REPLIKA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KUVEND
EKSTRAKT
Gjatë replikës së tij në Kuvend, kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se Reforma Territoriale po përdoret për të dobësuar qeverisjen vendore dhe për të hequr pengesat ndaj abuzimeve me pronat dhe fondet publike.
Berisha e cilësoi reformën “antikushtetuese dhe antikombëtare”, duke theksuar se bashkitë po eliminohen për t’i hapur rrugë një modeli më të centralizuar të qeverisjes.
Duke iu referuar investimeve në zonat rurale, ai deklaroi se qeveria e mëparshme investoi 3.2 miliardë në Shqipërinë rurale, ndërsa akuzoi mazhorancën se investimet e saj janë përqendruar te interesa të lidhura me trafikantë dhe banda.
Berisha deklaroi se mazhoranca “është shndërruar në një organizatë të mirëfilltë kriminale” dhe paralajmëroi se pronat e lidhura me krimin do të përballen me konfiskimin.
“Me këtë pseudo-reformë ju de facto e shtroni Shqipërinë në atë që doni, se si ta vidhni më shumë”, u shpreh Berisha në Kuvend.
REPLIKA E PLOTË
Për t’i kthyer përgjigje edhe njëherë, personit që karakterin, ndërgjegjen, votën ia ka, ia ka falë bixhozit.
Por dola këtu për të mbrojtur dhe njëherë interesat jetike të komuniteteve, për të denoncuar këtu para jush aktin antikushtetues, antigjyqtar dhe antikombëtar që bëni ndaj bashkive të vendit.
Me këtë pseudo-reformë ju de facto e shtroni Shqipërinë në atë që doni, se si ta vidhni më shumë. Me këtë pseudo-reformë ju zhdukni çdo lloj pengese që keni nga qeverisjet e vërteta vendore në vjedhjen e këtij vendi.
Përsa u përket investimeve, aty janë dhe çdo qytetar e din. Ajo qeveri e dikurshme investoi 3.2 miliardë në Shqipërinë rurale, kurse ju në Shqipërinë rurale, përveç investimeve në miliona metër katrorë të trafikantëve dhe bandave, grabitjeve të tokave, s’keni investuar asgjë.
Ky diskutimi juaj dhe ky qëndrimi juaj sot dëshmon se ju jeni shndërruar në një organizatë të mirëfilltë kriminale, pa interesa kombëtare, pa interesa shoqërore, pa interesa shqiptare.
Dhe ju garantoj se agjencia për konfiskimin e pronave do t’ua nxjerrë për hundësh ju dhe çdo njeriu me pronë krimi!


