FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS ELEKTORAL NË DIBËR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë takimit përmbyllës elektoral të PD-ASHM në Dibër, akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama për shkatërrimin e shpresës dhe ekonomisë së shqiptarëve gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij. Berisha theksoi se Rama ka sjellë varfëri, papunësi dhe boshatisje, duke shkaktuar një rënie të thellë në cilësinë e jetës për qytetarët. Kryetari i PD tha se shumë familje kanë braktisur Shqipërinë për të kërkuar mundësi më të mira jete jashtë shtetit. Ai gjithashtu vuri në dukje se fermerët janë përballur me vështirësi të mëdha, pasi subvencionet u janë hequr dhe produktet e huaja kanë mbushur tregjet, duke sjellë falimentimin e bujqësisë shqiptare.
Lideri Opozitar, Sali Berisha e krahasoi qeverisjen e Ramës me një regjim të dështuar që ka favorizuar korrupsionin dhe ka shkaktuar rritjen e çmimeve dhe uljen e të ardhurave. Berisha e akuzoi Ramën për përdorimin e varfërisë dhe mjerimit si armë për të kontrolluar qytetarët. Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi qytetarët, veçanërisht ata të Dibrës, që më 11 Maj të votojnë për ndryshim dhe të ndajnë Shqipërinë nga ky regjim i dështuar, duke iu dhënë mundësi një të ardhmeje më të mirë për vendin.
Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi një program për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale. Ai premtoi rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe pensioneve në 200 euro, si dhe një kartel konsumatori për ushqimet bazë 20% më të lira për ata me të ardhura të ulëta. Berisha theksoi se do të subvencionohen fermerët si në Maqedoni dhe Kosovë, do të ulen taksat për bizneset dhe do të ndodhin ulje të çmimeve të energjisë dhe karburanteve. Lideri demokrat premtoi gjithashtu thjeshtimin e procedurave të ndërtimit dhe legalizimeve, duke falur gjobat dhe trajtuar çdo dokument legalizimi si tapi. Programi gjithashtu përfshin dhënien e statusit për minatorët dhe angazhimin për rikthimin e pasurive të humbura nga qytetarët. Berisha theksoi se fushata e tij nuk ka për qëllim pasurinë personale, por t’u rikthejë shqiptarëve mundësi për një jetë më të mirë.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për mënyrën e tij të të sjellurit dhe për arrogancën që tregon ndaj qytetarëve, duke përmendur rastin kur Rama erdhi në Dibër me Lamborghini, si një simbol i luksit dhe krenarisë për pasurinë. Ai e krahasoi njohjen e Dibrës nga Rama me njohjen e saj nga Toni Gogu dhe Hajredin Pasha, duke sugjeruar se Rama nuk e njeh vërtet këtë rajon dhe traditat e tij.
Berisha u shpreh se Dibranët janë krenarë për trashëgiminë e tyre dhe se ata do të tregojnë madhështinë e tyre në 11 Maj, duke votuar për Aleancën për Shqipërinë Madhështore. Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD i bëri thirrje qytetarëve të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë të bëjnë një ndryshim të madh për të ardhmen e vendit.

FJALA E PLOTË
I famshëm në gjithë botën për shqiponjën që bëri në stadium, Armandi është ylli i Dibrës, ylli i Shqipërisë, ylli i shqiptarëve.
Ka ardhur me xhaxhanë e vet. Petrit Dodën.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta dibraneve dhe dibranëve fisnikë, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këtë entuziazm, për këtë dritë të fitores historike të opozitës shqiptare më 11 Maj të vitit 2025.
Mirënjohje të pakufishme pëër mbështetjen e çmuar, qëndrimin tuaj, të parardhësve tuaj, në anën e drejtë të historisë, në anën e Shqipërisë, në anën e kombit.
I dashur zoti Xhelal Mziu, udhëheqës politik i PD dhe ASHM për qarkun e Dibrës.
Të dashur kryetarë të PD të rrethit Dibrës, Bulqizës dhe Matit.
Të dashur kandidate dhe kandidatë për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësues dinjitozë të qytetarëve të qarkut të Dibrës dhe mbarë shqiptarëve.
Të dashur miq, u mblodhëm sonte në këtë miting, mitingu i fitores, mitingu me të cilin ju përcillni nga ky bulevard historik, që mban emrin e një burri të shquar të kombit, Elez Isufit, mesazhin e dashurisë për Shqipërinë dhe kombin.
Mesazhin e ndarjes me 11 Maj nga një e keqe e madhe që kaploi Dibrën, Matin mbarë Shqipërinë këto 12 vite.
Mesazhin e ndarjes me 11 Maj nga Pashiqi shqiptar, shqipfolës, i cili u bëri shqiptarëve të këqijat më të mëdha që ata kanë njohur në historinë e tyre.
Çdo dibrane dhe çdo dibran, çdo shqiptare dhe çdo shqiptar me 11 Maj takohet me historinë.
Me 11 Maj merr vendimin e tij solemn për të ndarë Shqipërinë nga diktatura e krimit, drogës dhe mjerimit të shqiptarëve.
Për të ndalur kombin nga një rrokullisje që nuk e ka njohur në shekuj me radhë.
Të dashur miq, Fatbardha, mësuesja e nderuar, tha këtu se Edi Rama, e la në Dibër shkollën pa fëmijë, shtëpinë bosh. Do shtoja me një dhimbje të madhe, shkollën pa fëmijë, shtëpinë pa fëmijë dhe djepin bosh.
Kurrë ndonjëherë si komb, asnjë luftë, asnjë fatkeqësi nuk ka ka boshatisur ne në këtë mënyrë.
Po vij nga Mati, një matjane e zonja, e aftë, e shkolluar mirë, por që ka ardhur të punojë për Matin dhe Shqipërinë, njoftoi se Mati vitin që kaloi kishte 13 lindje. Erseka në një vit pati vetëm një lindje.
Kurrë ndonjëherë ne nuk jemi boshatisur në këtë mënyrë.
Çfarë ndodhi me ne?
12 vite miqtë e mi, lëvizjen e lirë, këtë të drejtë madhore të çdo qytetari, Edi Rama e përdori për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria.
Edi Rama me rejjimin e tij përdori kundër shqiptarëve armët më të egra të regjimeve më çnjerëzore. Përdori varfërinë, mjerimin, papunësinë, skamjen për të boshatisur Dibrën, Matin dhe Shqipërinë.
Edi Rama qeveris për 12 vite. Kur erdhi në pushtet, Dibra dhe dibranët, Shqipëria dhe shqiptarët shtoheshin. Rrogat e tyre, pensionet e tyre rriteshin çdo vit. Bizneset e tyre, fermat e tyre zgjeroheshin vit pas viti.
Shqiptarët së bashku me dashurinë për Shqipërinë, dhe dibranëve për Dibrën, u ecte shpresa për një ditë gjithnjë e më të mirë.
Kurse Edi Rama u vrau shpresën shqiptarëve. Solli në krye të vendit një grusht hajdutësh që kohërat nuk i kanë njohur kurrë në histori.
Miq, çdo vit dhe më shumë, i zhyti shqiptarët në varfëri gjithnjë e më të madhe.
Pensionet e tyre u ngrinë, rrogat e tyre u ngrinë, çmimet u rritën me 200 përqind.
Sofrat u përgjysmuan. Të rinjtë dhe kush mundi mori rrugët e dheut për të mbijetuar.
Ëndrrën dibrane, ëndrrën shqiptare e morën me vete për ta ngritur në vende të tjera.
Fermerët e Dibrës falimentojnë njëri pas tjetrit sepse iu hoqi subvencionet, hapi doganat. Prodhimet e subvencionuara të fermerëve të Ballkanit, dhe veçanërisht të Serbisë, vërshojnë sot në tregje dhe sot 80 përqind e frutave, zarzavateve vijnë nga jashtë. Ndërkohë, tokat mbeten djerrë dhe prodhimet kalben në Shqipëri.
Edi Rama, që mashtron dhe vetëm mashtron shqiptarët, u premtoi atyre shëndetësinë falas.
Sot kombi ynë, shqiptarët në Shqipëri, paguajnë në një vit 820 milionë euro për kujdesin e tyre shëndetësor nga xhepi.
Sot me qindra mijëra shqiptarë vdesin se nuk marrin dot ilaçet që u duhen.
U premtoi shqiptarëve 24 orë ujë, sot mungesa e ujit është më e madhe se kurrë në fshatrat dhe qytetet e vendit.
U premtoi arsim modern, sot shkollat janë të zbrazura dhe në rrënim sa asnjëherë tjetër.
U premtoi 300 mijë vende pune, përzuri vetëm në BE 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Jo vetëm kaq, por krijoi një racë qeveritarësh që qëndrojnë vite drite larg halleve të qytetarëve.
Që nuk duan t’ia dinë se qytetarët ekzistojnë.
Që nuk duan t’ia dinë së të sëmurët vdesin në spitale pa ilaçe.
Që nuk duan t’ia dinë se shëndetësia sot ka zbritur në nivelin e viteve ’60.
Që nuk duan t’ia dinë se pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, nuk marrin dot ushqimet.
Që nuk duan t’ia dinë se të rinjtë nuk kanë punë dhe duhet të largohen nga Shqipëria.
Miq, para një jave isha në Qafë të Malit, midis Pukës dhe Kukësit, aty gjeta një investim privat të një biznesmeni të suksesshëm mahnitës.
Por gjeta punëtorë nga Bangladeshi. Para pesë ditësh isha në Borsh, gjeta punëtorë nga Mianmari. Kurse të rinjtë tanë vetëm ikin se ky i urren shqiptarët. Ky është një Pashiq shqiptar.
Prandaj i bëj thirrje çdo dibrani që e ndjen veten dibran, që e ndjen veten shqiptar, me 11 Maj të ndëshkojë Pashiqin e shqiptarëve.
Shqipëria nuk ka parti, Shqipëria është dheu i shqiptarëve.
Kombi nuk ka parti, kombi është jeta, është ekzistenca e shqiptarëve.
Ndaj dhe me 11 Maj çdo shqiptar duhet të votojë për Shqipërinë, duhet të votojë për kombin.
Pas 12 vitesh, Edi Rama në një akt të turpshëm kalon nga një shesh në një tjetër me nëpunësit e tij që i merr me autobusë dhe i shëtit me detyrim, me teza bajate, me një humor banal, me qëllim të vetëm të mos përballet me ju.
Me qëllim të vetëm të fshehë vjedhjet që ka bërë.
U them unë ju o miq, në vitin 1991, në parlamentin shqiptar një deputet i Dibrës, i Partisë së Punës, u ngrit dhe tha: Ku ta dija unë se kishte tre dynymë qilima Enver Hoxha në shtëpinë e tij.
O miq, Edi Rama e ka shtëpinë dy herë më të madhe se Enver Hoxha. Edi Rama e ka të reggistuar në emër të tij, Enver Hoxha nuk e kishte në emër të tij, as të fëmijëve të tij.
Enver Hoxha kishte një oborr 2 mijë metra, Edi Rama ka një oborr 8 mijë metra.
Miq, nuk duhet të ketë parti dhe asgjë në botë që të na vërë perde para syve për të parë, për të ndëshkuar me votën tonë këtë armik të qenies sonë.
Edi Rama, ku janë 130 milionë euro të djegësit?
Cilido kryeministër apo shtetar që ia shpjegoja në Valencia ngjarjen, i binte ballit. Më duhet t’ia thoja tre herë sepse tejkalonte çdo imagjinatë. Ja ku është Edi Rama që vjedh dhe tani për të mbuluar vjedhjet e tij, e ministrave tëë tij, e Lubisë së tij, e cila për të larë menderen e makinës së tij, shpenzon 10 mijë euro në muaj. Nuk kisha dëgjuar kurrë në jetën time.
Këta janë njerëz që u urrejnë ju u miq, ndaj dhe t’i ndëshkojmë me 11 Maj me votën tonë.
Kjo është gjysma e të vërtetës.
E vërteta e madhe është se me 11 Maj me votën tuaj ju hapni një epokë të re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ju 12 vite e patë që Edi Rama, i cili premtoi shëndetësinë falas, krijoi shëndetësinë me ryshfetin më të madh në botë.
Premtoi 300 mijë vende pune, përzuri mbi 1 milion shqiptarë.
Premtoi ushqime me bollëk dhe çmim të ulët, ushqimet në Shqipëri janë mbi mesataren e çmimeve në BE.
Premtoi shkolla moderne, zbrazi shkollat nga interneti dhe kompjuterët.
Pra miq, na duhen 100 ditë dhe unë sonte këtu para çdo dibrani dhe dibraneje, pavarësisht nga bindjet politike, i bëj thirrje mençurisë së çdo dibrani dhe dibraneje, na jepni 100 ditë për të transformuar Dibrën dhe Shqipërinë.
Jam këtu për t’u dhënë fjalën time të nderit se pas 100 ditësh, Dibra dhe Shqipëria nuk do jenë kurrë më kjo që janë sot.
Për 100 ditë ne do përzëmë nga çdo skaj i këtij vendi varfërinë ekstreme.
Ne do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar.
Ne do vendosim pensionin minimal jetik 200 euro për çdo pensionist.
Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro për çdo rrogëulët.
Jo vetëm kaq, do vendosim kartën e konsumatorit ku çdo rrogëulët dhe çdo pensionist, çdo qytetar me minimum jetik do marrë të gjitha ushqimet bazë 20 përqind më lirë.
Do vendosim në Shqipëri listën e barnave të republikës italiane për të rimbursuar çdo ilaç që Italia rimburson për qytetarët e saj.
Në 100 ditë ju nuk do blini kurrë naftën më shtrenjtë se Maqedonia apo Kosova.
Në 100 ditë, energjia do ulet në 7 lekë. Tarifat e ujit do përgjysmohen.
Në 100 ditë, çdo biznes i vogël do e paguajë energjinë jo 18, por 6 lekë.
Çdo biznes i vogël do e paguajë hapësirën publike jo 1500, por 120 lekë.
Çdo biznes i vogël do ketë për tavan për TVSH-në dhe tatim fitimin 180 mijë euro.
Çdo biznes i madh, tatim fitimin 23 përqind do e ketë 10 përqind.
Çdo qytetar me rrogë mbi minimalen, tatimin mbi të ardhurat do e ketë 10 përqind dhe jo 23 përqind. Çdo rrogë do rritet 13 përqind brenda 100 ditëve të para.
Fermerë të Dibrës, me 11 Maj kërkojmë nga ju 100 ditë në mënyrë që ju të merrni ato subvencione që merr fermeri në Maqedoni e Kosovë.
Fermerit në Kosovë ia paguan qeveria 70 përqind të kostos së prodhimit, kurse këtu as 10 përqind nuk ua paguan.
Do hiqet çdo lloj kriteri absurd që përjashton nga subvencioni të gjithë Shqipërinë Verilindore dhe Juglindore, sepse duhet të kenë një hektar, sepse duhet të kenë 10 kokë lopë. Për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë, për çdo njësi prodhimi do kenë subvencione.
Miq, ftoj bizneset e Dibrës të japin 100 ditë, ta provojnë se si pas 100 ditësh, taksat për ndërtimin do ulen 10 herë. Nuk do ketë taksë për çmimin e shitjes, por do jetë nga 10 përqind e çmimit të shitjes, do zbresë në 2 përqind të preventivit. Taksa sociale do hiqet.
Garantoj dibranet dhe dibranët, se çdo gjobë e vendosur nga KESH-i, çdo gjobë e vendosur nga policia, çdo gjobë e vendosur nga IKMT-ja, hidhet në kosh të plehrave. Të gjitha falen.
Garantoj fermerët e Dibrës se nuk do paguajnë kurrë siç paguajnë sot për ndërtimin e shtëpive të tyre. Kurrë.
Se procedura do jetë më e thjeshta.
Se nuk do u kërkohet leje mjedisi dhe asgjë tjetër përveç preventivit.
Legalizimet janë fjala jonë. Çdo dokument legalizimi do konsiderohet tapi. Pronarëve do u kompensohen pronat, ky është zotimi solemn.
Minatorëve u premtova në Bulqizë, brenda 100 ditëve statusi i minatorit. Një detyrim, një borxh i madh i këtij brezi, por edhe i brezave që shkuan, të shqiptarëve ndaj tyre.
Miq, të gjitha janë në dorën tonë.
Në këtë stad, në këtë moshë, unë nuk kam ambicie pushteti. Gabojnë shumë ata që mund të mendojnë këtë. Jo. I kam bërë detyrat e mia unë.
Nuk kam ambicie kurrë për para, e kam ndarë mendjen 32 vite më parë, po të doja para, ndiqja rrugën e një mjeku privat dhe do isha krejt tjetër sot.
Por përsëri vij me këtë thirrje sepse është një mision.
Qe një moment kur në mënyrën më të pandershme u përpoqën që opozitën t’ia jepnin Edi Ramës, u përpoqën që Shqipërinë ta linin pa opozitë.
Natyrisht ajo ishte rrënim i idealit tim dhe i idealit të shqiptarëve që e duan Shqipërinë.
Dështuan dhe është një nga kapitujt më të ndritur të përpjekjes së shqiptarëve për liri.
Sepse ai ishte një akt makabër.
Ai mision u përmbush. Por misioni tjetër ka dy qëllime.
Së pari t’ua kthejë paratë shqiptarëve. Paratë që ua plaçkisin qeveritarët, duhet t’ua kthej shqiptarëve në rroga, pensione, kujdes shëndetësor, shkolla, punësim.
Dhe unë u garantoj se 100 ditët e para çdo shqiptar do e ndjejë këtë.
E dyta. Nuk ka vend më të bekuar se Dibra. Një mundësi të re për çdo dibrane e dibran, për çdo shqiptar.
Kjo është pse unë sot ndërmarr këtë fushatë.
Po në rast se unë gjej forcë e energji të pashterrshme në këtë mision, ka forcë dhe energji shumë herë më të madhe se unë.
Ndaj me 11 Maj, kjo forcë dhe energji të shndërrohet në forcën dhe energjinë e shpëtimit të Dibrës dhe Shqipërisë.
Do ta mbyll, Edi Rama erdhi këtu dy herë, mirëpo si erdhi miq?
E kuptova se e njihte Dibrën njëlloj sa Toni Gogu, Hajredin Pashën.
Po miq, tani do ia them unë dy fjalë këtu.
E kam treguar njëherë këtu në Dibër, por po e tregoj përsëri.
Kam pasur një mik shumë të shquar. Një nga njerëzit më të mençur që kam takuar në jetën time, ish-ministër i shtatë qeverive britanike dhe që e kishte kaluar kohën e luftës në Shqipëri.
Ky njeri kishte njësinë e parë të qëndresës kundër pushtimit nazifashist, kishte bashkuar Abaz Kupin, Sait Kryeziun dhe Lazër Fundon. Ky ishte Xhulian Emeri, biri i një aristokrati të shquar britanik.
Po bisedoja një ditë me të, po i flisja për traditën tonë.
Ai vetë kishte mbaruar një prej kolegjeve më të njohura të Kembrixhit.
Më thotëL Sali, universiteti më i madh i jetës time ka qenë oda e Dibrës.
Ndaj dhe ua thashë atë, që Edi Rama e njeh Dibrën, si Toni Gogu, Hajredin Pashën.
Dhe vjen këtu njëherë me ato terma banale, herën tjetër sjell Lamborghinin e Noizit.
Nuk e di Dibrën ai.
Por një moment. Ai nuk e di që burrat e shquar të Dibrës kanë pasur atllarë dhe kuaj që kushtonin sa një Lamborghini.
Ai njeh vetëm xhepin e tij.
Do t’ia them këtu. Ai akt ishte një akt cinik.
Pse? Sepse Lamborghini është i një këngëtari, të zotit, ta gëzojë.
Por ajo tregon krenarinë tënde me luksin. Tregon se ti ke një psikologji, dhe ua them unë ju o miq, ai që ka krenari me luksin, ai urren të varfrit. Ai urren qytetarët. Absolutisht.
Ndaj dhe tregoi veten e vet.
Por edhe Dibra do tregojë madhështinë e saj me 11 Maj.
Do votojë Aleancën për Shqipërinë Madhështore, kandidatët e saj.
Rroftë Dibra, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!