Berisha me të rinjtë: Regjimi ka errësuar mundësitë dhe ëndrrat tuaja. Është radha jonë për të ecur drejt fitores!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA ME TË RINJTË DHE GJIMNAZISTËT E FRPD

EKSTRAKT

Gjatë takimit të sotëm me të rinjtë dhe gjimnazistët e FRPD, kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka adresuar të rinjtë dhe ka shprehur shqetësimet e tij për gjendjen e rënduar në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë. Berisha tha se, regjimi aktual ka penguar zhvillimin dhe ëndrrat e tyre, duke krijuar barriera të mëdha sociale dhe politike që i kanë përjashtuar të rinjtë nga mundësitë për një të ardhme më të mirë.

Berisha gjatë fjalës së mbajtur foli mbi përgjysmimin dramatik të numrit të nxënësve në shkolla dhe e ka quajtur këtë situatë të paprecedentë në historinë e Shqipërisë. Ai ka nënvizuar se ndërtimi i së ardhmes së një kombi është i lidhur me ëndrrat e të rinjve, por regjimi aktual, ka “vrarë” shpresat dhe ëndrrat e tyre për një të ardhme të ndritur në vend.

Mesazhi qendror është përkushtimi për të luftuar këto pengesa dhe për të rikthyer mundësinë që të rinjtë të ndërtojnë jetën dhe ëndrrat e tyre në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur në bashkëbisedimin e organizuar em të rinjtë, lideri demokrat Sali Berisha përshkruan gjendjen aktuale të Shqipërisë, duke e cilësuar si një “mobokraci” (diktaturë e bandave) dhe “narko-shtet” ku fuqia e drogës dhe krimit ka zëvendësuar shtetin ligjor. Ai citon studiuesin Samuel Huntington, i cili e vlerëson mobokracinë si formën më të keqe të diktaturës.

Berisha ndan përvojën e tij personale 35 vite më parë, kur vendosi të luftonte regjimin komunist, pavarësisht çmimit që kërkonte kjo përballje. Ai përmend betejën e tij dhe të rinisë studentore kundër regjimit, e cila përfundoi me rrëzimin e diktaturës.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikon përpjekjet e regjimit aktual për të kontrolluar dhe zhdukur opozitën, duke e krahasuar me periudhën e kaluar diktatoriale. Mesazhi i tij është se një komb është i lirë vetëm kur sovraniteti i tij nuk është i kërcënuar, jo vetëm nga pushtues të jashtëm, por edhe nga ata që përpiqen t’i marrin lirinë nga brenda.

Berisha u drejtohet të rinjve, duke i thirrur ata të marrin pjesë në një “mision historik” për shpëtimin e Shqipërisë. Ai thekson se tre vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe do të shënohen si beteja për një Shqipëri me një opozitë të fortë dhe të pavarur, që nuk pranon nënshtrimin apo falsitetin.

Berisha ka folur me tone të ashpra mbi regjimin aktual për goditjen e arsimit, duke përmendur rënien dramatike të cilësisë së arsimit dhe korrupsionin e përhapur. Ai thekson se arsimi është degraduar dhe se mësuesit janë ndër më të keqpaguarit në rajon. Sipas Berishës, mafia dhe narkoeurot kanë krijuar një realitet ku të rinjtë duhet të punojnë për 104 vite për të blerë një apartament, ndërkohë që fondet publike shpërdorohen masivisht.

Mesazhi qendror i këtij fjalimi, qendron mbi ndryshimin i cili është i mundur dhe do të ndodhë nëse të rinjtë marrin rolin udhëheqës në këtë përpjekje. Ai u bën thirrje të rinjve të angazhohen, duke besuar se regjimi aktual, i mbështetur nga një propagandë e rreme, do të shembet përballë përpjekjes së tyre.

Berisha u bën thirrje të rinjve të Partisë Demokratike që të angazhohen në fushatën elektorale, duke theksuar se kanë dy zgjedhje: të pranojnë një “dasmë pa nuse” (një zgjedhje të padrejtë), ose të luftojnë për fitoren që meritojnë. Lideri opozitar thekson se është radha e opozitës të ecë drejt fitores, dhe se të rinjtë kanë forcën, guximin dhe mençurinë për ta realizuar këtë.

Berisha ka folur edhe mbi për rëndësinë e një qeverie teknike për të siguruar zgjedhje të ndershme dhe fitore të opozitës, duke i ftuar të rinjtë të zgjerohen dhe të kapërcejnë frikën. Ai vë në pah “pushtimin e egër” që po përjeton Shqipëria dhe nënvizon se programi i PD-së do të sjellë një kthesë të madhe në favor të të rinjve.

Në përmbyllje, Berisha ka thekuar se të rinjtë do të jenë udhëheqësit që do ta vendosin Shqipërinë në krye të “revolucionit të inteligjencës artificiale”, duke siguruar që vendi të përfitojë nga ky zhvillim teknologjik.

FJALA E PLOTË

Faleminderit Besart dhe një përshëndetje të përzemërt ju, Desadës, Kleas, Leartit dhe të gjithë të pranishmëve në këtë takim shumë të rëndësishëm. Në një nga takimet më të rëndësishme për të rinjtë e vendit, për PD dhe për opozitën.

E them këtë, sepse këtë takim e bën jashtëzakonisht të rëndësishëm situata, rrethanat në të cilat ju të dashur të reja dhe të rinj, gjimnaziste dhe gjimnazistë jeni mbledhur sot në atë sallë.

Jeni mbledhur në atë sallë në një kohë kur një regjim, një pushtim i brendshëm ka vendosur para jush, para vëllezërve dhe motrave tuaj, bashkëmoshatarëve tuaj barrazhe dhe të mëdha, ju ka vendosur ju para një përjashtimi real social, ka errësuar me kompleksit e politikave të tij mundësitë, ëndrrën tuaj.

Por kjo do të thotë të ardhmen e këtij kombi.

Sivjet shkollat u hapën me 350 mijë nxënës të ulur në bankat e tyre. Nga 630 mijë që ishin ata 11 vite më parë. Kurrë ndonjëherë në historinë e këtij kombi nuk ka ndodhur nëj përgjysmim dramatik siç ndodhi në një dekadë i të rinjve në Shqipëri.

Në qoftë se bëhet fjalë për ndërtimin e së ardhmes, ndërtimi i një të ardhme për një shoqëri dhe një vend është ëndrra e çdo të riu. Është tërësia e ëndrrave e të rinjve të këtij vendi dhe këtij kombi.

Por në fakt, shpesh ju dëgjoj të thoni që ky regjim ka vrarë shpresën. Më shumë se aq, ka vrarë ëndrrën. Ka vrarë ëndrrën, sepse ju, vajza dhe djem të mençur konstatoni se në vendin tuaj, në qytetin ku banoni është e pamundur të mendosh se mund të ndërtosh folenë e familjes, se mund të ndërtosh shtëpizën e projekteve tua, se mund të mendosh që me idetë, me mendimet, me studimet të ndërtosh në këtë vend një të ardhme të ndritur, një të ardhme që meriton.

Është e pamundur, sepse ka ndodhur diçka e tmerrshme me Shqipërinë. Në Shqipëri këto vite ai që quhet shtet ligjor, që përbën një garanci për të gjithë qytetarët dhe veprimtarinë e tyre është zëvendësuar me narko-shtetin, me pushtimin, me fuqinë e drogës, fuqinë e krimit.

25 vite më parë lexoja një studiues shumë të njohur, i cili sot nuk është më. Historian, sociolog, Samuel Huntington. Dhe ai libri i tij për diktaturat kur e lexoja më bënte përshtypje në një aspekt, sepse ky dijetar i shquar pasi klasifikonte diktaturat naziste, komuniste, teokratike, e katërta mobokracia, apo diktatura e bandave.

Huntington, njeri me dije shumë të thella në këtë fushë. Vlerësonte më të keqen e të gjitha diktaturave, diktaturën e bandave, narkodiktaturat.

Për t’ua ilustruar do t’ju jap një shembull personal.

34 vite më parë, ose 35 vendos të bëj gjithçka kundra regjimit. Të bëj gjithçka me penë, unë isha njeri i kësaj fushe.

Vendos në mënyrë absolute kurrë për pushtet, por vetëm për të bërë atë që nuk kisha bërë. Isha konformuar me regjimin dhe nuk duhet të konformohesha me të keqen. Duhet të dilja në ballë të së keqes, pavarësisht nga çmimi që ajo kërkonte.

Ajo diktaturë kishte një historik tmerrësisht dramatik, tmerrësisht çnjerëzor, luftën e klasave në të cilën ishin ekzekutuar me mijëra e mijëra. Burgjet, kampet e përqendrimit në të cilat ishin dergjur dhjetëra e mijëra shqiptarë. Pse?

Vetëm për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria.

Dhe ndodhi që gjatë asaj periudhe, sigurisht beteja me regjimin nuk ishte e lehtë. Edhe ai regjim kishte një drejtësi që kontrollonte plotësisht, por lëvizja studentore, apo rinia studentore hyri në skenën politike, u përball me ditkaturën dhe e gjunjëzoi atë.

Ata drejtues të atij regjimi, disa prej të cilëve duhet t’i kishin gjer në bërryla me gjak, kishin vendosur ekzekutim me varje, njëri prej të cilëve ishte i ati i Edi Ramës. Përsëri pas themelimit të opozitës bënë gjithçka të mbanin pushtetin por jo të asgjësonin me çdo kusht opozitën.

Pas 34 vitesh, dy vite ose vitet e fundit u bë gjithçka të shumëzohet me zero opozita, të zhduket opozita, të kontrollohet opozita.

Mirëpo, miqtë e mi ekziston një komb i lirë është vetëm kur ky komb është sovran dhe jo veëm nga pushtuesit e jashtëm, por edhe nga ata që i pushtojnë lirinë brenda.

Këto 3 vite do regjistrohen si betejat e jetës suaj për Shqipëri me opozitë, për një Shqipëri në të cilën opozita dhe opozitarët nuk pranojnë diktatin e askujt. Nuk pranojnë falsitetin, nuk pranojnë nështrimin, dhe kjo ju them unë ju, kjo përbën një nga faqet më të ndritura të jetës suaj.

Opozita këto vite ishte subjekt i një agresioni të mafies shqiptare-ndërkombëtare ndër më të rrallat në historinë e një vendi të lirë. Por ajo qendroi falë guximit tuaj, guximit të anëtarëve dhe anëtareve të PD.

Sot ju vini në kushte shumë të vështira, para një misioni të ri, një misioni historik, një misioni me të cilin ju do të shpëtoni Shqipërinë.

Shkatërrimi de facto në 8 vite i arsimit në Shqipëri. Është goditja më e rëndë që i jepet Shqipërisë, që i jepet rinisë shqiptare.

Ju jeni sot në atë sallë. Të rinj të mrekullueshëm të shkollave, por për ju dhe të gjithë shqiptarët nuk ka tregues më dramatikë për faktin se ne në 8 vite, në testin e cilësisë së arsimit, konkretisht në matematikë, ramë në pikiatë me 68 pikë. Ramë në pikiatë duke zënë vendin e parë në botë për këtë rënie dramatike.

Pse kjo? Sepse nga arsimi i shtetit dhe shoqërisë shqiptare, u kalua në arsimin e partisë së krimit.

Përpjekjet serioze që u bënë për krijimin e laboratorëve dhe shtrimin e internetit në të gjitha shkollat. U përmbysën mësuesit shqiptarë nga të më mirëpaguarit në rajon, përfunduar në mësuesit më pak të paguar.

Mjedisi përreth i sunduar mga mafia dhe narkoeurot kërkon që ju, një i ri të punojë 104 vite për të blerë një apartament, ndërkohë fondet publike shpërdorohen sipas shifrave zyrtare gjer në masën 90%.

Të gjitha këto janë vetëm disa nga problemet apo rekordet e zeza të një liste të pafundme.

Të gjitha këto na ftojnë ne të shumëfishojmë përpjekjen tonë për një ndryshim të shpejtë të gjendjes në Shqipëri.

Unë ju garantoj ju se ky ndryshim do ndodhë javën që ju të dilni në ballë të kësaj përpjekje.

Ky regjim është i kalbur. Ky  regjim që dominon sot median e madhe publike dhe mashtron me propagandën e tij nga mëngjesi deri në darkë shqiptarët ka një forcë false.

Para një përpjekje të madhe të të rinjve shqiptarë, ky shembet në ditët më të para.

Sot ne jemi në fushatë elektorale, ose në vit elektoral. Dy janë rrugët tona.

Në qoftë se do e krahasonim fushatën elektorale me dasmën, me festën, me çfarë të doni ju, atëherë duhet të vendosim një dasmë pa nuse, apo një dasmë me nusen që meritojmë.

Nuk mund të zgjedhim të parën ne, nuk mund të mashtrohemi ne. Është radha jonë dhe ne së bashku kemi forcën, kemi guximin, kemi aftësitë, mençurinë për të ecur drejt fitores.

Secili nga ju mendon me të drejtë fitore elektorale. Me qindra e mijëra bashkëmoshatarë tuaj mendojnë fitoren elektorale.

Në këtë ëndërr në këtë mendim qendron forca, energjia nukleare e opozitës për të arritur objektivat e qeverisë teknike në mënyrë që të ketë zgjedhje të vërteta dhe fitore të sigurtë të opozitës në zgjedhjet e ardhshme.

Ndaj dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka që çdo ditë të shtojmë radhët tona, çdo ditë të vrasim frikën kudo që ajo shfaqet. Çdo ditë të mendojmë për shansin historik që kemi, shpëtimin e Shqipërisë realisht në një rrafsh, në rrafshin kombëtar, demografik, në rrafshin e qenies kombëtare, pushtimin më të egër që kanë njohur shqiptarët në kohëra.

Unë nuk zgjatem më shumë, por ju garantoj se PD në programin e saj të ardhshëm, kthesën e madhe që duhet të shënojë Shqipëria, e konsideron si kthesën e madhe të qendrimit ndaj të rinjve shqiptarë.

Janë ata të cilët kanë energjitë, kanë ëndrrën, kanë intelektin që do kthejnë Shqipërinë ën rrugën e revolucionit të inteligjencës artificiale.

Që do bëjnë që Shqipëria dhe shqiptarët të ms humbasin shansin e madh të këtij revolucioni por të qendrojnë në ball të kohës.

Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese.

PYETJE-PËRGJIGJE

  1. Kudo nëpër media po dëgjojmë që opozita do të humbë, opozita do përfundojë me 25 mandate, nuk do të marrë atë që ka marrë para 4 vitesh, etj. Siç dhe ju e dini ne kemi përballë një makineri propagande, kemi përballë një bandë kriminale, njerëz që kërcenojnë, etj. A do të mbani ju dhe elita e PD përgjegjësi nëse PD do të humbë edhe kësaj radhe?

Prof. Dr. Sali Berisha: Edhe njëherë ju siguroj se ajo propagandë është e njëjtë sikur të pranojmë se qytetarët e ndershëm shqiptarë preferojnë krimin, preferojnë vjedhjen, preferojnë zbrazjen e Shqipërisë, preferojnë mashtrimin, plaçkitjen dhe të gjitha këto me radhë.

Por unë ju garantoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve kurrë nuk janë të këtij mendimi.

Duke thënë këtë, shqiptarët sot përballen me një regjim që ka krijuar një makineri gjigande terrori ndaj zgjedhësve shqiptarë dhe një industri të të rë të blerjes së votës.

PD dhe çdo demokrat do të fitojë momentin kur të arrijë të shkatërrojë këtë makineri frike të shtetit mafioz elektoral dhe këtë industri kriminale të blerjes së votës.

Pa asnjë diskutim që kjo është provë e PD, prova kryesore e saj. Ndaj dhe ne do të fillojmë shumë shpejt një lëvizje të pandalshme gjer në realizimin e këtyre dy objektivave.

Nuk ka diskutim se PD, Sali Berisha dhe udhëheqja e saj kanë mbajtur dhe do mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto.

  • Është mjaft e trishtueshme që dëgjojmë çdo ditë nëpër lajme, apo shohim çdo ditë kryeministrin tonë që thotë çdo ditë se si arsimi po bëhet më i mirë, se si universitetet po zhvillohen dhe gjithçka më duket e kotë. Mendoj se opozita me në krye ju do na ofroj një të ardhme më të mirë dhe e them me plot besim këtë.

Prof. Dr. Sali Berisha: Ju garantoj se një forcë politike që përmbysi një diktaturë ideologjike do të fitojë këtë betejë me diktaturën e dytë që bazohet në aleancën e narkoqeverisë me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale