FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË KRUJË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Krujë në nderim të figurës së Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ku është përkujtuar edhe 621 vjetorin e lindjes së heroit kombëtar. Në fjalën e tij, ai e cilësoi Skënderbeun si themelues të identitetit dhe lirisë shqiptare. ‘Me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve. Me Skënderbeun lindi lavdia e shqiptarëve.’ Berisha theksoi rolin historik të heroit kombëtar, duke e cilësuar atë si një figurë me ndikim përtej kufijve shqiptarë. ‘Skënderbeu ishte dhe është habia e shekujve se si një njeri, me pak njerëz, pa mbështetje, i qëndroi perandorisë më të madhe të kohërave.’
Në vijim të fjalës së mbajtur, kryedemokrati Sali Berisha vendosi edhe paralelizma mes historisë dhe situatës aktuale politike, duke përdorur tone të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. ‘Një pushtim tjetër, ndër më të egrit që ka njohur historia, detyroi si kurrë ndonjëherë më parë 47 përqind të shqiptarëve të largohen në 10 vite nga Shqipëria.’ Berisha akuzoi Edi Ramën për politika të dëmshme ndaj interesave kombëtare dhe raportit me Kosovën, duke shtuar: ‘Imagjinoni një kryeministër shqiptar që i vë sanksione qeverisë së Kosovës… një shqiptar që veriun e Kosovës e quan tokë e askujt.’
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri thirrje edhe për mobilizim politik dhe qytetar, duke u bërë thirrje qytetarëve që të frymëzohen nga figura madhështore e Skënderbeut. ‘Amaneti i prijësit tonë të pavdekshëm është ky: kurrë mos u dorëzo! Të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë të Shqipërisë.’

FJALA E PLOTE
Mirëdita dhe një përshëndetje të përzemërt të gjithëve ju këtu qytetare dhe qytetarë të qytetit dhe rrethit të Krujës, të gjithë banorëve, të gjithë krutanëve kudo që ndodhen sot, por edhe një mirënjohje të pakufishme ndaj jush për mbështetjen tejet të çmuar që ju i dhatë në kushtet më të vështira PD-së. Aleancës opozitare, kandidatëve të saj.
Të nderuar deputetë, drejtues politik i qarkut, Bylykbashi, zoti Strazimiri, zoti Cara, zoti Piroli, zoti Xhelal Mziu, zonja Luku, Andia Ulliri, të gjithë ju miq të pranishëm në këtë takim.
Dua të falënderoj shumë Aulon Kalanë, me shumë mirënjohje, për organizimin e këtij takimi në nderim të figurës më të ndritur të të gjithë historisë tonë kombëtare, të figurës më të jashtëzakonshme, jo vetëm në historinë e kombit shqiptar, por absolutisht dhe në historinë e njerëzimit.
Të një gjeniu të papërsëritshëm në politikë, në ushtri, diplomaci.
Të burrit që u shndërrua me veprën e tij në shtyllë thelbësore të identitetit kombëtar të shqiptarëve, të qenies së çdo shqiptari, Skënderbeut.
Me Skënderbeun lindi liria e shqiptarëve.
Me Skënderbeun lindi lavdia e shqiptarëve.
Me Skënderbeun, 200 vite para Vestfalisë nisi shteti i shqiptarëve, me prijësin e vet legjendar, me flamurin e vet, ndër më të bukurit në botë, me Kushtetutën e vet, me territorin që nuk guxonte kush t’ia prekë.
Miq, janë shkruar mijëra vepra, por figura e Skënderbeut meriton mijëra të tjera, meriton çdo nderim, meriton çdo vepër.
Ndaj dhe për ne, sot këtu kremtojmë pavdekësinë e tij.
Skënderbeu për 25 vite zhvilloi 25 beteja. Si askush tjetër i fitoi ato.
Betejat e tij janë një kryevepër e artit ushtarak që edhe sot studiohen në akademitë ushtarake më serioze të botës.
Skënderbeu ishte dhe është habia e shekujve se si një njeri, me pak njerëz, pa mbështetje, i qëndroi perandorisë më të madhe të kohërave.
I qëndroi dhe e mundi atë me 25 beteja.
Skënderbeu është legjendar në mbrojtjen që i bëri Europës.
Burra të shquar e kanë njohur atë, kontributin e tij si të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e Europës nga Perandoria Osmane.
E vërteta është se pa luftërat e tij, osmanët do kishin hyrë me kohë në zemër të Europës.
Ndaj dhe e kanë quajtur Atleti i Krishtit, Papa e ka quajtur. Shpata e Krishtërimit.
Mbrojtësi kryesor i qytetërimit perëndimor dhe krishterimit.
Miq, ne e nderojmë sot këtë figurë të papërsëritshme të historisë tonë kombëtare në një moment kur vendi është në një udhëkryq të rrezikshëm.
Pas largimit të Skënderbeut nga froni i tij në këtë kështjellë dhe shuarjes së qëndresës së Krujës, Shkodrës, të shqiptarëve, dhjetëra mijëra shqiptarë emigruan në Itali dhe vende të tjera për të mbetur përjetësisht shqiptarë.
Pra, një pushtim i egër i detyroi ata të largohen.
Por miqtë e mi, një pushtim tjetër, ndër më të egrit që ka njohur historia, detyroi si kurrë ndonjëherë më parë 47 përqind të shqiptarëve të largohen në 10 vite nga Shqipëria.
Dhe ky nuk është një sulltan osman, jo, ky është një argat i Beogradit, për shqiptarët më i zi shumë herë se Gjeorgjeviçi, më i zi se Vuçiçi, më i zi se Çubrilloviçi.
Sepse me qëndrimet e tij ndaj shqiptarëve, ky ka tejkaluar Vuçiçin.
Ky bëri gjithçka që t’i bëjë të zezën Kosovës, vetëm e vetëm që ta copëtojë atë.
Imagjinoni ju sot, një kryeministër shqiptar që i vë sanksione qeverisë së Kosovës, shtetit të Kosovës, të ngritur mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve për liri e dinjitet, fryëmzuar nga Skënderbeu.
Imagjinoni ju një shqiptar pa gjak shqiptari që hedh në gjyq kryeministrin e Kosovës.
Imagjinoni ju një shqiptar, argat i Vuçiçit, që veriun e Kosovës e quan tokë e askujt.
Imagjinoni ju një shqiptar pa gjak shqiptari, që shuan Kosovën e ngritur mbi gjakun e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga harta dhe vë përpara me padronin e tij Vuçiç një hartë ku Kosova del e bashkuar me Serbinë.
Imagjinoni ju një shqiptar, i cili krijon pasi është shpërbërë me gjak dhe përpjekje të mëdha për liri ish-Jugosllavia skllavëruse, krijon në Novi Sad, Jugosllavinë e re.
Imagjinoni një shqiptar, që edhe në ditët më të vështira të Aleksandër Vuçiçit, kur del para gjithë botës si përfaqësues i Rusisë së Vogël. Kur e shndërron Serbinë në një prapavijë të agresionit rus ndaj Ukrainës, kalon nga samiti në samit duke kërkuar të mos i kërkohet të zbatojë Vuçiçi sanksionet e Europës ndaj Rusisë.
Çfarë gjaku ka ky?
A nuk është ky një gjak më i keq se i çdo osmanliu që ka sulmuar këtë tokë?
A nuk është ky një Ballaban, një Hamza?
Çfarë mund t’i thuhet këtij?
Prandaj dhe nderimi i Skënderbeut për çdo shqiptar të vërtetë është detyrim.
Ka edhe detyrime dhe përgjegjësi.
Miq, po ta përmbledhim me dy fjalë amanetin e prijësit tonë të pavdekshëm, ai është ky për shqiptarin: kurrë mos u dorëzo!
Ky është frymëzimi i përjetshëm për të gjithë ata që i thonë vetes shqiptar.
Ndaj dhe të vazhdojmë ne këtë betejë kundër këtij pushtuesi të egër që ka vendosur mbi shqiptarët një sistem shfrytëzimi kolonial duke vjedhur pasuritë e tyre, duke vjedhur fondet e tyre, duke poshtëruar gjysmën e kombit.
T’i japim përgjigjen që meriton.
Çfarë ishte Skënderbeu?
Mbrojtësi i qytetërimit perëndimor.
Po të lexoni raportin e djeshëm në Parlamentin Europian, Ballabani duket lule në krahasim me Edi Ramën me atë që i ka bërë Shqipërisë, me largimin që po i bën nga BE.
E gjitha kjo për vjedhjet që ka bërë.
Ato që keni dëgjuar për Lubinë, ato janë të gjitha të tijat në radhë të parë.
Ndaj dhe të frymëzuar nga prijësi ynë i përjetshëm, të vazhdojmë këtë betejë gjer në çlirimin e plotë, gjer në shpëtimin e plotë të Shqipërisë, gjersa të bëjmë qytetarët shqiptarë të liri ashtu si prijësi i tyre i përjetshëm i tyre, Skënderbeu.
Lavdi Skënderbeut, veprës së pavdekshme të tij.
Lavdi krutanëve dhe krutaneve që shkruan faqet më të ndritura të historisë kombëtare nën udhëheqjen e tij dhe që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të përpjekjeve të opozitës për liri, për dinjitet, për votën e lirë, për të ardhmen e shqiptarëve në Europë.


