Berisha: Narkodiktatori është tmerruar, protestën nuk po e ndal as terrori policor dhe as temperaturat e larta. Ftoj demokratët të jetë pjesë e këtij uragani dhe qytetarët e njësive vendore të zhdukura nga Rama që të ngrihen në protesta

BASHKËBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët se protestat kundër qeverisë po vijojnë me intensitet, duke i cilësuar ato si shprehje të pakënaqësisë së thellë ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Ai u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve nga e gjithë Shqipëria t’i bashkohen protestës së planifikuar, duke e cilësuar atë si një ‘uragan lirie’.

Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se, sipas tij, qeveria nuk ka arritur të frenojë mobilizimin qytetar, pavarësisht presioneve dhe kushteve të vështira atmosferike. ‘Narkodiktatori është tmerruar. As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme nuk mposhtën dot qëndresën e qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës,’ deklaroi kreu i PD-së.

Sipas Berishës, protesta është kthyer në një lëvizje që po sfidon qeverinë, ndërsa akuzoi kryeministrin se në daljet e tij publike shmang problemet reale të qytetarëve. ‘Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme. Në të gjitha fjalimet e tij nuk ekziston qytetari, nuk ekziston Shqipëria dhe nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi,’ tha ai.

Lideri i opozitës Sali Berisha foli edhe për çmimet të karburanteve, duke u shprehu se, Shqipëria vijon të ketë një nga naftat më të shtrenjta në rajon. Ai krahasoi çmimet aktuale me vitin 2008, duke argumentuar se, megjithëse atëherë çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ishte shumë më i lartë, konsumatorët shqiptarë paguanin më pak. ‘Nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë, ndërkohë që në bursë është 85-90 dollarë. Në vitin 2008, kur nafta në bursë ishte 147 dollarë, në Shqipëri shitej me 1600 lekë,’ u shpreh Berisha, duke akuzuar qeverinë për taksim të lartë dhe mungesë mbështetjeje për fermerët.

Gjatë bashkëbisedimit, kreu demokrat Sali Berisha komentoi edhe reformën territoriale, duke kundërshtuar planin e mazhorancës për riorganizimin e njësive vendore. Ai e cilësoi reformën e vitit 2014 si një ndër shkaqet kryesore të shpopullimit të zonave rurale dhe bëri thirrje për reagim qytetar. ‘Ftoj të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, të ngrenë zërin e tyre dhe të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafie,’ deklaroi Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri apel demokratëve, por edhe qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, që të marrin pjesë në protestën e organizuar në Tiranë. ‘Sot shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë. Ftoj të gjithë demokratët të jenë pjesë e këtij uragani,’ tha Berisha. Ai shtoi se sakrifica e protestuesve duhet të shërbejë si frymëzim për çdo qytetar.

‘Ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare t’i bashkohet kësaj proteste. Sakrifica e përnatshme e atyre mijëra të rinjve dhe qytetarëve për idealet e lirisë duhet të jetë frymëzuese për çdo shqiptar që e do Shqipërinë,’ u shpreh kryetari i Partisë Demokratike gjatë bashkëbisedimit me qytetarët.

FJALA E PLOTE

Situata në Shqipëri karakterizohet nga temperaturat më të larta të motit, por dhe kriza më e thellë politike, e cila po përpin çdo ditë e më shumë jetën e vendit.

Protesta rinore qytetare vazhdon me një heroizëm epik.

Mijëra e mijëra të rinj, të reja, qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë bënë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës për të dëmtuar, për të ndaluar, për të bllokuar protestën rinore qytetare më madhështore të 35 viteve të fundit.

As temperaturat më të larta, as terroret policeske më të egra, as kërcënimet e pafundme, nuk mposhtën dot qëndresën në kushte të jashtëzakonshme, do të thosha, të qytetarëve shqiptarë kundër Edi Ramës.

Çdo orë, çdo ditë që kalon fakton se Edi Rama nuk ka të ardhme.

Por, më shumë se kushdo tjetër, këtë e fakton vetë Edi Rama, i cili i ndryrë në bunkerin e tij ka zgjedhur të mbajë fjalime, llafollogjira, të cilat në shumë aspekte iu ngjajnë shumë atyre që mbante diktatori dikur apo që mbajnë diktatorët e sotëm në Amerikën Latine.

Narkodiktatori shqiptar, në të gjitha fjalimet e tij, dëshmon dhe fakton tmerrin që i ka kallur në shpirt protesta e fuqishme qytetare.

Rikujtoni pak ato fjalime, në asnjërin prej tyre nuk ekziston qytetari.

Në asnjërin prej tyre nuk ekziston Shqipëria.

Në asnjërin prej tyre nuk ekzistojnë problemet madhore të këtij vendi.

Në të gjitha pa përjashtim ekziston vetëm përpjekja si e si të mbajë pushtetin, si e si të mbajë në kontroll partinë e krimit.

Të dashur miq, partia që drejton Edi Rama është themeluar mbi krimin nga serbët në vitin 1941.

Ajo kreu krime monstruoze me shndërrimin e Luftës Çlirimtare në një luftë civile në shumë zonë të vendit dhe e bëri këtë vetëm e vetëm për pushtetin e saj.

Për të mbajtur pushtetin ajo kreu gjenocid në 46 vite diktaturë ndaj shqiptarëve.

Të njëjtën gjë bën Edi Rama sot, narkodiktatori, por natyrisht jo në një diktaturë totalitare, se atë nuk e vendos dot, por në një diktaturë autoritare, në të cilën bazohet në vjedhjen e tmerrshme të shqiptarëve.

Bazohet në tonelatat e miliardave të eurove nga droga.

Bazohet në korrupsionin dhe organizatat kriminale.

Me këtë, nuk dua të them se socialistët janë kriminelë, jo, absolutisht.

Por dua të them se udhëheqja e PS, ish-Parti Pune, ish-parti komuniste, qëndron në pushtet vetëm e bazuar në krimin, ndaj dhe meriton plotësisht të quhet parti krimi.

Përshëndes përzemërsisht të gjithë ata socialistë që këto ditë vape kanë zgjedhur protestën dhe po djegin dokumentin e partisë së krimit.

Në një kohë kur Edi Rama vazhdon llafollogjinë e tij të pafundme dhe nuk thotë asnjë fjalë për problemet e panumërta të qytetarëve shqiptarë, nafta ka arritur në Shqipëri 2300 lekë, ndërkohë që në bursë është gjithsej 85-90 dollarë.

Por rikujtoj shqiptarët këtu se me 11 korrik të vitit 2008, është një datë e veçantë, është data në të cilën nafta në bursa ka pasur çmimin më të lartë të 20 viteve të fundit.

Ajo arriti në 147 dollarë nafta bruto në bursa.

Në Shqipëri ajo shitej me 1600 lekë. Domethënë shitej 30 e ca përqind më lirë se sa shitet sot, kur në bursë kushton gjithsej 85 dollarë.

E gjitha kjo për një akt kriminal të qeverisë, e cila taton naftën dy herë më shumë se Maqedonia, se Kosova dhe se shumica e vendeve të tjera në botë.

Por në qoftë se vendet e tjera, për naftën e kompensojnë atë të paktën nga 50 gjer në 100 përqind të saj për bujqësinë, në Shqipëri naftën e marrin me 500 lek litrin vetëm miliarderët dhe nuk ka injorim, cinizëm më të rëndë se ky.

Fermerëve shqiptarë ua shet naftën me 2300 lekë, miliarderëve që vijnë dhe mbushin jahtet e tyre në Durrës me nga 1 milion litra, ua shet naftën me 500 lekë sepse sulltani i Surrelit është pushtuar nga një pasion i çmendur pas luksit. Ka fetishin e luksit dhe elitës së luksit, paçka se qytetarët i ka më të varfrit në Evropë.

Se qytetarëve u shet me çmimet më të larta në Evropë naftën.

Se taksat që i vë naftës janë ndër më të lartat në botë.

Dhe kjo është vetëm njëra.

Janë pra një mori e pafundme problemesh për të cilat ai nuk thotë një fjalë të vetme në llogollogjinë e tij të pafundme.

Ndërkohë, të dashur miq, PD po vazhdon aktivitetin e saj në përputhje me direktivat e Kuvendit të fundit, organizimit, dixhitalizimit, vizionit dhe këtu çdo ditë punohet me intensitet në këto drejtime.

Por unë dua ta mbyll këtë përshëndetje të shkurtër me thirrjen tuaj, sot është një ditë shumë e veçantë për protestën.

Sot, shqiptarë nga mbarë bota do jenë të pranishëm në bulevardin e protestës, në uraganin e lirisë, ndaj dhe ftoj të gjithë demokratet e demokratët të jenë sonte në këtë uragan që ka tronditur dhe që ka bërë të pashpresë regjimin e Edi Ramës.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARET

Olta Gjonaj: Doktor, si e gjykoni vendimin e Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive dhe për më tepër që shprehen të bindur se kjo nuk i jep atyre asnjë favor politik?

Sali Berisha: E theksova dhe në takimin e dy ditëve më parë me komisionin e reformës territoriale: Zvogëlimi me reformën territoriale të vitit 2014 i numrit të bashkive dhe komunave nga 410 në 61 kishte qëllimin më madhor, përveç atij elektoral, dëbimin e butë të shqiptarëve nga Shqipëria.

Zhdukja nga harta e qeverive vendore të komunave bëri që në atë që quhet Shqipëri rurale, dhe që ishte rreth 49% e popullatës, të ndërpriten të gjitha investimet. Të ndërpritet çdo investim në infrastrukturë, në rrjetin e kanalizimeve, rrjetin e ujësjellësve, në mbështetjen e fermerëve.

Dhe kjo politikë antishqiptare ka pasur pasojat më katastrofale në rrafshin demografik mbi kombin shqiptar që nga viti 1913, viti i mortajës së zezë apo vdekjes së zezë, gjer sot.

Kurrë ky komb nuk ka humbur në 10 vite, siç ka humbur nga viti 2015 në vitin 2024, vetëm në hapësirën e Shengenit, sipas Eurostat, 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Dhe në qoftë se shtojmë statistikën e atyre që shkuan në Shtetet e Bashkuara, atyre që shkuan në Kanada, Norvegji, Lindjen e Mesme, Afrikë, Australi, vende të tjera, e vërteta është që 47% e shqiptarëve në 10 vite janë larguar nga Shqipëria.

Mendoj se kjo është goditja më e rëndë në vetë ekzistencën e kombit shqiptar.

Këto ditë u shpall se do merreshin mbi 22 mijë punëtorë nga Vietnami. Një statistikë tregon se 23 mijë të punësuar janë të huaj në vend, pa llogaritur ata që s’janë të regjistruar, që janë dhjetëra mijëra.

Çfarë po ndodh? Po ndodh boshatisja e pamëshirë e Shqipërisë nga shqiptarët. Vetëm për këtë, gjenocid të butë, gjenocid të krijuar për kushtet e kalkuluara. U hoqi shërbimet, komunat, u hoqi investimet, hoqi mbështetjen për bujqësinë, përgjysmoi ndihmën ekonomike.

Vetëm në një vit në qarkun e Kukësit, qarkun më të varfër të Evropës, ka ndërprerë ndihmën ekonomike të 20 mijë familjeve. Pra, ky quhet spastrim etnik për kushtet e kalkuluara. Këto kushte janë të përcaktuara që të gjitha në platformën e Vaso Çubrilloviçit për shqiptarët në Kosovë. Dhe ata u larguan edhe me një marrëveshje që qeveria jugosllave firmosi me Turqinë në atë kohë, por efekti i zbatimit të platformës së Çubrilloviçit në Kosovë është dy herë më i vogël se efekti i zbatimit të platformës së Ramoviçit në Shqipëri.

Ndaj dhe çdo shqiptar, që e ndjen veten, duhet të japë kontribut për largimin e tij sa më të shpejtë dhe gjykimin për gjenocid ndaj shqiptarëve.

Agron Molla: Doktor, ju uroj shëndet. A duhet të nisim të punojmë që tani për zgjedhjet lokale? Na duhet fitorja për shkak të shpopullimit të Shqipërisë nga karteli i drogaxhiut.

Sali Berisha: Ne duhet të nisim pa diskutim, Agron. Të përshëndes përzemërsisht. Duhet të nisim.

Natyrisht, ju e patë që ne kemi paraqitur projektin tonë, me të cilin shtojmë 100 bashki të reja. Dhe jo vetëm kaq, por lëmë të hapur, sepse konsultimet nuk kanë përfunduar, lëmë të hapur rritjen e numrit të tyre në varësi nga konsultimet me komunitetet.

Unë përshëndes përzemërsisht të gjithë qytetarët dhe komunitetet e bashkive që i ka vënë kryqin Edi Rama për t’i zhdukur.

Por ftoj gjithashtu të gjithë qytetarët e njësive të qeverisjes vendore, që në hartën e Partisë Demokratike është vendosur të rikthehen, që i ka zhdukur në 2014-ën, të ngrenë zërin e tyre, të mos e lejojnë fatin e tyre te një njeri që e ka shndërruar Shqipërinë në narkomafie, dhe veten padrinon e saj.

Të ngrihen, siç u ngritën në Poliçan, në Divjakë, në Patos, në Klos, në Dimal dhe në zona të tjera. Të ngrihen, të qëndrojnë të pamposhtur në këto të drejta të tyre themelore.

Kurse përgatitjet, ne i kemi filluar dhe do vazhdojmë me intensitet.

Rubin Dashi: Përse ruhen Pusteci e Dropulli për identitet, por Klosi, Prrenjasi, Poliçani, Libohova jo? Cili është kriteri që përdor Partia Socialiste se nuk kuptohet?

Sali Berisha: Edi Rama është një anti-shqiptar me mision zbrazjen e Shqipërisë. Natyrisht, komunat minoritare, pa diskutim që duhet të respektohen dhe të mbahen.

Por pikërisht ajo që thoni ju, në qoftë se ato mbahen, pse të përbuzen dhe përçmohen, pse të injorohen dhe të shumëzohen me zero komunitetet shqiptare, kjo është një akt i mirëfilltë anti-shqiptar.

Albano Stolaj: Para pak ditësh bëtë publik një skandal për licencën e kazinosë në Air Albania, ku përfshihet vëllai i kryeministrit Rama. A do ta dërgoni në SPAK këtë çështje dhe nëse SPAK nuk vepron, cili do të jetë hapi juaj i radhës?

Sali Berisha: Të përshëndes Albano dhe të falënderoj për pyetjen. Skandali i madh që denoncoi Belind Këlliçi në fakt, sepse e kishte ndjekur me shumë dokumente, është një dëshmi tjetër e madhe e implikimit direkt të Edi Ramës dhe familjes së tij në të gjitha kanalet e parave të zeza të vendit.

Besoj se ju kujtohet kur u shkatërrua stadiumi kombëtar, stadium me vlera të mëdha historike, me një fasadë të njërit prej arkitekteve më të njohur, Edi Rama bëri be e rrufe se ata gurë dhe ato pllaka të fasadës do t’i rikthente siç ishin.

Në vend të tyre riktheu kullën Kristaq Rama, dhe dyqanet e pafundme Hanem Rama. Të familjes së tij të gjitha. Në një akt korruptiv të papërmbajtur.

E vërteta është se Olsi Rama, që me rikthimin e tij në Shqipëri, u gjet i implikuar fuqishëm me Xibrakën në drogën dhe me lojërat e fatit bashkë me Geron Xhafën.

Por, lukunia e tij nuk ka të ndalur. Ai erdhi me një grup, ndër të cilin edhe të famshmin Gerti Haka, dhe një Lumani, Shkëlqim Lumani, me të cilët menaxhon kazinonë e kullës Kristaq Rama.

Në transaksione, siç keni dëgjuar ju, toka që është blerë me 320 mijë euro, është shitur pas 60 ditësh me 26 milionë euro.

Kjo mund të ndodhë vetëm në mbretërinë e Sulltan Surrelit dhe në asnjë vend tjetër botës dhe vetëm me familjarët e tij dhe me askënd tjetër.

Sigurisht, që kjo do t’i dorëzohet Skapit të partisë, por siç e di Albano, asnjë dosje që lidhet me Ramën dhe rrethin e tij, aty nuk ecën. Aty bllokohen.

Ndaj dhe rruga e vetme, meqë po më pyet, është protesta, protesta dhe vetëm protesta.

Mbeten qytetarët të thonë fjalën e tyre.

Fatmir Myrtaj: Zoti Berisha, në Tiranë flitet gjerësisht se Olsi Rama është menaxher i industrisë së lojërave të fatit. Cili është qëndrimi juaj për tentativën e mazhorancës për rikthimin e ligjit të lojërave të fatit në parlament, pas shumë vitesh operimi në mënyrë informale?

Sali Berisha: Ne jemi të sigurt se Olsi Rama është sot njeriu më kryesor në lojërat ilegale të fatit. Është një nga më kryesorët në vjedhjet e tmerrshme që u bëhet edhe qytetarëve të huaj me call center-at, me call center-at.

Dhe vendi i tij është dhe duhet të jetë para ligjit.

Ne do bëjmë gjithçka që ky qytetar shqiptaro-amerikan të mund të vlerësohet dhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara. Të mund të hetohet dhe nga drejtësia e Shteteve të Bashkuara.

Pavarësisht se veprimtarinë e tij kriminale nuk e ushtron në Shtetet e Bashkuara por në Shqipëri, por ligjet amerikane e ndalojnë atë të kryejë veprimtari kriminale kudo që të ndodhet.

Kurse ligjin e lojërave të fatit, ne nuk e votojmë.

Është ligji Olsi Rama.

Ersen Dobrovoda. Doktor, para pak ditësh Kuvendi i Shqipërisë konfirmoi se vetëm 19 nga 74 deputetë socialistë që votuan pro ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së ushtrisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin nënshkruar deklaratën për t’u njohur me tekstin e marrëveshjes. Kjo do të thotë që të paktën 55 deputetë kanë votuar pa e ditur fare se çfarë po votojnë. Ju si grup parlamentar i Partisë Demokratike iu drejtuat Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Mund të na thoni cili është synimi i Partisë Demokratike me këtë lëvizje?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Së pari dua të sqaroj çdo shqiptar se Partia Demokratike mbështet plotësisht kërkesën e presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve nga vendet anëtare të NATO-s për mbrojtjen.

Jemi në kohë luftërash, kjo duhet të ishte bërë dhe më parë, e filluam ne me 2%, këta e zbritën tek 1.3%.

Së dyti, ne falënderojmë qeverinë e Shteteve të Bashkuara për kredinë, me të cilën ushtria shqiptare mund të blejë pajisje moderne për mbrojtjen e vendit.

Por Edi Rama e trajton edhe këtë moment si një narkodiktator, i paskrupullt, i pafytyrë. Në një kohë kur ai vetë e ka miratuar në qeveri me datën 19 qershor, e dorëzon në parlament- me qëllim- me datën 18 korrik.

Dhe kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, thirret nga Niko Peleshi dhe diskutojnë për këtë marrëveshje. Zoti Bardhi i thotë që ne e mbështesim plotësisht, të vetmet kërkesa që kemi: së pari, marrëveshja të lexohet nga deputetët; së dyti, të respektohet afati kushtetues.

Afati kushtetues për miratimin me procedurë urgjente është një javë, nga dita e depozitimit në parlament nuk mund të bëhet pa kaluar një javë. E vërteta është që Niko Peleshi bie plotësisht dakord, ‘ke të drejtë’ thotë, edhe për kërkesën e parë dhe të dytë. Dhe kryesia e parlamentit përcaktoi datën 31, ditën e enjte, si ditën e fundit të parlamentit, pikërisht për të votuar në përputhje me procedurën kushtetuese marrëveshjen.

Por ligësia e Edi Ramës, i cili e dinte që ne Kushtetutën nuk e shkelim, jo, ai e shkel Kushtetutën kundra nesh, por ne ortakë në shkelje të Kushtetutës me të nuk bëhemi, dhe ai përmbysi çdo gjë.

Urdhëroi Peleshin dhe Tualetin e tij që marrëveshja të votohej me datën 23 korrik, ditën e hënë, në kundërshtim me Kushtetutën. Të votohej pa e lexuar sepse ata vendosën për shkak të konfidencialitetit, dhe nuk kishte konfidencialitet për termat ushtarake, s’ishte ushtarake, për termat tregtare, normal, sepse atë kredi, qeveria amerikane, atë lloj kredie në një vend tjetër mund ta ketë dhënë me kushte të tjera dhe nuk do të krijojë debate.

Pra, urdhëroi dhe ata e votuan në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim të hapur me rregulloren e parlamentit, dhe një dokument për të cilin nuk kishte nevojë ta lexonin shumica e atyre që e votuan.

Ne në këto kushte, për të mbrojtur kushtetutshmërinë dërguam procedurën, jo marrëveshjen.

Edhe një herë, ne nuk kemi asnjë kundërshtim me marrëveshjen, dhe unë publikisht dua t’u informoj, se ne palës amerikane i kemi bërë të ditur se jemi të gatshëm në çdo kohë, në qoftë se rikthehet ajo që u bë në kundërshtim me Kushtetutën dhe e vendosim në Kushtetutë, deputetët e Partisë Demokratike janë të gatshëm të mblidhen dhe të votojnë marrëveshjen.

Por natyrisht, Edi Rama e kishte të qëllimshme se mendonte se i bëri një kurth opozitës duke shkelur Kushtetutën, një i pafytyrë, njeri që s’ka moral, s’ka nder, s’ka dinjitet, njeri që e konsideron veten mbi ligjin, mbi Kushtetutën.

Dhe kjo është arsyeja pse ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese, e cila në raste të tilla analoge e ka gjetur jokushtetuese procedurën e ndjekur, dhe rasti u kujtohet ju, të njëjtën gjë bënë me rregulloren e parlamentit, por Gjykata Kushtetuese e ktheu mbrapsht procedurën.

Elisabeta Musta: Përshëndetje zoti Berisha. KAYO vepron në një sektor që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare. Si e shpjegoni që deri më sot SPAK nuk ka sqaruar publikisht nëse ka verifikuar të gjithë procesin e krijimit të kësaj skeme, vendimet e firmosura nga Belinda Balluku dhe marrëdhëniet e kompanisë me Ron Yeffet? A mendoni se kemi të bëjmë me një standard të dyfishtë të drejtësisë kur për një çështje kaq të ndjeshme nuk ka ende përgjegjësi të qarta? Si e shpjegoni që Edi Rama nuk ka dhënë shpjegime publike për vendimmarrjen që çoi tek modeli KAYO, ndërsa SPAK nuk ka bërë publike rezultatet e ndonjë hetimi të plotë mbi rolin e zyrtarëve përgjegjës?

Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen Elisabeta dhe për shqetësimin. Ky rast është një nga rastet e shumta që faktojnë se SPAK-u është në kontrollin e plotë dhe total të Edi Ramës.

Ju keni shumë të drejtë.

Në këtë sipërmarrje, janë denoncuar dhe janë konstatuar shkelje të mëdha ligjore, konflikte të rënda dhe korrupsione të mëdha, për shkak të këtyre shkeljeve. Dosja e dërguar përmban dokumente të panumërta.

Por, natyrisht, mos harroni një moment, pasi përdori 83 mandatet për të, si mburojë për Lubi Ballukun, Edi Rama deklaroi se çështja Balluku është e mbyllur.

Ndaj dhe këto thirrjet e saj në SPAK janë thjesht procedura pa asnjë vlerë.

Se Edi Rama, në luftën e hapur të shpallur ndaj sistemit, ndaj SPAK-ut dhe drejtësisë, natyrisht ka të gjitha mjetet e kontrollit absolut mbi ta.

Griselda Selimaj: Doktor, pas arrestimit të Ermal Beqirit në Francë, a mendoni se SPAK duhet të zgjerojë hetimet për të verifikuar të gjitha kontratat publike me të cilat ai është lidhur, përfshirë edhe ato që janë përmendur në debatet publike për AKSHI-n? Si ka mundësi që thuhet se kompanitë e lidhura me të vazhdojnë të përfitojnë tendera publikë? A duhet të hetohen gjithashtu pasuritë, investimet dhe lëvizjet financiare brenda dhe jashtë Shqipërisë për të sqaruar se ku kanë përfunduar këto para?

Sali Berisha: Që të gjitha duhet të hetohen. Por për fat të keq, hetime nuk ka.

Ju e dëgjuat, e nderuar, vetëm 10 ditë më parë vetë ai, kompania e tij vetë direkt fitoi tender. Ai hyri në AKSHI, ka përfituar të paktën 200 milionë euro së bashku me Frangun. Se ai është prestanome i Edi Ramës. Dhjetëra, qindra milionë mund të ketë fituar me Duranën dhe tendera të tjerë.

Imagjinoni një njeri që blen jahte, avionë dhe bën jetën më përrallore. Një njeri, për të cilin mandati i arrestit u lëshua në 24 dhjetor të 2025, por unë me 24 prill të 2026 denoncova para mediave se nuk ka mandat arresti ndërkombëtar për ta. As për Gysin, as për Ermal Beqirin.

E vërteta është se drejtuesi i SPAK-ut deklaroi se ata prej disa javësh po bashkëpunojnë me Francën. Këtu ka disa probleme. Ai në prill dhe në qershor ka bërë veprime me avionët e tij, blerje, regjistrime e të tjerë, në dy vende në të cilat shteti ligjor është i fortë, në Austri dhe Slloveni. Dhe ai në rast se do të ekzistonte mandati i arrestit ndërkombëtar, nuk bënte dot në këto vende asnjë veprim. Por atë mandat arresti, ose nuk e lëshuan me urdhër të Ramës prokurorët e SPAK-ut, ose e lëshuan dhe e bllokoi policia e Edi Ramës.

Unë mendoj se transparenca është e domosdoshme. Mund të ketë pasur, s’mund të them sepse mund të ketë dokumente, po duhen paraqitur dokumentet. Mund të ketë pasur dokumente ose mund të kenë dokumente që po bashkëpunonin me autoritetet franceze. E vërteta është që autoritetet franceze atë e arrestuan krejtësisht rastësisht. E arrestuan se ai fluturoi mbi një objekt që s’mund të fluturonte, në atë lartësi që fluturoi.

Por çfarë ishte në fund të fundit Ermal Beqiri?

Ermal Beqiri ishte Edi Rama, Linda Rama, ishte familja Rama. Ai ishte një prestanome i tyre, një njeri që grabiste miliona, qindra milionë në emër të tyre.

AKSHI është kopshti privat i Edi Ramës, i faktuar në mënyrë përfundimtare.

Ergys Hasa: AKSHI është në varësi të Kryeministrisë, si ka mundësi që SPAK nuk e ka thirrur asnjëherë Edi Ramën për të dhënë shpjegime për këtë çështje ndërkohë që janë përmendur emra si Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri? A nuk duhet të hetohen të gjithë deri te përgjegjësi kryesor politik?

Sali Berisha: Ju keni shumë të drejtë. Në një shtet ku sundon ligji, ajo është e domosdoshme. Por në qoftë se ju kujtohet, rreth një vit e gjysmë më parë Edi Rama udhëzoi rojet edhe punonjësit që të mos lejojnë asnjë hetues apo prokuror, të bëjë konfiskime apo gjëra në zyrat e Kryeministrisë dhe në zyra të tjera.

Kuptohet që urdhra të tjerë pastaj janë dhënë, dhe kërcënime të tjera, dhe në fakt ata nuk guxojnë më ta thërrasin, nuk guxojnë ta hetojnë.

Ju e dini, e thatë bukur, Rama deklaronte se AKSHI është suksesi i madh i kësaj qeverie. Çfarë doli? Doli strofulla e mafies më të rrezikshme në Europë AKSHI.

Edi Rama u paraqiti shqiptarëve koncesionet në shëndetësi, si përmirësimin e jashtëzakonshëm të cilësisë së shërbimeve dhe shpëtimin e tyre. Ato janë vjedhjet më të mëdha në këtë fushë në historinë e një vendi. Dhe s’e thirrën asnjëherë.

S’e thirrën asnjëherë të vetme, ata nuk guxojnë të thërrasin, të hapin padi për Ilir Beqjen, për sterilizimin, ndonëse dokumentet shtetërore provonin se çmimi nga koncesionari, në vend që të ulej siç e kërkon ligji, u rrit 83 herë për njësi.

Nuk e thirrën dot sepse ishte Edi Rama mbrapa, kujtohet kur vraponte nga një studio në studio tjetër me gërshërë me bisht të thyer e me pinca të ndryshkura, ja me se operohet në Shqipëri, tani do vjedh unë.

Me një fjalë, nuk kanë të fund, nuk kanë të përshkruar krimet dhe vjedhjet e tyre.

Por kanë mburojë të plotë SPAK-un dhe drejtësinë, dhe organet e drejtësisë ju e patë gjykata e liroi atë.

Ilir Beqja, madje po të garantoj që pas një jave-dy javë, Edi Rama do t’i dorëzojë atij certifikatën e mirënjohjes, siç e bëri me Jurgis Çyrbjen, siç e bëri me Bardhyl Agasin.

Besmir Lleshi: Zoti Berisha, euro dhe dollari janë në nivelet më të ulëta historike, rast unik në rajon. Në pesë muaj, plot 19 herë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka paralajmëruar Tiranën për pastrimin e parave. DASH e ka evidentuar këtë fenomen në çdo raport, si dhe Bashkimi Europian është alarmuar. Por kryeministri Rama vijon t’i quajë broçkulla, ndërkohë që sa i përket nivelit të euros, ai dhe ministrat e tij thonë se janë remitancat. Po remitanca kanë edhe vendet e rajonit dhe në rajon nuk është ky fenomen. A jeni në kontakt me partnerët për këtë që po ndodh në raport me pastrimin e parave?

Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Instalimi i narkoshtetit në Shqipëri përbën zhvillimin më dramatik dhe shkakun më themelor të rrokullisjes së këtij vendi në këtë shkallë. Përbën faktorin më bazë të dramës më të madhe demografike të kombit shqiptar që nga vitet 1300.

Një gjë u them shqiptarëve sot, se që në vitin e parë të ardhjes së Edi Ramës në pushtet, kam denoncuar me forcën më të madhe shndërrimin e Shqipërisë në Kolumbinë e Evropës dhe instalimin e narkoshtetit.

Shndërrimi i Shqipërisë në eksportuesin kryesor të kanabisit në Evropë, dhe më pas, kartelet shqiptare të drogës, transportuesit më të mëdhenj të kokainës nga Amerika Latine në Evropë, në bashkëpunim me Edi Ramën, bënë që miliarda, miliarda, miliarda euro, të hyjnë në Shqipëri me kontejnerë, me arka metalike, me autobusë, me mikrobusë, me vetura, në të gjitha mënyrat.

Vetëm 3 javë më parë unë kam denoncuar 3 kontejnerë që erdhën në Durrës, në portin Troplini, se tani porti i Durrësit duhet të quhet sot e tutje porti Troplini. Ata e administrojnë prej pesë vitesh dhe 1 kilogram drogë nuk kapet.

U hapën kontejnerët dhe u shkarkuan tonelata euro me vinça. U përballën për një moment polici dhe doganë, por pastaj u vendos paqja. Ato u zhdukën, i morën kartelet dhe i kthejnë në kulla. I kthejnë në kulla, por ndërkohë vrasin, shkatërrojnë eksportin shqiptar, sepse eksportuesit në Shqipëri, punëtorët e tyre i paguajnë me lekë. Të gjitha shërbimet i paguajnë me lekë, energjinë e paguajnë me lekë, ujin e paguajnë me lekë dhe çdo gjë tjetër. Mirëpo të ardhurat i marrin në euro. Dhe kjo bën që fitimi t’u zhduket atyre, për shkak të humbjes prej 30-32 përqind të forcës së euros.

Po kështu me remitancat. 100 euro sot janë 70. 100 euro të vitit 2013 sot janë 70 euro.

Po kështu turizmi. Rënie dramatike. Sepse me 100 euro tani ai duhet të paguajë 130 euro. Dhe çmimet. Pra, kjo është.

Unë të them një, ne ia kemi dalë. Me gjithë përpjekjet e mëdha dhe lobimin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës për ta fshehur këtë fenomen, rezoluta e fundit për Shqipërinë e Partive Popullore shpreh shqetësimin e thellë për narkoeurot.

Por unë, njerëzisht, do t’u ftoja shqiptarëve të ndjekin dosjen Aruba.

Aruba është dëshmia më flagrante e Shqipërisë narkoshtet. Dëshmia më flagrante e bashkëpunimit trafikantë, biznesmenë, qeveritarë.

Në Aruba, ku është bërë takimi i tri palëve, nuk kanë shkuar vetëm biznesmenë.

Kanë shkuar zyrtarët më të lartë të dërguar nga Edi Rama, ose vetë Edi Rama, këtë nuk mund ta them për vetë Edi Ramën, por për qeveritarët 100%.

Altin Troplini, që ka dosjen, u thotë shqiptarëve emrat e banditëve dhe të trafikantëve. U thotë dhe emrat e ndërtuesve. Por mban të fshehtë emrat e qeveritarëve të partisë vetëm e vetëm që të mund të mbulojë bashkëpunimin qeveritar me klanet e drogës në narkoshtetin e Shqipërisë.

Doktor, sot Ilir Beqaj ka shkruar për ju, duke thënë se: ‘Mora vesh se dje më kishte dërguar selam edhe doktor Berisha. Nuk do t’i përgjigjem këtu sepse në vjeshtë do t’i jap mundësinë të thotë edhe më shumë kur të vijë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale’.

Sali Berisha: Nuk mund të përgjigjesh sepse së bashku me Edi Ramën, jeni dy faqezinjtë më të mëdhenj në historinë e këtij vendi vetëm në raport me koncesionet.

Nuk mund të përgjigjesh sigurisht ti, as me atë korbën e COVID-it, se në qoftë se ka njerëz që me aktet e tyre kanë kryer krime kundër njerëzimit, jeni ju të tre.

Ndaj dhe s’ke si përgjigjesh ti.

Nuk ke si përgjigjesh ti!

Rëndojnë krime të rënda mbi ty!

***

Të dashur miq, sot është 1 gushti. Sot, shqiptarët nga mbarë bota, do të vërshojnë në protestën epike, rinore e qytetare, e cila është bërë e famshme në Evropë dhe në botë.

Ndaj dhe ftoj çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar dhe qytetare t’i bashkohet kësaj proteste.

Të bashkojë sakrificën e tij për liri, me sakrificën e atyre të rinjve dhe qytetarëve, që prej dy muajsh mbajnë në duart e tyre pishtarin e shpresës për kombin shqiptar.

Prej dy muajsh, përballen në një betejë më të pabarabartë me regjimin më të urryer, diktatorial, që kanë pasur shqiptarët pas regjimit të Enver Hoxhës.

Sakrifica e përnatshme e atyre mijëra e mijëra të rinjve dhe qytetarëve për idealet e lirisë, duhet të jetë frymëzuese për çdo shqiptar që e do Shqipërinë.

Për çdo shqiptar që beson në lirinë, dhe që beson se liria është thelbi i identitetit të tij dhe të vendit të tij.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale