Berisha me qytetarët: Rezoluta e IDU kërkon qeveri teknike për zgjedhjet në Shqipëri. Tre rezoluta i bëjnë autopsinë regjimit të Ramës, para të gjithë botës

FJALA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale tha se, në Uashington u miratua një rezolutë nga Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë, një organizatë që drejtohet nga Partia Republikane e SHBA-së. Rezoluta përshkruan situatën në Shqipëri si një diktaturë, të krahasueshme me Tunizinë dhe Bjellorusinë, ku të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë, zgjedhjet janë fasadë dhe opozita persekutohet për motive politike. Sipas rezolutës, drejtësia shërben si armë e regjimit për shtypjen e opozitës dhe fshehjen e krimit elektoral, ndërsa shteti dhe krimi janë bashkëveprues.

Berisha shtoi gjithashtu zbulimet e mediave belge, ku përfshihet emri i Edi Ramës në një çështje kriminale, duke e cilësuar Shqipërinë si epiqendër të larjes së parave dhe duke akuzuar qeverinë për një regjim të mbështetur nga korrupsioni transnacional.

Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi se Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë (IDU) dënon aktet e regjimit të Edi Ramës, përfshirë burgosjen e liderëve opozitarë dhe proceset politike kundër tyre. IDU kërkon krijimin e një qeverie kujdestare në Shqipëri për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kërkon që drejtësia të jetë e pavarur. Ai vlerëson diplomacinë e PD-së dhe opozitës shqiptare si më të suksesshme në historinë e opozitarizmit, për realizimin e tre rezolutave që dënojnë regjimin dhe mbështesin opozitën.

Berisha falenderoi miqtë ndërkombëtarë për mbështetje dhe thekson rëndësinë e kësaj fushate kundër narkoshtetit.

I pyetur nga qytetarët rreth ngjarjes së djeshme mbi kontrollin e banesës së kryebashkiakut Veliaj nga Spak, Berishi dha si përgjigje për një betejë që ndodhi mes Kodrës së Diellit dhe Sarajeve të Surrelit, duke përshkruar veprimet e Alban Dabullës, që dërgoi foto të Olsi Ramës me persona të lidhur me bandën e Xibrakës, duke i vënë ata nën akuzë për aktivitete kriminale.

Berisha tha se, pas një kontrolli në shtëpinë e lali vjedhësit Dabulla luajti një rol të rëndësishëm duke dërguar dokumente që mund të çonin në arrestimin e Olsi Ramës. Pas këtij zhvillimi, lideri demokrat, Sali Berisha kritikoi reagimin e Erion Veliajt dhe komunikatën e dërguar nga Spak, duke theksuar se situata përfundoi me një arsyetim të pabazuar dhe të dobët nga ata që përfaqësojnë regjimin.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për ushqyerjen e urrejtjes ndaj bluzave të bardha që nga vitet 1990, kur mjekët, pas studentëve, luajtën një rol kyç në përmbysjen e regjimit të etërve të Ramës. Ai theksoi se për mjekët dhe mjekësinë do të ndërmerren masa për t’u garantuar siguria, dinjiteti dhe vlerësimi i punës së tyre.

Berisha premtoi që qeveria e ardhshme do të krijojë rregulla të qarta për marrëdhëniet mes sektorit publik dhe privat të shëndetësisë, për të garantuar shërbime më të specializuara dhe për të parandaluar mungesat e ilaçeve dhe mjeteve të mjekimit që vrasin pacientët.

Gjatë komunikimit me qytetarët, Berisha premtoi rritjen e pagave dhe pensioneve, përfshirë një rrogë minimale prej 500 euro dhe një minimum jetik prej 200 euro. Ai theksoi se këto do të realizohen përmes transparencës dhe ndalimit të shpenzimeve abuzive në ndërtim, duke i krahasuar çmimet e larta të ndërtimit në Shqipëri me ato në vendet e tjera evropiane.

Berisha premtoi gjithashtu një reformë në menaxhimin e buxhetit dhe taksave, duke siguruar një shpërndarje të drejtë të të ardhurave dhe pasurive.

Lideri i opozitës, Sali Berisha komentoi një raportim të Zërit të Amerikës, sipas të cilit 20% e qytetarëve në Shqipëri kanë votuar nën presionin e patronazhistëve. Ai theksoi se, këta qytetarë janë terrorizuar dhe frikësuar, duke votuar për kërkesën e patronazhistëve.

Berisha paralajmëroi se krimi elektoral do të ketë pasoja dhe se tashmë situata është në favor të opozitës, duke këshilluar regjimin të mendojë dy herë para se të veprojë.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra reformën e drejtësisë në Shqipëri, duke e quajtur vetingun një nga aktet më korruptive në histori. Ai tha se reforma ka larguar prokurorët dhe gjyqtarët që nuk ishin në mbështetje të PS dhe ka dhënë forcë Edi Ramës kundër opozitës.

Sipas Berishës, kjo reformë ka privuar qytetarët shqiptarë nga drejtësia dhe ka pasur si pasojë një drejtësi të kontrolluar nga narkokrimi. Berisha po ashtu theksoi se PD ka arritur të zbulojë të vërtetën për këtë reformë dhe se do të angazhohet në një reformë të vërtetë të drejtësisë, me ekspertë të njohur ndërkombëtarë.

Berisha akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë për përpjekje për të manipuluar votat në Shqipëri dhe për të përdorur ambasadat dhe krimin e organizuar për të kontrolluar votën e diasporës.

Lideri demokrat shprehu shqetësim për emërimin e Taulant Ballës, të cilin e konsideron të inkriminuar për lidhjet me grupe kriminale. Berisha premtoi se PD do të kërkojë mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë për të zbuluar angazhimin e bandave kriminale në procesin e votimit dhe do të ndërmarrë masa ndaj ambasadorëve dhe punonjësve të ambasadave që shkelin ligjet dhe ndihmojnë në manipulimin e zgjedhjeve.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetje të dashur miq, që merrni pjesë në këtë bashkëbisedim nëpërmjet rrjeteve sociale.

Së pari, dua të përshëndes demokratet e demokratët, opozitaret dhe opozitarët, me rastin e miratimit në Uashington të një rezolute, e treta historike, në mbështetje të madhe të PD-së, mbështetje të madhe të opozitës shqiptare, por në të vërtetë të çdo shqiptari i cili beson se Shqipëria duhet të jetë vend i ligjit, dhe jo vend i mafias, sundim i ligjit dhe jo sundim i mafias.

Bashkimi Ndërkombëtar i Demokracisë, organizata e cila defakto drejtohet, grupon me dhjetëra parti, mbi 80-ca parti, dhe drejtohet nga Partia Republikane e SHBA-së, ka miratuar me unanimitet dje një rezolutë, në të cilën gjendjen në Shqipëri e përshkruan atë të një diktature, të krahasueshme me Tunizinë dhe Bjellorusinë, në të cilën të gjitha pushtet janë të përqendruara në një dorë, zgjedhjet janë të shndërruara në një fasadë, opozita, drejtuesit, deputetët, eksponentët e saj, persekutohen për motive politike, njëlloj si në Tunizi dhe Bjellorusi.

Sistemi i drejtësisë është shndërruar në një armë që i shërben regjimit, thotë rezoluta- për të shtypur opozitën dhe fshehur krimin elektoral. Shteti dhe krimi, janë një sipërmarrje e përbashkët.

Zbulimet e medieve belge, në të cilat ju rikujtoj se televizioni kombëtar, citoi nga dosja gjyqësore, direkt emrin e Edi Ramës, si të lidhur me të pandehurit që gjykoheshin nga gjykatat belge. Shqipëria një epiqendër e larjes së parave të krimit.

Pra përshkruajnë me të gjitha ngjyrat e zeza, në interesin më të mirë të çdo shqiptari, të vërtetat më të hidhura të regjimit të Edi Ramës, të fshehura ditë e natë, nga propaganda e tij e brendshme, por te fshehura edhe nga korrupsioni transnacional ndërkombëtar.

Të dashur miq!

Unioni Ndërkombëtar i Demokracisë IDU, pasi dënon të gjitha këto akte, këto shfaqje, dënon burgosjen, proceset politike, ndaj liderëve dhe eksponentëve të opozitës, Sali Berishës, Ilir Metës, Fatmir Mediu, Ervin Salianjit, Fredi Belerit, kërkon që drejtësia të jetë e pavarur, se një drejtësi e kontrolluar tërësisht nga PS-ja, është një drejtësi e papranueshme në standardet ndërkombëtare.

Përveç këtyre, ky Union kërkon që në Shqipëri të krijohet një qeveri kujdestare, për një proces zgjedhor, të lirë dhe të ndërshëm.

Të dashur miq!

Në një hark kohor të shkurtër, më pak se 1 muaj, komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme PD-së dhe opozitës.

Diplomacia e PD-së dhe opozitës shqiptare është dëshmuar, si diplomacia më e suksesshme në historinë e opozitarizmit në Shqipëri.

Kurrë ndonjëherë nuk kanë ndjekur njëra pas tjetrës, tre rezoluta të cilat bëjnë autopsinë e regjimit të Edi Ramës, para të gjithë botës.

Dua të shpreh mirënjohje të thellë, ndaj miqve tanë, për reagimin e tyre të fuqishëm, kundër narkodiktaturës së Edi Ramës.

Të përgëzoj përfaqësuesit tanë, që në këto forume, me dinjitet, kompetencë, paraqitën situatën dramatike në Shqipëri. Të përgëzoj të gjithë diplomacinë në komunikim të PD-së, e cila përgatiti për muaj me kujdes dhe durim, këtë informacion dhe realizoi me sukses të plotë votimin si kurrë më parë të tre rezolutave njëra pas tjetrës që dënojnë regjimin e Tiranës dhe mbështesin opozitën në Shqipëri, mbështesin shqiptarët në betejën e tyre kundër narkoshtetit.

Kjo ishte çështja e parë që unë doja ta ekspozoj.

***

Do të ndalem shkurtimisht, por edhe në një betejë tjetër, që u zhvillua dje, në orët më të para të mëngjesit dhe gjatë ditës këtu në vend, betejë të cilën mediat e pavarura e cilësuan si një betejë midis Kodrës së Diellit dhe Sarajeve të Surrelit, dhe me një element të veçantë, ultimatumin ‘Dabulla’.

Çfarë ndodhi dje?

Dje në orët e para të mëngjesit, ekipe të tëra të Skapit mësynë në shtëpinë e banimit të lali vjedhësit. Por dera e banesës nuk u hap të paktën për 1 orë e gjysmë.

Ekipet që kishin shkuar aty me mandat gjykate për të ushtruar kontroll dhe të gjitha veprimet, nuk guxuan të hapnin derën me forcë siç kërkon rregulli.

Por u prit gjersa në derë u paraqit një personazh, që askush nuk e imagjinonte se do të mund të ishte ai që do të hapte derën. Nuk ishte i vëllai i zonjës Veliaj, nuk ishte as kunati i saj, nuk ishin familjarët, nuk ishin punonjësit e bashkisë.

Por aty u paraqit Alban Dabulla, si i plotfuqishëm dhe vetëm pas paraqitjes së Dabullës, dera u hap.

Ndërkohë, Erion Veliaj nga Hamburgu në statusin e tij të parë u fotografua me një tigër, në fakt më mirë të kishte vendosur një hienë, se hiena i përshtatet atij. Por tigri ishte simbol i forcës dhe kërcënimit dhe natyrisht ndaj sarajeve të Surrelit dhe Edi Ramës.

E vërteta është se në këtë betejë, me kode mafioze që vazhdoi gjithë ditën, Alban Dabulla me ultimatumin e tij, luajti një rol përcaktues.

Dabulla i dërgoi Surrelit dhe jo vetëm, fotografitë e Olsi Ramës me Genti Xhixhën, me kolumbianët alkimistë të Xibrakës. Regjistrime që kishte nga aktiviteti i bandës së Xibrakës.

Për një ndërprerje të shkurtër në dosjen e Xibrës, njëri nga emrat krahas Ermal Hoxhës, Gentian Gjonajt, është edhe Dabulla, Besnik Dabulla, i vëllai i Albanit.

I vëllai i Albanit u lëshua mandat arresti në kohën e bandës së Xibrakës, por kur policia shkoi, Albani bëri të njëjtin akt, i dërgoi Ramës fotot e Olsit me grupin e kokainës, regjistrimet dhe policia u tërhoq, nuk e arrestoi Besnik Dabullën, anëtar aktiv i bandës së Xibrakës.

Tani pas kaq kohësh, në një kohë kur Olsi është akuzuar nga opozita, me fakte, dokumente se ai është anëtar i bandës së Xibrakës, Dabulla përsëri dje nxori dokumentet që disponon, me të cilat Olsin e çon drejt në qeli, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA, se ai ka shtetësi edhe amerikane edhe shqiptare.

Çfarë ndodhi pas kësaj?

Pas kësaj miqtë e mi, ndodhi ajo që patë.

Endri Fuga zëdhënësi i Edi Ramës dhe Altin Dumanit, pas gjithë asaj zhurmnaje të madhe, lëshon një komunikatë se u sekuestrua telefoni i Ajola Xoxës. Kaq ishte. U katandis kokoshi në thelë.

Kurse Erion Veliaj, nga tigri u bë lepur, lëshoi një komunikatë ku tha, me kolegët e mi të Skapit, jam në harmoni të plotë, fajin e ka Berisha që e sulmon Skapin, rroftë Skapi dhe u mbyll hesapi.

Këto janë të vërtetat e betejës që i zhvillua dje mes Kodrës së Diellit, dhe sarajit të Surrelit.

Jam i hapur për pyetjet tuaja.

PYETJE-PËRGJIGJE

Luftar: Përshëndetje z.Berisha, si ndiheni tani i lirë pas gati një viti arrest në shtëpi?

Berisha: Sigurisht që, dallimi është thelbësor midis atij që ndryhet brenda mureve, dhe atij që ka liritë për të ushtruar të gjitha detyrat e veta dhe jetën e tij normale. Po përsëri unë ndjehem shumë i trishtuar, kur vendi im përjeton dhe është nën diktaturë, siç konfirmohet tashmë nga të gjitha partitë politike të qendrës së djathtë të Euroësh, SHBA-ve, Azisë, Oqeanisë dhe me rradhë.

Kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka qenë në një denoncim ndërkombëtar si këto tri javë, dhe kjo shumëfishon përgjegjësinë tonë si opozitarë për t’i dhënë zgjidhje, për të shpëtuar shqitparët nga kjo narkodiktaturë.

Renato Lamaj: Përshëndetje Z.Berisha, nëse PD vjen në pushtet, cili është plani juaj për të përmirësuar statusin e mjekut në Shqipëri, jo vetëm nga ana e pagës dhe figurës në sytë e popullit. Jemi dëshmitarë që në 11 vjet Rilindje mjekun e kanë trajtuar si armik të popullit me arrestime publike, me heqje nga puna.

Edhe gjatë Covid, kur shumë mjekë humbën jetën nga kjo sëmundje, nuk u vlerësuan nga kjo qeveri, përkundrazi, u lanë në harrësë. Faleminderit!

Berisha: Faleminderit për pyetjen.

Roli i mjekut në një shoqëri të civilizuar, është një rol jetik që lidhet më shumë se çdo rol tjetër me jetën, shëndetin e qytetarëve.

Në këtë kontekst, së pari, vendosja e tij në një status në të cilin i garantohet siguria e plotë dhe i respektohet dinjiteti, i vlerësohet puna, do të jenë nga aktet më të para të qeverisë së ardhshme të PD.

Edi Rama ushqen një urrejtje për bluzat e bardha, de facto që nga vitet 1990. Në qoftë se lëvizja, apo revolucioni studentor i viteve 1990 do të kishte emër tjetër, ai do të ishte revolucioni i bluzave të bardha.

Pas studentëve, ishin bluzat e bardha ato të cilat luajtën rolin më të rëndësishëm në përmbysjen e regjimit të etërve të Edi Ramës.

Edi Rama ka edhe arsye të tjera, por unë nuk po ndalem këtu, që të urrej mjekë dhe mjekësinë.

Garantoj se rregulla të qarta do të përcaktojnë marrëdhëniet e sektorit publik me sektorin privat të shëndetësisë. Rregulla të qarta, do të përcaktojnë detyrimin e sektorit publik për shërbimet më të specializuara ndaj qytetarëve. Do të përcaktojnë pamundësinë e mungesave të tmerrshme të ilaçeve, të mjeteve të diagnozës, të mjeteve të mjekimit, siç ndodh sot, që të sëmurët vdesin jo nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për ta mjekuar atë.

Milaim Nela: Marrëveshja e 5 qershorit nënshkruan në Ambasadën Amerikane u shkel nga Edi Rama duke hequr koalicionet parazgjedhore. Tani që jeni rikthyer në parlament dhe PD është opozitë reale, dhe jo e shitur, a do të kërkoni me forcë që përveç qeverisë teknike të rikthehen koalicionet parazgjedhore? Vendet e garantuara të partnerëve në listat e PD duhet të marrin fund, secili të marrë atë që i takon.

Berisha: Faleminderit Milaim për çështjen që ngre. Në rast se, ke lexuar rezolutat, aleatët e PD denoncojnë ndryshimin kushtetues të Edi Ramës kundër koalicionit opozitar dhe kundër partive opozitare.

Ne kërkuam, dhe insistojmë që marrëveshja e 5 qershorit të rikthehet në fuqi. Por natyrisht, Edi Rama reziston sepse, ka frikë dhe tmerr nga koalicionet e opozitarëve.

Krijimi i qeverisë kujdestare, apo qeverisë të llojit siç e krijoi Maqedonia para zgjedhjeve, ka gjetur mbështetje të madhe ndërkombëtare në rezolutat e miratuara për Shqipërinë.

Në këtë kuadër, ne krahas krijimit do të kërkojmë dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat rikthejnë koalicionet siç ka qenë dhe siç janë në çdo vend demokratik në interesin më të mirë të zgjedhësve shqiptarë.

Rigels Selimani: Ju keni premtuar një rrogë minimale prej 500 eurosh nëse vjen në pushtet, ndërsa në një intervistë të fundit theksuar se minimumi jetik do të jetë 200 euro për ata që nuk marrin,ose marrin më pak. Si do t’i siguroni këto financa për të përmbushur këto premtime, duke patur parasysh situatën e vështirë ekonomike në vitet e fundit?

Berisha: Pyetje e drejtë. Të falënderoj për pyetjen, shumë normale është. Është premtuar jo vetëm aq, jo vetëm rroga minimale 500 euro, është premtuar vendosja e minimumit jetik, 200 euro. Është premtuar rritja e pensioneve mbi 200 euro. Është premtuar rroga mesatare 1200 euro. Janë premtuar pra një seri rritje, me ecje drejt dyfishimit të rrogave dhe pensioneve me qëllimin e palëkundur që shqiptarët të dalin përsëri si qytetarët më të paguar në rajon.

Ju siguroj se këto premtime kanë mbështetje të plotë dhe 100% financiare.

Dy janë mekanizmat me të cilat qeveria do të garantojë këto fonde. Një mekanizëm është transparenca. Nuk do të ndërtohen kurrë më, rrugë me çmim 10 herë më të shtrenjtë se në Kroaci, vend anëtar i BE-së.

Hyni në Google dhe lexoni për autostradën Bjelljosek-Manastir, autostradë 17 kilometra, 27 metra e gjerë, e ndërtuar me një shumë 27 milionë euro.

Pra rreth 1.6 milionë për kilometër. Shqiptarët e kanë të vështirë të imagjinojnë.

Çfarë po ndodh me unazën e Tiranës? Unaza e Tiranës në të cilën ne patëm përfunduar 3 lotet e para, është gjithsej 27 kilometra dhe kishin mbetur 24 kilometra. Janë ndërtuar ne 12 vitet e tyre, gjithsej 12 kilometra. Sot janë 12 kilometra për tu ndërtuar dhe këto 12 kilometra janë ndarë nga Lubi Balluku në 14 lote, 14 kontrata, për të vjedhur 14 herë. Ndërtohen me jnë çmim 16-17 milione euro për kilometër.

Për të mos thënë për të tjera që ndërtohen në fushë me 20, 20 e ca milionë euro kilometër.

Pra, i dashur me një buxhet siç ishte i këtij viti 8.2 miliardë euro. Në të cilin punët publike marrin 2-3 herë më shumë se shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe mbrojtja të marra së bashku.

Pra do të ndërtojmë me çmime të standardeve evropiane.

Është e vërtetë që materialet e ndërtimit, çmimi, kostoja e tyre është rritur. Por çfarë thotë inflacioni, sa është rritur kostoja e materialeve të ndërtimit nga viti 2013 gjer në vitin 2024. Është rritur 28%.

Ndërsa këta, ndërtojnë me çmime disa herë më të larta se sa në vitin 2013. Ndërtojnë 10 herë më shtrenjtë se sa në Kroaci në vitin 2021. Autostrada për të cilën fola është e vitit 2021.

Pra ne këtu kemi rezerva shumë të mëdha, edhe për të ndërtuar pa ndërprerë, se nuk ndërpresim, Shqipëria do të ndërtohet, por edhe për të investuar tek njeriu, për të bërë një shpërndarje të ndershme të të ardhurave.

Ku është burimi i dytë.

Unë dua të ju rrëfej qytetarëve, se çfarë ndodh me taksat e tyre.

Makineria burokratike e pamëshirë, kur përgatit buxhetin e copëton atë në 7-8 mijë zëra. Po hysh dhe ta studiosh, vëren se arrin copëtimi gjer në para xhepi, për një banjo, suva, derë, këto e ato e të gjitha me radhë. Kjo merr fund.

Vinte buxheti gjatë kohës që ishim në qeveri, buxheti kthehej dhe u kërkohej që nga 6-7 mijë që përgatiste makineria të përfundonin në 7-800 e asnjë më shumë.

Ju dëgjuat se si, 3 mln euro kërkon  presidenti për rikonstruksionin e presidencës, madje shkoi deri atje sa i kërkoi Erdoganit para për pallat presidencial, se e ka sulltani atje ta kem dhe unë këtu, një pallat të ri presidenciale. Po të shohësh, e kanë bërë, e kanë ndarë buxhetin se si ta vjedhin.

Katër agjenci vetëm për mashtrimin e qytetarëve, me 170 punonjës. Këto marrin fund. Nuk mund të ketë më të tillë. Nuk do të ketë më shpenzime operative, hajt të vjedhim, kush vjedh më shumë. Jo absolutisht.

Këta vjedhin me borde në mënyrën më të paimagjinueshme. Sot ka zyrtarë anëtar të 20-30 bordeve, ku në secilin prej tyre merr jo më pak se 300-400 mijë lekë. Marrin fund këto. Marrin fund këto vjedhje.

Unë ju garantoj se ato premtime, do të pasohen në një ndarje tjetër edhe të pasurive natyre.

Nuk mund të paguajë kurrë pensionisti me të njëjtin çmim energjinë, siç e paguan rrogëlarti. Ai merr 180 apo 200 euro dhe do të paguajë energjinë aq sa merr Rama, 5 mijë euro apo Dumani 7 mijë euro për të bërë gjahun e opozitës. Marrin fund këto. Do të ketë një shpërndarje të re. Të padiskutueshme të të ardhurave dhe pasurive të këtij vendi.

Pyetje: A mund të ketë një hetim për patronazhistët që t’i njohin të gjithë kush është paguar për të spiunuar? Faleminderit!

Berisha: Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush, se çdo patronazhist e shpall kriminel elektoral, terrorist elektoral dhe do të gjykohen me rreptësinë më të madhe për veprimtarinë e tyre kriminale elektorale.

Parmbrëmë, Zëri Amerikës informoi shqiptarët dhe botën se, në Shqipëri 20% e qytetarëve kanë votuar nën terrorin e patronazhistëve. I kanë rrëfyer Zërit të Amerikës se janë terrorizuar, janë frikësuar nga patronazhistët dhe kanë votuar me kërkesën e tyre.

I siguroj se do mjerohen me ndëryrjet e tyre, krimin e tyre elektoral. Mos të harrojmë se rryma, stina është kundër këtij regjimi. Është për opozitën, radha e opozitës.

Ndaj edhe të mendohen 3 herë para se të bëjnë hapin e parë.

Pyetje: Përshëndetje doktor, çfarë programi keni në lidhje me Reformën në Drejtësi? A e shikoni si të domosdoshme rishikimin e vendimeve të organeve të Vetingut? Nëse po, si do ta realizoni?

Berisha: Pyetje shumë themelore. Një nga arritjet më të mëdha dhe më historike të PD, por edhe më e vështira ka qenë, paraqitja para botës e së vërtetës të pseudoreformës së Xhorxh Sorosit për Drejtësinë shqiptare dhe damkosja si një armë politike në duart e narkokrimit, narkoregjimit. Ia dolëm.

Kurrë se ne kemi një forcë magjike, por sepse ne thamë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën para partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë.

Dhe u them unë ju që, vetëm me këtë PD edhe opozita arriti t’i bëjë një shërbim të jashtëzakonshëm Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo reformë, de facto, privoi qytetarët shqiptarë nga drejtësia dhe e drejta.

Kjo reformë, i dha Edi Ramës anën kundër opozitës. Por duhet të ndihemi të qetë. Janë 3 rezoluta ndërkombëtare të cilat, e denoncojnë Drejtësinë shqiptare si asnjë Drejtësi tjetër në ndonjë vend.

Natyrisht, këto janë një bazë shumë e mirë dhe një detyrim madhor i PD për të ndërmarrë reformën e vërtetë në Drejtësi. Kjo reformë në Drejtësi, do të synojë angazhimin e ekspertëve më të mirë konstitucionalistë, jo aventurierë, siç bëri Xhorxh Sorosi me mafien e tij, por konstitucionalistët më të mirë të Europës dhe SHBA-ve dhe Komisionin e Venecias.

Rishqyrtimi i Reformës në Drejtësi është i një rëndësie vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri. Nuk mund të ketë kurrë demokraci pa një proces të drejtë ligjor, pa një drejtësi të varur dhe të kontrolluar nga ligji.

Ne, mund të them se betejën e fituam. Mos harroni se sa qndra deklarata keni dëgjuar ju, edhe nga zyrtarë më të lartë në mbështetje të hiçit. Por ne nuk u tërhoqëm, sepse ne besojmë se scam-i që ndërohet mbi mashtrimin dhe gënjeshtrën që mund të qendrojë.

Ja ku është sot, më e damkosur, më e damkosur se çdo Drejtësi tjetër Drejtësia e republikës së Xhorxh Sorosit.

Padiskutim që, Vetingu ëhtë një nga aktet më madhore korruptive në histori. Ua them unë ju. Dora e parë e Vetingut kanë qenë të gjithë listat të hartuara në komitetet e PS se cilët janë prokurorët dhe gjykatësit që nuk janë me ta.

Dhe këta, u fshinë që të gjithë, pa përjashtim.

Dora tjetër, pastaj filloi përsëri. Kush mbeti si i pavarur, edhe këta nuk na duhen. Ka patur një batërdi.

A e dini ju? Altin Dumani kryeson Skapin me 3 banesa, ndërkohë unë njoh gjykatës të mrekullueshëm, prokurorë të mrekullueshëm, të cilët një dhuratë familjare 2 mijë euro është përdorur shkak për t’i nxjerrë nga sistemi.

Një garsionere e dhuruar nga i ati, vajzës, është përdorur shkak për ta nxjerrë nga sistemi. Rikthimi i rrogës, që vajza, për kohën që kishte jetuar me prindin ia kishte dorëzuar të atit, dhe i ati kishte qindarkë për qindarkë kursyer për t’ia dhënë asaj në martesë, dhe kjo u quajt korrupsion.

Procesi i Vetingut, ka qenë një proces lufte klasash. Janë nxjerrë nga sistemi të gjithë ata katolikë, të cilët nuk kanë kompromentuar të mbahen peng nga Edi Rama.

Të gjithë, nga veriu, çfarë ishin nga veriu, qoftë edhe për motive më të vogla. Ky ishte një proces i masakrimit të sistemit të Drejtësisë.

Kam besim të madh se, Komisioni i Venecias ka fuqi, ka forcë dhe vullnet për të ndihmuar Shqipërinë. Natyrisht, reforma bëhet vetëm me Komisionin e Venecias, dhe jo me diletantë, jo me njerëz të korruptuar siç u bë reforma e parë, me ekspertët e quajtur të Xhorxh Sorosit, në të cilën u mblodhën ekstremistë të majtë shqiptarë dhe nga bota për të shndërruar drejtësinë në një degë të ekzekutivit të Edi Ramës.

Pyetje: Përshëndetje doktor, çfarë do të ndodhë me të dënuarit e sotëm për korrupsion, vetëm me disa muaj burg për qindra miliona euro. A do të mbetet thjesht një dënim i shlyer ky?

Berisha: Keni shumë të drejtë pyetjen. A ka gjë më cinike për të mos përdorur epitete të tjera se të marrësh në ndjekje penale Ilir Beqajn, për 120 mijë euro të BE-së që ka përdorur në restorantin e tij, si dreka dhe darka dhe ta falësh atë, për 100 milionë euro të sterilizimit, me të cilin shqiptarët paguan sterilizimin e çdo seti, çdo pakete 83 herë më shumë. Për shkak të të cilit, çdo vit, minimumi 1 mijë shqiptarë mbeteshin pa operuar sepse spitalet nuk i blinin dot setet e sterilizuara.

Ilir Beqaj, Manastirliu dhe Edi Rama nuk u hyri ferra në këmbë. Sepse kur u zbulua se ishte rritur çmimi i sterilizimeve 83 herë, Manastirliu nuk e mbajti dot këtë informacion dhe ja dërgoi Edi Ramës i cili në fakt ishte përfituesi kryesor. Çfarë bëri Edi Rama dhe ai i tha, rri e mos u merr me të. Ajo duhej të merrej, se kë një ligj që thotë, se shkelja e ligjit duhet të denoncohet, por i thotë mos u merr me të.

Është kjo fjalë që shfajësoi plotësisht Beqajn, Manastirliun sepse është Edi Rama. Çfarë doli në emisionin e fundit investigativ, në Plug. Çfarë tregonin gazetarët a hetuesit aty. Ata tregonin se paratë rreth 100 mln euro, të plaçkitur nga Rrjepaj, Rrapaj dhe Beqaj, shpërndaheshin njëlloj si paratë në inceneratorin e Elbasanit.

Një kompani x, 10 mln. Një tjetër kompani 20 mln. Të gjithë ishin kompani të zyrtarëve të vendosur me emra të tjerë. Ndaj dhe Altin Dumani merr Beqajn për 120 mijë euro dhe fal Beqajn për 100 mln euro. Padiskutim se kjo merr fund.

Çfarë po ndodh me Erion Veliaj? Shikoni, janë zhdukur 130 euro. Në fakt 200 se sot asnjëri nga 3 inceneratorët nuk punon, por me të tre inceneratorët janë shpenzuar 200 mln euro nga buxheti.

Por unë po marr Tiranën. 130 mln. E kuptoni ju se ç’po heton Dumani. Dumani po heton pasuritë e Ajola Xoxës, e Velicës, dhe të Erion Veliajt. Po bën hetim të thelluar pasuror dhe nuk heton 130 mln euro të zhdukura. Duhej të ishte i përfunduar inceneratori. Duhej të inagurohej në dhjetor inceneratori dhe inceneratori nuk ekziston as gjurmë.

Erion Veliaj, përveç se ka firmosur duke gënjyer se Këshilli bashkiak ka miratuar vendimin që të paguajë bashkia, shpenzimet për plehrat, 29 euro për ton, Erion Veliaj duke transferuar paratë në kontot e tij dhe Ramës, ka bërë sikur inceneratori po ndërtohet në një kohë që aty nuk është vendosur një tullë.

Sa ka marrë Lubi Balluku për këtë, ajo e di vetë. Se ajo ka pasur bashkë me Erionin komisionin mbikëqyrës të ndërtimit të djegësit.

Nuk do t’i pranojë kurrë PD këto gjykime.

Dëgjoni dhe njëherë. Ka 1 vit që hetohet Veliaj dhe Velica dhe u katandis kokoshi në thelë, i marrim telefonin, po i kontrollojmë telefonin Ajola Xoxës, Velicës.

Këto janë mënyra se si të mbrojnë krimin.

Pyetje: Përshëndetje doktor, dua të di përmasat për mbrojtjen e votës së diasporës, ashtu edhe të të gjithë shqiptarëve, pasi Rama përveçse se me blerje dhe vjedhje nuk merr as 45 deputetë. Ne duhet të kemi garanci dhe pregatitje të forta.

Berisha: Shqetësimi juaj është i drejtë. U garantoj se që tani, Rama po bën gjithçka për të gjetur mekanizmat për manipulimin e asaj vote, nëpërmjet ambasadave dhe rrugëve të tjera, krimit, botës së krimit. Nuk është e rastit i dashur mik, që emëron për shqiptarët jashtë vendit njeriun më të inkriminuar sot në politikën shqiptare, pas Edi Ramës, Taulant  Ballën.

Ju i dini tashmë lidhjet e Ballës me bandat e Elbasanit, Shkodrës, Fushë Krujës janë të dokumentuara në qindra e qindra faqe. Në kilometra bisedash telefonike, Taulant Balla është i përzier në çdo akt kriminal, gjer vrasje të individëve të trafiqet e mëdha të drogës etj. Pra, Edi Rama e emëroi Taulant Balla në mënyrë që votën e diasporës, të përdorë krimin e organizuar, organizatat kriminale shqiptare jashtë vendit për të kontrolluar votën e diasporës.

PD do të vendosë kontakte intensive me vendet partnerë dhe do të ju kërkojë atyre të kontribuojnë në zbulimin e angazhimit të bandave kriminale nga Taulant Balla në procesin e votimit. Ndërkohë po shqyrtohen të gjitha procedurat mbi rregullat dhe udhëzimet që të jenë, transparente dhe të parandalojnë abuzimet. Natyrisht, po të keni konstatuar se ambasadat janë shndërruar në instrumente elektorale, garantoj çdo ambasador dhe punonjës ambasade se do të ndiqet si kriminel elektoral, për shkeljen e ligjeve të vendit për veprimtarinë e tij në favor të çdo partie politike, por në këtë rast të PS-së.

Pyetje: Doktor, shpresoj të keni një program për shpopullimin, se iku pjesa më vitale e vendit.

Berisha: Gjenerata jonë përjetoi një nga dramat më të mëdha në tërë historinë kombëtare të këtij kombi. Përjetoi zbrazjen dhe shpopullimin më të madh në historinë e këtij vendi, Shqipërisë në një hark kohor 8-9 vjeçar. Statistikat e para dy muajve të Eurostatit të BE-së, tregojnë se vetëm në hapësirën e Shengenit nga viti 2014 deri në 2022 kanë emigruar 1 milionë e 99 mijë shqiptarë. Nuk llogariten këtu mbi 40 e ca mijë shqiptarë që kanë ikur me Green Card në SHBA. Mijëra e mijëra të tjerë që kanë hyrë në këtë vend nëpërmjet kufirit të Meksikës. Nuk llogariten këtu dhjetëra mijëra që kanë emigruar në Britaninë e Madhe me gomone, nuk llogariten këto ata që kanë emigruar në vende jashtë BE-së në Europë dhe të tjerë në Lindjen e mesme.

Pra ju gandoj se sot, Edi Rama gjatë këtyre viteve, në më pak se 9 vite ka zbrazur 40% të shqiptarëve me një praktikë të Çubrilloviçit, nuk ka dyshim. Nuk ka dyshim se një politikë që të shënojë një kthesë rrënjësore, në drejtim të  përmbysjes së kësaj situate dramatike demografike është jetike.

Ne do të kalojmë menjëherë në politikën e fëmijës së 3-të. Që do të thotë, shteti do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet e fëmijës së tretë gjer në moshën 18 apo 20 vjeçare. Do të bëjmë gjithçka që të rinjtë shqiptarë të mendojnë dhe të ndërtojnë ëndërrën e tyre në vendin e tyre. Nuk mund të ndërtojë ëndërrën e tij një i ri në vendin e vet, kur e  sheh se një fole, një shtëpi banimi, për të krijuar familjen, ai nuk mund ta blejë për 100 vite punë. Do të ketë një politikë agresive strehimi.

Qeveria do të ndërmarrë, do të ndërhyjë fuqishëm kundër karteleve të drogës, krimit, që po rrisin çmimet në stratosferë. Ne do të ndërhyjmë me ndërtesa sociale, ndërtesa që do të kenë çmimet të arsyeshme, të bazuara në kostot plotësisht të përballueshme. Dhe krahas saj në kredi të buta, në mënyrë që banesa të mos jetë kurrë një mollë e ndaluar për shqiptarët. Ne kemi plotësisht mundësi, sikundër do të presim kanalet e zeza të narkoeurove që vërshojë dhe po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.

E kam theksuar dhe e theksoj prap të dashur miq.

Hidhini një sy këtyre kullave. Kullat e 4 viteve të fundit në Tiranë, janë një investim prej 4 miliardë eurosh. Nga këto 4 miliardë vetëm 800 milionë merre në banka. 3 miliardë dhe 200 milionë janë nga droga dhe vijnë blejnë katin, blejnë dy kate, i blejnë me çmim stratosferik. Shko po deshe.

Cili qytetar që është në Tiranë edhe me rrogë të lartë, por është me rrogë, mund të imagjinojë të blejë një hyrje në këto kulla? Asnjë. Çfarë bëjnë ato, vetëm rrisin çmimet e ndërtimit në çmenduri. Le se do të ndalohet ndërtimi i tyre në mënyrë përfundimtare, por e them këtu, qeveria do të ndërhyjë fuqishëm në ndërtimin social në mënyrë që të normalizohet mundësi e qytetarëve shqiptarë që të bëhen me banesa.

Përveç kësaj, përsëri në funksion të demografisë që ju shtruar. Rikthimi i shqiptarëve në Shqipëri është një kusht shumë i rëndësishëm që ne të përmbysim situatën e tmerrshme demografike ku na katandisi narkoshteti. Atëherë do të ketë një kuadër ligjor; pa taksa 5 vite. Do të ketë një kuadër ligjor, rroga, stimuj, banesë, shtëpi, strehim për zbritje të butë të atyre që kthehen.

A ndodh? Ndodh, rikthehuni në vitin 2009, u rikthyen 180 mijë familje, i hoqi ky kuadrin. Riktheheshin prap. E hoqi kuadrin ligjor. Vuri kuadrin e oligarkëve, të narkotrafikantëve. Por ne i rikthejmë të gjitha këto. Dhe ne do të kemi përsëri në dorë, atë faktor ekzistencial të kombit krahas zhvillimit, faktorin demografik.

Prek Qosaj: Pyetja është për legalizimin, kemi 10 vite në Dobrac të ri, Shkodër dhe nuk kemi bërë dot të mundur legalizimin. Si do të mendoni se do ta zgjidhni këtë problem.

Berisha: Legalizimi do të jetë premtimi ynë. Ne i qëndrojmë parimit, legalizim, pastaj urbanizim. Dhe u garantoj se të gjitha ato certifikata të përkohshme që lëshohen do të jen tapi përfundimtare për ju. Një marrëdhënie krejtësisht e re dhe do të jetë me 1 euro. Ky do të jetë me 1 euro, por nuk do të marrë kush tokë turistike me 1 euro, kurrë, siç po bën Rama.

Familja Blu Demokrate: Duke besuar shumë së rikthimi i tretë i juaji do të jetë më i suksesshme në histori, a do të jeni ju kandidati i ardhshëm për kryministër përballë Ramës. Nëse po, çfarë strategjie do të ndiqni për të shkatërruar këtë qeveri të korruptuar e cila i shërben krimit të organizuar dhe bandave.

Berisha: Pyetje e drejtë. Së pari se kush do të jetë kryeministri do ta përcaktojnë shqiptarët, por unë do të ju them qytetarëve se rikthimi i tretë i Sali Berishës do të jetë rikthimi më i suksesshëm i tij. Sepse do të jetë eksperienca më pozitive, minus gabimet e bëra. Tani imagjinojeni ju vetë. Pra do të jenë shqiptarët ata që do të përcaktojnë kryeministrin e tyre të ardhshëm dhe unë do të ju paraqes atyre një program me të cilin duhet ti shoh njerëzit më mirë të paguarit në rajon. Dua të realizoj një shpërndarje ku të gëzoj sa më shumë shqiptarët nga pasuritë publike dhe fondet publike.

Rikujtoj këtu secilin që na ndjek. Në rast se merrni një studim, shumë serioz të grupit të mirënjohur të Bostonit. Në analizën që ai i ka bërë shpërndarjes së të ardhurave në të gjitha vendet, Shqipëria renditet në vendin e 4-të në botë. Të ju them të vërtetën, kur e kam parë sigurisht që jam gëzuar, dhe nuk kisha menduar ndonjehërë së mund të arrinim atë pozicion. Jo, sepse kur ke 1 mijë halle dhe vrapon se si të ju përgjigjesh.

Por pse ndodhi ajo.

Për dy arsye; së pari ne dyfishuam rrogat dhe pensionet. Pra, me fondet publike, vendosëm në qendër qytetarin dhe ja dolëm të dyfishojmë rrogat dhe pensionet.

Së dyti, në asfaltuam, rindërtuam 11300 kilometra rrugë, mbi 1300 shkolla, kopshte, objekte arsimore, mbi 11 impiante ujërash të zeza. Pra bëmë investime të mëdha në komunitete që u shkonin përsëri qytetarëve.

Tani është krijuar një hendek i tmerrshëm që thellohet në mënyrë të frikshme dhe i përzë shqiptarët nga Shqipëria. Ky hendek do të ngushtohet, në shpejtësinë më të madhe.

Pyetje: Jam një mësuese në shkollë 9-vjeçare, kam 30 vite në profesion, më shqetëson shumë siguria në shkollën tonë, sidomos pas ngjarjes të disa ditëve më parë. Policia, duket vërdallë një ditë po një ditë jo, vijnë e rrinë ndonjë orë dhe pastaj ikin dhe nuk duken më. Duhet forcuar siguria në shkolla, është emergjente. Ngrijeni zërin në parlament, ju lutem. Po në program, keni menduar ndonjë zgjidhje për këtë problem? Me respekt, Liri Bregu.

Berisha: Faleminderit, zonja mësuese për shqetësimin që shpreh, dhe ju siguroj që është një shqetësim shumë i ligjshëm.

Siç jeni ju në dijeni, shkollat sot janë subjekt i një agresioni kriminal të trafikantëve dhe drogës. Dhe politika e Edi Ramës, e bazuar në parimet e monstrës së njerëzimit, Xhorxh Soros, në qendrimin e butë ndaj krimit dhe drogës, bëri që droga të vërshojë nga të katërta anët, nga një vend që pothuajse në vitin 2012-2013, kokaina ishte rrallësi, saqë nga bregu shqiptar në bregun italian, në një vit, janë kapur gjithësej 12 kg kokainë.

Kokaina vërshoi në lumenj këto vite në Shqipëri. Kanabis u bë njëkohësisht si me qenë bimë shtëpiake. Këto të gjitha, ushqyen krimin.

Ju me të drejtë flisni për policë, por unë të them të vërtetën, kur shoh akte vrasje brutale nga policë të droguar, unë kam ndrojtje kur mendoj se këta do jenë roje të fëmijëve tanë. Është çështje shumë thelbësore kjo siguri në shkolla.

Sot, Policia e Shtetit është gjerësisht e dominuar nga narkopolicët, nga narkokomisarët, dhe ju garantoj se, nuk janë këta të cilët… urdhëro çfarë ndodhi në shkollën Fan Noli. Në gjirin e shkollës, u ekzekutua publikisht një engjëll, një yll dhe një shtet i poshtër që përpiqet ta fshehë krimin. Ka dy javë që përpiqet të bëjë gjithçka, të fshehë të vërtetat që thotë se, polici ishte i shkëlqyer, se e kishte bërë detyrën. Që thotë drejtoresha e kishte bërë detyrën, që thotë ministrja: bëmë maksimumin.

Pra, a është një problem ky? Është një problem shumë serioz, dhe ju siguroj se, pavarësisht nga ky kompleksitet, do të ketë një investim të plotë në sigurinë e shkollave me përparësinë më të madhe. Natyrisht, në një përzgjedhje të plotë, kur një njeri në shkollë nuk do mund të afrohet pa testimin periodik të përdorimit të drogës negative, apo pozitive. Minimumi kjo.

Testit do t’i nënshtrohen të gjithë policët, por veçanërisht do ta kenë periodikisht.

Pyetje: Jam një punonjës në bashkinë e Durrësit. Kanë filluar të na kërkojnë emrat e fisit që jetojnë jashtë, i duan për zgjedhje, për vota. Këta të PS e kanë ndarë mendjen, duan që ti vjedhin prap zgjedhjet. Çfarë do të bëni ju si PD për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme? Anonim  ju lutem, se ndryshe më heqin nga puna

Berisha: Ju falenderoj për pyetjen. Për ju dhe çdo punonjës të ndershëm të asaj administrate. Mos u bëni mbështetës të praktikës së vjedhjes së zgjedhjeve. Qëndroni në përputhje me ligjin, dinjitetin tuaj. Sepse kjo është një praktikë antiligjore. Ky është tipik shndërrimi i shtetit në shtet elektoral, tipar kardinal i çdo diktature. Qëndroni si punonjës besnik të ligjit dhe regjistroni ata që ju kërkojnë, regjistroni emrat, kërkesat, po mundët dhe zërin e figurën në mënyrë që ata të përballen me atë që meritojnë pas këtyre zgjedhjeve.

Kjo diktaturë të ardhme nuk ka, është radha jonë, prandaj rreshtohuni në anën e ligjit, si një punonjës që ëndërroni për një shtet ligjor. Jepni kontributin tuaj, dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne jemi të sigurtë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme.

Quhem Qazim, si unë dhe gruaja ime jemi pensionistë. Marr 170 mijë lekë pension, gruaja merr 140 mijë lekë. 70 mijë lekë i kemi ilaçe që i paguajmë nga xhepi. Ndoqa parlamentin dhe më pëlqeu propozimi juaj për rritjen e pensioneve, kur të vini në pushtet, a do ta mbani këtë premtim apo do të na mashtroni edhe ju siç bëri Edi Rama këo 12 vjet?

Berisha: I dashur Qazim, këtë premtim të siguroj se e kam nga thellësia e ndërgjegjes sime. Por edhe një gjë. Unë nuk di se kur keni dalë në pension, veçse të ja dy shifra të sakta.

Kur erdha në pushtet në 2005, ne e gjetëm pensionin minimal 36 euro. Kaq ishte, në fshat. Ky pension minimal u rrit në 84 euro. Pra, u mbidyfishua ky pension minimal.

Pensione tjera u rritën nga 60 gjer në 80%.

Pra, rrogat u mbidyfishuan. Unë nuk mudn t’i lejoj vetes kurrë të loz me ndjenjat, do të ishte shumë cinike të lozësh me ndjenjat e njerëzve. Ju numëruat ilaçet, por me aq sa merrni ju të dy, po të llogarisësh ujin, dritat, etj., ju edhe vaktet mund të mos i keni të sigurta.

Prandaj dhe, do të vendoset minimumi jetik, minimumi 200 euro. Mbi bazën e këtij minimumi do llogariten pensionet do rriten, i nderuar zotëri, gjersa ju, çdo pensionist, gjersa çdo punonjës të marrë më shumë se sa çdo pensionist dhe çdo punonjës në rajon.

Shqipëria është vendi më i pasur se secili nga vendet përreth. Shqipëria vidhet, vidhet.

Se, në qoftë se, të garantoj unë ty, në qoftë se Edi Rama vazhdonte atë politikë të shpërndarjes së të ardhurave, të rritjes së rrogave, sot nuk do kishte pension në mënryrë absolute nën 250 euro, minimumi. S’do mund të kishte pension nën 250 euro, s’do mund të kishte rrogë minimale nën 700 euro, nuk do kishte rrogë mesatare nën 1500 euro.

Ne, me ritmet që nisëm po ecnim jo drejt Italisë, jo drejt Gjermanisë, por po ecnim drejt Sllovenisë, po, dhe mund të ecim. Nuk është Sllovenia më e pasur se sa ne.

Është vend i pasur, popull punëtor, por ne kemi shumë pasuri.

Për ta mbyll. Kanë patur të ardhur 57 miliardë euro gjer në vitin 2024, me këto të vitit 2025 bëhen 63 mld euro. Çfarë kanë bërë? Ku i kanë çuar? 8 mld janë rrogat, fondi i pensioneve është veçmas.

Si duhet të veprojë qeveria, është shumë e thjeshtë. Shumë e thjeshtë.Duhet të marrë qindra milionë dhe t’i vendosë në fondin e pensioneve. Siç bëri Kosova.

Albin Kurti, u tha pensionistëveunë do të rris 20% pensionin. Fondi i pensioneve ishte 500 mln euro. Mori nga fondi i buxhetit 100 mln euro, i çoi tek fondi i pensioneve, dhe çdo pensionist merr 20% më shumë.

Po Lubi Balluku ka dhënë 600 mln euro tendera pa garë.

Ju jeni njerëz të mençur dhe me eksperiencë, duhet t;i analizoni të gjitha këto. Kështu që, do mbahet një për një dhe më shumë.

Në qoftë se dikur, kur i kisha premtuar këto në vitin 2004, të them të vërtetën, domethënë, nuk është se kisha sigurinë e madhe dhe më dukej se po bëja premtime shumë të vështira, dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi thoshin: gabove që i premtove. Fatmirësisht, i mbajtëm.

Tani, ju siguroj se ndihem 100% i sigurtë në realizimin e tyre.

FJALA PËRMBYLLËSE

Ju falënderoj shumë për pyetjet, për vëmendjen dhe ju ftoj të alim nga një lloj ambientimi me të keqen, sepse jemi në prag të fitoreje të madhe. Kombet humbasin vetëm kur nuk besojnë, ndaj dhe të vendosim ndryshimin.

Është radha jonë! Ju siguroj se, është radha jonë!

Kjo që ka ndodhur në tre javë në arenën politike ndërkombëtare, goxhdimi dhe damkosja e narkoshtetit në Shqipëri, është një fitore për secilin prej jush që besoni se Shqipëria duhet të jetë vend i lirë, vend i ligjit, vendi i prosperitetit, i mirëqënies.

Ndaj dhe, me besim të madh tek ndryshimi le t’i shërbejmë atij çdo orë, çdo ditë gjer në fitore.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale