FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij përballë qytetarëve, komentoi rezultatin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian, ku partitë e djathta fituan shumicën e vendeve. ‘Fitorja e djeshme e partive të qendrës së djathtë ka një rëndësi historike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë’, u shpreh Berisha në protestën në mbështetje të tij.
Lideri i opozitës, Sali Berisha gjatë fjalës së tij ka nderuar sot 25-vjetorin e lirisë së Kosovës. ‘Ne nderojmë sot 25-vjetorin e lirisë së Kosovës në një ditë kur Shqipëria përjeton pushtimin e saj më të egër në kohëra’, u shpreh Berisha në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.
Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar shtazarake të ushtruar ditën e sotme nga policia ndaj protestuesve të cilët kërkojnë prej 11 javësh dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili është kapur me prova se si ka vjedhur 130 milionë euro me inceneratorin fantazëm dhe 30 milionë euro me kompaninë 5D me pronarë drejtorët e tij në bashki.
Kryetari i PD-së Sali Berisha i ka bërë thirrje kryebashkiakut hajdut të Tiranës, Erion Veliaj se nuk ka shpëtim nga zemërimi dhe protesta e qytetarëve. ‘Erion Veliaj nuk ke shpëtim, fundi yt është i shpejtë! Do ta vazhdojmë këtë betejë më me guxim se kurrë më parë’, u shpreh Berisha në protestën te ‘Rruga e Shpresës’.
FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të lirisë, dinjitetit, shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.
Miqtë e mi!
Kombi sot ka një datë të rëndësishme, kremton 25-vjetorin e ditës së parë të lirisë të qytetarëve të Kosovës, de facto dhe të kombit shqiptar pas shekujsh robërie.
25 vite më parë, trupat e NATO-s të udhëhequra nga presidenti Bill Klinton dhe SHBA, kaluan kufirin shtetëror mes Shqipërisë dhe Kosovës për të çliruar vendin e fundit të okupuar në Europë dhe kjo është një ditë e madhe.
Sot ne nderojmë veprën e pavdekshme të përjetshme të presidentit Ibrahim Rugova, arkitektit të Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Nderojmë luftën legjendare, epike të UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari.
Nderojmë shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve në Kosovë dhe lirinë e tyre.
Por ne nderojmë sot 25-vjetorin e lirisë së Kosovës në një ditë kur Shqipëria përjeton pushtimin e saj më të egër në kohëra.
Në një kohë kur në 8 vite, jo lufta, as edhe pushtuesi i jashtëm, por një pushtues barbar, mizor i brendshëm ka shpërngulur nga Shqipëria më shumë se sa ç’shpërnguli Sllobodan Millosheviçi me tanke, topa dhe ushtritë e tij, shqiptarë nga Kosova.
Sot ne nderojmë këtë ditë në një kohë kur regjimi mban në arrest për motive strikt politike, kryetarin e PD dhe bën çdo përpjekje për asgjësimin e opozitës në Shqipëri.
Por qëndresa juaj, guximi dëshmojnë se çdo përpjekje e Edi Ramës do përfundojë në turpin e historisë.
Se opozita shqiptare nuk mposhtet kurrë.
Se ajo do qëndrojë dhe me rezistencën e saj do përmbysë diktaturën e tij të bazuar në aleancën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, dje ishte një ditë e madhe për Europën.
Forcat e qendrës së djathtë dhe të djathta triumfuan në mbarë Europën.
Sot, Partia Popullore Europiane u votëbesua nga qytetarët europianë për të mbajtur timonin e BE-së.
Qendra e djathtë evropiane doli dje nga zgjedhjet jo vetëm duke mbajtur pozicionet, por përkundrazi me një rritje të ndjeshme të përfaqësuesve të saj.
Fitorja e djeshme e partive të qendrës së djathtë ka një rëndësi historike për BE-në, të ardhmen e tij, por edhe për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë.
Asgjë në botë nuk do mund të pengojë PD-në pa përmbushur misionin e saj historik, përmbysjen e diktaturës së Edi Ramës.
Qeveri teknike, zgjedhje të lira!
Të dashur miq!
Sot mercenarë, narkopolicë, narkobanditë të veshur me uniformë, përdorën helme kundër demonstruesve paqësorë.
Sadistë dhe kriminelë përdorën gaze luftërash, të përdorura barbarisht 100 vite më parë.
Përdorën gaze toksike, gaze me pasoja dëmtime serioze në lëkurë, etj.
Me këtë akt, ata i shpallën luftë opozitës.
Ndaj dhe ftoj qytetarët dhe qytetaret t’i përgjigjen këtij akti kriminal me zemërim të pakufishëm, me revoltë të pakufishme, me mosbindje totale civile.
Ftoj shqiptarët të bashkohen në këtë betejë qytetare, betejë për jetën, ekzistencën e demokracisë dhe vetë kombit shqiptar në Shqipëri.
Çdo ditë që kalon është ditë që rëndon mbi ndërgjegjen tonë qytetare.
Është ditë që rëndon mbi supet e lodhura të këtij vendi të rraskapitur.
Është ditë që përzë nga orët e para të mëngjesit gjer natën vonë shqiptarët nga Shqipëria.
Është ditë në të cilën bota e krimit e lidhur me Edi Ramën dhe qeveritarët, kafshon egërsisht qenien shqiptare.
Është ditë në të cilën, Edi Rama, qeveritarët dhe zyrtarët e tij vjedhin çdo minutë dhe çdo orë dhe varfërojnë.
Vjedhin pasuritë publike.
Vjedhin buxhetin.
Varfërojnë çdo ditë shqiptarët.
Ndaj dhe o sot o kurrë, të bashkohemi në një betejë shpëtimtare për kombin shqiptar.
Të dashur miq!
Ju informuam se si përdorej TIMS-i për të kaluar kriminelët në misione krimi në mbarë Europën.
Ju informuam se si zyrtarët e paguar me taksat tuaja hapnin në të katër anët sistemet e shtetit dhe i vendosnin ata në funksion të krimit.
Në çdo akt, në çdo vendim, në çdo gjë, aty ku është dora e pushtetit, është dora e krimit.
Në bastisjen e fundit që bënë kanë vjedhur miliona e miliona euro.
Po miqtë e mi se kur i numërojnë, gjysmën i vjedhin.
Erion Veliaj është nga hajdutët më të pamëshirë të Shqipërisë dhe planetit.
Erion Veliaj kërcënon, çon mesazhe me aferat e vëllait të vet, zyrtarë të tjerë.
Erion Veliaj përdor tani mercenarët e Skapit, përdor krimet e tij dhe të vëllait të vet, për të shpëtuar, për t’u mbrojtur nga vjedhjet që ka kryer.
Për të mbrojtur 136 milionë euro të zhdukur në djegësin e Tiranës së bashku me Edi Ramën.
Për të mbrojtur qindra e qindra milionë euro të tjera të shndërruara në pallate, hotele luksoze me 5 yje dhe të depozituara në kontot offshore.
Erion Veliaj, nuk ke shpëtim, qytetarët e Tiranës të kanë prerë biletën, të kanë varur teneqenë.
Fundi yt është i shpejtë.
Do varesh në shtyllën e turpit të kryeqytetit, në sheshin Skënderbej.
Ik më mirë, ik sa më shpejt sepse qytetarëve të revoltuar, qytetarëve të zemëruar, guximtarëve të pamposhtur nuk ka forcë më botë që t’u rezistojë.
Ndaj miqtë e mi, të vazhdojmë ne këtë betejë, më të bashkuar, më të fuqishëm, më me guxim se kurrë më parë.
Gjer në fitore.
Fitore, fitore, fitore!