FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TRYEZËN E OPOZITËS DHE SHOQËRISË CIVILE
EKSTRAKT
Në fjalën e mbajtur në tryezën me partitë opozitare, shoqërinë civile dhe intelektualët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi situatën politike, institucionale dhe shoqërore në Shqipëri si një nga momentet më kritike në historinë moderne të vendit, duke e konsideruar këtë takim si ‘një moment përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë sonë’. Në hyrje të fjalës, lideri i PD-së, theksoi nevojën për një front të përbashkët opozitar dhe qytetar, duke deklaruar se ‘konkluzioni i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur dhe përgjegjësia më e vërtetë para vendit dhe kombit’.
Gjatë fjalës së mbajtur, kryedemokrati Berisha ushpreh se, Shqipëria tani cilësohet si narkoshtet në arenën ndërkombëtare. Berisha deklaroi prerazi se ‘sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën’, duke ia atribuar këtë realitet drejtpërdrejt qeverisë aktuale dhe kryeministrit Edi Rama. Ai rikujtoi vitin 2015 si pikënisje të kësaj situate, kur ‘Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci me mijëra plantacione kanabisi’, ndërsa propaganda qeveritare, sipas tij, ‘ua servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim të ri zhvillimi dhe pasurimi’.
Kreu i PD-së, Sali Berisha theksoi se paratë e drogës janë thellësisht shkatërrimtare për shtetin dhe shoqërinë, duke deklaruar se ‘asnjë komb nuk e ka provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, sa shkatërrimtare është për ligjin, demokracinë, jetën dhe ekonominë’.
Në vijim të fjalës së tij, lideri i PD-së Sali Berisha e përshkroi Shqipërinë si një nyje kryesore të karteleve ndërkombëtare të drogës, duke theksuar se ‘Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë’. Ai argumentoi këtë me dy elementë kryesorë: raportimet ndërkombëtare për eksportin e kanabisit dhe rolin dominues të grupeve shqiptare në tregun e kokainës.
Sipas tij, ‘çmimin e përcakton ai që sjell më shumë, ai që është aksionari më i madh’, ndërsa ‘aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës’. Berisha përmendi bashkëpunimin e karteleve shqiptare me rrjete ndërkombëtare, duke deklaruar se ‘në Paraguaj, një trafikant që disponon 350 ton kokainë në vit bashkëpunon me 41 klane shqiptare’.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha e përshkroi sistemin politik aktual si një ‘narko-diktaturë’, ku krimi i organizuar kontrollon zgjedhjet dhe institucionet. Ai deklaroi se ‘ato diktojnë rezultatin e zgjedhjeve, kanë futur në parlamentin aktual 28 deputetë me listë dhe emërojnë çdo ministër’. Ai akuzoi drejtpërdrejt Ergys Agasin si figurë kyçe të lidhur me kryeministrin, duke thënë se ‘Ergys Agasi, njeriu më i afërt i Edi Ramës, ka larguar nga detyra tre ministra të Brendshëm’ dhe se ‘merrte pengje për llogari të Edi Ramës’, përfshirë edhe rastin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Në fjalën e mbajtur në tryezë, lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha akuzoi qeverinë për përqendrim absolut të pushtetit dhe grabitje masive të fondeve publike, duke deklaruar se ‘nga 67 miliardë euro taksa të qytetarëve, 90 përqind janë vjedhur dhe shpërdoruar’. Ai përmendi shembuj konkretë të tenderëve dhe aferave, duke ironizuar konceptet qeveritare me shprehjen: ‘Smart city, smart vjedhja’. Në lidhje me drejtësinë, ai deklaroi se ‘ky regjim përdor segmente të drejtësisë për të bllokuar drejtësinë’ dhe e cilësoi situatën aktuale si ‘një lloj grushti shteti institucional’.
Kryetari i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës së tij, bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim qytetar dhe politik, duke theksuar se ‘Ramën nuk e largojnë as të huajt dhe as drejtësia, por populli’. Ai kërkoi ngritjen e një forumi të gjerë opozitar dhe krijimin e një qeverie teknike me dy misione themelore: organizimin e zgjedhjeve të lira dhe mosndërhyrjen në sistemin e drejtësisë. ‘Ne nuk vijmë në pushtet me dhunë, por me votën e shqiptarëve, – deklaroi Berisha, duke shtuar se – zgjedhjet e lira dhe demokracia janë i vetmi sistem që krijon dhe ndërton të ardhme’., theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij të mbajtur në tryezën me partitë opozitare, shoqërinë civile dhe intelektualët.

FJALA E PLOTE:
Së pari, u falënderoj për ndërhyrjen, dhe u falënderoj të gjithë ju që jeni të pranishëm sot në këtë takim, të cilin unë e konsideroj shumë të rëndësishëm, të mbledhur në një moment do të thosha përcaktues për të ardhmen e vendit dhe të shoqërisë tonë.
Falënderoj me mirënjohje të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të pranishëm në këtë takim, përfaqësuesit e forcave politike dhe shpreh bindjen se konkluzioni apo përfundimi i këtij takimi me një front të përbashkët në këto kohë kritike që kalon Shqipëria është përgjigjja më e duhur, është përgjegjësia më e vërtetë që ne marrim në këto momente para vendit dhe kombit tonë.
Të nderuar të pranishëm, sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën.
Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ju rikujtoni këtu vitin e zi 2015, kur Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci me mijëra plantacione kanabisi.
Se si propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim i ri zhvillimi, pasurimi.
Politikë kjo që u kundërshtua- e vërteta është- nga njerëz të përgjegjshëm në atë qeveri, konkretisht ish-zëvendëskryeministri.
Paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrim i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para, dhe paraja është e dobishme.
Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve.
Se sa shkatërrimtare është për ligjin, për demokracinë, për jetën, për ekonominë e një vendi kjo para.
Dhe sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Europën.
Duhet të njohim një meritë historike presidentit Donald Trump që shpalli kartelet e drogës organizata terroriste.
Sepse në fakt për fuqinë e tyre shkatërrimtare, ato krahasohen dhe tejkalojnë organizatat më të fuqishme terroriste.
Në këtë kuadër të karteleve organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë.
Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye.
Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE.
Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë.
Dhe çmimin e përcakton ai që sjell më shumë.
Ai që është aksionari më i madh.
Dhe aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Franc Çopja dhe grupe të tjera që ne as i dimë. Por unë vetëm një të dhënë do u jap ju.
Në Paraguaj, një trafikant i quajtur Diego Benitez, i cili disponon në vit 350 ton kokainë, bashkëpunon me 41 klane shqiptare.
Ju garantoj se po kaq famëzi sa ç’janë në Europë klanet shqiptare të drogës me mbështetje nga qeveria, edhe në SHBA, edhe në Australi, edhe në Azi dhe vende të tjera. Koha do e provojë këtë.
Ata janë bërë sot transportuesit kryesorë të kokainës, miliarderët më të shumtë të kokainës.
Kurse shqiptarët përjetojnë një narko-diktaturë.
Ato diktojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Kanë futur në parlamentin aktual 28 deputetë me listë.
Ato marrin çdo vendim, emërojnë çdo ministër.
Ju rikujtoj këtu se Ergys Agasi, për llogari të bandave dhe të tij, ka larguar nga detyra 3 ministra të brendshëm.
Kush ishte Ergys Agasi? Njeriu më i afërt në çdo aspekt i Edi Ramës.
Njeriu më i afërt. Njeriu që merrte pengje për Edi Ramën dhe që organizon t’i sjellë peng edhe Arben Ahmetajn për shkak të denoncimeve që i bën ai nga Lugano.
Pra, ky regjim ka shkatërruar Shqipërinë në një rrezik për Europën.
Imagjinoni ju se çfarë është ky regjim për qytetarët e vet.
Ministrat, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtorë agjencish, janë që të gjithë të lidhur këmbë e xhep me klanet e drogës sepse padrinoja i vendit e konsideron drogën si rrugën e zhvillimit.
Ka shndërruar Shqipërinë në lavatriçen më gjigante të larjes së parave të drogës në Europë.
Ky vend ka sot treguesin e ndërtimit 300 përqind më të lartë se mesatarja e BE.
Çmimet janë stratosferike, ndërtimet nuk kanë të ndalur.

Imagjinoni ku po shkon vendi ynë.
Ky vend, në qoftë se Maduro me politikat e tij ka detyruar 20 përqind të venezuelasve të largohen, Edi Rama me politikat e tij ka detyruar mbi 43 përqind të shqiptarëve të largohen nga Shqipëria në 10 vite.
E tha bukur një pensionist, që jetonte me remitancat që i vinin, ky tha, ma shkatërroi euron, e kisha rreth 1400, tani e kam rreth 960. Imagjinoni se si atij iu përgjysmua ai pension që i dërgonin familjarët.
Pa llogaritur këtu me mijëra ndërmarrje eksporti, që të gjitha punojnë me euro, falimentuan.
Dhe ata që falimentojnë ata nisen drejt Europës për një kafshatë, për një punë.
Me mijëra punëtorë, intelektualë, 720 mijë të rinj.
Sot shqiptarët kanë treguesin e lindshmërisë në botë për shkak të emigracionit, sipas OKB.
Kanë rënien më të madhe të popullatës.
Kanë prej vitit 2018 një vdekshmëri, mijëra qytetarë vdesin më shumë se sa lindin.
Kombi është në rrugën e zhdukjes.
Edi Rama ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij.
Nga 67 miliardë euro taksa të qytetarëve, po të zbresim 8 miliardë euro rroga në 12 vite, pjesa tjetër është vjedhur dhe shpërdoruar në masën 90 përqind sipas KLSH dhe BB.
Shikoni se çfarë ndodh, të gjitha punët publike të tyre shemben sikur janë prej kartoni dhe jo prej betoni.
Po këto janë ato që duken, po qindra e qindra milionë të tjera janë zhdukur me 98-100 përqind, siç është djegësi i Tiranës.
Miq, në vitin 2013 në shkollat e Shqipërisë ka pasur 25.600 kompjuterë. I zhdukën.
Dhe në tenderin e ri që ka bërë kunati i bashkëshortes së Edi Ramës, ka sjellë kompjuter me çmim 10 herë më të lartë se në dyqanet perëndimore.
75 milionë euro ishte tenderi për përmirësimin e inteligjencës artificiale, e cila nuk ekziston në Shqipëri.
Pra, sikur ajo ekziston dhe duhet ta përmirësojmë.
Dhe para dy javësh urdhëroi ministrin e financave që t’i disbursojë baxhanakut 25 milionët e fundit.
15 mijë euro kamera e trupit të policit. Smart city, smart vjedhja.
E paimagjinueshme.
15 euro kushtonte kapelja e policit për policin suedez. 300 euro për policin shqiptar.
Dhe ai që ka bërë tenderin kalon nga një studio në tjetrën duke bërë moral për Edi Ramën.
Nuk ka qenë ndonjëherë më i poshtëruar ky popull se sa sot.
Një mori hajdutësh paguhen për të kaluar çdo natë për të mashtruar shqiptarët. Për të glorifikuar të keqen, për të demonizuar opozitën për faktin e vetëm se qëndron kundër kësaj qeverie.
Ju e dëgjuat ndoshta autopsinë që i bëri mbrëmë ish-zëvendëskryeministri, i cili ka burimet, por ka guximin e madh t’i bëjë publike ato.
Se ato që i denoncoi ai, i dinë shumë zyrtarë të tjera, por ai ka guximin t’i bëjë publike.
Ju e dëgjuat se si karteli Troplini ka zonën e lirë ekonomike.
Shkoni në Xhafzotaj po të doni, Xhafzotaj është domen i Troplinëve. As miza nuk lëviz dot aty pa Troplinët.
Dhe ky ka zgjedhur Duranën, pa kufi fare, sa të duan Troplinët, për të çuar ndërmarrjet pa taksa, të cilët do u paguajnë taksa Troplinëve.
Për të listuar ndërmarrjet që do Troplini aty të regjistrohen dhe pa taksa. Durana.
Nuk ka një kryeministër tjetër në botë që të bëjë këto që bën ky. Dhe rezultati kërkon ta marrë peng në Zvicër. Ta sjellë këtu.
Bashkëpunëtor në krim me të janë ata prokurorë që heshtin para kësaj situatë.
Po ata i kontrollon ky, Altin Dumanin e ka në xhep ky, e ka një mercenar të vetin.
Dhe tani së fundmi nuk heq imunitetet.
Do t’u lutem çdo shqiptari të rikthehet pak në vitet 2005-2013.
Çdo kërkesë, në mënyrë absolute, e paraqitur nga prokuroria, pavarësisht nga konsideratat politike për atë prokurore, është zbatuar pa asnjë lloj komenti.
Përkundrazi, çdo ministër që u kërkua nga prokuroria të hetohet, ka dorëzuar vetë imunitetin.
Ja ku është Fatmir Mediu, imunitetin dhe dorëheqjen.
Ai tjetri, Lulzim Basha, dy herë imunitetin.
Ilir Meta, pa e thirrur vetë ata, më erdhi në zyrë, tha unë tani do jap dorëheqjen, kjo është shpifje që kanë bërë, është një manipulim i shiritit. Por unë nuk do shkoj atje si zëvendëskryeministër, por do shkoj si qytetar i thjeshtë.
Ky është kodi i njeriut me integritet që nuk do të rëndojë dhe që nuk ka frikë nga asgjë.
Kurse ky përdor drejtësinë, segmente të drejtësisë për të bllokuar drejtësinë.
Është një lloj grushti shteti që bën.
Dhe në një akt provokativ ndër më të ulëtit, e kishte dërguar dje Lubi Ballukun tek Ura e Mifolit.
Iu bëj thirrje qytetarëve, kudo që të shihni ministra, i gjuani me vezë ose domate.
Këta janë shkaktarë kryesorë të fatkeqësive tuaja.
I dëgjuat sot, po shpifet.
Çfarë po shpifet? Më falni, dy hidrovorët e Durrësit, ai i Hamallës pa asnjë pompë në funksion, të vjedhura pompat dhe motorët e pompave.
Këtu i kam. Kanë vënë pompa nafte me 30 litra ujë.
Tjetrit nuk i punojnë pompat.
Durrësi është përmbytur në mënyrë apokaliptike.
Të mos harrojmë se aty ka qenë kënetë, dhe nëse ujërat nuk hiqen, aty nuk jetohet më.
Dhe ky, me shpifje thotë, nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, sepse gjendja e jashtëzakonshme në ligjet e vendit, në Kushtetutë, ajo e detyron pastaj t’u përgjigjet qytetarëve.
E detyron që fondin rezervë ta çojë drejt tyre në radhë të parë.
Po jo, thotë, po na përçajnë thotë…

Mund të rri dhe të numëroj shumë më shumë, por duhet të them këtu se kjo qeveri nuk ka asnjë orë legjitimitet.
Është faktuar se ka ardhur nga zgjedhje farsë elektorale.
Është e provuar kjo.
Në rekomandimet e Këshillit të Europës për zgjedhjet në Shqipëri, thuhet të ndahet partia nga shteti. Do të thotë që zgjedhjet janë zhvilluar si në kohën e Enver Hoxhës, por me pluralizëm fiktiv.
Në Parlamentin Europian, kryetari i delegacionit të PE që monitoroi zgjedhjet, deklaroi se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rrotacionin politik. Pra, mban në pushtet Edi Ramën.
Ndaj dhe ne në këtë moment kritik për vendin, ndër më kritikët, mendoj se duhet të ngrihemi, duhet të ngrihemi në një përpjekje të madhe qytetare për të larguar nga pushteti këtë bandë, këtë organizatë kriminale, me në krye Edi Ramën.
Ideja se mund të vijnë të na e heqin nga jashtë është e gabuar.
Ideja se mund të hiqet me procese gjyqësore është po kaq e gabuar, sepse ai bllokon.
Ai do përdorë pushtetin me të gjitha forcat për të mbrojtur krimet e tij.
I vetmi që nuk mund t’i shpëtojë dot është gjykatësi popull.
Ndaj dhe mendoj se në frymën e përgjegjësisë më të lartë ne duhet të dalim me një forum opozitar të zgjeruar.
Forca politike, shoqëri civile, personalitete dhe cilido që është i gatshëm të përballemi me këtë regjim për të shpëtuar Shqipërinë.
Ne kërkojmë një qeveri teknike thjesht me dy objektiva.
Së pari përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ato nuk ekzistojnë më. Ne jemi forca politike opozitare, nuk vijmë në pushtet me dhunë. Jo, ne vijmë në pushtet me votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre. Por ne jemi të sigurt në mënyrë absolute se ne i fitojmë zgjedhjet.
Se Edi Rrama nuk i fitonte kurrë ato zgjedhje në qoftë se nuk do organizonte me paratë e taksapaguesve 4500 aktivitete për të mashtruar qytetarët.
Në qoftë se nuk do falte 2 miliardë euro gjoba dhe kamata dy ditë para zgjedhjeve.
Në qoftë se nuk do shpërndante 100 euro në mes të fushatës për 760 mijë votues.
Në qoftë se nuk do shndërronte administratën në polici politike terroriste të votës. Etj, etj.
Ne kërkojmë të votojmë të qetë, të votojmë të lirë.
Kërkojmë që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë.
Kërkojmë që ata që rrinë duarkryq ndaj krimit elektoral të ndëshkohen në mënyrën më të rëndë.
Ndryshe Shqipëria të ardhme nuk ka.
Historia ka provuar se zgjedhjet e lira, demokracia janë i vetmi regjim dhe sistem që krijon dhe ndërton të ardhme.
Ndaj dhe u bëj thirrje të gjithë atyre që na ndjekin, të vendosim të përmbushim misionin tonë.
Misioni ynë është përmbysja e kësaj qeverie, zhvillimi i zgjedhjeve të lira.
Së dyti, qeveria do ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë.
Drejtësia nuk është e pagabueshme, por drejtësia nuk pengohet.
Që kur është krijuar shteti mijëra e mijëra vjet më parë, është vendosur që një grupi të vogël njerëzish t’i jepet përgjegjësia për shqyrtimin e shkeljeve të ligjit dhe ndëshkimin për to.
Dhe në qoftë se këto i merr në dorë ekzekutivi, drejtësi nuk ka më.
Siç po ndodh tani.
Edi Rama po merr në dorë imunitetin, provën, këtë dhe atë. Të gjitha.
Qeveria teknike do ketë detyrë larg duart nga sistemi i drejtësisë, i cili ka shumë të meta.
I cili u përdor politikisht, jo se e them unë këtë, por janë 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha partive politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë në botë, që denoncojnë drejtësinë shqiptare si drejtësi politike që bëri gjahun kundër opozitës.
Por përsëri, ne nuk mund të kalojmë në shoqëri parashtetërore.
Shoqëritë parashtetërore janë shoqëri pa drejtësi, me vetëgjyqësi.
Ne besojmë tek reformat, tek përmirësimet, tek Kushtetuta dhe ligji dhe luftojmë për zbatimin e tyre.
U falënderoj shumë për praninë dhe u garantoj se tek PD do keni një aleat, një bashkëpunëtor të vendosur në të gjithë qëllimin dhe projektin tonë për të realizuar një qeveri teknike, zgjedhje të lira për Shqipërinë.


