Berisha me të rinjtë e FRPD: 8 dhjetori dita më e rëndësishme pas Pavarësisë. Studentët vendosën të ngrihen për pluralizmin

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË DITËN E RINISË ME TË RINJTË E FRPD

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha mori pjesë mbrëmjen e sotme në eventin e organizuar nga FRPD në lançimin e shkollës politike të FRPD. Berisha u shpreh gjatë fjalës së tij se, 8 dhjetori është dita më e rëndësishme pas Pavarësisë, pasi studentët vendosën të ngrihen për pluralizmin.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh para të rinjve të FRPD se, i pamposhtur është ai njeri i cili pasi rrëzohet, ngrihet. Berisha tha se, kjo ishte historia e lëvizjes studentore të dhjetorit.

Berisha tha se, dhjetori i vitit ’90 është histori, sepse sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë. Një diktaturë kjo jo e bazuar në ideologji.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, në vitin 2013, 50% të shqiptarëve ishin nën moshën 24 vjeç, sot janë vetëm 30%. Pra, me të gjithë politikat e tij, Rama ofron si alternativë të vetme për të rinjtë, largimin.

Berisha ftoi të gjithë të rinjtë të dalin dhe t’i bëjnë ballë këtij regjimi. Ai u shoreh se ka shumë besim që rinia e sotme do bëjë të njëjtën gjë si studentët e viteve ’90 të cilët rrëzuan regjimin dhe i bënë ballë diktaturës së egër.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe gëzuar ditën tuaj!

Dua t’ju garantoj se kjo është dita më e rëndësishme pas Pavarësisë së Shqipërisë në historinë tonë të lirisë.

Është një ditë në të cilën bashkëmoshatarët tuaj 30 vite më parë ndanë epokat, ndanë sistemet. Atyre iu takoi këtyre mision historik. Nuk ndodh shpesh, ose nuk ndodh mundet edhe një jetë, por gjeneratës së të rinjve të vitit 1990 u takoi ky mision, u takoi ky fat dhe ata u treguan në lartësinë e guximit njerëzor, në lartësinë e ëndrrave të tyre të lirisë, por me një dallim shumë thelbësor nga ju që keni lindur dhe jeni rritur në një epokë lirie, ata djem dhe vajza nuk kishin jetuar në një ditë të vetme në liri, apo në një vend të lirë.

Dhe kjo është shumë e veçantë. Do t’u them një eksperiencë timen personale.

Unë udhëtoja, dilja jashtë shtetit në ato kongreset e kardiologëve, por e dini ju që unë kudo që shkoja, nuk ndjehesha i lirë. Pra, i tillë ishte formimi ynë në raport me lirinë dhe megjithatë ishin moshatarët tuaj që 33 vite më parë, studentë vendosën të ngrihen për pluralizmin të cilin ata nuk e njihnin se çfarë është.

Të ngrihen kundër diktaturës si e keqja më e madhe që mund të kapë një komb për një sistem tjetër që ata nuk e kishin jetuar një ditë. Të ngrihen, do themi të vërtetën, në një akt guximi sublim, sepse diktatura edhe në atë kohë nuk kursente breshëritë e kallashnikovit mbi gjokset e të rinjve të cilët niseshin për të kaluar kufirin pasi u hoq ligji i tradhëtisë së lartë për arratisje.

Kështu që, ajo ditë është në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, pas pavarësisë së vendit dita më e shënuar në lirinë e shqiptarëve. Para 8 dhjetorit përpjekje tjera u bënë, bënë një heroizëm, një kryengritje të vërtetë.

Përsëri të rinjtë, por kësaj radhe të rinjtë punëtorë të Tiranës u vërsulën si heronj mbi muret e ambasadave. E thyen Murin e Berlinit në Tiranë më 2 korrik.

Bënë atë që bën gjermanët e Lindjes në Çeki, në Hungari, por për fatin më të keq shoqëria ishte e mpirë. Ata e bënë detyrën e tyre, ata e përmbysën diktaturën, por Tirana nuk doli në mbështetje të tyre, soditi, e humbi shansin.

Kështu që, nga 2 korriku dhe në vazhdim shpresat ishin shumë të pakta. Dominonte ideja se Shqipëria le të mbetet si Kuba e Adriatikut. Por Shqipëria përjetonte varfërinë dhe urinë kronike me pasoja nga më të rëndat. Burgjet i kishte plot me të burgosur politikë.

Pati edhe para 2 korrikut lëvizje të mëdha, të rëndësishme, demonstrata në Shkodër dhe Kavajë. Përsëri, kur regjimi nuk ra, nuk u trondit nga kryengritja e 2 korrikut, u duk se ai do mbetet Kubë e socializmit në brigjet e Adriatikut.

Por ata të cilët bënë historinë, ata të cilët i dolën ballë diktaturës, ishin studentët. Dhe i dolën me një guxim epik. Unë kam pas fatin të jem, jo natën e parë kur ata dolën në qytetin e tyre në protestë, por të nesërmen kam shkuar sa kam marrë vesh, kam shkuar me dy miq të mitë dhe jam gjendur ballë tyre.

Ata u përballën me një egërsi të pashoq, me forcat më të egra të diktaturës sambistë, polici sekrete, gardistë. U vërsulën me një egërsi të paimagjinueshme. I merrnin pasi binin pa ndjenja përtokë, i përplasin në ca kamionë. Ecnin, i zhduknin. Dhe ky ishte një moment beteje, por madhështia e tyre qendroi në faktin se ata edhe një orë pasi kishin pësuar këtë agresion barar ishin të gatshëm të përlesheshin përsëri.

Dhe në darkë u mblodhën përsëri të zbrisnin në shesh. U ndala në këtë moment, se i pamposhtur është vetëm ai që pasi rrëzohet ngrihet. Që pasi humbet një moment, lufton për të fituar tjetrin. Dhe kjo ishte historia e asaj lëvizje e cila në rrugë paqësore përmbysi diktaturën më të egër në të gjithë Europën ish-komuniste. Ajo lëvizje bëri të mundur që Shqipëria të ecte me një shpejtësi drite, pavarësisht kritikave që ekzistojnë.

Por kur mendon se në vitin 1992 të ardhurat për frymë ishin gjithësej 204 dollarë. Kur mendon se rroga ishte 6 dollarë, një rrogë mesatare le të themi. Kur mendon se dyqanet ishin bosh, krejtësisht bosh, mungesa të gjithëanshme dhe u arrit në rrugën e lirisë që të anëtarësohemi në NATO, u arrit po në këtë rrugë të anëtarësohemi në KE, të fitojmë lëvizjen e lirë, të marrin rekomandimin nga KE të statusit të vendit kandidat. U arrit brenda 4 viteve në vendin më hiperkolektivist të Europës, 80% e prodhimit të brendshëm të vijë nga sektori privat.

U arrit që kursi i shkëmbimit i cili në një inflacion tre dhe katërshifror ndonjëherë të stabilizohet i lirë.

Pra, u arrit që shqiptarët të ngjiten në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. U arrit me përpjekje të mëdha dhe serioze që në arsim të shënohet jo niveli që duhet të ishim, por ngjithje vertikale në PISA. Shumë premtuese. Të gjitha këto janë meritë e lirisë, e funksionimit të ligjit, shtetit ligjor, e shpresës gjithashtu që shqiptarët filluan të kenë te vendi i tyre.

E thashë sot në mëngjes, po e them përsëri. Dhjetori i vitit ’90 është histori, sepse sot në Shqipëri është vendosur një diktaturë. Një diktaturë jo e bazuar në ideologji, por iu rikujtoj këtu një krahasim.

Në treguesin e zbatimit të ligjit, Shqipëria është më poshtë se Vietnami, i cili është në diktaturë komuniste për definicion. Është shtet monist.

Vietnami është shtet në të cilin monopoli i pushtetit i përket partisë komuniste të Vietnamit. Në Shqipëri nuk ka një ideologji marksiste, por në Shqipëri është instaluar diktatura e bandës, e drogës, e krimit. Ju i ndiqni këto proceset gjyqësore, dosjet ‘Metamorfoza’, duhet t’i ndiqni. Çfarë janë ato?

Ato janë një përzierje bandash-bandash, qeveritarësh-bandash. Nuk dua të ndalem në përshkrimin e kësaj diktature që Hamtington e ka vlerësuar si më të keqen e diktaturave.

Por dua të ndalem vetëm në një moment sot.

Ju e patë, se si kryeministri i vendit në një fjalim euforik sikur ishte në mbidoza, foli për çdo gjë. Foli për satelitë, për hënë, për yje, foli për inteligjencë artificiale, por nuk tha njëherë një fjalë për ju, për të rinjtë. Nuk shqiptoi njëherë të vetme fjalën i ri, e re.

Pse nuk e bëri këtë?

Nuk guxon, se ai e di që në histori se ai është armiku më i egër i të riut shqiptar, si i tillë. Është i tillë, sepse këto 10 vite të qeverisje së tij ne kemi mbi 500 mijë të rinj më pak se sa kishim.

Në këto 10 vite të qeverisjes së tij, kanë ndodhur ndryshime dramatike të strukturës demografike të kombit. Në qoftë se, në vitin 2013, 50% të shqiptarëve ishin nën moshën 24 vjeç, sot janë vetëm 30%. Pra, me të gjithë politikat e tij, ky ofron si alternativë të vetme për të rinjtë, largimin nga Shqipëria.

Foli sot një orë për inteligjencën artificiale, dhe u përpoq të bindtte shqiptarët se ne me inteligjencën artificiale, të cilën do e përdorim për përkthime të ligjeve europiane, do integrohemi në Europë.

Po të jetë puna për përkthim, përkthimi nuk është një kriter, ua them unë, sado që është i rëndësishëm, sigurisht. Që ligjet europiane do përkthehen dhe do adaptohen në secilin vend anëtar, por kriter përkthimi nuk është. Janë disa kritere tjera themelore politike. Janë respektimi i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, janë respektimi i Kushtetutës, janë funksionimi i shtetit ligjor, janë krijimi i kushteve për të jetuar në vendin e vet qytetarët shqiptarë dhe jo kushte për largimin nga vendi i tyre.

Ndaj edhe, u ndala në këtë moment të fjalimit të tij i cili kishte domethënie të madhe. Nuk guxoi njëherë të vetme të kishte një mesazh, apo një fjalë për të rinnjtë.

Por në qoftë se ai ka një frikë dhe tmerr, ju, është në misionin tuaj të angazhoheni me të gjithë guximin, energjinë, vizionin për shpëtuar Shqipërinë nga kjo narkokraci dhe për të hapur rrugën e integrimit e saj të plotë në BE.

Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme për ju. Ju do të dilni, shëtisni, po nuk do të gjeni një vend me pasuri natyrore më të mëdha se ky vend. Janë politikat ato që i tjetërsojnë pasuritë për qytetarët. Ndaj dhe kjo është jetike që të angazhohemi në një betejë pa kthim.

Kjo betejë pa kthim që ka nisur në parlament, për shkak të një grushti shteti brenda shteti që ai bën, çfarë është një ditaturë në kuptimin më esencial të saj? Të gjitha pushtetet në duart e një njeriu. Kjo është e vërteta. Çfarë ka pastaj tjetër. Të gjitha janë vullneti i tij.

Në qoftë se pushtetet përqendrohen në dorë të një njeriu, tjerat janë vullneti i tij. Ai bën një grusht shteti, merr pushtetin e parlamentit të fundit, ndaj edhe ne jemi në një mosbindje civile.

Kjo mosindje civile duhet të jetë motoja juaj. Duhet të jetë moto e shqiptarëve. Tiranët nuk i rezistojnë kurrë mosbindjeve civile. Dhe ne, aë që u bë në dhejtorin e viteve ’90, ju do ta ribëni përsëri. Kam shumë besim.

Me këtë rast mos u ndjeni të vetmuar. Studentët e dhjetorit ’90 kishin vetëm guximin e tyre dhe të njëri-tjetrit. Atë periudhë, miku i parë i asaj lëvizjeje ishte ambasadori i Republikës së Hungarisë, dhe sot kam shumë rëndësi të përshëndes përfaqësuesin e Republikës së Hungarisë midis nesh. E ka një koencidencë, por edhe një ogur të bardhë.

Shumë faleminderit, zoti ambasador.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale