikuar në vjeljen e drogës dhe SHISH informonte shërbimet e vendeve partnere 100%, e sigurtë kjo. Kur del një ditë Donald Lu, ambasadori amerikan në Pallatin e Kongreseve, mbushur plot e përplot me oficerë policie dhe u thotë shqip: jam këtu për të përgëzuar policinë për suksesin e jashtëzakonshëm për luftën kundër drogës dhe trafikant Tahirin në krah. Të jem i sinqertë me ju, u mërzita shumë. Se ajo ishte përkrahje, ishte inkurajim. I kërkoj takim, dhe e takoj.

I them, z.ambasador, kjo deklaratë e juaja është mbështetje për këtë politikë, e cila doi të jetë shkatërrimtare për vendin tim. Jo, tha, ne nuk merremi tha me drogërat e buta, ne merremi me drogërat e forta. Dhe ti e tha, se nëpër këto SHBA ka një lëvizje për legalizime dhe për këto. Në fakt, kishte lëvizje, nuk mund të mohohej, por e vërteta është që nuk u arrit që në nivel federal të kalonte ajo lloj forme. Mirë i them unë, por po të them një gjë tjetër.

Çfarë?

Gjatë kohës që ne ishim në pushtet, çdo vit institucionet tuaja të zbatimit të ligjit, mblidheshin me përfaqësuesit tanë të zbatimit të ligjit. Pse? Për të shqyrtuar nëse mund të kishte potenciale për financimin e terrorizmit kund. Dhe unë e vlerësoja shumë këtë punë. Tani i thashë, këtë vit që po flasim janë nja 200-300 shqiptarë që po luftojnë me Kalifin. Dhe nëse Al-Bagdadi u thotë atyre: shkoni në Shqipëri, dhe bëni para me drogë dhe na i sillni, ja ku janë burimet.

I dhashë dhe shembullin e Jemenit. Se, Jemeni i korrën masivisht plantacionet e kafesë dhe mbollën një bimë jo si kanabisi, por bimë narkotike dhe ajo. Dhe ai komb humbi një nga pasuritë më të çmuara që kishte, kafenë, por edhe si njerëz ata u bënë njerëz që mbllaçisin këtë bimën. Si drogë është ajo.

Të thuash tani që, Shqipëria nuk ka narkoshtet, në një kohë kur dollari dhe euro janë 30-35% përtokë dhe janë nga ato që i futën me kontejner, në një kohë kur prodhimi industrial bie nga viti në vit sipas institutit të statistikës. Eksportet kanë rënie dyshifrore nga viti në vit për shkak të euros, se janë euro e dollar eksportet, nuk janë me lek. Atëherë, çfarë bën ti që e mbulon këtë? Ti faktikisht i ndihmon këta, dhe faktikisht këtu unë kam një dallim shumë të madh me t dhe unë nuk pajtohem. Unë e di, që nuk është i vetmi që ka problem me  narkoshtetin, por ne do i qendrojmë. 1/3 e shqiptarëve ka ikur jashtë. Më shumë, sipas Eurostat. Mor zotëri, Adam Smith thotë: pasuria shpërndahet, ky është ligji i doktrinës. Këtu pasuria grabitet dhe shqiptarët varfërohen. Nga viti në vit numri i qytetarëve shqiptarë në rrezik varfërie, nuk i qytetarëve shqiptarë që varfërohen rritet. 41% ka arritur deri tani, sipas Bankës Botërore.

Të dashur anëtare dhe anëtarë të Kryesisë së PD, paraqita këtë panoramë dhe këtë situatë, e cila realisht është jashtëzakonisht e favorshme. Pavarëisht nga përpjekjet e dhunshme kundër opozitës, por narkoshteti është dizintegrim. Dhe, nq qoftë duam të shpëtojmë prej tij, e vetmja që mund t’i japë një colpo di grazia është PD, janë deokratët, janë opozitarët.

Po si është sot gjendja e PD?

Nuk është ajo që do të donim të ishte. Duke mirëkuptuar plotësisht ata që kultura ligjore elektorale nuk i lejon të konkludojnë dallimin midis farsës elektorale dhe zgjedhjeve të vërteta dhe këtu është detyra jonë ti sqarojmë absolutisht simpatizantët tanë kanë listën me të dhënat e tyre, shqetësimet e tyre plotësisht të drejta, për defektet, mangësitë, gabimet, përgjegjësitë e secilit prej nesh, të gjithë atyre që u angazhuan në fushatën elektorale.

Detyra jonë është të ulemi në një dialog të hapur, të dëgjojmë zërin e tyre, të shpjegojmë me durim dhe të marrim çdo përgjegjësi që na takon.

Nuk shkohet tek anëtarët, simpatizantët tanë as për ti fajësuar, as për ti dëgjuar, apo për ti shpërfillur. Jo përgjegjësia nxirret siç është. Cilido që ka përgjegjësi, është e këtij, e imja e jotja e me radhë.

Por tek anëtarët, simpatizantët, shkohet të ngjallet shpresa dhe shpresa ngjallet vetëm me dritën e të vërtetave. Në këtë mënyrë është jetike që ne të angazhohemi me ta.

Unë fola për të gjitha, por njëra nga kryesoret është censura e tmerrshme.

Ne nuk e kemi të qartë se sa shkatërrimtare është ajo.

Hanna Arend thotë, efekti më shkatërrimtar i censurës është se i bën njerëzit të mos dinë kujt ti besojnë, çfarë ti besojnë. E keni vënë re. Del njëri thotë këto, del tjetri thotë këto, kujt ti besoj. Nuk ka fact cheking. U bë një fact cheking? Asnjë nga mediat, sepse kontrollet 90% nga qeveria. Pse u ndala tek ky moment. Moment shkatërrimtar është ky për ne.

Prandaj dhe dialogu me anëtarët dhe mbështetësit tanë, i hapur, i sinqertë është kusht për të paraqitur të vërtetat siç janë.

Dhe duhet shpjeguar, pse u vonuam. Ata kanë pritur, janë zemëruar me ne pse u  vonuam. Zemërimi i tyre është lëgjitim. Vonesa jonë është problemi, nuk është zemërimi i tyre problemi, problemi është tek ne që u vonuam. Ne kishim këtë problem, se ishim në interes të tyre.

Çështje tjetër themelore. Është çështja e hapjes së PD.

Tani nëse ne nuk hapemi, nuk faktojmë para anëtarëve dhe mbështetësve tanë vullnetin e hekurt për tu hapur, vullnetin e hekurt për një imazh të ri, vullnetin e hekurt për një ripërtëritje të fortë ne nuk mund të motivojmë njeri.

Jo, të ua themi këtu.

Prandaj ju zotërinj, secili nga ju, secili nga ata që bashkëpunon me ju, të bëjë ‘hand hunting’, të kërkojë të gjejë njerëz, vlera. Unë përpiqem, por sado këtë objektiv nuk e realizoj dot.

Ky objektiv realizohet kur secili nga ju, secili deputet, drejtues i PD, anëtar kryesie në rrethe, të ofrojë vlera.

Është jetike, janë jetike si ajri për ne.

Ne nuk jemi në pushtet, siç bën ai që rekruton njerëz me 100 flamuj dhe i paraqet si ripërtëritje. Jo ne duhet të afrojmë idealistë, njerëz me vlera që pranojnë dhe në opozitë që të përballen me këtë të keqe të madhe.

Por një gjë duhet ta dimë se, asgjë nuk do të përcaktojë më shumë fatin dhe të ardhmen tonë se sa një ripërtëritje e fuqishme e kësaj force politike, në mënyrë që me mjetet e kryengritjes paqësore, protestave të fuqishme, këtij shteti që shkërmoqet ti japim duart, ta çojmë atje ku e meriton.

Punë të përqendruar tek ripërtëritja, tek të rinjtë.

Faleminderit shumë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale