FJALA E KREUT TË PD SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME KANDIDATËT PËR KRYETAR BASHKIE
Në vendimet që do të marrim, sigurisht që ju keni zërin tuaj dhe partia nuk merr asnjë vendim pas një konsultë me ju. E vërteta është që jeni ju kandidatët e lirisë, kandidatët e parë në historinë e këtij vendi, por jo të vetëm të këtij vendi, por edhe të vendeve të tjera që zgjidhen me votën e lirë të anëtarësisë dhe mbështetësve të PD.
Personaliteti juaj i pëlqyer, i respektuar nga qytetarët e bashkive ku ju keni konkurruar, ka tmerruar Edi Ramën, ka tmerruar narkoshtetin dhe jo vetëm, por edhe aleatët e tij, duke menduar se do mund të na pengojë të marrim pjesë dhe të fitojmë zgjedhjet më 14 maj. Si burracak ai shtyu deri në tri ditë para skadimit të afatit vendimin e parafabrikuar të gjykatës së kontrolluar 100% prej tij, dhe konfiskoi vulën e partisë. Mendoi se me këtë akt na dha një goditje dhe shpëtoi nga opozita e vërtetë.
E vërteta është e kundërta, ai nuk do të shpëtojë kurrë nga PD, e cila u ngrit si feniksi nga hiri, apo labirinthet e kurtheve të paimagjinueshme shqiptare e ndërkombëtare, dhe vjen sot më e fuqishme se kurrë në betejë në një monizëm të plotë të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen. Qytetarët e kanë të qartë se me këtë akt, Edi Rama shprehu tmerrin që ka nga opozita e vërtetë, sepse Edi Rama është një kufomë politike që kundërmon në Shqipëri, Ballkan, SHBA dhe kudo në botë.
Ai kundërmon për të gjitha aferat e tij të mëdha korruptive. Të ligat dhe të zezat që iu ka bërë qytetarëve shqiptarë, duke i vjedhur nga mëngjesi deri në darkë, në çdo orë, në çdo muaj, në çdo stinë, në çdo kohë. Ai kundërmon si njeriu që po shfaros demografikisht këtë vend. Po e shkreton këtë vend me një shpejtësi të rrufeshme, sa asnjë luftë civile, rajonale, apo botërore.
Në 8 vitet e qeverisjes së tij, vetëm në hapësirën Shengen, u larguan nga Shqipëria 937 mijë qytetarë, nga të cilët 78% prej tyre janë të rinj. Nuk ka shqiptar që mund të pajtohet me këtë moment dramatik, me këtë traumë, me këtë dramë kkombëtare që krijon Edi Rama me politikat e tij. Ndaj dhe ai ka frikë dhe tmerr nga zgjedhjet, sepse me dokumenta zyrtare, jo të opozitës, por shtetërore aktuale, ai në 9 muaj iu ka vjedhur shqiptarëve 122 miliardë lek.
Qytetarët mund të pyesin, po si i ka vjedhur?
I ka vjedhur duke bërë punë publike me çmim të 8 fishtë, 10 fishtë, të 5 fishtë krahasuar me çmimet që përcaktojnë manualet e ndërtimit, qoftë në Europë, qoftë në SHBA. I ka vjedhur me bordet, me të cilat detyroi qytetarët shqiptarë të paguajnë për ushqimin, për bukën e përditshme, për naftën 530 milionë euro në disa muaj. I ka vjedhur me energjinë.
Vitet e para ndoshta në historinë e këtij vendi që falë asaj politike që u ndoq për ndërtimin e HEC-eve, dy vitet e fundit Shqipëria ka prodhuar energji elektrike rreth 2 milirdë kë/h, apo 2 terravatë, më shumë sesa ka konsumuar. Por a u shndërrua kjo energji në një mirësi për qytetarët. Jo, në një ndëshkim për ta. Sepse kjo bandë, kjo organizatë kriminale zbrazte digat, duke i shitur sekserëve të vetë çmimin 4 herë më të ulët se bursa, dhe po kjo energji që blihej nga sekserët shitej jashtë me çmim 4-5 herë më të lartë sesa ai që ishte blerë. Kjo diferencë ndahej me qeveritarët. Krijuan mekanizma vjedhjeje të paimagjinueshme. Edi Rama nuk shpëton kurrë nga këto akte, dhe ai e ka kuptuar këtë.
Ju e dëgjuat, shqiptarët e dëgjuan.
Para 3 ditësh dha dorëheqjen njeriu më i afërt i tij që ai e thërriste parukja, Fuga. Po pse dha dorëheqjen do thoni ju? Sepse ka ngritur sipërmarrje në Singapor. Po, absolutisht. Të gjithëve iu kujtohet udhëtimi në Singapor i Edi Ramës. Ndokush mendon se u bë për interesa të qytetarëve. Singapori është një vend që mund të mësohet shumë prej tij. U bë për interesa përsonale, sepse duhet të vendosen në bankat e Singaporit, dhe tani po dërgon Fugën pas parave në Singapor, kanë hapur ndërmarrje atje. E sigurtë!
Pra, afera e Durrësit shumë miliardëshe. 420 milionë janë janë djegësat. Të gjitha këto e bëjnë Edi Ramën të ketë frikë çdo sekondë, çdo minutë, ai e përfytyron veten aty ku e ka vendin.
Por nuk janë vetëm këto.
Tani është njeriu më i diskredituar në arenën ndërkombëtare, më i damkosur. Dhe kjo damkë do ta shoqërojë atë gjer ditën e fundit të jetës së tij. Do t’i mbetet njollë turpi pabesie në të gjithë kohërat.
Skandali Rama-McGonigal dëshmoi në njërën anë armiqësinë e tij të hapur ndaj SHBA. Një vend i cili ka ndiihmuar shqiptarët më shumë se çdo vend tjetër, por e vërteta është një vend që nuk mund të priste kurrë një akt të tillë nga një kryeministër i Shqipërisë, por Edi Rama këtë mendësi kishtë, këtë trashëgimni ka, dhe krijoi një skandal tronditës për SHBA, për Shqipërinë, për të gjithë Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vendet e lira që kanë si mburojë sigurie udhëheqjen dhe fuqinë e SHBA.
Përpiqet të mbulojë me retorikë, por pikërisht ditën që mashtronte në Parlament, në Komisionin Juridik të Senatit të SHBA, Afera Rama-McGonigal dilte dy herë si një nga aferat më të zeza. Prokurori i Përgjithshëm i dha përgjigje direkt, se ai që paguan një punonjës të administratës amerikane për shërbime ndaj qeverisë së tij, ai përbën kërcënim për sigurinë e SHBA. Ky nuk ka paguar një punonjës dosido, por ka paguar njeriun më të rëndësinë për sigurinë e SHBA.
E pagoi atë për të shkatërruar opozitën, në mënyrën më anti-kushtetuese, më të paimagjinueshme. Mirëpo, jo vetëm që nuk e shkatërroi dot opozitën, por kjo i dha mundësi, ose bëri që opozita të ri-organizohet si një forcë politike më e lirë se kurrë në ekzistencën e saj. Si një forcë politike e cila vendosi standartet më të mira të lirisë brenda saj. Dëshmia më e shkëlqyer e kësaj përpjekje jeni ju.
Ndaj dhe ai ka tmerr nga ju. Sepse ju do keni përballë kandidatë të lidhur fund e krye me mafen shtetërore, dhe jo me qytetarët. Dallimi juaj me rivalët socialist është si nata me ditën. Ju jeni aty si zëdhënës të interesave qytetare. Jeni aty si përfaqësues të vlerave qytetare. Jeni aty me misioni për të kthyer bashkitë në shtëpitë e para të qytetarëve shqiptarë.
Rivalët tuaj janë përfaqësues të Edi Ramës. Të një kufome politike që kundërmon në Shqipëri, Europë dhe botë, dhe që do ta presë në mënyrë absolute dhe të pashmangshme, fati i McGonigal.
Ndaj edhe me të drejtë një nga personalitetet më të shquara amerikane shkruante dy ditë më parë se gjyqi i McGonigal duhet të bëhet në Tiranë. Se çfarë do të bëjë drejtësia me çështjen e McGonigal, ajo është çështje e tyre, po drejtësia shqiptare nuk do t’i ndahet kurrë Edi Ramës pa i dhënë atë që meriton për aktet që ka kryer.
Shfrytëzoj rastin për punën që keni bërë. Keni ndërmarrë dhe po organizoni një fushatë më të mirën që është zhvilluar ndonjëherë. Mbështetja vjen gjithmonë në rritje. Përpjekjet për të penguar fitoren tuaj janë të dështuara. PD nuk ka mbështetur kurrë fuqishëm kandidatët e vetë sa po i mbështet dhe do t’i mbështesë në këtë fushatë. Por edhe qytetarët nuk kanë patur kurrë kandidatë të parë të zgjedhur në mënyrë më transparente se ju.
Ju guxuat, hytë në garë. Treguat të gjithë CV-në tuaj, kurrikulën tuaj, qëllimet tuaja për qytetarët. Në këtë kontekst keni një epërsi shumë të madhe nga kandidatët e mafies shtetërore.
Edi Rama me qëllim që të na pengonte të hynim në zgjedhje e shtyu deri në tri ditët e fundit vendimin e gjykatës, gjykatës të cilët lexuan një shkresë që iu kishte ardhur aty me Elira Kokonën, edhe ajo një eksponent i rrezikshëm e mafes shtetërore të Edi Ramës.
Duhet të pranojmë se ky skenar nuk ishte vetëm i Edi Ramës. Ky skenar që filloi me McGonigal nga Edi Rama vazhdoi në etapa, morën peng ish kryetarin dhe duhet t’u them ju dhe qytetarëve shqiptarë se ka qenë kundërshtimi im i prerë para të dërguarve të Bashës, edhe të Ramës që PD të bëhej koalicion me PS, ai që pastaj nxiti në thelb të gjitha veprimet ndaj meje.
Unë nuk e kam kundërshtuar atë për asnjë lloj interesi personal, por në thelb unë e kam kundërshtuar atë ofertë dhe në mënyrë shumë të prerë, sepse kam besuar se ky ishte interesi i çdo demokrati dhe i çdo qytetari shqiptar. Unë e kam kundërshtuar dhe besoj se kam marrë një vendimet më të drejta.
Në këtë kontekst nuk iu dolën llogaritë. Bazoheshin në mashtrimin dhe gënjeshtrën dhe dështuan. Ndaj dhe e nisëm ku e nisëm dhe ku jemi sot. Forcë politike në Shqipëri. Opozita më e fuqishme në vend. Më e mirëorganizuar, më demokratike.
E shfrytëzoj rastin t’iu bëj thirrje të gjithë demokratëve që t’u mbështesin ju. Çdo demokrati, çdo qytetari. Asnjë prej jush nuk jeni kandidatë, as të Sali Berishës, as të Kryesisë së PD. Ju jeni kandidatë të qytetarëve, aq sa jeni pastaj të Sali Berishës dhe të Kryesisë së PD.
Pra, ky është jnë motiv për çdo demokrat, për çdo mbështetës të PD që t’ju mbështesë ju. Ata që menduan se si shërbëtorë apo vegla të Edi Ramës se mund t’i imponohen PD njëherë me bravë, pastaj me vulë, ata i merr turpi dhe dëshmohen si politikanët që vetëposhtëruan veten e tyre në një mënyrë dhe shkallë ta atillë sa nuk e ka poshtëruar kush në 30 vite politike pluralizmi. Kjo është e vërteta.
Ftoj edhe njëherë edhe njëherë çdo demokrat të bashkohet, t’ju mbështetsë. E garantoj se vlerësojmë shumë dhe do vlerësoj investimin e secilit. Nuk besoj se ka sot demokratë të vërtetë që mund të bashkojë moralin, bindjen politike me dyshen Alibasha-Brava. Jo.
Mos të harrojmë se ku e nisëm dhe ku jemi sot, dhe e vërteta është që së shpejti do të jemi në pushtet, jo për karrige, po për t’i dhënë Shqipërisë ndryshimin që meriton. Le ta vazhdojmë këtë betejë të bindur dhe të sigurt në fitoren tonë.
Të diskutojmë këtu në këtë takim hapur, të shkëmbejmë, të shprehim mendime lirshëm për gjithçka në mënyrë që sot pasditë Këshilli Kombëtar të marrë vendimet përfundimtare mbi qendrimet do adaptojë në këtë situatë PD.
Faleminderit shumë!