DEKLARATA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS MBYLLJES SË QENDRAVE TË VOTIMITEKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka falënderuar qytetarët që kanë dalë e të votojnë, pavarësisht presioneve të shumta nga administrata, bandat e qeverisë dhe oligarkët.
Berisha tha se, falënderon të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit të cilët kanë qëndruar në qendrat e votimit.
Kryetari i PD-së, kërkoi se me këtë përkushtim dhe vendosmëri të garantohet edhe numërimi i votave, që sipas tij, do të ketë peshë më shumë se asnjëherë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma!
Nga kjo platformë dua të ju përcjell përshëndetjen më të përzemërt, nderimin më të madh për të gjithë ata qytetare e qytetarë që sot e shndërruar këtë ditë me votën e tyre, në një ditë të historisë sonë.
Ata votuan në qendrat e votimit, në kushtet më të jashtëzakonshme. U ngritën mbi çdo gjë dhe folën me votën e tyre, folën në mënyrën më të civilizuar, folën me guxim dhe vendosmëri.
Ata kapërcyen mbi konglomeratin e administratës mafioze, oligarkëve të shpifur dhe bandave të tyre kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike.
Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje ndër më të denjat për qytetarët në të 4-anët e vendit.
Unë kam vlerësimin më të lartë, mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë ata të reja, të rinj, burrave dhe grave, që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit.
U përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë që është mbi të gjitha detyrat; në kushte paqeje kjo është detyrë mbi të gjitha detyrat.
Ju bëj thirrje me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim me të cilin përballuan presionet e egra të mafiasshtetërore, të bandave të kësaj mafie, oligarkëve dhe bandave të saj, po me atë përgjegjësi, guxim, vendosmëri të numërojnë çdo votë.
Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë, se kjo betejë është një betejë e një rëndësie historike dhe këtë betejë do ta fitojnë vetëm ata të cilët mbrojnë kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Faleminderit!